Rama: Rinasi, do të jetë i pari aeroport në Europë ku s’do ketë kontroll pasaporte

Në podcastin “Flasim” kryeministri Edi Rama foli edhe për një risi që pritet të impelmentohet në vendin tonë nga janari 2026, portofolin e identitetit dixhital, që do të përfshijë të gjithë dokumentet personale si karta e identitetit, leja e drejtimit, diploma apo certifikata të ndryshme. 

Rama tha se edhe Europa po ecën në këtë drejtim dhe ka vendosur 2027-ën si afat për të futjen e identitet dixhital.

“Kur koncesioni i hershëm i kartave të identitetit përfundoi, ne morëm përsipër një sfidë të madhe: krijimin e një kompanie shtetërore për prodhimin e kartave të identitetit, më të mira dhe më të lira se të mëparshmet. Kompania Identitek e përballoi me sukses këtë sfidë dhe tashmë është angazhuar për sfidën e re të identitetit digjital, pra kalimin e kartës së identitetit në celular apo kompjuter dhe funksionimin e saj si një portofol digjital shumëfunksional. Edhe Bashkimi Europian po ecën në këtë drejtim dhe ka vendosur vitin 2027 si afatin për futjen e identitetit digjital në jetën e përditshme të Europës. Shqiptarët do ta kenë gati identitetin e tyre digjital në fillim të vitit 2026”, tha Rama.

Më tej, kryeministri Edi Rama shtoi se po përgatisin edhe një tjetër inovacion, portën dixhitale të hyrjes në aeroportin e Rinasit.

Rama tha se nuk do të jetë më e nevojshme ndalesa për kontroll pasaporte, por udhëtarët mund të kalojnë përmes një porte dixhitale së cilës i mjafton pamja e udhëtarit për të verifikuar identitetin e tij.

“Një tjetër inovacion i bukur që po përgatisim është hyrja në Shqipëri nga aeroporti “Nënë Tereza” pa asnjë ndalesë dhe pa kontroll pasaporte, por përmes një porte digjitale, të cilës i mjafton pamja jote për të verifikuar identitetin tënd, duke e lidhur atë elektronikisht me biletën dhe me të dhënat e tua. Kështu, aeroporti i Tiranës, tashmë i mirënjohur si një nga të parët aeroporte në Europë me kontroll digjital të pasaportave, do të jetë i pari aeroport në Europë me portën digjitale të hyrjes. Kjo falë bekimit të teknologjisë digjitale, e cila u jep mundësi vendeve në zhvillim të bëjnë kapërcime epokale që, përndryshe, do të ishin të pamundura”, theksoi Rama.