“Këta luanin futboll, vraponim bosh”, Asllani pas humbjes: Nuk mund të pësosh dy gola në shtëpi për 10 minuta

Kristjan Asllani e cilëson të pafalshme pjesën e parë ku Shqipëria pësoi dy gola ndaj Ukrainës, gjë që ndikoi në ecurinë e takimit ku kuqezinjtë u mundën 2-1.

“Kemi hyrë në fushë shumë keq, se nuk mund të pësosh dy gola në shtëpi pas 10 minutash. Janë gjëra që ndodhin në futboll. Shpresoj të mos shkonte kështu ndeshja. Në pjesën e parë ishim në vështirësi, kur nuk kishim topin besoj se kemi bërë ndeshjen më të keqe se kemi pasur shumë probleme. Në pjesën e dytë kemi ndërruar modul, ishim lart me presing, ndeshja ndryshoi. Donim pikët sot, sidomos të merrnim fitoren e nëse nuk vinte të paktën një pikë. Por futbolli është kështu dhe do të përmirësohemi.

Nuk na tha gjë në pushim trajneri, ndryshoi mënyra si të shkosh te kundërshtari se kishim shumë probleme në pjesën e parë, ata ishin gjithmonë të lirë, vrapuam bosh. Në pjesën ë dytë shkuam gati një kundër një dhe ata patën frikë dhe gjynah që nuk morëm një pikë të paktën.

Këto janë ndeshje të ndryshme, nuk mund të flitet për një ndeshje njëlloj, Çekia luante me topa të gjatë dhe ishte ekip fizik, këta luanin futboll, kishin lojtarë teknikë. Ne e kishim të vështirë kur ata kishin topin”, tha Asllani për “SuperSport” pas ndeshjes.