Klea Huta dhe Elgit Doda kanë ngritur dyshimet se i kanë dhënë fund marrëdhënies së tyre pas shumë vitesh së bashku.
Çifti, prindër të një djali, celebruan dashurinë në martesë në qeshor 2023, por duket se tashmë kanë ndarë rrugët e tyre.
Aktorja dhe kantautori i njohur kanë fshirë fotot së bashku në rrjetet sociale, përfshirë edhe ato të dasmës, ndërsa ende ndiqen me njëri-tjetrin në rrjetin social Instagram.
Klea Huta mban në mediat sociale vetëm disa imazhe me të birin, Kridi. Kujtojmë që dyshja u martuan më 4 Qershor 2023, në ditën e lindjes së Krid duke e bërë edhe me të veçantë këtë ditë për ta.
Pavarësisht se lajmet për fundin e marrëdhënies së tyre qarkullojnë prej javësh, dyshja nuk kanë reaguar për të mohuar apo pohuar lajmet, duke vendosur që të heshtin.
Në një intervistë në maj 2025, Klea Huta foli për planet për zgjerimin e familjes së saj.
“Kam dëshirë të kem një fëmijë tjetër, nuk e di vajzë apo djalë. Mua të gjithë më thonë kur do ta bësh vajzën. U them: A e kam të shkruar këtu në ballë që do bëj vajzë? Nuk e di çfarë do jetë, çfardo që të jetë dhe kurdo që të vijë, të vijë me shëndet dhe me bekimin e madh nga zoti”, tha Klea Huta në Canape.
Çifti bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre udhëtuan drejt jugut vendit aty ku u mbajt dhe ceremonia. Festa e cila nisi pas mesnate përkonte edhe me ditëlindjen e djalit të tyre Krid ku e pritën të gjithë bashkë buzë detit.
Pas dasmës, Klea Huta foli për “Top Albania Radio” lidhur me këngën që i dedikoi Elgitit dhe emocionet e dasmës.“Jam shumë e lumtur për të gjithë dashurinë që më kanë dhënë, për të gjithë njerëzit që e dëgjojnë e ma dërgojnë me video, që kanë filluar ta këndojnë nëpër dasma në momentin e tyre më të rëndësishëm. Është shumë e bukur. Edhe kur e nisa për ta bërë këtë këngë, doja me patjetër që të ishte diçka që na personifikonte ne të dyve, historinë tonë. Por gjithmonë në mendje kisha se kush është ajo histori dashurie që nuk ka kaluar këto gjëra që kemi kaluar ne. Dhe bashkë me Kledi Bahitin u përpoqëm ta bënim në atë formë që ta gjente veten kushdo. Edhe pjesën e Kridit që e kam futur tek “lulëzove ti një jetë në trupin tim”, si dhuratë për kohë të bukur dhe të vështirë, edhe një çift që nuk ka fëmijë mund të kenë lulëzuar pranë njëri-tjetrit dashurinë.
Dashuria është në forma të ndryshme. Unë doja shumë që kurdo të ishte dasma, unë t’i kushtoja një këngë Elgitit. Po shpresoja në fakt që ai të mos ta bënte të njëjtën gjë, duke qenë se është shumë e pritshme nga ai si producent e kompozitor. Shpresoja që të mos e bënte sepse do mendonin që këngën e ka bërë ai. Por në fakt këngën e bëri Kledi Bahiti dhe unë ia mbajta të fshehtë Elgitit. Dy muaj para se të bëhej dasma unë kontaktova Kledin dhe i thashë që dua t’i bëj Elgitit një këngë surprizë. Jemi takuar gjithsej tre herë në studio që është bërë teksti dhe është hedhur kënga. Pati një energji të jashtëzakonshme që në fillim. Ishte shumë e bukur. Sa i thashë Elgitit që kam një surprizë për të, ai u kthye direkt nga Kledi. Më duhet ta pranoj që qau, nuk e priste. U emocionua shumë.”- tha ajo.