Personi në foto është 38-vjeçari Enea Busukja, punonjësi i tatimeve në Shkodër, që mbeti i plagosur nga shpërthimi me tritol.
Ngjarja ndodhi mesditën e kësaj të martë në rrugën “Arra e Madhe në Shkodër. Policia raportoi se shpërthimi me tritol ndodhi sapo Busukja ndezi makinën dhe se ishte i telekomanduar.
Pas ngjarjes policia tha se gjeti nje makine te djegur qe dyshohet se i perket autoreve te vendosjes se tritolit.
“Rreth orës 12:20, në fshatin Dragoç, në anë të rrugës, është konstatuar i djegur një automjet tip “Wolkswagen”.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit”, informuan blutë.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 11:35, në lagjen “Ndoc Mazi”, në momentin që shtetasi E. B. ka ndezur automjetin e tij, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjet.
Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. B., 38 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.