Kompania e kontraktuar nga PD, “Continental Strategy” letër drejtuar DASH: Hiqni non-gratën e Berishës, është e motivuar politikisht

Kompania lobuese amerikane “Continental Strategy”, e kontraktuar nga Sali Berisha përpara zgjedhjeve të 11 majit, i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit të rishqyrtojë dhe të heqë shpalljen “non grata” për kreun e Partisë Demokratike.

Në dokumentin e saj, kompania argumenton se shpallja sipas nenit 7031(c) ndaj Berishës ishte e motivuar politikisht, e pabazuar në fakte dhe ka dëmtuar interesat e politikës së jashtme amerikane në rajon.

“Përderisa Sali Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e kësaj shpalljeje do të ndihmonte në rikthimin e neutralitetit dhe besueshmërisë së SHBA-së në Ballkan”, thuhet në kërkesën e Continental Strategy, ku gjithashtu përmendet se situata në Shqipëri është përkeqësuar dhe po përshkruhet nga kritikët si një “shtet-narkotik”.

Kompania e lobimit thekson se vendimi për shpalljen e Berishës “non grata” ka ndikuar negativisht në klimën politike në Shqipëri dhe kërkon ndërhyrjen e Uashingtonit për ta korrigjuar.