Politikanët vendosin t’i rrisin pagën vetes, protesta masive dhe të përgjàkshme në Indonezi

Partitë politike në Indonezi kanë rënë dakord të reduktojnë disa nga përfitimet financiare që marrin deputetët, për të qetësuar protestat masive që kanë shpërthyer në vend.

Protestat kanë përfshirë qytete të ndryshme, përfshirë kryeqytetin Xhakarta, dhe kanë rezultuar në përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Shkak për zemërimin është shtesa prej 50 milionë rupiahësh në pagat e deputetëve, që është rreth dhjetë herë më e lartë se paga minimale në kryeqytet.

Presidenti Prabouo Subianto ka njoftuar se disa privilegje do të pakësohen, përfshirë përfitimet mujore dhe udhëtimet jashtë vendit, ndërsa ka dënuar dhunën gjatë protestave. Ai ka urdhëruar forcat e sigurisë të reagojnë me forcë ndaj plaçkitjeve dhe dëmtimeve të pronës publike, ndërsa rezidenca e ministres së Financave u sulmua nga protestuesit.

Tensionet u rritën pas vdekjes së një 21-vjeçari nga një makinë policie gjatë një proteste dhe së paku tre persona humbën jetën pas zjarrvënies së një ndërtese parlamentare. Megjithatë, zgjidhjet e qeverisë nuk kanë qetësuar plotësisht protestuesit, të cilët kërkojnë ndryshime më thelbësore dhe kundërshtojnë dhunën e policisë. Kreu i organizatës më të madhe studentore tha se protesta do të vazhdojë, derisa të adresohen problemet rrënjësore të sistemit.