Janë publikuar pamjet e sherrit masiv të regjistruar mes dy grupimeve në një lokal, pranë parkut të qytetit në Korçë, ku dy persona mbetën të plagosur me thikë.
Siç shihet edhe në pamjet e mëposhtme të publikuara nga News 24, në pak minuta sherri verbal mes dy grupeve është kthyer në një konfrontim fizik që ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve të lokalit, shkopinje të bejsbollit, si edhe thikës.
Fillimisht shihen vetëm tre persona në konflikt, ku njëri prej tyre shtrihet në tokë dhe dhunohet me grushte.
Edhe pse sherri duket se qetësohet për pak sekonda, më pas ai degradon edhe më keq, ku 54-vjeçari Dritan Pine plagos me thikë Sotiraq Shkurtën dhe Mihal Zhidron.
Në sherr përfshihen të gjithë personat e pranishëm, duke goditur edhe me karrige apo me shkopinj bejsbolli. Dyshohet se sherri ka nisur për motive banale.