Çfarë ndodhi në darkën e Trump-it me bosët e teknologjisë: Pse Zuckerberg dhe bosi i Google u ndjenë në siklet

“Faleminderit që jeni një president që mbështet biznesin dhe inovacionin. Është një ndryshim thelbësor që do të na mundësojë të ruajmë për një kohë të gjatë rolin udhëheqës në botë, gjë që nuk do të ndodhte pa lidershipin tuaj.” Këto ishin fjalët e Sam Altman, drejtuesit të OpenAI, gjatë një darke me Donald Trump-in.

Ndërsa për Tim Cook, drejtues i Apple, presidenti kishte luajtur një rol thelbësor për “të nxitur investime të reja në SHBA, për të rikthyer prodhimet strategjike në vend. Dhe kjo thotë shumë për lidershipin e tij dhe përqendrimin tek inovacioni.”

Dikur, më të fuqishmit në botë ishin drejtuesit e bankave dhe bursave në Wall Street. Pas krizës ekonomike të vitit 2008, ky rol kaloi tek kompanitë e teknologjisë si Apple, Google, Facebook (Meta) dhe Microsoft.

Mbrëmjen e kaluar, drejtuesit e këtyre kompanive morën pjesë në një darkë në Shtëpinë e Bardhë, të vetëdijshëm se Trump do ta shfrytëzonte si mundësi për t’u lavdëruar.

Është e habitshme të shohësh drejtues të cilët zakonisht janë afër ideve progresiste, të ulen pranë një presidenti konservator që po ndryshon mënyrën se si funksionon kapitalizmi në Amerikë, me më shumë ndërhyrje të shtetit.

Sundar Pichai, drejtuesi i Google, një kompani tradicionalisht pro-demokrate është dorëzuar përballë realitetit dhe mori pjesë në darkë, ndonëse me siklet. Pichai është me origjinë indiane, dhe India së fundmi u godit me tarifa të larta nga SHBA-të, jo sepse blen naftë nga Rusia (që edhe Kina e bën), por sepse kryeministri indian Narendra Modi nuk pranoi të mbështeste kandidaturën e Trump-it për Çmimin Nobel për Paqe.

Gjatë fjalës së tij, Trump ia “shpërbleu” praninë Pichai-t duke i kujtuar që shpëtoi nga një vendim i rëndë në gjyqin për monopol ndaj Google-it, duke lënë të kuptohej se ai vetë ndikoi që kompania të mos ndëshkohej rëndë. Pastaj iu drejtua Pichai-t: “E di që ishe në telashe për një nismë të administratës Biden…”.

Edhe pse ishte e vërtetë që Biden rihapi çështjen antitrust, Trump harroi të përmendte se edhe administrata republikane kishte vazhduar hetimin e Google-it.

Në darkën që fillimisht ishte planifikuar të mbahej jashtë për inaugurimin e kopshtit të Shtëpisë së Bardhë (por u zhvendos brenda për shkak të shiut), Trump e kishte ulur në krahun e tij Mark Zuckerberg-un, drejtuesin e Facebook-ut, të cilin vetëm një vit më parë e kishte kërcënuar me burg nëse përdorte rrjetet sociale për të ndihmuar Kamala Harris-in në fushatë.

Zuckerberg e kishte pranuar situatën dhe e kishte vizituar Trump-in menjëherë pas zgjedhjeve, dhe gjithashtu ishte i pranishëm në ceremoninë e nisjes së mandatit të ri presidencial.

Trump, në mes të darkës, i tha: “Ky është fillimi i karrierës tënde politike”, gjë që e vuri Zuckerberg-un në siklet. Ai u përpoq ta mohojë me një buzëqeshje të zbehtë dhe tha: “Jo, nuk është kështu.”

Dëshira për të marrë favore ose për të shmangur ndëshkime, i ka shtyrë këta drejtues të mëdhenj të teknologjisë të harrojnë krenarinë e tyre.

Në darkë ishin edhe drejtori i IBM-së, Arvind Krishna, ajo e Oracle, Safra Katz, dhe vetë Bill Gates, që përfaqësonte Microsoft-in. Trump i “shpërbleu” me një koment: “Jam i lumtur që kam mbledhur përreth kësaj tavoline një grup njerëzish me koeficient inteligjence shumë të lartë.”

Kush mungoi

Dy mungesa të rëndësishme u vunë re: Elon Musk, i cili pas një përplasjeje të madhe me Trump, nuk i kanë të mira marrëdhëniet dhe tashmë sheh se si rivalët e tij Altman dhe Zuckerberg, janë më afër presidentit. Jensen Huang, drejtuesi i Nvidia, gjithashtu nuk ishte i pranishëm, por jo për arsye politike. Trump i ka lejuar së fundmi të shesë çipet e tij në Kinë, në këmbim të një përqindjeje nga fitimi. Por me fuqinë që ka Nvidia sot, Huang duket se nuk ka nevojë të jetë i pranishëm në darka të tilla, ai preferon takime personale me presidentin./ Corriere della Sera