Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë sërish thirrje FBI-së dhe Departamentit Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara që të vijojnë hetimet në lidhje me dosjen “McGonigal” dhe përfshirjen e kryeministrit Edi Rama në të.
Berisha është shprehur se PD-ja është e gatshme të japë kontributin e saj me dëshmitarë, prova dhe fakte në vërtetimin e veprimtarisë kriminale që lidhet me këtë dosje.
“Duke vlerësuar, duke përshëndetur raportin e inspektorit të përgjithshëm, ftoj FBI-në, Departamentin e Drejtësisë, të vazhdojë hetimin ndaj kësaj organizate të tmerrshme kriminale”, ka thënë ai.
“PD-ja është e gatshme të japë kontributin e saj me dëshmitarë, me prova dhe fakte në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale në Shqipëri të marrë dënimin e gjithanshëm, njohjen e gjithanshme dhe dënimin e gjithanshëm”, tha kryedemokrati.
Berisha tha se Rama ka takuar tre herë Charles McGonigal dhe ka kryer me të disa veprimtari kriminale në luftë kundër opozitës.
Sipas tij, Rama kreun përdorimin e forcës së institucionit më të fuqishëm hetues në botë kundër kundër pluralizmit politik në Shqipëri.
“Inspektori i Përgjithshëm fakton se McGonigal është takuar në Shqipëri 2 herë dhe në Neë York dy herë me Ramën, për të cilën miqësia me McGonigal ishte krenari, në terma anglisht, mik. Ka kryer një veprimtari të përbashkët kriminale me Ramën në pagesat për luftën kundër opozitës shqiptare, në ndërhyrjet për ndryshimin e licencave të naftës kundrejt shumave marramendëse, në angazhimin e institucioneve amerikane për hetimet private për llogari të Ramës dhe Doshit në Vjenë”.
“Të përdorësh FBI kundër opozitës, ke kryer një krim të rëndë anti-kushtetues. Ke përdorur forcën e institucionit hetues më të fuqishëm në botë kundër pluralizmit politik në Shqipëri. McGonigal nuk është aspak më shumë fajtor se Ramaduro që mbrohet me fanatizëm nga Altin Troplini”, shtoi Berisha.