93-vjeçari Astrit Çani plagos kushëririn Pëllumb Çani në Mashkullorë, arrestohet nga policia
Gjirokastër – Një konflikt për motive pronësie ka përfunduar me të shtëna arme në fshatin Mashkullorë, ku 93-vjeçari Astrit Çani dyshohet se ka plagosur me armë zjarri kushëririn e tij, Pëllumb Çani, 61 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 21 shkurt, rreth orës 09:40. Sipas Policisë, Astrit Çani ka qëlluar me kallashnikov në këmbë Pëllumb Çanin, i cili fillimisht u dërgua për ndihmë mjekësore dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dy personat janë kushërinj dhe konflikti dyshohet të ketë lindur për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme për pronësinë.
Policia bëri të ditur se Astrit Çani është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjatë veprimeve hetimore është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit kallashnikov e dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.