TIRANË – Emërimi i ministres virtuale Diella, që do merret ekskluzivisht me tenderat e qeverisë shqiptare për të luftuar korrupsionin, ka surprizuar mediat ndërkombëtare, që ende nuk e kishin marrë veten nga shndërrimi në bebe me kostum, që I Gjati u bëri liderëve të Europës kur i mblodhi për samit në Tiranë.
Ato komentuan gjerë e gjatë eksperimentin shqiptar, duke transmetuar edhe sqarimet e Të Gjatit:
“Diella nuk ka farefis, kushërinj e baxhanakë që t’i mbajë me hatër, nuk ha, nuk pi dhe nuk fle; vetëm punon”.
Kur e pyetën se megjithatë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e Diellës, ai u përgjigj: “Përgjegjësinë e mbaj unë!”
“Aha, qartë, prapë ju domethënë…”, reaguan ato.
Kur e pyetën se dakord që Diella do zgjedhë si fitues tenderi ofertën më të përshtatshme dhe nuk do kërkojë përqindje, por punimet në terren kush do t’i kontrollojë dhe çertifikojë, I Gjati u përgjigj: “Po unë ore, kush tjetër?”
Kur e pyetën se si do sillet me Diellën nëse ajo bën ndonjë gabim kur ikin dritat ose lëviz tensioni i rrymës elektrike, ai tha: “E shikoj që kërkoni të gjeni ndonjë kleçkë, por po ju them se tek e fundit, do ta pushoj nga puna!”
***
Kjo përgjigja e fundit duket se nuk i ka pëlqyer Diellës. Këtë e kemi mësuar përmes programit tonë të fjalës së fundit, Patronazhisti Që Duam, që ndjek të gjitha lëvizjet e ministres. Sepse tek e fundit, reale apo virtuale, çdo gjë në këtë vend kemi marrë urdhër ta patronazhojmë.
Diella – që I Gjati ja vuri emrin enkas për të rimuar me Bella – ka mbledhur informacion se sa do ishte pjesa e saj nëse për të gjithë tenderat që parashikohen në buxhet, do kërkonte 10% të shumës; po 20%; po 25%?
Pastaj mësohet se ka hulumtuar sesi mund ta transferonte shumën në fjalë në një bankë jashtë shtetit, fjala vjen në Zvicër.
Pastaj zhbiriloi se në ç’mënyrë mund të transferohej edhe vetë si program në ndonjë server në Lugano, gjithmonë në Zvicër, ku pas një mandati të lodhshëm si ministre, të rrinte e të pinte kapuçino virtuale buzë liqenit.
Pasi i ka kopsitur të gjitha përgjigjet, Diella ka thënë me vete, “I Gjati dashka që unë të bëj punën dhe ai të marrë meritat? Më marrç viruset, më marrç. Ça jam unë, ajo biba e-Albania që gjysmën e kohës është me difekt dhe merr meritat sikur ç’po bën?”
***
Por risia qeveritare me ministren virtuale, ka nxitur konkurrencën demokratike mes pushteteve të tjera. Patronazhisti mëson se SPAK po përgatit prezantimin e një programi investigativ anti-korrupsion me emrin Syrja, që do hetojë veprimtarinë e Diellës.
Nga ana tjetër, parlamenti i ri, nën drejtimin e Piko Meleshit, po bën gati programin virtual parlamentar për të lehtësuar aktivitetin e legjislativit, me emrin Taqkë.
Nëse asgjë nga këto nuk funksionojnë, I Gjati do t’u rikthehet marifeteve të vjetra për të shastisur dynjanë, si shtrirja përtokë kur takon gratë kryeministre të botës, shkuarja nëpër samite me kostum, kollare dhe pantofla, etj etj.
P.S. Mësohet se kontrata e përdorimit të fytyrës së një aktoreje shqiptare për prezantimin publik të Diellës, skadon në 2026-ën. Pas kësaj, ministria e tenderave do të përfaqësohet nga imazhi i një mashkulli me tatuazhe në qafë dhe zinxhir floriri, të quajtur Noc. Kështu I Gjati do balancojë dhe përfaqësimin krahinor në kabinet.
Vini Re: Besojmë se të paktën një pjesë e lexuesve e kanë kuptuar tashmë që Patronazhisti është rubrikë satirike. Të tjerët nuk kanë asnjë shpresë