Ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka një punë të re, pas pensionimit të saj të parakohshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në një njoftim që e ka ndarë në rrjetet e saj sociale, Kim bën të ditur se ka nisur punë si drejtoreshë në kompaninë Exxon Mobil që nuk është e panjohur as në tregun shqiptar.
Kompania në fjalë ka në pronësi dy termocentralet e famshme në qytetin e Vlorës, që u morën me qira nga shteti shqiptar për prodhimin e energjisë, dhe nuk u vunë asnjëherë në punë.
Marrëveshja për sjelljen e tyre në Shqipëri u krye pikërisht gjatë kohës që Kim kryente misionin e saj diplomatik në Tiranë.
Vetë Kim do të shkruante asokohe, në një postim të ambasadës amerikane në Tiranë: Është një nder të jem pjesë e nënshkrimit të sotëm të Memorandumit të Mirëkuptimit, kulminacioni i vizionit dhe punës së palodhur nga një numër njerëzish anembanë globit. Dua të përgëzoj ExxonMobil, Excelerate Energy dhe Ministren Balluku dhe të gjithë ekipin e saj për realizimin e një ëndrre strategjike dhe të frytshme për të cilën kemi punuar së bashku për më shumë se një vit tani. Nënshkrimi i sotëm i Memorandumit të Mirëkuptimit është inovativ!
Emërimi i Kim në postin drejtues të kësaj kompanie ngre pikëpyetje për rolin që diplomatja ka pasur në nënshkrimin e marrëveshjes mes Exxon Mobil dhe qeverisë shqiptarë në vitin 2022.
Vendimi për marrjen me qira të dy anijeve u kundërshtua asokohe jo vetëm nga opozita, por edhe nga aktivitstët e mjedisit, që ngrinin shqetësimin për ndotjen që ato do të prodhonin në zonën e Triportit.

Si u instaluan në Vlorë anijet që do të prodhonin energji
Kriza e energjisë që nisi nga fundi i verës 2021 arriti kulmin në vitin 2022 duke ekspozuar Shqipërinë ndaj çmimeve të larta në importe. KESH vendosi që të merrte me qira gjenerues termikë energjie dhe në finale pas zhvillimit të procedurave konkurruese u siguruan dy gjenerues termikë lundrues.
Anijet janë të vendosura në Triport të Vlorës. Këto të fundit do të prodhonin energji përmes naftës sipas nevojës. Kapaciteti i dy njësive është 110 MW.
Në një skenar për situatën energjetike gjatë 2023 të dhënat zyrtare tregonin se prodhimi i energjisë nga këto njësi do të kushtonte 165 milionë euro.
Gjeneruesit parashikohej të prodhonin 884 GWh me një kosto prodhimi prej 185 euro/MWh diçka që nuk u materializua asnjëherë.
Vlera e gjeneruesve termikë vlerësohej 15 milionë euro teksa qiraja për një periudhë 2 vjeçare llogaritej në 46 milionë dollarë./zëri.ai