Njerëzit e thjeshtë që takoj – Niko kamarieri, flet 7 gjuhë, me kunatë shqiptare, “ndërron” ligjin e luftës
Këtë fundjavë isha në Kostur. Është vend i qetë dhe më çlodh. Erdha vërdallë, piva kafe, më mori shpejt uria dhe unë nuk i ndahem gjiros greke.
U ula në qendër, sapo pashe dy vende bosh.
“Mirëdita” – më thotë kamarieri, po me një shqipe të sforcuar.
“Edhe ti shqiptar je mo” – kisha takuar e dëgjuar shqip më shumë se greqisht kur po ecja xhiro. Jetojnë shumë shqiptarë aty, por e shumë nga Bilishti, Korça e qytete të tjera shkojnë furnizohen me ushqime dhe ilaçe.
Ma kthen anglisht.
“Jo jo, unë jam grek, por di shumë pak shqip”
“Po nga e kuptove që isha shqiptar?”
“Nga targat e makinës, unë kështu bëj më të gjithë”
“Po shqipen, pse e ke mësuar”
“Ma ka mësuar kunata, është nga Korça.”
“Edhe unë nga Korça jam”
“Epo, qenke miku ynë sot. Se kam e vëllain brenda, atë që i do shqiptarët. Ajde takoje”
“Jam Xhensili. Ti që do shqiptarët si quhesh?
“Unë quhem Vasil. Të tha vëllai që ne i duam shqiptarët?”
“Po ti i dashke më shumë, se edhe gruan e paske shqiptare.”
“Edhe gjyshi madje vinte shpesh në Shqipëri. Kishte një të dashur nga Elbasani. Çmendej për të. Madje fliste dhe në sytë e gjyshes, para se të dy të vdisnin, për shqiptaren.”
“Kënaqësi që të takova Vasil. Po iki të ha se po vdes nga uria”
Pasi ha shumë shpejt, nga fundi, më vjen Niko kamarieri e më sjell dy Cola, ëmbëlsira dhe thotë se i ka paguar ai faturën.
Duke i kërkuar që të paguaj, e në fund fitoi kamarieri grek, më tregon se shkollën e kishte mbaruar për histori
“Këtu do zihemi” – i them unë
“Pse?”
“Eee, keni atë ligjin e luftës ende ju. Vazhdoni të mos na keni shumë qejf po he”
“E ke gabim. Ne e kemi zevendesuar. Populli. Jo politika”
“Me çfarë e keni zëvendësuar?”
“Me ligjin e paqes. A nuk e sheh sa mirë flasim ne të dy? Po te shkosh disa metra më tutje janë 4 dyqane rresht, pronarët janë shqiptarë. Ne shkojmë përherë pas pune aty për kafe. Bëhemi bashkë e flasim. Ata janë myslimanë ndërsa ne të krishterë. Ama, i kemi mësuar edhe datat e festave të tyre. Gjithsesi, ushqimin për Bajram nuk e pëlqejmë ”
” Do vij te te takoj prap Niko, se duhet të iki. Mbase të bëj e lajm kur te vij prap ”
” Të vish, por do më thuash çfarë gjuhe do e besh lajmin. Se unë flas 7 gjuhë. ”
” Qenke ca krenar ti Niko. Narcist ”
” Jo. Nuk jam egoist. Ama 7 gjuhë i flas. Njoh 24 lloje targash. Kështu fitoj lek ”
” Epo, do të të lë një kartëmonedhë shqiptare. Se ti s’më lë të paguaj ”
” Kështu po”
U largova. Po mendohesha drejt kufirit në Kapshticë, se për Nikon nuk kishte kufij