Në dy raportime brenda pak ditëve, Radio Televizioni i Turqisë (TRT) ka qortuar Shqipërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Izraelin gjatë dy viteve të luftës në Gaza. Për korporatën gjigande të medias turke, që përfaqëson dhe përhap linjën zyrtare të Ankarasë në politikën e jashtme, Shqipëria ka avancuar ndjeshëm në marrëdhëniet me Tel-Avivin, teksa në Gaza zhvillohej një ofensivë brutale dhe genocidale.
Raportimi i medias publike turke, e cilësuar edhe si “Zëri i Turqisë”, shkonte edhe më tej, duke bërë edhe një renditje të të gjithë marrëveshjeve Shqipëri-Izrael në fushat e sigurisë, shëndetësisë e turizmit, krahas shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe nderimeve reciproke mes shtetarëve shqiptarë e hebrenj. Pra dukshëm, ai që në pamje të parë shfaqej si një raportim mediatik, paketohej me një qëndrim editorial të mirëfilltë. Një stil shumë i ngjashëm me disa raportime të dikurshme të “Zërit të Amerikës”, që mbylleshin me shënimin klasik se komenti përfaqësonte pikëpamjet e qeverisë amerikane.
Në serinë e publikimeve turke ndaj Tiranës zyrtare, natyrshëm lind pyetja: A ka një kritikë, qortim a qejfmbetje të Turqisë ndaj Shqipërisë për qasjen e politikës së jashtme ndaj konfliktit në Gaza? A është “goditja e përqendruar” nga TRT-ja një paralajmërim apo një kujtesë për një paralajmërim të mëparshëm mbi Izraelin?
Historia e afërt e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare na rrëfen se Turqia ka tentuar vazhdimisht ta ndikojë politikën e jashtme të Tiranës lidhur me Lindjen e Mesme. Kryesisht kjo përpjekje është shfaqur në lobime të ndryshme për rezolutat e diskutuara në Pallatin e Qelqtë në Nju-Jork, por Ankaraja nuk i ka fshehur synimet e saj edhe në tema të tjera të nxehta.
Sali Berisha ende e kujton telefonatën e tensionuar me Erdoganin në vjeshtën e 2012-s përpara një votimi në OKB për t’i dhënë Palestinës statusin e vëzhguesit në Asamblenë e Përgjithshme. Ish-kryeministri ka pretenduar se pasojat e refuzimit të tij nuk kanë qenë të vogla.
Megjithatë, prej largimit të Berishës nga pushteti, Tirana zyrtare e ka konsideruar Ankaranë si një aleat strategjik dhe mes aleatëve duket krejt normale që të ketë kërkesa për unifikim apo zbutje qëndrimesh në politikën e jashtme. Krahas kësaj, ndihma turke pas tërmetit të 2019-s dhe gjatë pandemisë mbetet ndër aktet më të rëndësishme të miqësisë mes dy vendeve.
Deri më tani, pavarësisht qëndrimit turk, lëvizjet publike të diplomacisë shqiptare nuk kanë reflektuar se kanë pësuar ndonjë ndryshim apo ndikim. Për më tepër, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, paralajmëroi një vizitë në Izrael gjatë këtyre ditëve, duke rikonfirmuar marrëdhëniet intensive mes dy vendeve në një komunikim telefonik me homologun e saj, Gideon Sar. Shqipëria ka qenë e qartë në qasjen e saj ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme, ku nuk duhet harruar edhe implikimi në marrëdhëniet jomiqësore me Iranin.
Sidoqoftë korniza e zhvillimeve pas armëpushimit në Gaza nuk është e njëjtë. Me teprimin ushtarak dhe vrasjet e civilëve në dy vitet e fundit, Izraeli e humbi avantazhin që u krijua pas sulmit terrorist ndaj tij më 7 tetor 2023. Mbështetja europiane e perëndimore për qeverinë “Netanjahu” u zbeh ndjeshëm, ndërsa kritika jopublike kanë mbërritur edhe nga Uashingtoni. Izraeli ka tashmë përballë, thuajse në një mendje për veprimet e tij ushtarake, si vendet arabo-myslimane, ashtu edhe Europën Perëndimore e shtete të mëdha e të fuqishme, si Kanadaja e Australia. Armëpushimi dhe plani i paqes për Gazën nuk e ka zbehur mërinë turke dhe të një pjese të Europës për Netanjahun.
Pikërisht qasja turke po merr terren në politikën ndërkombëtare, me një mbështetje të hapur amerikane. Nga avioni që xhironte në ajër në qiellin e Sharm El Sheikut, Erdogan vendosi rregullat e tij në tokë, duke e lënë Netanjahun në Izrael dhe duke marrë vlerësimet maksimale nga Donald J. Trump. Siria më parë dhe Gaza tashmë ishin arena ku politika turke shkëlqeu dhe Uashingtonit zyrtar po i volit gjithnjë e më shumë një rol i fuqishëm i Turqisë. Aq më tepër kur prozhektorët po kthehen nga zgjidhja e krizës së Ukrainës.
Panorama e re në Lindjen e Mesme e më gjerë kërkon padyshim vlerësim realist e të kujdesshëm edhe nga politika e jashtme e Tiranës. E detyruar të manovrojë anijen e vogël me flamur kuqezi në trekëndëshin SHBA-BE-Turqi, Shqipëria duhet të deshifrojë e kuptojë sa më parë rregullat e reja që po shkruhen në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ato rregulla që na garantojnë lundrim sa më të qetë edhe në detëra të trazuar.