Progres-raporti i Bashkimit Europian për qasjen e qytetarëve shqiptarë në internet dhe punën e mediave online, i ka dhënë një shuplakë të fortë Qeverisë shqiptare, veçanërisht për mbylljen e platformës “Tik Tok” dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Siç shkruhet e zeza mbi të bardhë, arsyetimi publik ishte mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtja e dëmshme, ndërkohë që aktualisht “Tik Tok” është i aksesueshëm në gjithë Shqipërinë dhe nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për heqjen e ndalimit nga qeveria.
“Në mars të vitit 2025, qeveria vendosi të pezullojë aksesin në një platformë të madhe të mediave sociale në të gjithë vendin për 12 muaj me arsyetimin e mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtja e dëmshme. Ndërsa nuk kishte asnjë njoftim zyrtar për heqjen e ndalimit, platforma është e arritshme në të gjithë vendin pas një marrëveshjeje për të siguruar filtra për gjuhën e urrejtjes në gjuhën shqipe. Kapaciteti i sigurisë kibernetike të mediave është përgjithësisht i dobët. Disa sulme kibernetike kundër mediave ndodhën gjatë periudhës së raportimit”, thotë progres-raporti i BE.
Rrjeti social shumë i përhapur dhe i përdorur në Shqipëri, u vendos të mbyllej si pasojë e një vendimi të Qeverisë shqiptare, për një periudhë 12 mujore, pas disa ngjarjeve që ndodhen mes adoleshentëve dhe u tha se origjina e konflikteve ishte “Tik Tok”. Opozita akuzoi qeverinë se mbyllja ishte vetëm për të penalizuar zërat kritikë gjatë fushatës.
Gjithashtu, në dokumentin zyrtar të Bashkimit Europian që skanon punën e qeverisë shqiptare, i kushtohet vëmendje dhe vetërregullimit të medias, si dhe kushteve të punës së gazetarëve, veçanërisht atyre në tregun online.
“Vetërregullimi në sektorin e medias mbeti i dobët dhe i penguar nga burimet e kufizuara, një peizazh mediatik i polarizuar dhe përdorimi i vazhdueshëm i retorikës nxitëse në debatin publik. Mbetet e rëndësishme të sigurohet mbështetja për iniciativat vetërregulluese dhe të promovohet respektimi i kodeve etike në të gjithë sektorin”, vijon dokumenti.
Progres-raporti evidenton problemet me pagat, ngarkesën e punës dhe autocensurën, për të cilën thotë se mbetet e përhapur dhe e nxitur nga presioni politik.
“Siguria e kufizuar në punë dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët, të kombinuara me vetëcensurë dhe presion nga aktorët politikë dhe pronarët e mediave, vazhduan të paraqesin sfida serioze për gazetarët. Problemet mbeten me pagat e papaguara, ngarkesat e tepërta të punës dhe pasigurinë në punë, veçanërisht në mediat lokale dhe online.
Organizatat e lirisë së medias raportuan të paktën 13 ankesa të reja zyrtare në Inspektoratin Shtetëror të Punës midis shtatorit 2024 dhe marsit 2025. Autocensura mbetet e përhapur, e nxitur nga presioni politik, kërcënimet ligjore dhe varësia ekonomike“, përmbyllet ai.