ARSIM/ Lufta e Vlorës dhe pushtimi fashist hiqen në heshtje nga tekstet shkollore

TIRANË/ROMË – Ministria shqiptare e Arsimit ka dhënë dje një urdhër diskret dhe sekret që momentet e siketshme në historinë e gjatë dhe plot ngjyra të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, të hiqen me takt dhe pa zhurmë nga tekstet shkollore të vendit, bëjnë me dije burime diskrete dhe sekrete për Patronazhistin.

Ministrja Mirela Kumbaraja ka thirrur një grup të besuar për zbatimin e kësaj porosie, duke kërkuar që “kto budallalliqet si Lufta e Vlorës më nënqind e njëzetën, heqja e gjilpërave të pushkëve nga këshilltarët italianë para pushtimit fashist më tretenëntën, vetë pushtimi dhe çdo detaj tjetër që hedh dritë të keqe mbi Italinë mike, të fshihen nga tekstet e historisë. Por me kujdes dhe me stil, hë xhan, mos na bëni me llafe se molepsen këto gjëra pastaj”.

*

Mësohet se ministrja e dha këtë urdhër pas puqjes historike të dy qeverive në Romë, ku kryeministri I Gjatë i çoi kryeministres motër italiane Jorgjie Peponi, kurorën kryeministrore shqiptare. Shkëlqesia e saj Peponi u mahnit që të gjithë ministrat shqiptarë dinin italisht, me përjashtim të Bellës që e fliste me theks greko-bizantin. Por shumë prej tyre i shpjeguan se kishin qenë si emigrantë në Itali, duke punuar nëpër vila italianësh kur ato s’kishin njerëz brenda. Pastaj e perfeksionuan theksin nëpër disa hotele me dritare me kangjella dhe karabinierë te dera, ku ndenjën kush tre e kush pesë vite.

“Pastaj ndërruam emrat, shkuam në Shqipëri dhe u bëmë ministra,” i shpjeguan asaj në konfidencë zyrtarët shqiptarë.

Aq i entuziazmuar ishte I Gjati nga italishtja e ministrave të vet, saqë iu lut Peponit të bëhej edhe kryeministre e Shqipërisë dhe ta linte atë mëkëmbës, si Jakomoni, mjaft t’i ndihmonte shqiptarët krenarë të hynin në Bashkimin Europian.

“Nuk duam as votë, as përfaqësim. Ja, na përfaqëson komisari juaj në BE. Ne shqiptarët jemi edhe italianë. Tamam-tamam, ne as që duam të anëtarësohemi në Europë, por në Itali! Na merrni, të lutem, nuk do bëjmë rrëmujë, do rrimë në një cep, do bëjmë punët e shtëpisë, pazaret… Kur të ktheheni ju nga puna, do t’i gjeni gati”, u shkreh I Gjati në vaj.

Në të vërtetë, Peponi u mallëngjye. Askush nuk e kishte prekur kaq shumë, që kur Trampi e mburri si grua shumë të bukur, por që duhej të linte cigaren. Por leximet që kishte bërë që adoleshente, kur aderoi për herë të parë me neo-fashistët, e stepën paksa. Aty kishte mësuar se shqiptarët krenoheshin që i hodhën italianët në dët më 1920-ën, dhe pastaj në Luftën e Dytë i kishin marrë ushtarët italianë t’u ruanin delet dhe të punonin tokën. Në atë kohë, ishin italianët dhe jo shqiptarët ata që ndërruan emrat: Augusto u bë Agush, Salvatore u bë Sali, dhe Françesko u bë Çeço që mos t’i zbulonin gjermanët.

Ja tha këtë Të Gjatit. Ky u pre në fytyrë.

“Kush, ne ju hodhëm në dët? Jo, kur mos të kem njeri, dio mio. Ishte një shaka, një… si të thuash, keqkuptim. Po ajo është gjë që rregullohet”, dhe ja bëri me shenjë Kumbarasë të afrohet. “E dëgjove zonjën? Nisu tani dhe fshiji ato idiotësira nga librat e historisë. Mbështyva, u tha, nuk erdhe, të shkarkova!”

Kumbaraja iku syulur, si nuse e re.

Për fat të mirë, burimet sigurojnë se ky incident u mbyll me kaq, sepse I Gjati thirri veç ministren e Jashtme Episa Spirodhalla dhe i pëshpëriti, “dëgjo cara mia, mblidhi ata ministrat tanë, tani na duhet gjallëri, muzikë, hare. Ta shpjegoj pastaj”.

Pa ç’pa, Episa mblodhi kabinetin dhe vuri muzikë popullore italiane. Të gjithë u mrekulluan kur e panë kryediplomaten duke kërcyer gjithë elegancë me këngën “Chi balla il Napoleone”…

P.S. Në vend të Luftës së Vlorës, ekipi i ekspertëve të ministrisë ka menduar t’u mësojë nxënësve shqiptarë për kampin veror italo-shqiptar të 1920-ën, kur shqiptarë e italianë u lanë bashkarisht në det. Ndërsa në vend të pushtimit fashist, do shkruhet për manovrat e përbashkëta ushtarake të 7 prillit 1939, me pjesëmarrjen e divizionit ‘Lupo di Toscana’.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-historike anti-zhapike