Një ngjarje e rëndë është shënuar në Basel të Zvicrës, ku një 11-vjeçar shqiptar, nga Maqedonia e Veriut, humbi jetën si pasojë e një aksidenti tragjik.
Sipas medias zvicerane në gjuhën shqipe, LeCanton27, viktima, nxënës i klasës së 4-rt, u godit nga një kamion.
Ky rast ka shokuar komunitetin shqiptar në kantonin e Bazelit dhe mbarë Zvicrën. Elior, kishte ditën e tij të fundit në klasën e 4-të. E motra e kishte parë ngjarjen dhe kishte vrapuar drejt nënës për t’i treguar se Eliori është nën kamion
“Hera e fundit që pashë Elior ishte të enjten në mbrëmje”, kujton Ardian D, babai i 11-vjeçarit, duke shtuar “i thashë natën e mirë”.
Të nesërmen në mëngjes djali i tij ishte ende në gjumë kur Ardiani shkoi në punë si planifikues mirëmbajtjeje.
“Ai e pati ditën e fundit të shkollës si nxënës i klasës së 4-të”, thotë Ardian D, duke shtuar “është e tmerrshme ajo që ndodhi më pas”.
Motra e Eliorit shkon në të njëjtën shkollë me vëllain e saj. Pak para mesditës ajo po ecte më pak se 20 metra pas Elior, i cili thuhet se kishte një skuter me vete, kur ndodhi aksidenti tragjik.
Stuhitë e fuqishme dhe shirat e rrëmbyeshëm që goditën Francën, Zvicrën dhe Italinë gjatë kësaj fundjave kanë lënë të vdekur pesë persona, thanë autoritetet më 30 qershor.
Tre persona, në të 70-tat dhe 80-tat vdiqën në rajonin verilindor Aube në Francë të shtunën, kur një pemë u rrëzua mbi makinën me të cilën ata po udhëtonin, teksa shteti është goditur nga erëra të fuqishme.
Pasagjeri i katërt është në gjendje kritike, thanë autoritetet lokale për agjencinë e lajmeve, AFP.
Në Zvicër, dy persona vdiqën dhe një tjetër është zhdukur pas shirave të rrëmbyeshëm që shkaktuan rrëshqitje të dheut në juglindje të shtetit, në kantonin italianofolës të Ticinos, tha policia.
Sipas mediave lokale, dy viktimat ishin gra që ishin për pushime në Zvicër.
Moti i lig po ashtu ka lënë disa zona pa energji elektrike në Zvicër.
Edhe javën e kaluar, Zvicra u përball me shira të rrëmbyeshëm që lanë të vdekur një person dhe shkaktuan dëme të mëdha.
Në veri të Italisë, në Luginën Aosta, u raportua për vërshime të mëdha për shkak të lumenjve që dolën nga shtrati.
Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga aktivitetet e njerëzve, po rrisin ashpërsinë dhe kohëzgjatjen e motit ekstrem, sikurse përmbytjet dhe stuhitë./rel
Ditën e sotme, Kristian Boçi, ka reaguar sërish pas vendimit të Prokurorisë së Tiranës, për sekuestrimin e 50 milionë eurove pasuri në emër të tij dhe të personave të lidhur me të.
Përmes një reagimi në “Instagram”, Boçi mohon akuzat dhe thotë se nuk ka cenuar ligjin e vendit.
“Ka krejt të drejtën e vet ligji me më pa, me më kontrollu, e me më verifiku“, shkruan ai rreth lajmeve të ditëve të fundit, duke vijuar.
“Një shtet pa ligj është si një shtëpi që e drejtojnë fëmijët. Një shqiptar i vërtetë nuk abuzon me kombin e vet”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Tiranës, Kristian Boçi, rezulton se krijoi një shoqëri tregtare mes të cilës pastronte paratë e Elman Abules i dënuar për trafik droge në Belgjikë.
Nga hetimet rezulton se Kristian Boçi, ka bërë blerje fiktive me vlera jo reale, ndërsa ka marrë kredi të mëdha të pajustifikuara. Mes sekuestrimeve janë edhe 14 shoqëri tregtare. Hetimet
Nga hetimi i kryer, u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Elman Abules në bashkëpunim me shtetasin Kristian Boçi dhe E. B. etj., kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre.
Elman Abules rezulton i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale.
Gjithashtu, nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
Në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, Abules ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme.
Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin të Kristian Boçit dhe shtetasit V. A., kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Nga hetimi i kryer është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive si p.sh.: shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anullimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditësisht del edhe garant i shumave të dhëna, krijimi i shoqërive fiktive, të cilat është provuar se pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar, dhënia e huave në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre, krijimi i shoqërivë me kuota të përbashkëta midis shtetasve Elman Abules dhe K. B., apo midis Kristian Boçit dhe E. B., duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë, blerja e heceve me vlera të konsiderueshme, por të papërligjur burimi i të ardhurave, etj.
Çfarë u sekuestrua
14 shoqëri tregtare
Pasuritë e shoqërisë “F…….” shpk: Pasuria e llojit “Arë”, me sipërfaqe totale 820 m2, me adresë Fshati Vrinë; Pasuria e llojit “ndërtesë”, me nr. Regjistrimi 00006769 datë 15.07.2021; Pasuria e llojit “ndërtesë”, me sip. totale 2,300 m2 ; Pasuria me nr. regjistrimi 00006769, datë 15.07.2021; Pasuria e llojit “ndërtesë”, me nr. pasurie 264/40ND1, sip. totale 276 m2; Pasuria me nr. regjistrimi 00006769, datë 15.07.2021 e llojit “truall”; Pasuria e llojit “arë”, me sip. totale 4,900 m2; dhe Pasuria e llojit “ndërtesë”, me nr. regjistrimi 00006769, datë 15.07.2021. Pasuritë në emër të Kristian Boçit Pasuria e llojit “Njësi”, me çmim të blerjes 9,300,000 Lekë; Pasuria e llojit “Njësi”, me çmim i blerjes 600,000 Euro; Pasuria e llojit “Dyqan”, me sipërfaqe 222 m2; Pasuria e llojit “Dyqan” me sipërfaqe 220.8 m2 dhe verandë me sipërfaqe 285 m2; Pasuria “Apartament”, me sip 201.8 m2; Pasuria “Garazh” me sipërfaqe 18.9 m2; Pasuria “Garazh” me vlerë totale 25,000 Euro ose 3,425,000 lekë (secili 25,000 Euro); dhe Pasuria e llojit “Autoveturë”, të tipit “Mercedez Benz”, në shumën 117,000 Euro.
Pasuritë e regjistruara në emër të shtetasve Elman Abules dhe M. N., si më poshtë:
Pasuria e llojit “Vilë” me sipërfaqe ndërtimi 171.6 m2 dhe sipërfaqe trualli 300.8 m2, me vlerë 370,000 euro; Pasuria e llojit “Truall” me çmimi i blerjes 370,000 euro; dhe Pasuria e llojit “Vilë Single A2”, sip. ndërtimi 334.2 m2 dhe sipërfaqe parcele 550 m2, me çmim blerje 480,000 euro. Vendosja e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” ndaj llogarive bankare të subjekteve, pranë bankave të nivelit të dytë.
Një shqiptar është dënuar me burg në Britani, pasi u kap me një sasi të konsiderueshme kokaine në lokalin me kokteile në pronësi të tij.
Mediat britanike bëjnë me dije se 45-vjeçari Edmond Borici, pronar i një bari me kokteile në Bond Gate në Nuneaton të Anglisë, u dënua me 15 miaj brug.
Ai u prangos vitin e kaluar, kur kërcënoi me thikë një klient në lokalin e tij, teksa ky i fundit rrëmbeu arkën e birrave për t’u mbrojtur.
Gjatë kontrollit në lokal, policia i gjeti një qese me 509 gram kokainë të ndarë në doza të vogla, me qëllim shpërndarjen te klientët. Një tjetër qese me 17 gram kokainë u gjet e fshehur në makinën e tij tip “BMW” të parkuar jashtë lokalit.
Autoritetet britanike thanë se Boriçi sillej si të ishte Don i mafias së viteve 1950. Ai përdorte lokalin për të fshehur aktivitetin e jashtëligjshëm, dhe shpesh ishte i dhunshëm me persona të tjerë.
Prof. Tito Jochalas është një emër i mirënjohur në studimet albanologjike. Ka kryer studimet e larta filologjike në Universitetin e Athinës (1965). Punoi në fillim si lektor i gjuhës greke në Universitetin e Palermos, ku u njoh me mjedisin arbëresh. Më 1970 kreu studimet në fushën e albanologjisë pranë prof. M. Camaj për gjuhë shqipe dhe prof. G. Stadtmüller për histori ballkanike në Universitetin e Mynihut. Më 1971 filloi punën në Akademinë e Shkencave në Athinës, ku për 35 vjet drejtoi punën për neologjizmat dhe terminologjinë e gjuhës greke. Krahas kësaj është edhe drejtor i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore në Athinë. Në fushën e albanologjisë T. Jochalas ka botuar një varg librash dhe dhjetëra artikuj. Ai është një filolog i rysur në fushën e studimeve për Arvanitët dhe për ligjërimet e tyre.
Nga viti 2000 deri më 2006 ai kishte botuar tri monografi të vëllimshme për arvanitishten ishullore (Andros, Eubeja, Idra), nëse mund ta quajmë kështu, dhe vjet dolën dy vëllimet për arvanitishten e Moresë. Gjithsej këto zënë mbi 3 mijë faqe, veç shumë fotografive e ilustrimeve të tjera. Botimin e një monografie për Arvanitët e ishullit Andros dhe për gjuhën e tyre T. Jochalasi e kishte paralajmëruar që në vitin 1997 në librin e tij Arbanítika paramýthia kai doxasíes (Përralla dhe besime arvanite). Në këtë libër T. Jochalasi kishte premtuar se këto tekste popullore arvanite të botuara në përkthimin greqisht do t’i botonte edhe në origjinal në një seri monografish të veçanta. Në vitin 2000 u botua monografia Andros – Arvanitët dhe arvanitishtja, një studim i hapët e tërësor prej 520 faqesh dhe me 124 fotografi me ngjyra, përveç fotove të tjera bardhezi nëpër tekst. Androsi është një ishull i madh në detin Egje, në L të Atikës e në JL të Eubesë. Në pjesën veriore të tij gjenden 29 fshatra arvanite. Monografia përbëhet prej katër krerësh. Kreu I (f. 13-70) bën fjalë për historinë e këtij ngulimi arvanit dhe jetën e banorëve të tij. Në kreun II (71-128) trajtohen çështje gjuhësore (Ta glossika) si emrat e fshatrave e oikonimet e Androsit, emrat vetjakë e të familjeve; ndër këta emra një pjesë e mirë janë nga lënda e shqipes, si p.sh. Baltiza, Dardhëza, Dëllënja, Guri Gljat, Guri Math, Kronjëza, Ledhëza, Livadheza, Ljum, Katundi i Math, Shinbejtri, Shinjani etj.; me interes për etimologjinë e emrit buzmi është dhe toponimi Buzmi për një hundë mali në buzë të detit. Nga emrat e familjeve dalin të tillë si: Ballas, Daras, Gumas, Koroveshis, Reras, Ripis, Vllamis etj. Më tej trajtohet ndikimi i greqishtes mbi të folmen e Arvanitëve, por autori ka vërejtur se edhe ndonjë fjalë arvanite si brushtull, ka hyrë në greqishten e Androsit, ndërsa disa fjalë të tjera shqipe kanë hyrë nëpërmjet greqishtes letrare (p.sh. babesis “pabesi”, fara (edhe fig.), corapia. Tiparetr fonetike dhe trajtat gramatkore të asaj së folmeje janë me vlerë për dialektologjinë e shqipes dhe për të zbuluar prejardhjen e banorëve, p.sh. ngjasimi me labërishten e Vlorës (sidomos zona e Smokthinës) në zgjerimin e formave foljore të vetës së parë me rrokjen -te , p.sh.: bëjte ose bëte (f. 211), jamte i martuarë, e japte juve (f. 289 v.), do të thomte (156), do t’e marrte (f. 158). ma paret (LXI, Gjeneza, 22, 5).
Kreu III (f. 129-192) përmban 70 tekste e copa këngësh, që japin një ide pak a shumë të plotë të veçorive gjuhësore të kësaj së folmeje.
Kreu IV, që zë dhe pjesën më të madhe të librit (f. 193-487) përmban fjalorin (glossario) e së folmes. Autori nuk i ka numëruar, por mund të dalin rreth 2400 fjalë që shfaqen edhe në forma të ndryshme. Fjalori ka interes të shumëfishtë: për etimologjinë e për dialektologjinë historike, për semantikën edhe për fjalëformimin, pasi dëshmohen forma e kuptime të vjetra ose lëvizje kuptimore. Le të përmendim p.sh. fjalën dalandish-i, që ka kuptimin e greq. dixÀla (‘bigëz’, ‘sfurk me dy dhëmbë’ si vegël bujqësore), kurse emri i zogut është një huazim nga greqishtja: hjelidhon). P.sh. Bëra një dalandish ndë kalm dhe preva një lejmonë. Del pyetja: a ruan fjala arvanite një kuptim të kryehershëm që mund të motivonte emrin e zogut sipas formës së bishtit, apo kuptimi ‘bigëz’ ka dalë nga forma e bishtit të dallëndyshes? (dihet se etimologjia e kësaj fjale ende nuk mund të quhet e sqaruar). Emri shklja -u ka kuptimin “ai që nuk është arvanit, i huaji në përgjithësi” (Ai ishtë shklja, nëkë di arvanitiqetë; Të mos vinjë një shklja këtu!). Me interes janë edhe kalimet kuptimore te fjalë si dimër ‘shi-u’, p.sh.: Gjëmon shumë, do bjerë dimër (ndërsa për dimrin si stinë përdoret fjala greke hjimonë), po kështu gatem, gati, i gatë a i gaturë kanë marrë përkatësisht kuptimet ‘sëmurem, i sëmurë’; ka ndonjë formim interesant me përngjitje, një fjalë fjali, si skanjëditëz ‘pardje’; ka kuptime të veçanta të fjalëve si çoj ‘gjej’ (si në çamërishte). Për të sqaruar më mirë kuptimin e fjalës, autori ka dhënë edhe mjaft thënie e shembuj të ndryshëm përdorimi.
Pas dy vjetësh, më 2002, doli monografia tjetër e T. Jochalasit “Eubeja Arvanitishtja” me 712 faqe. Eubeja është ishulli më i madh i Greqisë pas Kretës dhe shtrihet në veri të Androsit, shumë pranë pjesës kontinentale. Ngulimet arvanite gjenden në pjesën jugore të ishullit, pra në drejtim të Androsit. Arkitektura e monografisë së Eubesë është e ngjashme me atë të Androsit. Në kreun I (f. 17-80) jepet një përshkrim i 65 fshatrave arvanite të Eubesë Jugore, toponimia dhe të dhëna historike. Në kreun II (f. 81-319) jepen shkurt disa tipare të arvanitishtes së Eubesë dhe lëndë e pasur gjuhësore (përrallëza e rrëfenja të shkurtra, përshkrime të punëve të fshatit, këngë të ndryshme). Kreu III (f. 346-689) përmban fjalorin. Libri mbyllet me një bibliografi të pasur dhe me 47 faqe me fotografi me ngjyra. Ka dhe një CD me këngë e tekste. Ashtu si dhe në monografinë për Androsin gjithë lënda gjuhësore arvanite është shkruar me alfabetin e sotëm të shqipes.
Tiparet fonetike e morfologjike të arvanitishtes së Eubesë janë të ngjashme me ato të Androsit, por arvanitishtja e Eubesë nuk paraqitet unike. si ngas ana fonetike, ashtu edhe nga ana gramatikore. Kreu i fjalorit është shumë i pasur, përmban mbi 2000 fjalë, ku renditen edhe emrat e përveçëm (ashtu si dhe te monografia për Androsin), të pajisura me shumë shembuj përdorimi. Tërheq vëmendjen në të dy këta ishuj qenia e fjalës katund (në Eube edhe katundës) dhe mungesa e fjalës fshat, ashtu si në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë. Në Eube përdoret folja sëmurem dhe mbiemri i sëmurë, kurse në Andros thuhet gatem, p.sh. ndë hjimonë gatem di-tri herë (në dimër sëmurem dy-tri herë); në Andros përdoret mbiemri i gëzuarë, p.sh. zoi të gëzuarë “jetë të gëzuar”, kurse në Eube kjo fjalë ka humbur, por në More përdoret (Të rronjënë t’e gëzonjënë!). Fjalori i monografisë së Eubesë ka vlera në shumë drejtime studimesh. Mund të thuhet se është pjesa më e rëndësishme e kësaj monografie.
Në vitin 2006 T. Jochalas botoi një monografi tjetër në dy vëllime Hidra Gjuha e harruar. Hidra është gjithashtu një ishull, por i vogël në krahasim me Eubenë dhe Androsin. Shtrihet përballë gadishullit të Argolidës në pjesën verilindore të Peloponezit. Në juglindje ka ishullin Specia e në veri ishullin Poros. Siç dihet në të tre këta ishuj mblodhi lëndë gjuhësore K. Reinholdi në vitet 1850–1860. Tashmë kjo lëndë është e botuar. Në të tre këta ishuj, Arvanitët ishin popullsia e vetme, prandaj dhe e kishin ruajtur mirë gjuhën. Vëllimi i parë i monografisë (416 f.) përmban të dhëna të shumta burimore për historinë e ishullit, që Arvanitët e quajnë edhe Nidhra, Nidhriza (me përngjitjen e parafjalës në). Në vijim jepet toponimia e ishullit, ku natyrisht dalin shumë fjalë shqipe, ashtu si në Andros e në Eube, p.sh.: Brinja, Çepi, Guri Madh, Guri Leka, Klisha Brinja, Kriemadhi, Qafa, Rrarishta, Lumi i Thevë (i Thellë), Malies, Pevgje (Pellgje), Shpeva (Shpella) etj. Në vijim jepen materialet e botuara nga Gustav Majeri në Albanesische Studien V. Pjesa më e madhe e tyre janë nxjerrë nga dorëshkrimet e Reinholdit. Në pjesën më të madhe ato janë ribotuar te vëll. I i serisë “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar”. Më tej jepen materiale të tjera folklorike nga Hidra, një pjesë e veçantë titullohet “Fjalë dhe fraza nga arvanitishtja e Hidrës” (f. 317-350) të nxjerra nga burime të ndryshme. Me interes të veçantë është “Fjalori i arvanitishtes së Hidrës” me fjalë të mbledhura nga T. Jochalasi në vitet 1987 dhe 2002-2004 (f. 360-396). Këtu gjejmë ndër të tjera dhe fjalën arbërisht (Di arbërisht? – e pyetën më 1987) dhe arbëror (Aj nëk ishtë arbëror).
Vëllimi II, që vijon nga f. 417-854, përmban fjalorin greqisht-arvanitisht të Panajot Kupitorit (1821-1881), një veprimtar shumë energjik për gjallërimin e kulturës e të gjuhës shqipe ndër Arvanitët, mbledhës materialesh gjuhësore dhe studiues i së folmes së Hidrës, prej nga ishte dhe vetë. Fjalori, i ruajtur si dorëshkrim në Bibliotekën Kombëtare në Athinë, zë 364 faqe (nga f. 455 deri në f. 819) dhe dëshmon për punën e madhe e të kujdesshme që ka bërë Kupitori.
Më 2011 doli nga shtypi monografia e katërt e prof. T. Jochalas Arvanitishtja e Moresë (Ē arbanitiá sto Moriá. Chronika poreías) në dy vëllime me 950 faqe. Vëllimi i parë përmban një përshkrim të përgjithshëm të fshatrave arvanite të Moresë sipas krahinave: Zaraka e Lakonisë (pjesa juglindore e Moresë), Mesinía, (pjesa jugperëndimore), Argolida (pjesa qendrore-lindore), Korinti (pjesa verilindore). Pjesën më të madhe të vëllimit e zënë tekstet folklorike, këngë e rrëfenjëza, si dhe dialogë e biseda të thjeshta, të cilat dëshmojnë edhe sa e fortë ka qëndruar, po edhe sa shumë është gërryer arvanitishtja pas kaq shekujsh. Megjithatë ka dhe krijime befasuese me përjetime të forta e me një shprehje ku nuk ndihen fort shekujt e ndarjes nga gjuha e vatrës së përbashkët, siç është kënga e një të mërguari në dhe të huaj, në kseniti: Në kseniti çë jam,/ i ndari,/ vetëmë jam, /e s’kam donjë njeri,/ donjë parighori (“ngushëllim”),/ E bje të fljë,/ ma s’munt të fljë, i ndari,/ më ha një idhé,/ pse do më vësh ndë dhe./ Ngrihem menatë/ e jam safi i vrarë;/ kurmin e kam/ e mendin ma ke marrë ti// Të fleturonj, të vinjë të të çonjë/ e të të them/ atë çë kam ndër ment. (f. 60).
Vëllimi i dytë prej 400 faqesh përmban fjalorin e të folmeve të krahinave të mësipërme. Ky fjalor bashkë me toponimet, që janë dhënë te vëllimi i parë, është një thesar i vërtetë për studime në leksikologjinë dhe semantikën historike, në gjeografinë e fjalëve, po ashtu në fjalëformimin e në zhvillimin e leksikut të shqipes mesjetare, duke hamendësuar gjithnjë se kemi të bëjmë më fort me fjalë të sjella nga Shqipëria, sesa të formuara në atdheun e ri. Të katra këto monografi, tri për arbërishten ishullore (Andros, Eubeja, Hidra) dhe e katërta për Morenë, me mbi 3000 faqe të formatit të madh mund të quhen visare të shpëtuara të gjuhës, të etnokulturës dhe të historisë së Arbërorëve. Ato janë kurorëzim i kërkimeve të vijueshme, këmbëngulëse e sistematike të autorit. Vepra e tij ka vlerë të madhe jo vetëm në vetvete, si vepër shkencore dhe dokumentare. Ajo jep një lëndë të pasur për studime të mëtejshme gjuhësore, për përshkrimin më të plotë të veçorive fonetike e morfologjike të arbërishtes së Greqisë dhe të fjalorit të saj. Më 2019 prof. T. Jochalas boton një libër të ri: “Fshatrat shqipfolese te Thrakës. Histori dhe Gjuhë” (534 fq. me dokumentime e ilustrime të shumta). Është një përshkrimi hollësishëm dhe i dokumentuar i ngulimeve shqiptare të asaj ane, prej nga ka dalë edhe Fan S. Noli. Libri përmban shumë tekste dhe vjersha popullore dhe një fjalor mjaft të pasur (140 fq.).
Vepra albanologjike e T. Jochalasit si nga shtrirja në kohë, ashtu edhe nga përmasat, nga problematika që përfshin, nga metoda shkencore e trajtimit dhe nga pasuria mahnitëse e materialeve që ka sjellë, i jep autorit një vend nderi në albanologjinë e sotme. Gjashtë vëllimet e mrekullueshme dhe studime të tjera që ka shkruar prof. T. Jochalasi për Arvanitët dhe për ligjërimin e tyre janë “Bashka e Artë” (Chrysómallon Déras) që na ka sjellë ai në bibliotekën e studimeve për gjuhën shqipe të diasporës. Por ndryshe nga Jasoni i lashtësisë, që e gjeti “Bashkën e Artë” si një të tërë – vërtet përmes shumë rreziqesh – prof. T. Jochalasi e mblodhi atë pjesë-pjesë, vite me radhë, fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, me shumë durim dhe me një ngazëllim të brendshëm, se kështu po shpëtonte, jo vetëm një ligjërim, ndoshta në fazën e fundit të jetës, po edhe një botë tërheqëse, një kulturë, një traditë, tek e cila shkenca e të dy vendeve duhet të kthehet herë pas here si te një burim që do të freskojë e do të begatojë edhe më tej studimet shqiptaro-greke e greko-shqiptare. I jemi mirënjohës me gjithë zemër prof. Tito Jochalas për veprën e tij albanologjike dhe në vitin e 80-vjetorit të tij i urojmë nga zemra shëndet e jetë të gjatë, që të hedhë në letër gjithë ato dije e njohuri për Botën Arvanite, që ka grumbulluar me pasion e dashuri vite e vite me radhë!
Në më shumë se dhjetë shekuj arkeologji, faktet e ekzistencës së një alfabeti shqip mungojnë. Mbishkrimet e zbuluara më së shumti janë ose në alfabetin latin, ose grek, dhe ka vetëm ndonjë gjurmë të pastudiuar ende të alfabeteve të vdekura të shqipes.
Në vitin 2015, arkeologu rus Dmitry Zenyuk ka zbuluar në fshatin Margaritovo në zonën e Uzovit, Rusi, mbishkrime në gjuhën shqipe të shkruara në tulla.
Një alfabet që shqiptarët e migruar në atë zonë e kishin marrë me vete?
Për fat të keq, historia e vajtjes së një numri të madh shqiptarësh në territorin e Perandorisë Ruse, për studiuesit shqiptarë është pothuajse e panjohur.
Studiuesi bjellorus Aleksandër Novik, i cili flet shqip në mënyrë të përkryer, është njohësi më i mirë i detajeve të zbulimit të këtyre tullave ku janë ruajtur shkronja e fjalë shqipe.
Ai e ka mësuar shqipen nga dy pedagoget e tij ruse që kanë jetuar në Shqipëri në vitet ’50, Gertruda Intrei dhe Irina Horonina,
Aleksandër Novik është nderuar në Tiranë me Çmimin Kombëtar të Akademisë së Shkencave për vitin 2017, për studimet e tij për shqiptarët e Ukrainës.
Në intervistën e mëposhtme Novik flet mbi këtë zbulim që ruhet larg syrit të studiuesve shqiptarë apo vëmendjes së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Novik thotë se gjatë shekullit të 20-të në Rusi janë bërë zbulime dhe analiza shkencore me nivel të lartë për të folurën shqipe në vendbanimet e jugut të Ukrainës, në rajonet e Odesas she Zaporozhies, ku nisi edhe periudha e themelimit të kolonisë së parë shqiptare që i takon fillimit të shekullit të 19-të, më saktë vitit 1811.
Zoti Novik, çfarë ju ka nxitur ju për të pasur një kontakt me shqiptarët e Ukrainës dhe të nisnit studimet për këtë minoritet etnik?
Në jug të Ukrainës ka katër fshatra shqiptarë. Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës kanë ikur nga krahina e Korçës dhe zonat rreth saj afërsisht. Ne supozojmë se kanë ikur pesë shekuj më përpara. Ata kanë ikur në lindje të Bullgarisë. Në rajonin e Varnës në Bullgari shqiptarët kanë jetuar afërsisht tre shekuj, edhe në fillim të shekullit të 19-të ata kanë ikur në territoret e perandorisë ruse për shkak të luftrave ruso-turke.
Deri tani ata kanë ruajtur gjuhën e tyre amtare. Kuptohet që shqiptarët që janë atje flasin shqip, kuptohet në gjuhën arkaike. Ata flasin “klisha” dhe jo “kisha”, ata flasin “gluha” e jo “gjuha”, ashtu siç flasin edhe arbëreshët e Italisë.
Ju vetë jeni ukrainas, shqiptaro-ukrainas apo rus?
-Jo nuk jam shqiptar, nuk jam ukrainas, nuk jam rus. Në fakt kam prejardhje bjelloruse, jam bjellorus, por kam lindur në Rusi, në Magadan, në verilindje të Rusisë shumë afër nga Alaska nga Amerika e Japonia, por shkollën e mesme e kam mbaruar në Bjellorusi dhe pastaj kam vazhduar studimet e mia në Petërburg, në Universitetin shtetëror të San Peterburg dhe pas mbarimit të Universitetit kam mbaruar studimet pasunivesitare në muzeun Punskamera dhe punoj në këtë muze tani. Jam drejtor i Departamemetit të Studimeve Europiane, dhe vazhdoj të jap ligjërata në Universitetin e Shën Petërburgut.
Cili ka qenë shkaku që ju frymëzoheni nga tradita të harruara të popujve ose të vetë popujve të harruar?
-Është profesioni im. Kam mbaruar studimet pasunivesitare dhe për mua është interesanate dhe e rëndësishme që të zbulojë të studiojë ruajtjen dhe traditën e popujve ballkanikë.
Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri?
-Në Shqipëri? Shumë interesante kjo. Për herë të parë unë isha në trojet shqiptare në Kosovë në vitin 1990, dhe pastaj pas dy vjetësh në vitin 1992 kam ardhur për herë të parë në Shqipëri.
E dinit mirë shqipen që në atë kohë?
-Normale, natyrisht që e dija sepse shqipen unë e kam studiuar në Universitetin e Shën Petërburgut.
Kur ratë në kontakt me gjuhën shqipe të folur, vutë re ndonjë diferencë me atë që kishit mësuar?
-Jo. Unë e kam mësuar gjuhën shqipe me pedagogë shumë të mirë në Universitetin e Petërburgut. Për shembull Gertruda Intrei ka jetuar këtu në Shqipëri në vitet ‘50 dhe pastaj vazhdonte të punonte në Universitetin e Petërburgut. Unë isha student i saj. Këtu në Shqipëri ka filluar studimet në fund të viteve ‘50 edhe Irina Horonina. Kur isha për herë të parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë unë kam komunikuar pa problem.
Shqipëria ka jetuar në diktaturë dhe e izoluar, ju si albanolog a lejoheshit vinit në vendin tonë?
-Jo vendet tona ishin ndarë për shkak të politikës dhe para viteve ‘90 nuk mund të vija. Nuk eksistonin marrëdhëniet diplomatike, politike, tregtare e kulturore
Kur i takoni shqiptarët e Ukrainës, çfarë gjërash të veçanta keni zbuluar në karakterin e tyre dhe që u bënë përshtypje më shumë?
-Për mua është çudi që së pari shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur gjuhën e tyre amtare dhe vetëdijen pothuajse për pesë shekkuj, në një kohë që nuk kishin raporte me Gadishullin e Ballkanit për dy shekuj, kur u zhvendosën në Rusi dhe për mua kjo përbën një rast të veçantë dhe me shumë interes në shkencat që unë studioj. Ata kanë ruajtur gjuhën amtare dhe vetëdijen etnike.
Para tre vjetësh në një seminar të Kosovës ju shpallët se kishit zbuluar mbishkrime në një alfabet të veçantë të shqipes rreth 500-vjeçare. Ku bazohet ky studim juaji. Si zbuluan këto dokumente?
-Këto dokumente nuk u zbuluan në territorin e Ukrainës, por në territorin e Rusisë së sotme në brigjet e detit Azov në fshatin Margaritovo. Tre vitet e fundit unë shkova bashkë me studentët e kolegët e mi në jug të Rusisë, në brigjet e detit Azov, në rajonin e Ostovit. Në fund të sheklullit të 18-të në këtë vend ishin në themeluar disa fshatra, domethënë Margaritovo, Epirski, Albanski, domethënë fshati i Albanëve, i shqiptarëve. Para 20 vjetësh arkeologu rus Midriz Injuk ka zbuluar disa tulla me mbishkrime të sistemit të vjetër të shqipes.
I keni ju fotografitë me këto tulla?
-Po po i kemi, dhe janë zbuluar rreth 200 tulla ku janë ruajtuar shenjat e sistemit të shkrimit të vjetër të shqiptarëve, ndërsa duke i mbledhur të gjitha zbulimet janë rreth 300 kopje të tilla. Themeluesi i fshatit Margaritovo është Margaret Bllazon, dhe për të ka pasur diskutime se është edhe me origjinë greke, por kjo ngatërrohet, sepse kanë ardhur në Rusi shqiptarë nga Shqipëria dhe shqiptarë të Greqisë, që i quanin “Arvanutë të Greqisë” dhe “Arvanutë”. Ky problem ende diskutohet. Margariti ishte njeri pasur dhe unë mendoj se ai do të bënte fare mirë ndërtime me tulla me shenja të shkronjave greke, po të ishte grek, dhe s’kishte arsye t’i bënte në një gjuhë që s’ishte e askujt aty në Rusi. Aty para disa vjetësh arkeologu rus, Dmitry Zenyuk, ka zbuluar një sistem të shkrimit shqiptar. Themeluesi i fshatit Margariti mendohet se ishte shqiptar nga Kreta dhe ai ka marrë shumë tokë nga qeveria ruse për shërbimin e tij në ushtri dhe kishte afërsht 200 kilometra tokë. Kështu ai ka organizuar një ndërmarrje të tillë që ta rrethonte një pjesë të madhe me tulla dhe në çdo tullë të kishte një shenjë, shkronjë shqipe. Në korrik do shkojmë përsëri në atë zonë dhe ndoshta do të zbulojmë artefakte të reja. Në zonën e Detit Azov nuk flitet më në gjuhën shqipe, por popullata ka mbajtur kujtime për arnautët të cilët janë themeluesit e këtij fshati dhe vendbanimet përreth.
Kur u bë lajmi për alfabetin e rrallë të zbuluar në letër, kureshtje të madhe pati edhe i ndjeri Robert Elsie, që më pyeti për burimin e lajmit, pasi ju supozonit se mund të bëhej fjalë për Alfabetin 400-vjeccar të Elbasanit. Keni biseduar për këtë ju me Elsie?
-Këto mbishkrime që janë ruajtur në këto tulla, unë mendoj se janë pjesë e sistemit të vjetër të shkrimit të shqipes. Në fakt nuk është Alafabeti i Elbasanit, sicc u mendua në fillim, por është një alfabet tjetër. Jemi duke vijuar studimet dhe në korrik ne do të shkojmë sërish në Margaritovo për ekspeditë me kolegët. Kemi biseduar edhe me Elsie. Ne mendojmë se është një alfabet tjetër edhe më i hershëm, me më shumë shkronja. Ideja për një alfabet më të hershëm ishte e Elsie. Kështu që do të vijojmë zbulimet tona.
Në këtë territor, ekspedita jonë e organizuar nga Universiteti Shtetëror i Shën Petersburg në vitin 2015 ka grumbulluar shumë materiale, tregime, etj. Në lidhje me praninë e shqiptarëve në shekujt e 18-të dhe 19-të. Kështu në fund të shekullit të 18-të, në rajonin e Azovit u themelua fshati Margaritovo, emri i të cilit është i lidhur ngushtë me Margaret Bllazon, zyrtar i lartë, me origjinë nga shqiptarët e mërguar aty.
Skëder Xhafa, njëri nga inxhinierët më të njohur të industrisë ushtarake, ka qënë ndër pro tagonistët e projekteve për prodhimin e armëve të Perëndimit në kohën e regjimit komunist.
I porsakthyer nga Italia ku shkon shpesh për të vizituar djalin që jeton aty, në përgjigje të interesimit tonë për të hedhur dritë mbi këto proçese të panjohura e të mbajtura secret në atë kohë, preferon të fokusohet kryesisht te projekti për prodhimin e automatikut të Xhevdet Musafës, kreut të bandës që zbarkoi në vjeshtën e vitin ’82, që ka qënë dhe një nga projektet më të vështira.
Arma e prodhimit amerikan e “faluar” nga banda terroristet, vlerësohej nga autoritetet e kohës një rast i mirë e mundësi reale për të nisur nga prodhimi i armëve perëndimore. Më shumë se novacion i rastit, futja në linjën “Made in Albania” e prodhimit të armëve të mbërritura nga matanë Atlantikut, shfaqej si një sfidë e rëndësishme politike.
Si e tillë vlerësohej mbi të gjitha nga krerët e kupolës së shtetit, të cilët prej kësaj mendonin për t’i hedhur në eksport këto prodhime. Pak a shumë ky ishte sfondi në të cilin nisi nga puna projekti për prodhimin e automatikut të kapobandës Xhevdet Mustafa, i cili vlerësohej nga specialistët e kohës si armë shumë e sofistikuar. Në përmbushjen e këtij projekti, njëherazi me angazhimin e uzinave dhe kombinateve ushtarake, morën pjesë rreth 1000 inxhinierë e specialistë nga më të mirët e sistemit të industrisë mekanike të vendit. U deshën dy vjet punë e përpjekje që arsenali shqiptar i armatimeve të koleksiononte të parin automatik perëndimor, kampionin e të cilit e solli një shqiptar, por jo me këtë destinacion. Në rrëfimin për gazetën “Panorama”, Skënder Xhafa sjellë një retrospektivë të plotë të përpjekjeve intensive për prodhimin e automatikut
“P-84”, i njohur si “kallashi i Xhevdet Mustafës”. Ish-drejtori i Uzinës së Artilerisë dhe një nga konstruktorëte automatikut model “Mustafa”, zbulon disa nga enigmat e kësaj historie dhe shfaq rezervat e tij për mënyrën e trafikut që nisi të bëhej në atë kohë, por edhe më vonë me armët e prodhuara në vend. Në tërë rrëfimin inxhinieri Xhafa nuk e fsheh krenarinë për mjeshtërinë e lartë të kolegëve, të cilët në kushte teje të vështira kanë mundur të realizojnë produkte të rralla, me të cilat në të tjera vende do të ishin laureuar disa herë e do të siguronin një të ardhme të mrekullueshme për jetën e tyre…
Zoti Skënder, njiheni si inxhinier në sistemin e industrisë ushtarake dhe kryesisht asaj të prodhimit tëarmëve. Në vitet e fundit të regjimit komunist, kjo industri ka implementuar në kushte të fshehta “Projekti 84” që përflitej se destinohej për prodhimin e armëve të markave Perëndimore. Çfarë mund të tregoni pas kaq vitesh për këtë histori misterioze?
Një histori e vjetër, e harruar tashmë kur jetojmë në kushte të tjera. “Projekt 84” ishte një nga nismat e rëndësishme që inicioi udhëheqja e lartë për t’u zbatuar në sistemin industrisë ushtarake diku në mesin e viteve ’80. Nëpërmjet tij synohej prodhimi i një automatiku të ri të tipit perëndimor. Deri atëherë uzinat e kombinatet tona kishin prodhuar vetëm armë të tipave lindorë.
Sfida këtë radhë kishte të bënte me prodhimin e një arme tjetër. Ishte periudha kur krerët politikë promovonin moton “Shqipëria, as Lindje dhe as Perëndim”. Asaj do t’i përgjigjej edhe strategjia e industrisë ushtarake. “Projekt 84” ishte një nga sfidat e saj. Ishte koha kur kishim kopjuar gati tërë arsenalin e armëve të vendeve të Traktatit të Varshavës dhe synonim të provonim produktet e vendeve të NATO-s. Dhe diçka bëmë…
Çfarë kishte për objektiv “Projekt 84”?
Objektivi i tij ishte prodhimi i automatiku P-84. Një armë perëndimore me precizon të lartë dhe e manovrueshme për luftime të afërta. Për të mbërritur deri te ky produkt, u deshën gati dy vjet punë. Ishin me qindra inxhinierë, specialistë, konstruktorë e mjeshtër prodhimi, që vunë emrin e tyre në patentën e këtij produkti. Madje, jo vetëm nga sistemi i industrisë ushtarake, por nga tërë korpusi i ekspertëve të industrisë mekanike…
Si u realizua në atë kohë ky produkt nga konstruktorët e mjeshtrit e sistemit të uzinave ushtarake?
Besoj se është pa interes procedura teknike që u ndoq deri te realizimi i automatikut “P 84”. Procesi teknologjik ishte shumë kompleks dhe u materializua në dhjetëra ndërmarrje. Vetëm numri i inxhinierëve që u morën me konstruktimin e armës dhe linjave të prodhimit të sa arrinte aty te 250 vetë. Shumë të tjerë, mjeshtër prodhimi e konstruktorë, punuan për muaj me radhë për të mbërritur deri te produkti që i kishim premtuar partisë dhe udhëheqjes politike.
Në atë kohë, nga njerëz afër uzinave ushtarake qarkullonin zëra se automatiku “P-84” ishte një kopjim i armës së Xhevdet Mustafës?
Duhet theksuar se asokohe çdo gjë bëhej në kushtet e një sekreti të jashtëzakonshëm. Gjithsesi, nga gjithë ajo mori njerëzish e specialistësh që punuan për muaj me radhë, dikush e nxori sekretin. E vërteta është se “P-84” është një riprodhim i automatikut që iu kap Xhevdet Mustafës gjatë asgjësimit të bandës në vjeshtën e ’82 Udhëheqja e lartë e vlerësoi këtë një rast të mirë për t’i shtuar koleksionit të armëve “Made in Albania” edhe këtë armë të prodhimit perëndimor. Pikërisht këtu nisi edhe zanafilla e “Projektit 84”. Sfida u shfaq e vështirë qysh në fillim…
Diçka më konkrete për procesin e modifikimit të automatikut të Xhevdet Mustafës…
Duhet sqaruar se nuk bëhej fjalë për modifikim por për prodhim. Ishte një urdhër politik mbi bazën e të cilit u ndërtua tërë projekti. Pas asgjësimit të bandës së Xhevdet Mustafës në fillimin e viteve ’80, vetë kreu i shtetit rekomandoi prodhimin e armës së tij. Mjaftoi kaq për t’u ndezur tërë motorët e sistemit të industrisë ush- tarake. Specialistët më të mirë të saj, fillimisht morën kopjen që ishte në muzeun e Ministrisë së Brendshme. Prej aty filluan grupet e punës. Gjithçka drejtohej nga Instituti nr. 6, i destinuar për teknologjinë ushtarake. Mandej modeli u përthye në dhjetëra projekte…
Nga projektet te puna për prodhimin e automatikut “P-84″…
Automatiku i Xhevdet Mustafës ishte një prodhim artizanal. Ky ishte konkluzioni i parë që bënë special istët pas analizave shkencore të modelit. Prodhimi në linjë teknologjike, në këtë rast, bëhej shumë i vështirë, madje duhet thënë gati i pamundur. Të paktën për kapacitetet që ne posedonim në atë kohë. Debatet e mëtejshme na çuan në nevojën e thirrjes së specialistëve të huaj. Prania e tyre ishte e domosdoshme. Me informacionet që kishim përzgjodhëm tre specialistë italianë, nga më të mirët e fushës së prodhimit të armëve në rrugë artizanale. Dhe nuk u zhgënjyem…
Ju po thoni se kopjen e parë të automatikut “P-84” e bënë specialistët italianë, po mjeshtrit shqiptarë çfarë procesi realizuan në këtë projekt?
Demostrimi i “Kallashit të Xhevdet Mustahës” në paradën e vitit ’94 “Zhulali ua prezantoi për herë të parë amerikanëve”. Specialistët italianë u thirrën në ndihmë. Për ta u krijua një repart special në zonën e Bradasheshit. Ishte kjo një strukturë sekrete e uzinës së Çekinit në rrethin e Gramshit. Ata për muaj me radhë bënë me dhjetëra eksperimentime, të gjitha në rrugë artizanale për të prodhuar pjesët e këtij lloj automatiku. Çfarë u kërkua prej tyre, më në fund u realizua.
Madje nuk u prodhua një, por pesë automatikë tip P-84. Gjithsesi, kjo ishte vetëm një pjesë e punës. E para, se automatiku që mundën të riprodhojnë ata, kishte jo pak defekte e pasaktësi. Tjera kishte të bënte me faktin se nuk kërkohej të prodhonim thjesht një automatik që të ngjasojë me atë të Xhevdet Mustafës, por synonim krijimin e teknologjisë për ta prodhuar në seri “P-84”. Në fund të fundit, ky ishte edhe objektivi i “Projektit 84″…
Çfarë treguan eksperimetimet e para?
Në qoftë se në Bradashesh u bë eksperimentimi me pesë automatikët e parë, implementimi i linjës teknologjike u shtri në dhjetëra ndërmarrje të ushtrisë dhe të tjera të sistemit të industrisë mekanike të ekono misë. Gjithçka në këtë sipërmarrje drejtohej nga grupi i inxhinierëve të caktuar për këtë projekt në instituti numër 6, që kryesohej nga inxhinieri i talentuar Ilir Andoni.
Grupet që operonin në ndërmarrjet e ndryshme, kishin detyrime specifike. Çdonjëra prej tyre kishte për detyrë prodhimin e pjesëve të veçanta të kësaj arme. Finalen e këtij projekti duhej ta përmbyllte Uzina e Artilerisë, e cila kishte për detyrim të bënte montimin dhe kolaudimin e armës. Ju thoni se për prodhimin e automatikut të Xhevdet Mustafës kanë punuar dhjetëra ndërmarrje në të njëjtën kohë…
E vërteta është se ka qenë një sipërmarrje e jashtëzakonshme, në të cilën janë angazhuar shumë nga kombinatet dhe uzinat mekanike të vendit, sipas profilit dhe kushteve teknologjike që ofronin. Ndërkaq, ndërmarrjet e sistemit të industrisë ushtarake ishin të gjitha të integruara në këtë projekt të rëndësishëm…
A u kujtohen proceset që kryen ndërmarrjet në zbatim të këtij projekti?
Patjetër që më kujtohen, madje mbaj mend me hollësi të gjitha operacionet, të cilat prodhuan detalet e kësaj arme. Mjafton të kem përpara një automatik “P-84”, për të përshkruar prodhuesin e elementëve përbërës të tij. Të vijmë te konkretja. Trupi i “P-84” u prodhua në uzinën e autotraktorëve në Tiranë dhe në Kombinatin e Poliçanit. Shuli u realizua në uzinën e Çekinit në Gramsh dhe në atë të instrumenteve “Petro Papi” në Korçë. Karikatori në Uzinën e Artilerisë.
Fisheku 9 m/m në kombinatin e Poliçanit. Baruti në uzinën e Mjekësit. Ndërkaq, ndërmarrje të tjera të sistemit të industrisë mekanike, prodhuan detajet e tjera të konstruksionit të armës së Xhevdetit. Në këtë sipërmarrje u angazhua uzina “Partizani” e Tiranës, UEM-i i Durrësit, UMB e Korçës, Uzina Mekanike e Beratit, ajo e Patosit, uzina “Tirana” etj. Shkurt, një korpus i tërë njerëzish e ndër marrjesh prodhuese. Dhe jo në pak ditë, por për dy vjet me radhë deri sa nisi prodhimi në seri…
Cilat ishin vështirësitë më të mëdha që u përballuan gjatë këtij projekti?
I tërë procesi për prodhimin e automatikut P-84 ishte një sfidë e vështirë. Të riprodhoje në linjë teknologjike një armë të realizuar në rrugë artizanale, duhej kapërcyer një barrierë e jashtëzakonshme. Prandaj u desh kohë për të mbërritur pas shumë peripecive te produkti i parë. Në ecurinë e projektit hera-herës dilnin defekte të papritura. Një herë dilte me defekt karikatori, herën tjetër fisheku. Dorë pas dore u zgjidhën defektet që shfaqeshin në konstruktin e shulit, në atë të tytës, te kapsolla etj. Mbaj mend p.sh., problemet me fishekun.
Ndërkohë që kishim zgjidhur gati përfundimisht çështjen e konstruktit të automatikut, ishim duke dështuar me fishekun. Fillimisht operuam me fishekë austriakë. Me ta arma nuk paraqiste asnjë lloj shqetësimi. Më vonë zgjidhëm edhe prodhimin vendas të fishekut parabolë 9 mm që përdorte kjo lloj arme.
Dhe kur u zgjidh përfundimisht prodhimi i automatikut të Xhevdet Mustafës?
Aty nga fundi i vitit 1986, prodhimi u fut në linjë teknologjike. Për kohën ishte një arritje e madhe, por u kalua pa bujë. Madje, gjithçka u rezervua top sekret. Më shumë se një produkt ushtarak, automatiku “P-84” ishte menduar për t’i dhënë impakte eksportit. Qëllimi ishte për t’u futur në trafikun e fshehtë të armatimit…
A pati ndryshime automatiku “P-84” që u prodhua nga mjeshtrit shqiptarë nga ai i Xhevdet Mustafës?
Për të mbërritur deri te produkti përfundimtar, dolën mjaft skarcitete, kuptohet me një kosto goxha të lartë. Megjithatë këmbëngulja ishte e jashtëzakonshme dhe më në fund mbërritëm te suksesi, nxorëm në dritë au- tomatikun “Made in Albania”, sipas origjinalit dhe në parametrat teknikë e fizikë. Problemi i fundit ishte eliminimi i zhurmës, të cilën mundëm ta realizojmë pas disa eksperimentimeve. Filluam pastaj nga prodhimi në seri…
Sa armë të tilla u prodhuan?
Nga sa më kujtohet, deri në fundin e viteve ’80, u prodhuan rreth katër mijë automatikë “P-84”. Objektivi i qeverisë komuniste synonte të prodhoheshin mbi 2 mijë të tilla në vit. Gjithnjë me synim eksportin, i cili siç flitej nën zë në atë kohë ishte me shumë interes. Por rrethanat që erdhën e ndërprenë procesin. Unë mbaj mend që ky lloj automatiku u demostrua për herë të parë në paradën e vitit ’94. Aty, ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali ua prezantoi dhe ushtarakëve amerikanë… (Panorama)
Munda të gjej faksimilen e një telegrami të rrallë të presidentit amerikan Woodrow Wilson për Shqipërinë, kur ai ishte duke u larguar nga Konferenca e Paqes e Parisit në qershor 1919.
Përmbajtja e telegramit ka qenë pak a shumë e njohur, por tani kemi një fotografi të origjinalit.
Aty thuhet:
“Desha që, përpara largimit, t’ju shpreh juve dhe kolegëve të tjerë, interesimin tim shumë të thellë për fatet e Shqipërisë. Kam frikë se mos në morinë e gjërave të tjera që mund të duken më të ngutshme dhe më të rëndësishme, nënvlerësohet vëmendja që duhet t’u kushtohet atyre të drejtave. Ju lutem të tregoheni shumë të kujdesshëm sa u përket atyre”.
Telegrami, që mban datën 30 qershor, 1919, është dërguar nga anija SS George Washington me të cilin udhëtonte presidenti.
Wilsoni qëndroi në Paris 6 muaj e gjysmë për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes, ku mes të tjerash do të vendoseshin edhe fatet e Shqipërisë së pas luftës.
Pas diskutimeve të shumta, çështja e Shqipërisë mbeti e pazgjidhur. Diskutohej sidomos për një protektorat italian. Një pjesë e delegacionit shqiptar kërkonte që mandatin mbi Shqipërinë ta merrte Amerika. Ata ngulnin këmbë që Amerika t’i jepte Shqipërisë një trupë të vogël ushtarake për detyra policore, një guvernator civil me ekspertë të qeverisjes dhe një hua prej disa milionë dollarësh, që vendi të mund ta shlyente me naftën dhe burime të tjera.
Plani iu dorëzua Wilsonit dhe ai kërkoi mendimin e ekspertëve që kishte marrë në Paris. Ideja e një mandati amerikan doli e parealizueshme. Fitoi ideja e një protektorati italian, por skemat e fqinjëve për copëtimin e Shqipërisë e komplikuan gjendjen.
Wilsoni trembej se pas ikjes së tij nga Parisi, Shqipëria do të copëtohej. Ky është edhe kuptimi i telegramit që ai i dërgonte sekretarit të tij të shtetit, Robert Lansing.