Bashka e artë arvanite…

Prof. Emil LAFE – Botuar në Dita

Prof. Tito Jochalas është një emër i mirënjohur në studimet albanologjike. Ka kryer studimet e larta filologjike në Universitetin e Athinës (1965). Punoi në fillim si lektor i gjuhës greke në Universitetin e Palermos, ku u njoh me mjedisin arbëresh. Më 1970 kreu studimet në fushën e albanologjisë pranë prof. M. Camaj për gjuhë shqipe dhe prof. G. Stadtmüller për histori ballkanike në Universitetin e Mynihut. Më 1971 filloi punën në Akademinë e Shkencave në Athinës, ku për 35 vjet drejtoi punën për neologjizmat dhe terminologjinë e gjuhës greke. Krahas kësaj është edhe drejtor i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore në Athinë. Në fushën e albanologjisë T. Jochalas ka botuar një varg librash dhe dhjetëra artikuj. Ai është një filolog i rysur në fushën e studimeve për Arvanitët dhe për ligjërimet e tyre.

Nga viti 2000 deri më 2006 ai kishte botuar tri monografi të vëllimshme për arvanitishten ishullore (Andros, Eubeja, Idra), nëse mund ta quajmë kështu, dhe vjet dolën dy vëllimet për arvanitishten e Moresë. Gjithsej këto zënë mbi 3 mijë faqe, veç shumë fotografive e ilustrimeve të tjera. Botimin e një monografie për Arvanitët e ishullit Andros dhe për gjuhën e tyre T. Jochalasi e kishte paralajmëruar që në vitin 1997 në librin e tij Arbanítika paramýthia kai doxasíes (Përralla dhe besime arvanite). Në këtë libër T. Jochalasi kishte premtuar se këto tekste popullore arvanite të botuara në përkthimin greqisht do t’i botonte edhe në origjinal në një seri monografish të veçanta. Në vitin 2000 u botua monografia Andros – Arvanitët dhe arvanitishtja, një studim i hapët e tërësor prej 520 faqesh dhe me 124 fotografi me ngjyra, përveç fotove të tjera bardhezi nëpër tekst. Androsi është një ishull i madh në detin Egje, në L të Atikës e në JL të Eubesë. Në pjesën veriore të tij gjenden 29 fshatra arvanite. Monografia përbëhet prej katër krerësh. Kreu I (f. 13-70) bën fjalë për historinë e këtij ngulimi arvanit dhe jetën e banorëve të tij. Në kreun II (71-128) trajtohen çështje gjuhësore (Ta glossika) si emrat e fshatrave e oikonimet e Androsit, emrat vetjakë e të familjeve; ndër këta emra një pjesë e mirë janë nga lënda e shqipes, si p.sh. Baltiza, Dardhëza, Dëllënja, Guri Gljat, Guri Math, Kronjëza, Ledhëza, Livadheza, Ljum, Katundi i Math, Shinbejtri, Shinjani etj.; me interes për etimologjinë e emrit buzmi është dhe toponimi Buzmi për një hundë mali në buzë të detit. Nga emrat e familjeve dalin të tillë si: Ballas, Daras, Gumas, Koroveshis, Reras, Ripis, Vllamis etj. Më tej trajtohet ndikimi i greqishtes mbi të folmen e Arvanitëve, por autori ka vërejtur se edhe ndonjë fjalë arvanite si brushtull, ka hyrë në greqishten e Androsit, ndërsa disa fjalë të tjera shqipe kanë hyrë nëpërmjet greqishtes letrare (p.sh. babesis “pabesi”, fara (edhe fig.), corapia. Tiparetr fonetike dhe trajtat gramatkore të asaj së folmeje janë me vlerë për dialektologjinë e shqipes dhe për të zbuluar prejardhjen e banorëve, p.sh. ngjasimi me labërishten e Vlorës (sidomos zona e Smokthinës) në zgjerimin e formave foljore të vetës së parë me rrokjen -te , p.sh.: bëjte ose bëte (f. 211), jamte i martuarë, e japte juve (f. 289 v.), do të thomte (156), do t’e marrte (f. 158). ma paret (LXI, Gjeneza, 22, 5).

Kreu III (f. 129-192) përmban 70 tekste e copa këngësh, që japin një ide pak a shumë të plotë të veçorive gjuhësore të kësaj së folmeje.

Kreu IV, që zë dhe pjesën më të madhe të librit (f. 193-487) përmban fjalorin (glossario) e së folmes. Autori nuk i ka numëruar, por mund të dalin rreth 2400 fjalë që shfaqen edhe në forma të ndryshme. Fjalori ka interes të shumëfishtë: për etimologjinë e për dialektologjinë historike, për semantikën edhe për fjalëformimin, pasi dëshmohen forma e kuptime të vjetra ose lëvizje kuptimore. Le të përmendim p.sh. fjalën dalandish-i, që ka kuptimin e greq. dixÀla (‘bigëz’, ‘sfurk me dy dhëmbë’ si vegël bujqësore), kurse emri i zogut është një huazim nga greqishtja: hjelidhon). P.sh. Bëra një dalandish ndë kalm dhe preva një lejmonë. Del pyetja: a ruan fjala arvanite një kuptim të kryehershëm që mund të motivonte emrin e zogut sipas formës së bishtit, apo kuptimi ‘bigëz’ ka dalë nga forma e bishtit të dallëndyshes? (dihet se etimologjia e kësaj fjale ende nuk mund të quhet e sqaruar). Emri shklja -u ka kuptimin “ai që nuk është arvanit, i huaji në përgjithësi” (Ai ishtë shklja, nëkë di arvanitiqetë; Të mos vinjë një shklja këtu!). Me interes janë edhe kalimet kuptimore te fjalë si dimër ‘shi-u’, p.sh.: Gjëmon shumë, do bjerë dimër (ndërsa për dimrin si stinë përdoret fjala greke hjimonë), po kështu gatem, gati, i gatë a i gaturë kanë marrë përkatësisht kuptimet ‘sëmurem, i sëmurë’; ka ndonjë formim interesant me përngjitje, një fjalë fjali, si skanjëditëz ‘pardje’; ka kuptime të veçanta të fjalëve si çoj ‘gjej’ (si në çamërishte). Për të sqaruar më mirë kuptimin e fjalës, autori ka dhënë edhe mjaft thënie e shembuj të ndryshëm përdorimi.

Pas dy vjetësh, më 2002, doli monografia tjetër e T. Jochalasit “Eubeja Arvanitishtja” me 712 faqe. Eubeja është ishulli më i madh i Greqisë pas Kretës dhe shtrihet në veri të Androsit, shumë pranë pjesës kontinentale. Ngulimet arvanite gjenden në pjesën jugore të ishullit, pra në drejtim të Androsit. Arkitektura e monografisë së Eubesë është e ngjashme me atë të Androsit. Në kreun I (f. 17-80) jepet një përshkrim i 65 fshatrave arvanite të Eubesë Jugore, toponimia dhe të dhëna historike. Në kreun II (f. 81-319) jepen shkurt disa tipare të arvanitishtes së Eubesë dhe lëndë e pasur gjuhësore (përrallëza e rrëfenja të shkurtra, përshkrime të punëve të fshatit, këngë të ndryshme). Kreu III (f. 346-689) përmban fjalorin. Libri mbyllet me një bibliografi të pasur dhe me 47 faqe me fotografi me ngjyra. Ka dhe një CD me këngë e tekste. Ashtu si dhe në monografinë për Androsin gjithë lënda gjuhësore arvanite është shkruar me alfabetin e sotëm të shqipes.

Tiparet fonetike e morfologjike të arvanitishtes së Eubesë janë të ngjashme me ato të Androsit, por arvanitishtja e Eubesë nuk paraqitet unike. si ngas ana fonetike, ashtu edhe nga ana gramatikore. Kreu i fjalorit është shumë i pasur, përmban mbi 2000 fjalë, ku renditen edhe emrat e përveçëm (ashtu si dhe te monografia për Androsin), të pajisura me shumë shembuj përdorimi. Tërheq vëmendjen në të dy këta ishuj qenia e fjalës katund (në Eube edhe katundës) dhe mungesa e fjalës fshat, ashtu si në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë. Në Eube përdoret folja sëmurem dhe mbiemri i sëmurë, kurse në Andros thuhet gatem, p.sh. ndë hjimonë gatem di-tri herë (në dimër sëmurem dy-tri herë); në Andros përdoret mbiemri i gëzuarë, p.sh. zoi të gëzuarë “jetë të gëzuar”, kurse në Eube kjo fjalë ka humbur, por në More përdoret (Të rronjënë t’e gëzonjënë!). Fjalori i monografisë së Eubesë ka vlera në shumë drejtime studimesh. Mund të thuhet se është pjesa më e rëndësishme e kësaj monografie.

Në vitin 2006 T. Jochalas botoi një monografi tjetër në dy vëllime Hidra Gjuha e harruar. Hidra është gjithashtu një ishull, por i vogël në krahasim me Eubenë dhe Androsin. Shtrihet përballë gadishullit të Argolidës në pjesën verilindore të Peloponezit. Në juglindje ka ishullin Specia e në veri ishullin Poros. Siç dihet në të tre këta ishuj mblodhi lëndë gjuhësore K. Reinholdi në vitet 1850–1860. Tashmë kjo lëndë është e botuar. Në të tre këta ishuj, Arvanitët ishin popullsia e vetme, prandaj dhe e kishin ruajtur mirë gjuhën. Vëllimi i parë i monografisë (416 f.) përmban të dhëna të shumta burimore për historinë e ishullit, që Arvanitët e quajnë edhe Nidhra, Nidhriza (me përngjitjen e parafjalës ). Në vijim jepet toponimia e ishullit, ku natyrisht dalin shumë fjalë shqipe, ashtu si në Andros e në Eube, p.sh.: Brinja, Çepi, Guri Madh, Guri Leka, Klisha Brinja, Kriemadhi, Qafa, Rrarishta, Lumi i Thevë (i Thellë), MaliesPevgje (Pellgje), Shpeva (Shpella) etj. Në vijim jepen materialet e botuara nga Gustav Majeri në Albanesische Studien V. Pjesa më e madhe e tyre janë nxjerrë nga dorëshkrimet e Reinholdit. Në pjesën më të madhe ato janë ribotuar te vëll. I i serisë “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar”. Më tej jepen materiale të tjera folklorike nga Hidra, një pjesë e veçantë titullohet “Fjalë dhe fraza nga arvanitishtja e Hidrës” (f. 317-350) të nxjerra nga burime të ndryshme. Me interes të veçantë është “Fjalori i arvanitishtes së Hidrës” me fjalë të mbledhura nga T. Jochalasi në vitet 1987 dhe 2002-2004 (f. 360-396). Këtu gjejmë ndër të tjera dhe fjalën arbërisht (Di arbërisht? – e pyetën më 1987) dhe arbëror (Aj nëk ishtë arbëror).

Vëllimi II, që vijon nga f. 417-854, përmban fjalorin greqisht-arvanitisht të Panajot Kupitorit (1821-1881), një veprimtar shumë energjik për gjallërimin e kulturës e të gjuhës shqipe ndër Arvanitët, mbledhës materialesh gjuhësore dhe studiues i së folmes së Hidrës, prej nga ishte dhe vetë. Fjalori, i ruajtur si dorëshkrim në Bibliotekën Kombëtare në Athinë, zë 364 faqe (nga f. 455 deri në f. 819) dhe dëshmon për punën e madhe e të kujdesshme që ka bërë Kupitori.

Më 2011 doli nga shtypi monografia e katërt e prof. T. Jochalas Arvanitishtja e Moresë (Ē arbanitiá sto Moriá. Chronika poreías) në dy vëllime me 950 faqe. Vëllimi i parë përmban një përshkrim të përgjithshëm të fshatrave arvanite të Moresë sipas krahinave: Zaraka e Lakonisë (pjesa juglindore e Moresë), Mesinía, (pjesa jugperëndimore), Argolida (pjesa qendrore-lindore), Korinti (pjesa verilindore). Pjesën më të madhe të vëllimit e zënë tekstet folklorike, këngë e rrëfenjëza, si dhe dialogë e biseda të thjeshta, të cilat dëshmojnë edhe sa e fortë ka qëndruar, po edhe sa shumë është gërryer arvanitishtja pas kaq shekujsh. Megjithatë ka dhe krijime befasuese me përjetime të forta e me një shprehje ku nuk ndihen fort shekujt e ndarjes nga gjuha e vatrës së përbashkët, siç është kënga e një të mërguari në dhe të huaj, në kseniti: Në kseniti çë jam,/ i ndari,/ vetëmë jam, /e s’kam donjë njeri,/ donjë parighori (“ngushëllim”),/ E bje të fljë,/ ma s’munt të fljë, i ndari,/ më ha një idhé,/ pse do më vësh ndë dhe./ Ngrihem menatë/ e jam safi i vrarë;/ kurmin e kam/ e mendin ma ke marrë ti// Të fleturonj, të vinjë të të çonjë/ e të të them/ atë çë kam ndër ment. (f. 60).

Vëllimi i dytë prej 400 faqesh përmban fjalorin e të folmeve të krahinave të mësipërme. Ky fjalor bashkë me toponimet, që janë dhënë te vëllimi i parë, është një thesar i vërtetë për studime në leksikologjinë dhe semantikën historike, në gjeografinë e fjalëve, po ashtu në fjalëformimin e në zhvillimin e leksikut të shqipes mesjetare, duke hamendësuar gjithnjë se kemi të bëjmë më fort me fjalë të sjella nga Shqipëria, sesa të formuara në atdheun e ri. Të katra këto monografi, tri për arbërishten ishullore (Andros, Eubeja, Hidra) dhe e katërta për Morenë, me mbi 3000 faqe të formatit të madh mund të quhen visare të shpëtuara të gjuhës, të etnokulturës dhe të historisë së Arbërorëve. Ato janë kurorëzim i kërkimeve të vijueshme, këmbëngulëse e sistematike të autorit. Vepra e tij ka vlerë të madhe jo vetëm në vetvete, si vepër shkencore dhe dokumentare. Ajo jep një lëndë të pasur për studime të mëtejshme gjuhësore, për përshkrimin më të plotë të veçorive fonetike e morfologjike të arbërishtes së Greqisë dhe të fjalorit të saj. Më 2019 prof. T. Jochalas boton një libër të ri: “Fshatrat shqipfolese te Thrakës. Histori dhe Gjuhë” (534 fq. me dokumentime e ilustrime të shumta). Është një përshkrimi hollësishëm dhe i dokumentuar i ngulimeve shqiptare të asaj ane, prej nga ka dalë edhe Fan S. Noli. Libri përmban shumë tekste dhe vjersha popullore dhe një fjalor mjaft të pasur (140 fq.).

Vepra albanologjike e T. Jochalasit si nga shtrirja në kohë, ashtu edhe nga përmasat, nga problematika që përfshin, nga metoda shkencore e trajtimit dhe nga pasuria mahnitëse e materialeve që ka sjellë, i jep autorit një vend nderi në albanologjinë e sotme. Gjashtë vëllimet e mrekullueshme dhe studime të tjera që ka shkruar prof. T. Jochalasi për Arvanitët dhe për ligjërimin e tyre janë “Bashka e Artë” (Chrysómallon Déras) që na ka sjellë ai në bibliotekën e studimeve për gjuhën shqipe të diasporës. Por ndryshe nga Jasoni i lashtësisë, që e gjeti “Bashkën e Artë” si një të tërë – vërtet përmes shumë rreziqesh – prof. T. Jochalasi e mblodhi atë pjesë-pjesë, vite me radhë, fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, me shumë durim dhe me një ngazëllim të brendshëm, se kështu po shpëtonte, jo vetëm një ligjërim, ndoshta në fazën e fundit të jetës, po edhe një botë tërheqëse, një kulturë, një traditë, tek e cila shkenca e të dy vendeve duhet të kthehet herë pas here si te një burim që do të freskojë e do të begatojë edhe më tej studimet shqiptaro-greke e greko-shqiptare. I jemi mirënjohës me gjithë zemër prof. Tito Jochalas për veprën e tij albanologjike dhe në vitin e 80-vjetorit të tij i urojmë nga zemra shëndet e jetë të gjatë, që të hedhë në letër gjithë ato dije e njohuri për Botën Arvanite, që ka grumbulluar me pasion e dashuri vite e vite me radhë!