“Nuk do ta jap dorëheqjen, zgjedhjet ishin farsë”, Berisha komenton edhe “kafenë” mes Salianjit dhe Alimehmetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim online me qytetarët u ktheu përgjigje pyetjeve të tyre. Një prej tyre ishte edhe e një ndjekësi që e pyeti se pse nuk jep dorëheqje nga drejtimi i partisë për t’ia lënë drejtimin të rinjve.

Berisha tha se fati i drejtuesve dhe anëtarëve të PD-së caktohet vetëm nëpërmjet votës.

Ai theksoi se nuk mund të japë dorëheqje pasi zgjedhjet që u zhvilluan më 11 maj ishin farsë. Megjithatë ftoi ndjekësin që të përdorë votën e tij, ose të marrë pjesë në garat që do të zhvillojë partia.

“PD është një parti e cila përcakton fatin e drejtuesve dhe anëtarëve të saj nëpërmjet votës. Në kushtet e një pluralizmi funksional nuk ka asnjë dyshim që humbja e zgjedhjeve është kriteri më i shëndoshë për dorëheqjen e atyre që drejtojnë, por në kushtet e farsës elektorale dhe narkoshtetit, në kushtet kur zgjedhjet janë farsë një akt i tillë do i shërbente diktatorit dhe atyre që shtypin pluralizmin. Një akt i tillë nuk mund të ndodhë përveç votës së demokratëve shqiptarë. Të ftoj të përdorësh votën tënde sipas vullnetit që ke ose të marrësh pjesë në të gjithë garat e kësaj partie. Në kushtet e diktaturave autoritare largimi nga misioni dhe qëndrimi në opozitë është një mision, largimi nga misioni, bëhet vetëm nëpërmjet votës”, tha Berisha.

Gjatë bisedës, kryedemokrati komentoi edhe “kafenë” e disa kandidatëve të PD-së në listat e hapura, të ftuar nga Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti. Berisha tha se askush nuk është i përjashtuar nga partia.

“Kandidatët e primareve në tërësi i kam takuar ose i kam telefonuar. Vetë Salianji ka qenë disa herë në këtë zyrë. Ilir Alimehmeti edhe më shpesh. Në këtë kontekst askush nuk është i përjashtuar në këtë parti”, tha Berisha.

Ai bëri me dije se në javën që vjen do të nisin foltoret në rrethe.

Muriqi shënon dopietë, sulmuesi i Kosovës arrin Lewandowskin, në krye qëndron Mbappe

Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë në La Liga, aty ku është pjesë e Mallorcas.

Sulmuesi i Kosovës realizoi një dopietë golash, në barazimin 2-2 ndaj Osasunës.

Pas pjesës së parë të mbyllur pa gola, në të dytën Muriqi zhbllokoi takimin në minutën e 62-të me një penallti.

Katër minuta më vonë, “Pirati” realizoi edhe të dytin, por skuadra e tij nuk e mbajti dot avantazhin 2-0, duke u barazuar në fund.

Me këtë dopietë, Muriqi shkon në kuotën e tetë golave në La Liga, po aq sa Lewandowski i vendit të dytë.

Në krye qëndron Mbappe, i cili ka shënuar 13 gola.

“Arma e ushtarit nuk është më pushka, por droni”, Greqia ndryshon doktrinën detare: Egjeun do ta mbyllim nga toka

Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, prezantoi një doktrinë të re të Forcave të Armatosura helene, duke theksuar se mjedisi gjeopolitik global ka ndryshuar rrënjësisht dhe se Greqia duhet të përshtatet me realitetet e reja të kërcënimeve moderne.

Sipas tij, vendi ndodhet në një zonë të pasigurtë, të rrethuar nga konflikte, shtete të dështuara dhe sfida teknologjike që kërkojnë përgjigje të reja mbrojtëse. Dendias theksoi se, që prej vitit 1952, Greqia gjendet në një kontradiktë të vazhdueshme brenda NATO-s, pasi kërcënimi kryesor i sigurisë vjen nga një anëtar i së njëjtës aleancë, Turqia.

Në këtë kontekst, ai argumentoi se Athina duhet të zhvillojë një ekosistem të avancuar mbrojtës, të aftë të prodhojë teknologji të përparuar dhe të sigurojë avantazh strategjik.

Ndryshimi i doktrinës detare: Egjeu “mbyllet” nga toka

Një nga pikat më të theksuara të fjalimit ishte doktrina e re detare. Dendias deklaroi se Flota nuk do të ketë më si detyrë kryesore mbrojtjen e Egjeut, pasi mjedisi i ngushtë detar e bën atë të cenueshme nga mjetet e reja të luftës, veçanërisht dronët. Sipas tij, fregatat, ndonëse të teknologjisë së lartë dhe me kosto të lartë, mund të neutralizohen nga mjete shumë më të lira.

Në vend të kësaj, mbrojtja e Egjeut do të realizohet nga toka, me artileri raketore të shpërndarë në ishujt e Arkipelagut. Qindra, madje mijëra pozicione tokësore do të krijojnë një “mbyllje” të plotë të hapësirës detare, duke e lënë Flotën Detare greke të lirë të veprojë në Mesdheun e gjerë, jo të kufizuar në Egje.

“Ne e kemi ndryshuar plotësisht doktrinën. Egjeu nuk do të mbrohet më vetëm nga Flota. Ai do të mbrohet kryesisht nga artileria raketore, e cila do të jetë e shpërndarë dhe e lëvizshme nëpër qindra – nëse jo mijëra – ishuj të Arkipelagut. Ne do ta mbyllim Egjeun nga toka. Flota do të jetë e lirë të veprojë, por jo e lidhur në detin e ngushtë”, theksoi ai.

Ai konfirmoi gjithashtu se fregatat e reja franceze dhe italiane do të pajisen me raketa strategjike me rreze mbi 1.500 km, duke krijuar një kapacitet të fortë parandalues në Mesdheun Lindor.

Forca ajrore dhe “Mburoja e Akilit”

Dendias shpjegoi se lufta moderne nuk varet më nga avionët luftarakë si mjeti kryesor i mbrojtjes ajrore. Duke marrë shembuj nga luftërat Izrael–Gaza dhe agresioni rus kundër Ukrainës, ai argumentoi se mbrojtja efektive realizohet nga sistemi anti-ajror tokësor që ndalon avionët të operojnë lirshëm.

Për këtë arsye, doktrina e re e quajtur “Mburoja e Akilit” që qeveria Micotaqis po përgatit synon krijimin e një sistemi të integruar tokë-det-ajër, duke kombinuar sisteme raketore dhe teknologji të reja anti-dronë.

Fokusi tek dronët: “Arma e re e luftëtarit”

Dendias njoftoi një transformim rrënjësor në Ushtrinë Tokësore, duke thënë se “arma” e re e ushtarit nuk është më pushka, por dronët FPV. Ai nënvizoi se Greqia po përgatit trajnimin e të gjithë trupës për përdorimin e dronëve, ndërsa po krijon edhe një rezervë aktive prej 150.000 vullnetarësh, me synimin për një forcë totale prej 250.000 rezervistësh të trajnuar.

“Ajo që ne e quajmë armë është droni. Droni. Kjo është ajo me të cilën ai lufton. Kjo është si arma ashtu edhe plumbi. Dhe është e përdorshme. Ushtria greke duhet, pra, dhe po e bëjmë shumë shpejt që të lërë epokën e armëve dhe të shkojë në epokën e dronit. Që do të thotë se çdo ushtar duhet të trajnohet në përdorimin e dronëve”, u shpreh Dendias.

Dendias prezantoi gjithashtu sistemin e ri grek anti-dron “Kentaurus”, i testuar në Detin e Kuq, i cili do të vendoset në të gjitha fregatat dhe në një sërë variantësh tokësorë (“Orion” dhe “Telemachos”) për mbrojtje të gjerë kundër dronëve, veçanërisht të rëndësishme, pasi vendi që përbën kërcënimin kryesor për Greqinë, sipas tij Turqia, po prodhon dhe disponon mbi një milion dronë.

Dendias përmbylli se qasja e re mbrojtëse është holistike dhe e orientuar drejt teknologjisë së avancuar, duke synuar mbylljen e hapësirës greke në ajër, det dhe nën det.

Përballë një mjedisi të paparashikueshëm, Greqia sipas ministrit të saj të Mbrojtjes po ndërton një sistem mbrojtës të shekullit të 21-të, ku dronët, raketat dhe kapacitetet tokësore kanë rolin qendror.

“Shqipërinë e Madhe nuk e bënë nazistët”, Pëllumb Xhufi tregon sa shqiptarë u vranë në Luftën e Dytë Botërore

Në kuadër të 81-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, historiani i njohur Prof. Pëllumb Xhufi sjell në Shqip nga Dritan Hila në Dritare TV një analizë të thelluar mbi Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, duke u bazuar në dokumente arkivore britanike, amerikane dhe italiane që hedhin dritë mbi të vërtetat historike shpesh të debatuara.

Gjatë intervistës, Xhufi prek tema të nxehta si numri real i dëshmorëve, roli i Ballit Kombëtar, dhe historia e jashtëzakonshme e batalionit italian “Antonio Gramshi”.

Një nga pikat kyçe të diskutimit ishte debati i përvitshëm mbi datën e çlirimit dhe numrin e dëshmorëve. Xhufi thekson se shifra prej 28 mijë të rënësh nuk është një mit komunist, por një realitet i mbështetur nga intensiteti i luftës dhe dokumentet ndërkombëtare. Ai argumenton se Shqipëria radhitet ndër vendet me rezistencën më të fortë në Evropë në raport me popullsinë, një fakt i konfirmuar nga historianë të mëdhenj si Martin Gilbert.

Sipas Xhufit, përpjekjet për të zhvlerësuar këtë shifër apo për të thjeshtuar luftën partizane si një luftë ideologjike, janë një formë e revizionizmit historik që dëmton kujtesën kombëtare.

“Kemi 28 mijë dëshmorë sipas dokumenteve, por mund të jenë edhe më tepër. Mos harrojmë që ka qenë luftë dhe ka shumë persona të humbur. Këta 28 mijë dëshmorë janë kryesisht partizanë të organizuar në njësitë partizane nga më të vogla si Çetat deri tek Divizionet. Përveç këtyre ka dhe pjesëtarë të Çetave territoriale (pjesë integrale e Ushtrisë Nacional Çlirimtare), por mos të harrojmë dhe ata që e filluan, që dhanë alarmin të parët.

Ishin pikërisht anëtarët e njësive guerile që organizuan fillimisht rininë shqiptare në qytet dhe më pas në të gjithë trevat. Janë të gjithë ata që nuk zgjodhën të ishin indiferentë por t’i vënë shpatullat një detyre atdhetare, sfide të jashtëzakonshme siç ishte ajo e Luftës së Dytë Botërore, e cila u bën nën moton që e vulosi, Winston Churchill.

Churchilli më 22 qershor 1941, një ditë pasi u sulmua Bashkimi Sovjetik, mbajti një fjalim të rrallë që gjithmonë përmenden për përmbajtjen dramatike. Ai aty shprehet:

“Unë jam antikomunisti më i madh. Më njohin të gjithë, nuk kam çfarë fsheh. Por sot unë jam me popujt e Bashkimit Sovjetik, të cilët luftojnë jo vetëm për lirinë e tyre por edhe për lirinë tonë.

Prandaj ne u themi të gjithëve që, kush në këtë luftë për ekzistencë rreshtohet me ne kundër nazizmit është aleati ynë. Kush rreshtohet në krah të gjermanëve, është armiku ynë”.

Ky fjalim e ka ndjekur dhe qëndrimin që mbajtën aleatët e mëdhenj si; britanikët, amerikanët, sovjetikët ndaj popujve që u pushtuan nga nazistët.

Ndaj është turp i madh që të shtrembërohet historia e luftës. Një historian duhet të citojë faqen ku i merr dokumentet, jo të fshehë të vërtetën. Apo të grisen dokumente siç ka ndodhur në Arkivën Shqiptare, të cilat 40 vite më parë i gjeje, sot nuk janë më”, tha historiani.

Profesor Xhufi solli në vëmendje edhe një kapitull shpesh të anashkaluar: fatin e 20,000 ushtarëve italianë që mbetën në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943.

Ai përshkruan gjestin fisnik të popullit shqiptar, i cili, pavarësisht varfërisë dhe rrezikut nga nazistët gjermanë, i strehoi këta ish-pushtues nëpër shtëpitë e tyre. Më tej, ai detajon formimin e Batalionit “Antonio Gramshi”, ku rreth 1,500 italianë u bashkuan me armë në dorë me partizanët shqiptarë, duke luftuar heroikisht deri në fund. Kjo aleancë e pazakontë dëshmon, sipas Xhufit, se lufta nuk ishte thjesht nacionale, por një përplasje e madhe vlerash antifashiste. Në lidhje me bashkëpunëtorët e fashizmit dhe mitin e “Shqipërisë së Madhe” nën nazistët, Xhufi ishte i prerë.

Ai argumentoi se bashkimi territorial nën pushtimin gjerman ishte një iluzion dhe se dokumentet provojnë se Balli Kombëtar zgjodhi të bashkëpunonte me pushtuesin për të luftuar komunistët, një lëvizje që u dëbua moralisht edhe nga oficerët britanikë të kohës. Ai solli shembullin e bisedës mes Skënder Muços dhe oficerit britanik Kuelle, ku qartësohet pozicioni i aleatëve të mëdhenj: kush lufton nazistët është aleat, pavarësisht ideologjisë.

Së fundmi, historiani ngriti alarmin mbi mënyrën se si historia po mësohet sot në shkolla, duke kritikuar qasjet sipërfaqësore që anashkalojnë thelbin e luftës antifashiste. Ai bëri thirrje për një lexim të historisë pa komplekse politike të ditës, duke nderuar sakrificën e atyre të rinjve, shpesh elita intelektuale e kohës, që dhanë jetën për liri. Për Xhufin, antifashizmi mbetet një vlerë themelore evropiane që duhet të mbrohet nga shtrembërimet e qëllimshme politike.

https://www.youtube.com/channel/UCFUL9glzAnUcSX6DixqJqyw

VIDEO/ Muçi realizon një tjetër supergol në Turqi, shënojnë edhe Manaj e Shpendi

Kjo fundjavë, ka rezultuar tejet pozitive për disa nga legjionarët shqiptarë.

Pas dy golave të parë me fanellën e Trabzonspor javën e kaluar, Ernest Muçi ka dhuruar një tjetër “perlë” në Superligën e Turqisë.

Në duelin ndaj Konyaspor, Muçi realizoi një gol spektakolar, nga një kënd shumë i vështirë. Në minutën e 56-të, shqiptari ekzekutoi një goditje dënimi në mënyrë të shkëlqyer, pranë flamurit të këndit, duke e ndalur topin në rrjetë.

Me këtë gol, Muçi i dha avantazhin 3-1 Trabzonsporit dhe shkon në kuotën e 3 realizimeve me këtë skuadër.

Më herët, rrugën e rrjetës e gjeti edhe sulmuesi tjetër i Kombëtares, Rey Manaj. Lushnjari shënoi golin e vetëm për Al Sharjah, në humbjen 4-1 ndaj Al Ain, në Kupën e Ligës në Emiratet e Bashkuara. Manaj shfrytëzoi një krosim nga e djathta dhe shënoi me kokë.

Në Serinë B italiane, Stiven Shpendi, shënoi golin e dytë për Empolin, në fitoren e thellë 5-0 ndaj Barit. Me këtë realizim, ai shkon në kuotën e gjashtë golave, në 13 ndeshje të luajtura deri tani.

Kriza e ardhshme e Europës (dhe Shqipërisë) do të jetë uji: Rezervat ujore po shterojnë me shpejtësi

Rezervat ujore të Europës po bien ndjeshëm, sipas një analize të re të bazuar në më shumë se 20 vite të dhëna satelitore. Hulumtimi, i realizuar nga shkencëtarët e University College London në bashkëpunim me Watershed Investigations dhe The Guardian, tregon se një pjesë e madhe e Europës jugore dhe qendrore, nga Spanja e Italia deri në Poloni dhe një pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, po përjetojnë tharje të vazhdueshme të burimeve ujore.

Kriza e ardhshme e Europës (dhe Shqipërisë) do të jetë

Satelitët që matin ndryshimet në fushën gravitacionale të Tokës tregojnë se rezervat e ujërave të nëndheshëm, lumenjve, liqeneve dhe akullnajave po pakësohen ndjeshëm në këto zona. Ndërkohë, veriu dhe veriperëndimi i kontinentit, veçanërisht Skandinavia, një pjesë e Britanisë dhe Portugalia, po bëhen gjithnjë e më të lagësht.

Sipas studiuesve, të dhënat përputhen qartë me modelet e krizës klimatike.

“Nuk flasim më për kufizimin e ngrohjes në 1.5 gradë. Po shkojmë drejt 2 gradëve dhe po shohim pasojat në kohë reale”, tha profesori Mohammad Shamsudduha.

Edhe rezervat e ujërave të nëndheshëm, të konsideruara më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, janë në rënie. Në Mbretërinë e Bashkuar, situata është e përzier. Perëndimi po laget më shumë, ndërsa lindja po thahet, me periudha shiu të fortë dhe më pas thatësira të gjata. Në juglindje, ku rreth 70% e ujit të pijshëm vjen nga ujërat nëntokësore, ky ndryshim shihet si kërcënim serioz për furnizimin publik.

Sipas të dhënave të Agjencisë Europiane të Mjedisit, sasia totale e ujit të marrë nga burimet sipërfaqësore dhe nëntokësore në BE ka rënë që nga viti 2000, por shfrytëzimi i ujërave nëntokësore është rritur me 6%, kryesisht për furnizim publik dhe bujqësi.

Komisioni Europian thotë se strategjia e re për reziliencën ndaj mungesës së ujit synon të ndihmojë vendet anëtare të përshtaten me presionet që vijnë nga ndryshimet klimatike dhe abuzimi me burimet natyrore. BE-ja kërkon rritje të efikasitetit të përdorimit të ujit me të paktën 10% deri në vitin 2030, ndërsa humbjet në rrjetin e shpërndarjes arrijnë deri në 57% në disa vende.

Ekspertët paralajmërojnë se tendenca e tharjes do të ketë pasoja të thella në bujqësi, sigurinë ushqimore dhe ekosistemet, sidomos ato që varen nga ujërat nëntokësore. Spanja, për shembull, po përballet me rënie drastike të rezervave, gjë që mund të prekë drejtpërdrejt furnizimin e vendeve të tjera europiane, përfshirë edhe Britaninë, me fruta dhe produkte të freskëta.

Ndërkohë, shumë zona të tjera të botës, nga Lindja e Mesme te Amerika e Jugut dhe Kanadaja, po përjetojnë thatësira ekstreme. Në Iran, kryeqyteti Teheran po i afrohet “ditës zero”, kur uji i rubinetit mund të mbarojë krejtësisht, dhe qeveria po përgatit racionimin e furnizimit.

Shkencëtarët bëjnë thirrje për menaxhim shumë më agresiv të burimeve ujore, zbatime më të shpejta të teknologjive të kursimit dhe hapje ndaj zgjidhjeve të reja, përfshirë mbledhjen masive të ujërave të shiut në vendet e lagështa si Britania.

“Ndryshimet klimatike po na prekin tani dhe këtu. Duhet të veprojmë shumë më shpejt se sa po bëjmë aktualisht”, paralajmëron Shamsudduha.

Mijëra vende të parkimit publik rrezikohen të hiqen, ja në cilin qytet do të zbatohet

Ndërsa banorët e qyteteve të mëdha përballen çdo ditë me vështirësi për shkak të mungesës së vendeve publike për parkim, po vjen një masë që pritet t’i kufizojë edhe më tej.

Gjetja e një vendi parkimi është një sfidë e përditshme për mijëra drejtues në qendrat urbane, pasi vendet publike janë të pakta dhe automjetet gjithnjë e më shumë, gjë që rrit dukshëm edhe shkeljet e rregullave.

Megjithatë, në Francë mijëra vende parkimi publike pritet të hiqen së shpejti për arsye sigurie. Konkretisht, shteti kërkon që të mbahet një distancë prej 5 metrash nga të dyja anët e çdo kalimi për këmbësorë, duke ndaluar parkimin e automjeteve aty.

Ligji që parashikon këtë masë nuk është i ri. Ai është miratuar në fund të vitit 2019, por shumica e komunave nuk e kanë zbatuar ende. Sipas afatit, ato duhet të jenë në përputhje me udhëzimin deri më 31 dhjetor 2026.

Qëllimi kryesor i masës është të përmirësohet dukshmëria e këmbësorëve, të reduktohen “pikat e verbëra” për shoferët dhe të ulet numri i aksidenteve pranë kalimeve për këmbësorë.

Sipas mediave franceze, në qytetin Amiens, për shembull, pritet të hiqen 3.325 vende parkimi, që përbëjnë rreth 7% të totalit të automjeteve të qytetit.

E njëjta rregull është në fuqi edhe në Shqipëri. Sipas nenit 38 të Kodit të Ri të Qarkullimit Rrugor (“Ndalesa dhe parkimi”), ndalohet ndalesa ose parkimi mbi kalimet për këmbësorë ose biçiklistë, si dhe në një distancë më pak se pesë metra nga to.

Për shkelësit parashikohet një gjobë prej 30 eurosh dhe heqja e lejes së drejtimit për 20 ditë, pasi kjo sjellje konsiderohet antisociale.

“Mos të harrojmë vallen dhe gjuhën shqipe!”/ Filadelfia shpall 25 Nëntorin si Dita e Shqipërisë, gazetarja: Moment emocionues kur ngritëm flamurin!

Këtë vit në Filadelfia ka ndodhur një ngjarje e madhe, ku kryetarja e Bashkisë ka shpallur një datë të rëndësishme për komunitetin shqiptar.

25 Nëntori do të njihet tashmë si Dita e Shqipërisë

Gazetarja Eva Dori në një lidhje online në “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, ka rrëfyer emocionet kur komuniteti shqiptar atje ka ngritur flamurin, ndërsa të gjithë të pranishmit ishin të veshur me veshje popullore kombëtare.

“Këtu jemi një komunitet gjithmonë në rritje. Ishte një ditë shumë e bukur kur të gjithë të veshur me veshje popullore ngritëm flamurin shqiptar në mes të Filadelfias”, tha ajo ndërsa shtoi se kjo pritet që të rrisë numrin e aktiviteteve që do të mbahen.

Dori ka rrëfyer se me ndihmën e një familjeje patriote është arritur të ngrihet edhe një shkollë shqipe në Filadelfia, ku mësohet gjuha jonë, ndërsa ka treguar dhe sakrificën e bërë nga shqiptarë specifikë atje të cilët shpesh kanë sakrifikuare edhe veten dhe të ardhurat e tyre për të ndihmuar komunitetin.

“Mos të harrojmë gjuhën dhe vallet shqiptare”, përfundoi ajo.

© BalkanWeb

E dhimbshme/ Zbuluan se kishte të das hυr, dy të rinjtë υrsin motrën 18-vjeçare! I urdhëroi babai

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Holandë, ku dy vëllezër kanë vrarë motrën e tyre 18-vjeçare.

Familja ishte me origjinë nga Siria dhe kishin shkuar në Holandë si refugjatë. Sipas mediave të huaja, krimi u urdhërua nga babai i vajzës, pasi zbuluan se 18-vjeçarja kishte të dashur. Vajza ishte raportuar e zhdukur dhe u gjet dy ditë më pas, e hedhur në një kanal. Këmbët dhe duart i kishte të lidhura me litar dhe ngjitës, ndërsa në gojë kishte një shami.

Autopsia zbuloi se ajo ishte dhunuar brutalisht dhe në fund ishte mbytur, teksa në thonj iu gjet ADN që i përkiste të atit dhe vëllezërve. Kjo tregonte se kishte bërë rezistencë gjatë sulmit. Sipas hetimeve, më herët vajza kishte denoncuar familjarët e saj për dhunë dhe madje ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje, por pak ditë para se të zhdukej ky urdhër i ishte hequr.

18-vjeçarja u vra sepse kishte të dashur dhe sipas të atit, po sillej në një mënyrë që familja e saj e konsideronte turpëruese. Vëllezërit janë arrestuar teksa babai është arratisur duke u kthyer në Siri, ku dhe është martuar sërish me një grua tjetër. Ndërkohë, nuk dihet asgjë mbi nënën e 18-vjeçares së ndjerë.

Vjen ‘lajmi i zi’ për Flamur Nokën: SPAK është bërë gati,zbulohet se

Më shumë se një vit nga regjistrimi i procedimit penal, SPAK ka thelluar dhe intensifikuar hetimet për deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka.

Përpos hetimit pasuror, ku Noka dyshohet se ka fshehur një vilë në Gjirin e Lalzit, deputeti i PD po hetohet për veprimtarinë e paligjshme gjatë kohës kur ishte drejtor i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave (viti 2008), ku dyshohet se duke përdorur funksionin publik u dha katër banesa nga fondi i të pastrehëve në qytetin e Sarandës familjarëve të tij, dy vëllezërve që jetonin në Belgjikë, gruas së vëllait dhe motrës që jeton në Kamëz.

Prapaskena mëson se SPAK i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të gjithë praktikën e shpërndarjes së banesave për të pastrehët gjatë kohës kur Flamur Noka ishte kryetar i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave. Gjithashtu, BKH po heton mënyrën dhe rrethanat se si familjarët e Flamur Nokës u bënë pronarë të banesave të të pastrehëve si dhe rolin e Nokës. Sipas burimeve, do të pyeten familjarët përfitues të Nokës, anëtarët e Bordit të EKB-së dhe kryetari i entit në atë kohë.