Shembull ndershmërie! Shqiptari gjen portofolin plot me para dhe e dorëzon në polici

Një gjest qytetare dhe ndershmërie ka ndodhur në Prishtinë, ku një qytetar ka dorëzuar në polici një shumë parash prej 260 eurosh.

Sipas policisë së Kosovës, qytetari i kishte gjetur paratë në një portofol në rrugë dhe vendosi që t’i dorëzonte në polici për t’ia rikthyer pronarit.

“Menjëherë pas gjetjes së të hollave, qytetari ka njoftuar policinë dhe ka dorëzuar shumën prej 260 eurove, duke dëshmuar shembullin e ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare. Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit e vlerëson lartë këtë gjest human dhe falënderon qytetarin për veprimin e tij. Po ashtu, policia shpreh mirënjohje për të gjithë qytetarët që bashkëpunojnë dhe tregojnë besim të vazhdueshëm në institucionet e sigurisë.”– thuhet në njoftimin e policisë.

Kaloi 65 persona në Rinas kundrejt ryshfetit, polici “shpërblehet” me rikthim në detyrë

Punonjësi i komisariatit të policisë së Rinasit që u kap në përgjime duke marrë para, rikthehet në të njëjtën detyrë, pa mbaruar gjyqi penal.

Fiks fare vërtetoi se si ishte kthyer në të njëjtën detyrë në komisariatin e policisë së Rinasi punonjësi i rolit bazë, Briken Tereziu, i arrestuar në muajin qershor 2024 me akuzat e korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës

Në atë kohë, z. Briken Tereziu u ndalua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bazë të përgjimeve dhe bisedave që iu kapën me kolegq dhe persona të tjera. Në këto biseda, tregohej se ai merrte shuma të konsiderueshme të hollash, me qëllim lejimin e kalimit të shtetasve të ndryshëm, madje edhe të mitur pa prokurë.

Fiks Fare ka mësuar se, 14 muaj pas arrestimit të bujshëm, punonjësi Briken Tereziu është rikthyer në të njëjtën detyrë që ka pasur para arrestimit. Ai është punonjës i rolit bazë në Komisariatin e Policisë në Rinas, pikërisht në të njëjtën pozicion që kontrollon shtetasit.

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës zbuluan të gjithë skemën si funksiononin punonjësit, teksa ata flisnin lirisht me njëri tjetrin për kalimin e personave nën moshë pa prokurë. “Atë gocën sot e bëjmë dot?” i shkruan një punonjës Brikenit, teksa ai i përgjigjet se “po”, ndërsa i dërgojnë njëri-tjetrit edhe të dhënat biometrike.

Hetimet e prokurorisë faktuan se personi në fjalë ka kaluar pikërisht nga sporteli i Briken Tereziut, pa prokurë nga prindi tjetër.

Tereziu bashke me 7 punonjës të tij të kontrollit kufitar bashkëpunonin me pronarin e 1 agjencie udhetimi. Ky i fundit gjente pasagjerë për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, duke marrë përsipër kundrejt pagesave monetare

“ Briken Tereziu per 1 vit ,Prill 2023 – Mars 2024, lejoi daljen nga territori i RSH për 55 shtetas në shkelje të ligjit me ditë qëndrimi në konsumuara në zonën shengen dhe 10 shtetas të mitur, të papajisur me prokurë nga prindërit” thuhet në dosje, e cila ka shkuar në gjykatë, ku Briken Tereziu akuzohet për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.

Fiks fare ngriti një pyetje: A është ende nën hetim dhe gjykim z. Briken Tereziu?

Fiks Fare kontaktoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke e pyetur nëse ka pasur apo jo masë disiplinore z. Briken Tereziut, pas arrestimit në muajin qershor 2024. Fiksi e pyeti se mbi çfarë vendimi është rikthyer në punë ky punonjës.?

Deri me sot Policia e Shtetit nuk ka kthyer përgjigje

Fiksi i dërgoi një kërkesë për informacion edhe Prokurorisë së Tiranës, teksa morëm një përgjigje se: “Rezulton se mbi bazën e materialit të referuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndaj shtetasit me inicialet B.T është regjistruar procedimi penal nr.6234 i vitit 2024 për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”

Më datë 02.04.2025 është dërguar kërkesë për gjykim me të pandehur shtetasin me inicialet B.T, i cili është hetuar në gjendje të lirë.”

Për më shumë informacion prokurori na tha që duhet t’i drejtoheshim Gjykatës.

Fiks Fare ka mësuar se, dosja e nisur nga Prokuroria e Tiranës më datë 3 shkurt 2025, është ende në gjykim në Gjykatën e Tiranës. Madje ende nuk është zhvilluar seanca e parë. Kjo seancë pritet të zhvillohet në 22 tetor 2025.

Pra, ende pa përfunduar procesi penal, pa nisur hetimi gjyqësor, një punonjës policie që lejoi dhjetëra shtetas me probleme te kalonin kufirin, apo lejoi të kalonin kufirin të mitur pa prokurën e njërit prind, rikthehet në të njëjtin pozicion, pune

Top Channel

Arjan Konomi shpërthen në ofendime ndaj Albana Osmanit: Torollakja e televizioneve

Opinionisti Arjan Konomi ka shpërthyer në ofendime ndaj moderatores Albana Osmani, pas debatit të kësaj të fundit me aktivisten e të drejtave të LGBT+ Xheni Karaj. Me anë të një videoje në Instagram, Konomi e ka ofenduar Osmanin me fjalët ‘torollake’ dhe ‘idiote’.

Reagimi i tij ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë kritikuar për sjelljen e ulët, sidomos ndaj një femre. Shumë e konsiderojnë këtë një përpjekje për të tërhequr vëmendje në mënyrën më të diskutueshme, duke ulur kredibilitetin e tij.

“Moj Albana Osmani sa u gëzova që të pashë në ekran dhe njëherë se je zhdukur dhe kuptuam që je gjallë. Po sa bukur që fole. Po pse të kanë mbajtur si me torollaqen e televizioneve që kanë ekzistuar ndonjëherë. Dhe ti ke kaq mendime të bukura për gjëra kaq të rëndësishme dhe ne s’të kemi kuptuar kurrë. Po ti nuk je idjote moj siç të kemi menduar. Pika u rraftë atyre që të kanë ftuar ty, se je një burrneshë tropoje. Albana shyqyr që të pamë dhe mos të pafshim më kurrë me mendime të tilla”, tha Konomi.

I humbur prej disa ditësh, çobani gjendet i pajetë në kufirin grek

Një 60-vjeçar nga Erseka, është gjetur i pajetë në afërsi të fshatit Gramoz, në territorin grek.

Sipas informacioneve paraprake, Ferit Koxha, punonte si çoban në zonë dhe ishte shpallur i humbur që prej datës 22 shtator, pasi kishte humbur kontaktet me punëdhënësit.

Ishte pikërisht punëdhënësi i tij që e raportoi zhdukjen në autoritetet greke, ndërsa trupi i pajetë është gjetur pas disa ditësh kërkimesh.

Hetimet për rrethanat e vdekjes po kryhen nga autoritetet greke, të cilat nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi shkakun e mundshëm të vdekjes.

Zhduket papritur 38-vjeçarja në Fier, policia gjen fëmijët vetëm në banesë

Një 38-vjeçare është larguar nga banesa në Fier, duke braktisur dy fëmijët e saj të mitur. Ish-bashkëshorti i saj ka bërë kallëzimin në polici, duke njoftuar se gruaja nuk është kthyer në shtëpi dhe ka lënë fëmijët vetëm.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier shpallën në kërkim shtetasen V. H., 38 vjeçe, pasi ka kallëzuar ish-bashkëshorti, se është larguar nga banesa dhe ka braktisur fëmijët e tyre të mitur. Punohet intensivisht për kapjen e 38-vjeçares”, njofton policia.

Ndërkohë edhe një 44-vjeçare me iniciale E. P., ka denoncuar në polici largimin nga banesa të vajzës së saj 15-vjeçare.

“Dje, kallëzoi shtetasja E. P., 44 vjeçe, se ishte larguar nga banesa, vajza e saj 15 vjeçe. Punohet për gjetjen e 15-vjeçares”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po udhëtonte drejt Lituanisë, bllokohet GPS i avionit të ministres së Mbrojtjes të Spanjës! Ishte duke kaluar mbi Kalingrad (Video)

Një avion ushtarak spanjoll, që transportonte Ministren e Mbrojtjes Margarita Robles, pësoi një “bllokim” të GPS-it këtë mëngjes, ndërsa udhëtonte pranë enklavës ruse të Kaliningradit.

Mjeti fluturues ishte rrugës për në Lituani për një vizitë zyrtare, tha ministria, duke konfirmuar një raport të mëparshëm nga agjencia e lajmeve “Europa Press”.

Kjo është ndërhyrja e dytë në pak javë që i bëhet sistemeve elektronike të avionëve, në pajisjet GPS, pas fikjes së sinjalit të avionit të shefes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, po për fat të mirë pa pasoja të rënda.

Me një postim në rrjetin X, ministria konfirmoi vizitën dhe qëllimin për m,brojtjen e kufijve ajrorë të NATO-s nga Rusia.

Zhduken dy vajza minorene, familjarët ngrenë në këmbë policinë (Emri)

Dy vajza minorene kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre në Kavajë, të cilët u kanë kërkuar ndihmë autoriteteve policore për gjetjen e tyre.

Ato janë larguar nga banesat dhe nuk janë kthyer më. Më konkreti, Policia raporton se ditën e djeshme ka kallëzuar shtetasi L. Z., se ka humbur kontaktet me vajzën e tij 17-vjeçe, si dhe ka kallëzuar edhe shtetasja E. S., se ka humbur kontaktet me vajzën e saj 14 vjeçe.

“Dje, kallëzoi shtetasi L. Z., se ishte larguar nga banesa, vajza e tij 17-vjeçe, si dhe kallëzoi shtetasja E. S., se ishte larguar nga banesa, vajza e saj 14 vjeçe.”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se po punohet për gjetjen e të miturave.

“Njerëzit do të shtypen”/ Shkencëtari ka parashikuar fundin e Botës, data e ‘ekuacionit të zbulesës’ po afron, pritet të..

Një shkencëtar dikur zbuloi datën e saktë që ai besonte se do të vinte fundi i botës, duke parashikuar se brezat e ardhshëm do të “shtypeshin për vdekje”.

Kjo datë po afrohet gjithnjë e më shumë, pasi parashikimi është për vitin 2026.

Fundi i botës është diçka që shqetëson shumë njerëz, deri në atë masë sa ata po përgatiten për një skenar të tillë. Për shembull, kohët e fundit, pati mjaft njerëz që shitën shtëpitë dhe sendet e tyre dhe filluan të përgatiteshin për fundin e botës, duke ndjekur një profeci sipas së cilës ai do të vinte më 23 ose 24 shtator 2025 (dita e sotme).

Në fund të fundit, ky parashikim i fundit për “Apokalipsin” i është shtuar listës së gjatë të profecive të fundit të botës që (për fat të mirë) nuk u konfirmuan. Megjithatë, ekziston një parashikim tjetër për fundin e botës, me datën e dhënë që po afron.

Ekuacioni i Zbulesës

Në vitin 1960, shkencëtari austriak Heinz von Förster publikoi një studim që ai pretendonte se përmbante “ekuacionin e fundit të botës”, i cili mund të përcaktonte momentin kur njerëzimi do të zhdukej dhe bota do të mbaronte.

Ai e bëri këtë duke parashikuar shkallën e rritjes së popullsisë, duke deklaruar se asnjë katastrofë, qoftë natyrore apo e shkaktuar nga njeriu, nuk do të na zhdukte nga faqja e dheut. Studimi i Foerster tregoi se në dekadat e ardhshme do të kishte miliarda njerëz më shumë, duke ushtruar presion mbi aftësinë e planetit për t’i mbajtur ata.

“Stërnipërit e stërnipërve tanë nuk do të vdesin nga uria”, kishte thënë shkencëtari për parashikimet e tij. “Ata do të shtypen për vdekje”.

Data që po afron

Von Förster parashikoi se bota do të mbaronte kur të arrinte “2026.9”, që është 13 nëntori 2026. Ai llogariti se ky do të ishte momenti kur “popullsia inteligjente do të vetëshkatërrohej”, pasi do të kishte kaq shumë njerëz saqë përfundimisht do të arrinim nivele të pafundme të njerëzimit.

forster

Atë ditë, popullsia njerëzore do të arrinte një “singularitet demografik ” dhe do të binte nga niveli i saj më i lartë në zero.

E gjitha kjo tingëllon mjaft e zymtë, edhe pse jemi pak më shumë se një vit larg parashikimit të tij. Ideja se do të ketë një numër të pafund njerëzish pa vend për njëri-tjetrin, nuk duket se është materializuar ende dhe tingëllon si një skenar fantastiko-shkencor.

Edhe pse parashikimet e tij për fundin e botës duken praktikisht të pamundura për t’u verifikuar më 13 nëntor 2026, “ekuacioni i tij i fundit të botës” në lidhje me rritjen e popullsisë rezultoi të ishte jashtëzakonisht i saktë në ndjekjen e rritjes së popullsisë së botës gjatë shekullit të 20-të, fiks gjashtë dekada pas parashikimit të tij.

I dyshuar si i përfituar nga trafikimi i drogës, sekuestrohet “Ferrari” me vlerë rreth 600 mijë euro! Ndalohet 30-vjeçari i dënuar në Turqi, si tentoi të fshihte mjetin

Është sekuestruar nga policia e Tiranës një mjeti tip “Ferrari” me vlerë rreth 600 mijë euro, pasi dyshohet se është përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Red”.

Sekuestrohet 1 automjet tip “Ferrari”, me vlerë rreth 600 000 euro, i dyshuar i përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Në hetim drejtuesi i automjetit, autor i kësaj veprimtarie kriminale, në Turqi.

Ky shtetas e kishte regjistruar në pronësi të një 36-vjeçari, këtë automjet, të cilin e kishte sjellë në Shqipëri, për llogari të tij, një 30-vjeçar.

Vihen në hetim dhe të dy të implikuarit në këtë rast.

Në vijim të hetimeve, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Red”.

Në kuadër të operacionit, u ndalua në rrugën “Abdyl Frashëri”, automjeti tip “Ferrari”, me drejtues shtetasin E. V., 30 vjeç, i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike, pasi nga hetimet dyshohet se automjeti është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Nga hetimet e mëtejshme u identifikuan shtetasi të cilit 30-vjeçari ia kishte lënë në pronësi automjetin, me qëllim shmangien e gjurmimit, konkretisht S. Ll., 36 vjeç, si dhe shtetasi që kishte sjellë automjetin, në Shqipëri, për llogari të 30-vjeçarit, konkretisht A. L., 30 vjeç.

Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 3 këta shtetas.

Gjithashtu, vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit E. V. ose të afërmve të tij, që mund të jenë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale, në Turqi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.