Mbrëmjen e djeshme, e papritur ishte zgjedhja që Brikena bëri duke përdorur favorizimin që kishte në dorë si lidere e shtëpisë. Nga nominimi mes Kejsit, Inës, Erik dhe Stelinë, ajo zgjodhi të shpëtonte këtë të fundit dhe të rrezikonte Mateon.
Mateo që kur është futur në shtëpinë e Big Brother nuk e ka mohuar simpatinë që ka për Brikenën, me të cilën është njohur rreth 4 vite më parë. Mateo thotë se mes tyre ka pasur dhe një puthje, gjë të cilën Brikena e mohon kategorikisht.
Kjo ishte dhe arsyeja me të cilën ajo argumentoi zgjedhjen e saj, duke thënë se Mateo me këtë histori dhe gënjeshtër e ka bërë të ndihet keq. Big Brother ka publikuar momente nga dhoma e rrëfimit, ku Mateo shprehet se u ndje shumë keq, jo për shkak të nominimit, por për shkak të zgjedhjes së Brikenës.
“Nuk e prisja. Për mua ishte shumë zhgënjyese. Ai iu referua edhe një shprehjeje që vetë Brikena përdor shpesh: “Ti më jep një çokollatë, unë të jap dhjetë.” Sipas Mateos, realiteti rezultoi krejt ndryshe. “Unë hyra duke i dhënë një çokollatë dhe mbrapsht mora një thikë,” tha ai, duke shtuar se u mërzit shumë, pasi nuk e kishte pritur këtë vendim dhe i kishte ardhur realisht keq.
Nga ana tjetër, Brikena i qëndron versionit të saj duke thënë se zgjedhja e saj nuk ishte për hakmarrje, por për t’i treguar se e ka bërë të ndihet keq.
“Hakmarrje, asnjëherë! Më ka bërë të ndihem keq dhe në atë moment më erdhi emri i tij, kaq. Se s’është fakti te puthja, se s’ka ndonjë gjë të keqe të puthësh një person, por në momentin që nuk ka ndodhur, unë kam qejf një person që tregon të vërtetën…” tha ajo ndër të tjera.
Ndërkohë ditën e sotme Brikena dhe Mateo janë parë tepër të distancuar nga njëri-tjetri. Madje në një moment Brikena është parë dhe duke qarë e vetme në ambientet e jashtme të shtëpisë, ndërsa të gjithë banorët janë shprehur kundër zgjedhjes së saj.
Teuta vjen në “Shihemi në Gjyq” për t’u përballur me djalin e xhaxhait, Tetemin. Përpara se të dalë te konflikti me të, ajo rrëfen në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan historinë e saj të dhimbshme. Ka lindur nga një marrëdhënie e cila nuk u kurorëzua kurrë me celebrim. Babai ishte i martuar me një grua tjetër që jetonte në Ballsh, por jetonte në Tiranë me nënën e saj.
Teuta:Mamaja ka qenë e shtruar në spital, babai im ishte kryeinfermier në sanatorium.
Ardit Gjebrea:U dashuruan aty në spital?
Teuta:Në spital dhe e ka marrë në shtëpi. Pa bërë celebrimin, linda unë.
Eni Çobani:Por ndërkohë babai figuronte i martuar, apo jo?
Teuta:Po, po.
Ardit Gjebrea:Në cilën shtëpi e mori, mbante dy nuse?
Teuta:Jo, e kishte lënë atë.
Ardit Gjebrea:Ah, ishte ndarë? E kishte bërë divorcin babai?
Eni Çobani:Tani, gruaja e parë ku rrinte?
Teuta:Gruaja e parë ishte nga një fshat i Ballshit.
Eni Çobani:Po, ku rrinte në atë kohë?
Teuta:Në Ballsh. Ishin ndarë.
Në krye të tre vjetëve nga lindja e saj, i ati u burgos për agjitacion e propagandë nga regjimi i diktaturës dhe Teuta s’e kujton. Dajat vendosën ta martonin nënën e saj, e cila në familjen e re gjeti tre fëmijë.
Njerku, i cili e kishte përzemër Teutën, ngulmoi ta martonte me njërin nga djemtë e tij. Pavarësisht rezistimit të saj, kjo martesë ndodhi dhe Teuta ka një fëmijë me të. Por pas një debati me të shoqin, ajo iku nga shtëpia bashkë me djalin që kishte sjellë në jetë, kurse ai i vrau nënën që për të ishte njerkë dhe vjehrrë.
Teuta:Si ra në burg babi, daja heq mamin dhe e marton. Unë jam rritur ku te daja, ku te tezja.
Ardit Gjebrea:Pse ra në burg babi?
Teuta:Për agjitacion e propagandë politike, në kohën e Enverit. Kur unë isha 3 vjeçe, daja e merr mamanë se kishin frikë në atë kohë…
Ardit Gjebrea:Pra, ju nuk e mbani mend babain?
Teuta:Absolutisht!
Ardit Gjebrea:Deri 3 vjeç ju keni jetuar me babain dhe me mamanë?
Teuta:Po, deri 3 vjeç, pastaj kur bie babai në burg, daja e merr mamin dhe mua, unë jam rritur ku te daja, ku te tezja dhe daja e marton në Molisht të Beratit.
Ardit Gjebrea:Mamaja martohet prapë.
Teuta:Martohet. Atje gjen tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Mua burri i mamasë më ka respektuar dhe më donte shumë, më ka mbajtur për djalin e gjetur.
Ardit Gjebrea:Pse, ty donin të të martonin?
Teuta:Po!
Eni Çobani:Burri i dytë i nënës kishte tre fëmijë dhe donte ta martonte me njërin prej tyre.
Ardit Gjebrea:Ah, se me djalin e gjetur, e bëra lidhjen.
Teuta:Ishim në një familje, u rritëm si motër e vëlla.
Ardit Gjebrea:Ju jetonit në një shtëpi dhe ti e konceptove si një vëlla atje se u rritët bashkë.
Teuta:Po. Megjithatë, mori fund çdo gjë, kam lindur djalin, e kam ’79-ta.
Ardit Gjebrea:Ç’do me thënë “mori fund çdo gjë”?
Teuta:U martova, më mbajti. Nuk më nxori jashtë, do të të mbaj për veten time tha burri i mamasë. Më kuptove?
Ardit Gjebrea:Të kuptova, por me kë e bëre djalin?
Teuta:Me djalin e tij, më mbajti në shtëpi për djalin e tij.
Ardit Gjebrea:E kuptova, por ti edhe pse the që unë me atë jo…
Teuta:Nuk të fus në shtëpi thoshte. Nuk më pranonte as daja, as tezja. Kur u largova, ika, e mora djalin me vete…
Ardit Gjebrea:Pse, u ndave?
Teuta:Po, po. Kam shkuar te njerëzit e babit dhe ai i preu kokën mamasë. Histori e gjatë.
Ardit Gjebrea:Si ia preu kokën?
Teuta:Ia preu se ika unë që ika djalin, e ke mprehur ti.
Ardit Gjebrea:Ia preu në kuptimin figurativ apo e vrau?
Teuta:E vrau!
Ish-burri i Teutës u dënua me 25 vjet burg, por doli pasi vuajti 12 vjet. Djali mban marrëdhënie me të, kurse Teuta s’ka asnjë kontakt. Ajo tregon se ditën kur u largua, i la edhe një letër.
“I kam lënë letër në tavolinë: ‘Mos më kërko!’ Nuk i thashë ku ndodhem. ‘Unë nuk kthehem më’”, përfundoi Teuta.
Këngëtarja e njohur Fifi ka folur pa filtra për raportin e saj me Flori Mumajesin, duke u ndalur te mungesa e tij e gjatë nga muzika dhe heshtja që e rrethon.
Në një intervistë me Grida Dumën, e pyetur se çfarë po ndodh me Flori Mumajesin dhe botën e tij artistike, Fifi u shpreh se nuk ka asnjë informacion të sigurt për të.
“Unë nuk e di fare as ça bën Flori, as si është Flori. Kam pyetur, por përgjigjet që kam marrë s’më kanë pëlqy”, tha ajo, duke shtuar se pa folur vetë me të, nuk i beson asgjëje që thuhet.
Sipas Fifit, rreth Florit qarkullojnë shumë fjalë që shpesh dalin të pavërteta.
“Thuhen shumë llafe dhe dalin të mos jenë të vërteta”, u shpreh ajo gjatë bisedës. Në një nga momentet më emocionale të intervistës, Fifi e quajti Flori Mumajesin “muzën time artistike përjetësisht”, duke pranuar se mes tyre komunikimi është i ndërprerë.
“I kam të bllokuara nga ai muret e komunikimit, nuk e di pse, por unë uroj shumë që ai të jetë mirë”, tha këngëtarja.
Fifi theksoi se urimi i saj shkon përtej muzikës. “Jo vetëm muzika; ai si njeri. Lum ata që e kanë pas rastin me nejt me të”, tha Fifi, duke e përshkruar Florin si një person “dhënës”.
Artistja la të kuptohet se zhgënjimi mund të ketë ndikuar në tërheqjen e tij.
“Është i zhgënjyer nga mosmarrja, prandaj është mbase në atë gjendje që është”, u shpreh ajo, duke shtuar një tjetër këndvështrim mbi heshtjen e gjatë të artistit.
Rrëfimi i Fifit riktheu vëmendjen te Flori Mumajesi, një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, mungesa e të cilit vazhdon të ngjallë interes dhe pikëpyetje te publiku.
Pas 25 vitesh bisedime të gjata dhe shpeshherë të bllokuara, Bashkimi Evropian dhe vendet e Mercosur-it kanë firmosur në Asunción të Paraguait marrëveshjen historike të tregtisë së lirë. Ky hap krijon zonën më të madhe të këmbimit tregtar në botë, duke bërë bashkë 750 milionë konsumatorë dhe duke hequr mbi 90% të tarifave doganore.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi këtë firmë si një sinjal të fortë për botën dhe si një trashëgimi për gjeneratat e ardhshme, ndërsa udhëheqësit e tjerë evropianë theksuan se, në një kohë kur disa vende ngrenë mure dhe vendosin tarifa, Europa po ndërton ura bashkëpunimi.
Edhe liderët e Amerikës Latine e mirëpritën marrëveshjen me entuziazëm, duke e parë atë si një fitore të diplomacisë ndaj izolimit. Presidenti brazilian Lula da Silva e quajti këtë një përgjigje ndaj politikave izoluese, ndërsa presidenti argjentinas, Javier Milei, gjeti rastin të vlerësonte publikisht rolin e kryeministres italiane Giorgia Meloni në arritjen e dakordësisë brenda Këshillit Europian.
Sipas parashikimeve të Brukselit, përfitimet do të jenë të menjëhershme, me një rritje të ndjeshme të shkëmbimeve tregtare, veçanërisht në sektorin ushqimor, ku do të mbrohen qindra produkte tipike evropiane nga imitimet.
Megjithatë, rruga drejt zbatimit të plotë mbetet e përpjetë dhe e mbushur me pengesa politike. Fermerët europianë janë rreshtuar kundër kësaj marrëveshjeje, duke paralajmëruar protesta masive me mijëra traktorë në Strasburg, pasi i tremben konkurrencës nga produktet e Amerikës Jugore.
Paralelisht me tensionet në rrugë, beteja do të zhvendoset edhe në Parlamentin Europian. Javën e ardhshme pritet të votohet një kërkesë për ta dërguar marrëveshjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, gjë që mund ta shtyjë hyrjen e saj në fuqi edhe me dy vite të tjera, duke mbajtur pezull një proces që ka nisur që në fund të shekullit të kaluar.
Sulmuesi shqiptar Joi Nuredini ka debutuar në Serinë A gjatë ndeshjes midis Parmës dhe Genoas.
Futbollisti i lindur në vitin 2007 u aktivizua në minutat e fundit të takimit nga trajneri Daniele De Rossi, duke zëvendësuar Lorenzo Colombon.
Nuredini, i cili është pjesë e Genoas prej dy sezonesh, kishte qenë i grumbulluar me ekipin e parë edhe më herët, por vetëm sot mori minutat e para zyrtare në elitën e futbollit italian.
18-vjeçari po kalon një sezon mjaft pozitiv me ekipin Primavera, ku ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 1 asist në 9 ndeshje.
Përveç rritjes në nivel klubesh, Nuredini është një element i rëndësishëm i moshave kuqezi, ku aktualisht përfaqëson Shqipërinë U-19.
Brikena Selmani, ish-Miss Kosova dhe një nga banoret më të përfolura të “Big Brother VIP Albania 5”, është vënë në shënjestër të sulmeve nga jashtë shtëpisë.
Këtë herë, “shigjetat” kanë ardhur nga një ish-konkurente e formatit, Armela Hyseni.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Armela ka ironizuar rëndë figurën e Brikenës, duke iu përgjigjur edhe fansave që i kanë dalë në mbrojtje modeles.
Ajo ka bërë një krahasim të fortë, duke e paralelizuar sjelljen e Brikenës me atë të personazhit të Serena Sulës.
“T’i bëj pak diss fansave që më janë sulur për të mbrojtur ‘vajzën e mirë’ që ia merrka Serena Sulës në kthesë. Gjen dhe bën, në rregull është,” ka shkruar Armela në Instastory, duke lënë të kuptohet se imazhi i “vajzës së mirë” që Brikena po shfaq, është thjesht një fasadë.
Vedat Muriqi ka udhëhequr Mallorcan drejt fitores 3-2 në shtëpi kundër Athletic Bilbaos, duke realizuar një tregolësh personal.
Sulmuesi i Kosovës hapi serinë e golave që në minutën e pestë të takimit. Në minutën e 42-të, ai shënoi golin e dytë pasi ndoqi topin e kthyer nga portieri pas ekzekutimit të një penalltie.
Gjatë pjesës së dytë, Muriqi u tregua sërish i saktë nga pika e bardhë, duke vulosur rezultatin përfundimtar. Me këto tri realizime, ai ngjitet në kuotën e 14 golave në 20 javë kampionat, duke mbajtur vendin e dytë pas Kylian Mbappe.
Aktualisht, Muriqi ka shënuar gjithsej 48 gola në La Liga me fanellën e Mallorcas.
Epoka e përgjakshme e familjes Kadyrov në Çeçeni mund të jetë duke shkuar drejt fundit. Ramzan Kadyrov, 49 vjeç, lideri autoritar i republikës çeçene dhe një nga aleatët më brutalë të Vladimir Putin-it, ndodhet në gjendje shëndetësore të rëndë. Prej kohësh ai vuan nga insuficiencë renale dhe, sipas burimeve ukrainase, gjendja e tij është përkeqësuar ndjeshëm që prej dhjetorit.
Situata komplikohet edhe më shumë nga fakti se djali i tij 18-vjeçar, Adam Kadyrov, i konsideruar trashëgimtari i regjimit dhe tashmë i emëruar ministër i Brendshëm, ndodhet në terapi intensive pas një aksidenti shumë të rëndë automobilistik. Sipas disa zërave, ai është transportuar me urgjencë në Moskë. Nervozizmi në Kremlin është në nivele të larta, pasi suksesi dinastik i regjimit totalitar çeçen është tani në pikëpyetje.
Epoka Kadyrov nisi me Akhmad Kadyrov, babanë e Ramzanit dhe gjyshin e Adamit. Gjatë Luftës së Dytë Çeçene, ish-myftiu tradhtoi kauzën separatiste dhe u rreshtua me Putin-in, duke u bërë president i Çeçenisë në vitin 2003. Ai u vra tre vjet më vonë në një atentat. Pas një lufte të dhunshme për pushtet, Ramzan Kadyrov mori drejtimin dhe nga viti 2007 instaloi një regjim represiv brutal.
Rrëmbime, zhdukje, vrasje të opozitarëve dhe gazetarëve, një aparat spiunazhi gjithpërfshirës, masakra kolektive dhe spastrime të egra kundër komunitetit LGBTQ+ u bënë shenja dalluese të regjimit të njohur si “Kasapi i Groznit”. Kadyrov kultivoi një imazh të dhunshëm, duke u shfaqur me Rolex, kallashnikovë dhe luks ekstrem, ndërsa rindërtoi Groznin me fondet e Kremlinit, përfshirë edhe një xhami gjigante.
Gjatë luftës në Ukrainë, Kadyrov u rikthye në skenë me shfaqje propagandistike: në vitin 2022, njerëzit e tij dështuan në një tentativë për të vrarë Volodymyr Zelensky-n, ndërsa ai vetë pretendonte se ishte në front, edhe pse gazetarët lokalizuan telefonin e tij në Grozni. Megjithatë, batalionet çeçene luftuan realisht përkrah ushtrisë ruse dhe, që nga viti 2023, kanë zëvendësuar pjesërisht mercenarët e Wagner, sidomos në Donbas.
Adam Kadyrov u shfaq për herë të parë publikisht në vitin 2016, kur ishte vetëm 9 vjeç dhe u hodh nga i ati në një ndeshje arteve marciale pa mbrojtje, duke shkaktuar reagime edhe në Moskë. Në moshën 15-vjeçare, ai u filmua duke rrahur brutalisht një të burgosur të pambrojtur, akt për të cilin Ramzan Kadyrov u shpreh “krenar” dhe e dekoroi. Për shumë vëzhgues, kjo ishte ceremonia e kurorëzimit të trashëgimtarit. Sot, gjithçka duket sërish në ajër.
Nëse shëndeti i Ramzan Kadyrov dhe i djalit të tij nuk përmirësohet, Çeçenia dhe Moska mund të përballen me një vakuum pushteti të rrezikshëm, me pasoja të paparashikueshme për rajonin dhe për strategjinë e Kremlinit.
Kreu i PD Sali Berisha dhe ish-deputeti i PD Ervin Salianji zhvilluan dy takime të ndryshme me demokratët ditën e sotme.
Berisha mblodhi militantët e tij në në Kombinat, Tiranë, ndërsa Salianji zhvilloi foltore në Lezhë ditën e sotme.
Ndonëse takimet ishin në distancë, Berisha dhe Salianji u “përballën” online, pasi ora e takimeve ishte e njëjtë, në 18:00.
Por, përballja online duket se nuk është aq e favorshme për kreun e PD, pasi kishte 168 shikime gjatë fjalimit të tij, ndërsa Salianji 2.7 mijë shikime./Shqiptarja
Ndryshime të rëndësishme në kuadrin e migracionit të ligjshëm parashikon projektligji i ri i Ministrisë së Migracionit dhe Azilit në Greqi, me synim adresimin e problemeve në dhënien dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit, uljen e burokracisë dhe mbulimin e nevojave të ekonomisë greke për fuqi punëtore, raporton Protothama.
leje qendrimi greqi
Projektligji, i cili pritet të paraqitet së shpejti në Komisionin përkatës të Parlamentit, vjen në një periudhë kur çështja e migracionit rikthehet në qendër të debatit si në nivel kombëtar ashtu edhe evropian.
Qeveria greke synon të bëjë një ndarje të qartë mes migracionit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm.
“Me projektligjin e ri për migracionin e ligjshëm i japim fund vonesave shumëvjeçare dhe bllokimeve burokratike që kanë munduar punëtorët dhe bizneset”, deklaron për agjencinë APE-MPE ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris.
Aktualisht, në Greqi jetojnë rreth 793 mijë emigrantë të ligjshëm, ndërsa afro 293 mijë aplikime për leje qëndrimi mbeten pezull. Vonesat në shqyrtimin e tyre kanë sjellë probleme serioze për përfituesit, pasi shpesh lejet lëshohen pasi kanë skaduar, duke krijuar pasiguri dhe vështirësi në punë dhe integrim shoqëror.
Me rregullimet e reja, pritet të zhbllokohen menjëherë rreth 90 mijë leje në pritje, ndërsa brenda dy viteve vlerësohet se do të rregullohen edhe po aq raste të tjera.
Rregullimet kryesore të projektligjit
Projektligji përfshin masa që synojnë lehtësimin e procedurave për emigrantët që qëndrojnë ligjërisht në Greqi. Parashikohet rinovim automatik për kategori të caktuara lejesh qëndrimi, veçanërisht kur emigranti vazhdon të punojë te i njëjti punëdhënës, duke shmangur dorëzimin e përsëritur të dokumenteve pa arsye thelbësore. Po ashtu, çdo leje e re do të ketë kohëzgjatje minimale dyvjeçare, në mënyrë që vonesat administrative të mos penalizojnë vetë emigrantin dhe të mos çojnë në humbje formale të statusit të ligjshëm.
Parashikim i veçantë bëhet për emigrantët që jetojnë ligjërisht në Greqi prej pesë vitesh ose më shumë dhe aplikimi i të cilëve ishte refuzuar më parë për arsye thjesht formale.
Këta persona do të kenë mundësinë të riaplikojnë dhe të marrin leje qëndrimi, pasi të korrigjohen mangësitë procedurale, duke garantuar integrimin e plotë të tyre në shoqërinë greke.
Një tjetër rregullim ka të bëjë me emigrantët mbi 65 vjeç, kryesisht të brezit të parë, që kanë jetuar dhe punuar ligjërisht në Greqi për të paktën 20 vjet. Ata do të mund të qëndrojnë pa detyrim për të punuar, me kusht që të kenë sigurim privat shëndetësor dhe pensioni, pa ngarkuar sistemin publik të sigurimeve shoqërore.
Thirrje e përshpejtuar e punëtorëve nga vendet e treta
Projektligji sjell gjithashtu ndryshime të rëndësishme në procesin e thirrjes së punëtorëve nga vendet e treta, me synim uljen e burokracisë dhe mbulimin më të shpejtë të vendeve të lira të punës. Procedurat thjeshtohen dhe kompanitë e punësimit të përkohshëm do të kenë mundësi të realizojnë thirrje në emër të bizneseve që kanë nevoja të menjëhershme për staf.
Vëmendje e veçantë i kushtohet projekteve të mëdha, ku parashikohet thirrja e menjëhershme e deri në 500 punëtorëve, ndërsa procedurat në konsullata thjeshtohen ndjeshëm, duke ulur kohën e lëshimit të dokumenteve të nevojshme.
Një risi e rëndësishme është edhe mundësia e ndryshimit të punëdhënësit për punëtorët që hyjnë në vend përmes thirrjes zyrtare, pa humbur statusin e qëndrimit të ligjshëm. Kjo rrit lëvizshmërinë në tregun e punës dhe kufizon fenomenet e varësisë apo shfrytëzimit.
Paralelisht, forcohen marrëveshjet dypalëshe me vende të treta si Filipinet, Armenia dhe Egjipti, veçanërisht në sektorë si bujqësia, me kusht bashkëpunimin në luftën kundër migracionit të paligjshëm.
“Greqia po riformëson rrugën e ligjshme”
Me këtë kuadër të ri, Ministria e Migracionit dhe Azilit synon të krijojë një sistem më efikas dhe funksional të migracionit të ligjshëm, që mbështet ekonominë dhe tregun e punës, garanton siguri juridike për emigrantët që qëndrojnë ligjërisht dhe njëkohësisht mban qëndrim të rreptë ndaj migracionit të paligjshëm.
“Ne çlirojmë dhe përshpejtojmë procedurat për dhënien dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit dhe punës, me procese më të thjeshta. Greqia mbetet absolutisht e ashpër ndaj migracionit të paligjshëm, por po riformëson rrugën e ligjshme për ata që duan të punojnë, duke mbuluar boshllëqet në sektorë si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi”, thekson ministri Plevris.