Çelja e grup-kapitujve të parë, Rama: Në 2030 do ngremë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në Bruksel

Një ditë pasi Shqipëria çeli 5 grup-kapitujt e parë për negociatat dhe anëtarësimin drejt BE-së, me konferencën ndërqeveritare të Luksemburgut, kryeministri Edi Rama e ka kujtuar me një postim aspak të zakontë.

Ai e ka nisur ditën e 16 Tetorit duke e quajtur një “krenari të paharrueshme” me postimin në rrjetin social Facebook, teksa thekson se “Shqipëria u ul plot dinjitet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Europën e Bashkuar”.

Ai shprehu bindjen se në fund, “Shqipëria 2030 do e ngrejë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Brukselit në BE”.

Postimi i kryeministrit Edi Rama:

“MIRËMËNGJES

dhe me krenarinë e një dite të paharrueshme, ku Shqipëria u ul plot dinjitet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim me Europën e Bashkuar, me të gjithë forcën e të vërtetave të arritjeve të mundimshme të këtyre viteve, të cilat morën të gjithë vlerësimin e merituar më në fund, si edhe me bindjen më të fortë se kurrë se Shqipëria 2030 do të ngrejë flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e Familjes së Europës së Bashkuar në Bruksel, ju uroj të gjithëve një ditë të re të gëzuar”.