“Dashuria që theu kufijtë”, greku që zgjodhi të jetojë përgjithmonë në Korçë

Kronika e radhës na njeh me historinë e Nikos, një shtetas nga Greqia, i cili erdhi në Shqipëri në fillim të viteve ’90 për biznes, por sot e konsideron Korçën shtëpinë e tij të përhershme, pasi aty ka gjetur dashurinë, familjen dhe jetën që kishte kërkuar.

Nikolaos Damos, kujton vizitën e parë në Shqipëri më 3 shtator 1991 dhe takimin me bashkëshorten Xhilda, një njohje që e quan “fitore në lotari”.

“Hera e parë ishte 3 Shtator 1991, për biznes. Pastaj vajtje-ardhje. Isha në Greqi, shihja dokumentare e thoja, obobo ku do shkoj. Unë kapa numrin në lotari, isha me fat për bashkëshorten time. Jam në rregull. Nuk dua asgjë tjetër. Vetëm shëndet. Do rri këtu. Nuk do iki fare. Kam vajtur në shumë shtete, thashë Korça. Ambienti është qytet i sistemuar, nuk dua lukse. Është qyteti ku unë gjej të tëra. 100% në Shqipëri”, thotë Nikolaos Damos.

Për Xhildën, lidhja nisi rastësisht, ndonëse në fillim ajo nuk e kishte menduar kurrë se partneri i saj do të ishte i huaj. Njohja me Nikon ndryshoi çdo paragjykim.

“Nikon e njoha rastësisht, çuni i xhaxhait është shok i ngushtë i Nikos. Me humor ai më thotë: ‘Të pëlqeu ai greku.’ Unë i thashë: ‘Nuk marr grek me syze.’ Nuk doja të merrja burrë të huaj, jo për të gjykuar Korçën, por isha mësuar në Tiranë. Me karrierën time e prisja ajo çfarë nuk doja, erdhën por erdhën shumë bukur. Mund të them që kam menduar keq. Niko nuk e quaj të huaj, është njeri, dhe falë Nikos jam unë. Jam bërë e realizuar shpirtërisht”, thotë Xhilda Jahollari.

Sot, në biznesin e tyre familjar, Niko shihet nga të gjithë si vendas. Ai ruan edhe simbole shqiptare në ambientin e punës dhe thotë se për vajzën e tyre kufijtë nuk kanë rëndësi, pasi ajo mund të mbajë dy shtetësi.

“Nuk ka problem fare, ka dy pasaporta, jemi njerëz, nuk jemi ca grek, ca shqiptare. Kufijtë janë limite financiare, jemi njerëz. Nga një planet. Ai erdhi nga Azia dhe është jashtëtokësor. Jemi në një dynja. Një lloj ere”, thotë Nikolaos Damos.

Xhilda thekson se çelësi i një martese të qëndrueshme mbetet komunikimi dhe besimi i ndërsjellë.

“Nëse ka sinqeritet, korrektësi, dashuri të pastër, nuk kërkoj përtej, gjithë të tjerat vijnë me pas. Ky është suksesi. Jam e lumtur me Nikon, kemi një vajzë të shkëlqyer, Elia dashuron njerëzit. Qetësi. Menaxhim i mirë midis çiftit. Gjithë sakrificat në këtë rrugë duhen përballur, me çoi aty, me bleu këtë”, thotë Xhilda Jahollari.

Historia e tyre është shembull i një lidhjeje që kapërcen paragjykimet kombëtare dhe kulturore. Për Nikon, Shqipëria nuk është më thjesht një vend për biznes, por vendi që ai e quan shtëpi.