Elseid Hysaj drejt Turqisë ose Arabisë, Lazio nuk e regjistron në Seria A

I grumbulluar në Kombëtare për Nations League, por i përjashtuar luksi nga skuadra e Lazio-s. Kjo është situata e Elseid Hysaj-t, që nuk do të jetë më pjesë e skuadrës për sezonin e ri në Serie A.

Edhe pse u aktivizua për disa sekonda në ndeshjen e fundit kundër Milanit dhe një javë më parë regjistroi 9 minuta në fushë ndaj Udinese-s, tashmë kuqeziu nuk do të ketë më mundësinë të luajë.

Mediat italiane kanë njoftuar se mbrojtësi shqiptar mbeti jashtë listës së futbollistëve të regjistruar në Serie A. Situata lidhet me merkaton e Lazio-s dhe rregullave për numrin e lojtarëve italianë apo të rritur në klub. Në balotazh për vendin e fundit të lirë ishin Hysaj dhe sulmuesi Pedro, me stafin e drejtuar nga trajneri Baroni që zgjodhi të regjistronte spanjollin 37-vjeçar.

Shkodrani bëhet në këtë mënyrë një i përjashtuar luksi, duke llogaritur rrogën prej 2,8 milionë euro në sezon, e cila e bën një prej lojtarëve më të paguar te klubi bardhekaltër.

Drejtuesit u munduan t’i gjenin një skuadër tëre, por pa sukses. Tashmë është radha e Hysaj-t dhe menaxherëve të tij të gjejnë një destinacion të ri.

Edhe pse situata është e komplikuar, duke qenë i paregjistruar për këtë sezon të ri, mbrojtësi i Kombëtares mund të transferohet kudo. Merkato është ende e hapur në Turqi ose në Arabinë Saudite, ku mund të ketë klube të interesuara të marrin shërbimet e Hysajt.

Gjithsesi, çështja mbetet delikate, duke bërë që e ardhmja e 30-vjeçarit të jetë e pasigurt. Nëse nuk arrin të gjejë një skuadër tëre, ai do të mbetet te Lazio, ku do të stërvitet, por nuk do të ketë mundësi të zbresë në fushë. E vetmja mundësi për tu regjistruar në kampionatin italian dhe të luajë vetëm në rast të dëmtimeve të rënda të shokëve të skuadrës.