Ervin Karamuço thirrje drejtorit të qarkut të Fierit: Jep dorëheqjen, atje janë marrë peng shefa krimesh!

Ervin Karamuço ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Top Story” të Grida Dumës, ku ndër të tjera, u diskutua vrasja e ndodhur në Baltëz të Fierit.

Pas dorëzimit të autorit, Azgan Mërnicës, profesori i kriminalistikës foli me tone të ashpra për policinë e shtetit.

Ai deklaroi se drejtori i qarkut të Fierit, Lorenc Panganika duhet të japë dorëheqjen. Vrasja e policit, Novrus Cenalia ka shokuar mbarë opinionin publik.

Uniformat blu në vend kërkuan për ditë me radhë për gjetjen e autorit, por pa mundur ta arrestojnë. Për këtë, Ervin Karamuço u shpreh:

Më duhet të them një të vërtetë. Ajo zona aty (Fshati Sulaj) është një trekëndësh i madh në zonën e Fierit ku ka gjithë kohën grupe të armatosura të këtyre djemve nga 20-25 vjeç. Nuk ka një kontroll për armë në këtë zonë, u bënë kaq muaj. Si i lë këta ti? Çfarë pret të ndodhë ti? Ju e dini që Fieri ka marrë peng shefa krimesh. Pra këta e kanë içik atë kapadaillëkn dhe arrogancën edhe për t’u sjellë keq me policinë.

Këta kanë ardhur deri në këtë pikë që i kanë bërë karshillëk këtij shteti, këtij komisariati dhe kësaj drejtorie të policisë derisa në komoditet të plotë arrijnë të negociojnë me policinë… Kush negocion me kriminelin?

Me kriminelët nuk negociohet. Është parim ndërkombëtar. Nëse ti negocion, e ke dorëzuar policinë. Atë uniformën e atij dëshmorit merre hidhe gjëkundi. Jo! Unë nuk e pranoj këtë. Dhe ky nuk është sukses. Ky është dorëzim i policisë.

Nëse ka një akt moral të ndërgjegjshëm të një institucioni, duhet të dalë drejtori i qarkut të Fierit, Lorenc Panganika që duhet të thotë: “O popull i nderuar. U ndërmor ky operacion. Nuk patëm sukses, negociuam”. Dhe të thotë me transparencë, çfarë përfaqëson ajo zonë? Sa rrezikshmëri ka ajo zonë?

Pse mbahet ajo zonë jashtë vëzhgimit? Një çikë të moderuar dhe të përkëdhelur të policisë së shtetit. Pas kësaj, të shkojë të shikojë punën ku e ka”, përfundoi Ervin Karamuço.