Edward Putman, një 57 vjeçar që arriti të tërhiqte 2.5 milionë paund nga lotaria, duhet të harrojë përgjithmonë shtëpinë e tij në Anglinë Jugore, pasi gjykata ka urdhëruar përmbarimin që ta nxjerrë në shitje. Kjo, pasi 57 vjeçari veç dënimit me nëntë vite burg, duhet të shlyejë dhe 900 mijë paund.
I dënuar më parë për përdhunim, Edward Putman bashkëpunoi me një operator të brendshëm të “Camelot Group”, përfaqësues i lotarisë kombëtare në Angli, dhe arriti të falsifikonte mjeshtërisht një biletë të lotarisë dhe tërhoqi 2.5 milionë paund.
Duke dorëzuar fletën e falsifikuar në vitin 2009, ai tërhoqi miliona dhe bleu me to makina luksoze dhe prona në Florida dhe Maltë. 57-vjeçari u kap dhe u burgos për nëntë vjet në 2019, pasi bashkëpunëtori i tij, rrëfeu të gjithë ngjarjen.
Putman u urdhërua të paguajë më shumë se 900,000 £, por ka refuzuar ta bëjë këtë. Pas tre muajsh, periudha që gjykata i ka lënë në dispozicion për të paguar, burri ka refuzuar dhe është kërcënuar se dënimit 9 vjeçar, do i shtohet dhe një 6 vjeçar. Edward Putman ka kthyer më pak se 100,000 paund.
Prokurorëve tani u është dhënë fuqia për të blerë pasuritë e tij, duke i shitur ato për të shlyer borxhet. Shtëpia e tij në Kings Langley, Hertfordshire do të merret nga një përmbarues dhe më pas do të shitet, për të mbledhur paratë që duhet të paguajë Edward Putman.