Gjenden 6 persona të pajetë në një hoteI Iuksoz!

Gjashtë persona janë gjetur të vdekur në një suitë hoteli luksoz në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok.

Misteri ka mbuluar ngjarjen dhe mediat lokale fillimisht raportuan se ka pasur të shtëna në hotelin me 5 yje Grand Hyatt Erawan Bangkok, por policia e mohoi.

Autoritetet po hetojnë nëse viktimat vdiqën nga helmimi. Të vdekurit, tre burra dhe tre gra, ishin të gjithë shtetas vietnamezë dhe disa kishin shtetësi të dyfishtë amerikane, tha kryeministri i Tajlandës.

Srettha Thavisin, i cili vizitoi vendin e ngjarjes, shtoi se hetuesit dyshojnë se viktimat kanë vdekur 24 orë përpara se të gjendeshin dhe se do të kryhen ekzaminimet pas vdekjes.

Ai shtoi se policia “duhej të zbulonte motivet” dhe se vdekjet ishin rezultat i një “vrasjeje”, jo një vetëvrasjeje.

Shtatë persona rezervuan për të qëndruar në hotel, por vetëm pesë u regjistruan dhe një person aktualisht nuk është gjetur, tha shefi i policisë Thiti Saengswang.

Një nga viktimat e gjetura në dhomë nuk përputhej me të dhënat e hotelit. Ai shtoi se substanca të dyshimta dhe ADN-ja e viktimave u zbuluan në pijet e porositura në suitë pak para orës lokale 14:00.

Ushqimi që viktimat porositën nuk ishin prekur. Ata shkuan nga kati i shtatë i hotelit në katin e pestë, ku trupat e tyre u gjetën nga punonjësit e hotelit në dhomën e ndenjes dhe dhomën e gjumit të suitës.

Hetuesit thonë se nuk ka prova për një zënkë apo grabitje. Në banjë u gjetën çaj, pije energjike dhe mjaltë, të gjitha të hapura, tha shefi i policisë.

Mësohet gjithashtu se dy nga viktimat kanë tentuar të shkojnë te dera e suitës së hotelit, e cila ka qenë e mbyllur nga brenda, por nuk kanë arritur ta arrijnë në kohë.

Tashmë në kuadër të hetimeve do të kontrollohen edhe bagazhet e viktimave.

Grand Hyatt Erawan Bangkok është në një vend të njohur turistik. Disa nga viktimat po vizitonin Tajlandën për herë të parë, ndërsa të tjerët kishin qenë më parë, tha një oficer policie.

Kryeministri shtoi se nuk dëshiron që ky incident të ndikojë në imazhin e Tajlandës apo në turizmin – i cili është një shtyllë kryesore e ekonomisë tajlandeze, por që nuk është rikuperuar plotësisht nga pandemia e koronavirusit.

Vendi sapo ka zgjeruar skemën e tij të hyrjes pa viza në 93 vende dhe territore në një përpjekje për të tërhequr turistët.