Harta e arsenalit balistik, deri ku mund të godasin raketat e Iranit dhe sa e rrezikuar është Shqipëria?

Mesdheu dhe Ballkani në perimetrin e raketave iraniane

Programi raketor i Iranit ka kapacitete që shtrihen përtej Lindjes së Mesme dhe prekin drejtpërdrejt territorin europian. Sipas një grafiku të publikuar nga qendra amerikane e analizave Center for Strategic and International Studies (CSIS), raketat balistike dhe ato të tipit cruise të Iranit krijojnë unaza goditjeje nga 300 deri në 2.000 kilometra, duke përfshirë një pjesë të konsiderueshme të Europës Juglindore.

Raketat me rreze më të shkurtër, rreth 300–500 kilometra, mbuIojnë vendet fqinje të Iranit. Por unaza prej 1.300 kilometrash, ku përfshihet raketa Shahab-3, arrin deri në Mesdheun lindor, duke përfshirë Qipron dhe pjesë të Turqisë.

Unaza më e gjerë, deri në 2.000 kilometra, ku përfshihen raketat Sejjil, Ghadr dhe Khorramshahr, shtrihet thellë në territorin europian. Brenda kësaj rrezeje bien Greqia, Shqipëria, Bullgaria, Rumania dhe një pjesë e konsiderueshme e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, pjesë të Italisë jugore, Hungarisë, Sllovakisë dhe madje zona të Europës Qendrore rezultojnë brenda këtij perimetri teorik.

Sipas të dhënave të CSIS, Irani zotëron mijëra raketa balistike dhe cruise, duke e konsideruar arsenalin e tij si më të madhin në Lindjen e Mesme. Disa nga sistemet më të avancuara, si Khorramshahr-4, kanë rreze 2.000 kilometra dhe mbajnë koka luftarake të rënda, ndërsa përdorin motorë që reduktojnë kohën e përgatitjes për lëshim. Raketat Sejjil me karburant të ngurtë ofrojnë fleksibilitet operacional, ndërsa Ghadr-110 përmirëson kohën e reagimit krahasuar me versionet e mëparshme Shahab.

Harta e publikuar nga CSIS tregon qartë mbivendosjen e këtyre rrezeve, duke krijuar një zonë të gjerë ndikimi që përfshin instalime ushtarake, porte strategjike dhe aeroporte në Mesdheun lindor dhe në Europën Juglindore.

Në kontekstin e tensioneve aktuale dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj Qipros, zgjerimi i rrezes së konfliktit ka ngritur shqetësime të reja sigurie edhe për vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, të cilat ndodhen brenda perimetrit maksimal të raketave me rreze të gjatë të Iranit.

Arsenali iranian

Khorramshahr

Raketa Khorramshahr ka një rreze veprimi nga 1.000 deri në 2.000 kilometra dhe mund të mbajë një kokë luftarake me peshë deri në 1.800 kilogramë. Gjatësia e saj arrin 13 metra. Versioni më i fundit, Khorramshahr-4, u prezantua më 25 maj 2023. Sipas autoriteteve iraniane, kjo variantë ka rreze 2.000 kilometra kur mban një kokë prej 1.500 kilogramësh. Ajo përdor një motor më të avancuar me karburant të posaçëm, duke reduktuar kohën e përgatitjes për lëshim në rreth 12 minuta.

Sejjil

Sejjil është një raketë balistike me rreze të mesme që funksionon me karburant të ngurtë. Ky sistem u zhvillua për të zëvendësuar raketat Shahab me karburant të lëngshëm. Zhvillimi i Sejjil mendohet të ketë nisur në fund të viteve 1990, duke u mbështetur në përvojën e Iranit nga programet e mëparshme raketore. Përdorimi i karburantit të ngurtë redukton kohën e përgatitjes dhe rrit fleksibilitetin operacional.

Ghadr (Qadr-110)

Ghadr-110, i njohur edhe si Qadr-110, është një raketë balistike me rreze 1.800 deri në 2.000 kilometra. Irani e prezantoi për herë të parë publikisht gjatë një parade ushtarake për përvjetorin e luftës Iran–Irak. Ghadr konsiderohet një version i përmirësuar i Shahab-3A. Sipas vlerësimeve, ai kombinon një fazë të parë me karburant të lëngshëm dhe një fazë të dytë me karburant të ngurtë, duke arritur rreze deri në 1.500 kilometra në disa konfigurime.

Ghadr-110 ka kohë përgatitjeje rreth 30 minuta, më e shkurtër se ajo e Shahab-3, që kërkon disa orë. Raketa prodhohet në Iran, në kompleksin Hemmat Missile Industries.

Shahab-3

Shahab-3 është një familje raketash balistike me karburant të lëngshëm, e zhvilluar nga Irani dhe Garda Revolucionare, bazuar në teknologjinë e raketave nordkoreane Nodong-1/A dhe Nodong-B. Rrezja e tyre varion nga 1.000 deri në 2.000 kilometra, në varësi të variantit.

Sipas analizave të CSIS, kombinimi i këtyre sistemeve i jep Iranit një kapacitet goditës me shtrirje rajonale të gjerë. Në kontekstin e tensioneve aktuale në Lindjen e Mesme, rrezja e këtyre raketave vendos një pjesë të Mesdheut lindor dhe Europës Juglindore brenda potencialit të tyre operacional.