Kushtrim Kokalla, një prej të arrestuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, në dëshminë e tij ka treguar se Naim Murseli e ka lutur atë prej rreth një viti që të kryejë vrasjen e 30-vjeçares.
Ai ka treguar se Naim Murseli e kishte planifikuar edhe më herët vrasjen e gruas së tij dhe i kishte ofruar edhe para atij për ta përfunduar planin.
Por Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njëkohësisht edhe familjar i Naim Murselit, mohon të ketë pranuar këtë kërkesë të tij.
“Vlen të ceket se Naimi prej afër një viti mua më ka lutur që të e kryej këtë vrasje. Atëherë unë i kam thënë se nuk vjen në shprehje që të bëj këtë punë dhe mos më thuaj më asnjëherë”.
Ai ka pranuar se Naim Murseli dhe autori i dyshuar i vrasjes së Liridona Ademajt, Granit Plava, janë takuar përmes tij, por mohon që të ketë gisht në vrasjen e saj.