Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi ka tentuar të vrasë të dashurin e ish-partneres.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në via Galcianese, Prato, Itali. Shqiptari ka tentuar të vrasë 33-vjeçarin maroken duke e goditur me çekiç në kokë, por vetëm ndërhyrja e policisë parandaloi tragjedinë.
I plagosuri pasi u shpëtua nga policia dhe mjekët u dërgua në Careggi për t’iu nënshtruar një operacioni në kokë pasi gjendja e tij është serioze, por jo kërcënuese për jetën. Ndërkohë 36-vjeçari shqiptar, u arrestua nga policia me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.
Si shqiptari ashtu edhe marokeni janë banues në Prato dhe të ligjshëm. Sipas asaj që u rikonstruktua nga hetuesit, sulmi ishte i motivuar nga xhelozia e shqiptarit ndaj marokenit, i cili kishte nisur një lidhje me ish-partneren e tij. Fatmirësisht mëngjesin e djeshëm, pikërisht në momentin që po ndodhte sulmi, aty po kalonte një patrullë policie e cila arriti të ndërhynte në kohë.