Studiuesi Irakli Koçollari i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV foli për emigrimin për herë të parë të shqiptarëve-arvanitas në territoret e Greqisë, kryesisht Thesali dhe Peloponez në fillim të shekullit të 13-të. Studiuesi thotë se në një regjistrim të popullsisë në Peloponez, në vitin 1660 kishte 70% shqiptarë.
“Mbështetur në burimet ndërkombëtare fillimisht ato bizantine, të shkruara në greqisht, flasin edhe për emigrimet e para të shqiptarëve. Dokumentet janë të fillimisht të fundshekullit të 12-të dhe fillimi i shekullit të 13-të. Këto dokumente bizantine na bëjnë me dije për zbritje masive të shqiptarëve drejt territoreve të Greqisë kontinentale dhe ishullore. Flitet për zbritje të shqiptarëve nga Arbëria Jugore, Harta, Preveza, Gjirokastra, e deri nga Durrësi. Mund të ketë edhe më tej. Këto dokumente janë të pakontestueshme sepse përputhen me ato që gjejmë në terrenin kontinental grek. Ato flasin për zbritje nën kryesinë e plisave të famshme. Në këtë shekull ka lulëzim, dalje dhe shfaqje në territoret e Ballkanit, Evropë, por dhe më gjerë emra e princave, despotëve të parë shqiptarë, siç janë Gjoshajt, Mazarekat, Topiajt, Buajt, Shpatat. Të gjithë këta princa të famshëm fuqizohen dhe shfaqen në arenën politike dhe ushtarake të Ballkanit dhe në Evropë.
Në dokumentin bizantin thuhet: “Në zonën e Thesalisë (Volosi, Lamia) zbresin 10 mijë shqiptarë nga Malet e Pindeve, në Trikala. Kur zbresin aty territoret ishin të boshatisura.” Këto territore kanë qenë në Perandorinë Bizantine. Ka zbritje edhe në Peloponez, deri në Atikë ku është Athina. Edhe sot po të bëhet një kontroll pjesa me e madhe e emrave të fshatrave që mbulojnë krahinën e Athinës janë në shqip, Mandrra, Pusi i Thatë, Vlona, Mallakastra. Ashtu edhe në Peloponez.
Urdhrat bizantine në atë kohë thoshin: “Ju shqiptare që zbrisni nën kryesinë e Lioshëve, princit tuaj, nën kryesinë e Mazarekës, të vendoseni atje me kusht që të merrni nën mbrojtje tokat dhe kështjella që është atje. Ju zhvesh nga taksat, por me kushtin që juve duhet të merrni me ligj të drejtën për të mbrojtur atë kështjellë dhe të mbani kuaj lufte në gatishmëri.” Pra kishin detyrime ushtarake kryesisht. Veç Thesalisë ne kemi të dhëna edhe për zbritje të shqiptarëve në zonën e Peloponezit. Në një regjistrim të popullsisë të vitit 1660 rezulton që kishte më shumë popullsi shqiptare sesa greke, 70% ishin shqiptarë.”, thotë studiuesi në DritareTV./K.C/dritare.net