Ndotje masive në liqenin e Komanit, influencerja e njohur italiane publikon videon që po bën xhiron e rrjetit

Qindra turistë çdo ditë udhëtojnë me varkë nga diga e Liqenit të Komanit në drejtim të lumit të Shalës. Prej vitesh kjo zonë është një destinacion turistik i frekuentuar nga vizitorë vendas dhe të huaj. Rritja e fluksit të turistëve ka nxjerrë në pah dhe dokumentuar edhe një dukuri negative; ndotjen ekstreme të Liqenit të Komanit nga mbeturinat

Një blogere italiane Alessia Rizzelli, e cila ka vizituar Shqipërinë muajin e fundit, ka postuar një video tronditëse në rrjetet sociale. Në pamjet e publikuara në rrjetin TikTok, shihen pamjet skandaloze nga liqeni i Komanit, ku mbizotërojnë mbeturinat.

Në video dëgjohet turistja e cila hedh poshtë edhe pretendimin se “ndotja është krijuar nga turistët e papërgjegjshëm”, duke shtuar se “mes mbeturinave shihet edhe një frigorifer”.

Ajo shton se “për të kaluar me varkë në këtë pjesë, duhet të fikësh motorin, ose ndryshe rrezikon ta prishësh”.

Liqeni i Komanit prej javësh të tëra është pushtuar nga mbeturinat. Muaji korrik nisi me një fluks të lartë turistësh, që frekuentojnë lumin e Shalës, liqeni i Komanit nga stacioni ku nisen tragetet në drejtim në Lumin e Shalës e deri në vendmbërritje, është i ndotur tërësisht. Mbeturina të shumta kanë pushtuar sipërfaqen e këtij liqeni, një nga perlat e alpeve shqiptare. Kudo ndodhen mbeturinat, sidomos ato plastike, ndërkohë që dhjetëra anije dhe tragete udhëtojnë në këtë lum drejt liqenit të Shalës.

Prej javësh problematika e ndotjes së Liqenit të Komanit është bërë shqetësim, por pavarësisht përpjekjeve për pastrimin, situata vijon të mbetet alarmante në kulmin e sezonit turistik.

Të mahnitur nga bukuria e vendit, por të zhgënjyer nga ndotja, shprehen vizitorët e këtij liqeni.

Edhe pse denoncimet nga media dhe turistët nuk mungojnë, për pastrimin e Liqenit të Komanit nuk është marrë asnjë masë.

Turistja italiane: Liqeni i Komanit i ndotur nga mbeturinat