“Një përqafim popullit krenar shqiptar”, Salvini për Ermal Metën: I vlerësoj emigrantët që janë integruar

Zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini e vlerësoi publikisht artistin me origjinë shqiptare Ermal Meta, që konkurroi në Festivalin Sanremo 2026 me këngën “Stella Stellina”.

“E përgëzoj Ermal Metën dhe zotërimin e tij të përsosur të gjuhës italiane”, deklaroi Salvini, duke u përqendruar te rrjedhshmëria e këngëtarìt në italisht.

Por kjo deklaratë e Salvinit është parë si një gafë nga media italiane, e cila kujton muzikanti shqiptar është në Itali prej tridhjetë vitesh, që kur ka ardhur në Bari me nënën dhe motrën e tij, në moshën trembëdhjetë vjeçare.

Salvini më pas e zgjeroi diskutimin në temën e imigracionit: “Miliona gra dhe burra të lindur në vende të huaja dhe të integruar në mënyrë të përsosur në shoqërinë tonë jetojnë dhe punojnë në Itali”, vazhdoi zëvendëskryeministri.

“Unë i vlerësoj dhe i mirëpres ata. Gjithmonë i kam kundërshtuar emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët, dhe jam i sigurt se Ermal Meta e ndan këtë ndjenjë. Një përqafim popullit krenar shqiptar. Rroftë Sanremo, gjuha italiane dhe muzika italiane.”

Gjithçka nisi pas daljet para shtypit të këngëtarit që ka sjellë këtë vit në Festivalin e Sanremos këngën “Stella stellina”, kur, në pyetjen nëse vlerësonte një varfërim të gjuhës në tekstet e këngëve, ai u përgjigj: “Nuk di të them se çfarë do të jetë në të ardhmen, por sigurisht ka një varfërim të gjuhës. Nëse “Academia della Crusca” ka thënë se teksti më i mirë është ai i shkruar nga një emigrant, bëni vetë pyetje. Unë jam i huaj…”.

Nga salla e shtypit erdhi shakaja: “Mos ia thoni Salvinit”, dhe artisti iu përgjigj me ironi: “Le ta mos ia themi, se mund t’i ndodhë një emboli”. Eventualisht, Salvini ka ‘veshë’ edhe në Sanremo dhe lëshoi komunikatën e tij për shtyp.

Në konferencë, megjithatë, Ermal Meta kishte në zemër një mesazh tjetër, që është edhe ai i këngës së tij: “Sot të rriturit bëjnë shumë më shumë zhurmë se fëmijët – tha ai në konferencë për shtyp – dhe kjo është gjëja që më shqetëson. Kjo është një ‘heshtje’ që shpesh ia bëjmë vetes. Nuk mund të përdoren disa fjalë, nuk mund të thuash Gaza, nuk mund të thuash Palestina, si të ishte një blasfemi. Por blasfemia e vërtetë është diçka tjetër, është fakti që ato fshihen, kjo është blasfemia!”