Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti francez Emmanuel Macron shkëmbyen replika të ashpra pas një telefonate mes tyre lidhur konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Presidenti francez tha se kryeministri i Izraelit nuk duhet “të anashkalojë vendimet e OKB-së”, duke kujtuar se shteti i Izraelit është “krijuar” me një vendim të OKB.
“Z. Netanyahu nuk duhet të harrojë se vendi i tij u krijua nga një vendim i OKB-së”, tha Macron, duke iu referuar votimit të nëntorit 1947 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi planin për ndarjen e Palestinës në një shtet hebre dhe shtet arab. “E tani po anashkalon rezolutat e OKB-së,” vazhdoi ai, duke komentuar ndërhyrjen tokësore të forcave izraelite në Libanin jugor, ku është vendosur forca paqeruajtëse UNIFIL.
Macron, i cili ka bërë thirrje për të ndaluar eksportin e armëve në Izrael për përdorimin e tyre në Gaza dhe Liban, paralajmëroi se nuk është koha për të injoruar vendimet e OKB-së.
Pavarësisht kritikave ndërkombëtare dhe thirrjeve për armëpushim, Izraeli vazhdon ofensivën si në Gaza ashtu edhe në Liban.
Franca gjithashtu ka dënuar zjarrin izraelit kundër paqeruajtësve të OKB-së në Libanin jugor.
Netanyahu pretendon se Hezbollahu po përdorte objektet dhe pozicionet e UNIFIL si mbulesë për të nisur sulmet ndaj Izraelit. Të dielën, ai i bëri thirrje shefit të OKB-së Antonio Guterres që të dërgojë paqeruajtësit në siguri “menjëherë”.
Përgjigja e Netanyahut
Kryeministri izraelit iu përgjigj komentit të presidentit francez, duke i thënë se krijimi i Izraelit ishte rezultat i “luftës së pavarësisë” të vitit 1948 dhe jo një vendim i OKB-së.
“Një kujtim për presidentin e Francës: nuk ishte rezoluta e OKB-së që krijoi shtetin e Izraelit, por fitorja e arritur në luftën e pavarësisë, me gjakun e luftëtarëve heroikë, shumë prej të cilëve ishin të mbijetuar të Holokaustit…”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.
Në bisedën telefonike mes dy liderëve, Netanyahu tha gjithashtu se ai kundërshtoi një “armëpushim të njëanshëm” në Liban sepse “nuk do të ndryshonte situatën e sigurisë”.