Trump bisedë telefonike me Vladimir Putin për 75 minuta: Nuk pritet paqe e afërt! Rusia gati të reagojë ndaj Ukrainës për sulmet në aeroporte! Iranit po i mbaron koha…

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur përmes një postimi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, që ka zgjatur rreth një orë e 15 minuta. Temat kryesore të diskutimit ishin sulmet e fundit në Ukrainë, përfshirë goditjet ndaj bazave ushtarake ruse, si dhe programi bërthamor i Iranit.

Trump e përshkroi bisedën si “të mirë”, por sqaroi se nuk bëhet fjalë për një diskutim që mund të çojë në paqe të afërt. Sipas tij, presidenti Putin shprehu me tone të ashpra vendosmërinë për të reaguar ndaj sulmeve ndaj aeroporteve ruse, të cilat i cilësoi si të papranueshme.

Trump: “Iranit po i mbaron koha” për çështjen bërthamore

Në vijim të bisedës, dy liderët diskutuan edhe mbi tensionet rreth programit bërthamor iranian. Trump deklaroi se i ka bërë të qartë Putinit se Irani nuk duhet të lejohet të prodhojë armë bërthamore. “Besoj se jemi në një mendje për këtë çështje,” theksoi ai.

Putin, sipas Trump, është shprehur i gatshëm të marrë pjesë në konsultime për të ndikuar në zgjidhjen e shpejtë të kësaj krize, ndërsa Trump akuzoi udhëheqësit iranianë se po vonojnë me qëllim vendimin e tyre, duke theksuar se është urgjente të merret një qëndrim përfundimtar.

Ngjarje tragjike, 65-vjeçari goditet për vdekje nga rrufeja

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në fshatin Qinam të Ersekës, ku një banor është goditur nga rrufeja.

Sipas informacioneve paraprake, viktima dyshohet të jetë një 65-vjeçar me inicialet A.A., i cili ka ndërruar jetë në vend si pasojë e goditjes fatale.

Policia lokale është nisur drejt vendngjarjes për të kryer hetimet e nevojshme.

Ersekë/Informacion paraprak

Rreth orës 18:30, në fshatin Qinam, Ersekë, dyshohet se si pasojë e goditjes nga rrufeja, ka ndërruar jetë shtetasi A. A., 66 vjeç, i cili ishte duke punuar në tokën në pronësi të tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.

Zbardhet VKM/ Trajtim me ushqim, pagesë e 1 vit kontratë pune në shtet, qeveria miraton Programin Kombëtar të Punës

Në Shqipëri do të nisë zbatimin shumë shpejt Programi Kombëtar i Praktikave të Punës në administratën shtetërore dhe institucionet publike. Sipas këtij programi, që u miratua në mbledhjen e sotme të qeverisë, parashikohet që cdo vit, të trajnohen 600 të rinj dhe vetëm 250 prej tyre do të kualifikohen për punësim sipas klasifikimit nga institucionet përkatëse.

Programi parashikon 3 muaj trajnim dhe 1 vit punësim me kontratë. Praktika dhe viti i kontratës do njihen edhe si vjetërsi pune. Propozimi u bë nga ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, bazuar në Nenin 100 të Kushtetutës.

Ky vendim përmban 8 nene të veçanta, ku bien në sy ato që kanë të bëjnë me kriteret, normat, numrin e të rinjve që do kualifikohen, trajtimin e tyre financiar ditor dhe punësimin në administratë, sipas kërkesave dhe hapësirave. Qëllimi është përfshirja në një eksperiencë dhe integrim i të rinjve profesionistë në administratën publike, qëndrore dhe vendore. Në nenin nr. 2 parashikohen edhe kriteret, ku veçohen mosha 21-29 vjeç, i diplomuar, të mos ketë qenë pjesë e programit më parë apo i punësuar në institucione:

“Kriteret, që duhet të plotësojë aplikanti për t’u bërë pjesë e këtij programi, janë, si më poshtë vijon- Të jetë i ri nga mosha 21 deri në 29 vjeç;

Të jetë diplomuar në një program studimi të ciklit të parë apo të ciklit të dytë, të ofruar nga një institucion i arsimit të lartë;

Të mos ketë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme;) Të mos ketë qenë i punësuar në institucionet e administratës shtetërore apo institucione të tjera publike në të shkuarën, me përjashtim të punësimit si punonjës administrativ”.

Shpenzimet i heq të gjitha buxheti i shtetit dhe pagesa ditore do të jetë 500 lekë, kurse të rinjtë do të kenë edhe trajtim me ushqim.

Në Nenin nr. 5 parashikohen edhe numri i kursantëve që do trajnohen dhe trajtimi i tyre.

“Numri i praktikantëve, që përfshihen në periudhën 3 (tre)-mujore të praktikës në kuadër të thirrjes vjetore të Programit Kombëtar të Praktikave të punës, në çdo rast, nuk është më shumë se 600 (gjashtëqind) praktikantë.

Gjatë periudhës së kryerjes së praktikës, praktikanti përfiton: trajtim ushqimor në formën e kompensimit financiar; trajnim në kuadër të një programi të posaçëm trajnimi pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (referuar në vijim ASPA).

Vlera ditore e kompensimit financiar është 500 (pesëqind) lekë dhe i akordohet praktikantit për çdo ditë praktike të kryer prej tij. Pagesa e kompensimit financiar kryhet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, e cila programon në buxhetin e saj fondet e nevojshme për këtë qëllim”, theksohet në vendim.

Por jo të gjithë do të jenë përfitues të punësimit 1-vjeçar në fund të programit. Në nenin nr. 6 parashikohet se në përfundim të periudhës 3-mujore të praktikës, deri në 250 nga praktikantët e thirrjes vjetore përzgjidhen nga institucionet ku kanë kryer praktikën për t’u punësuar me kontratë.

Nga këta: deri në 200 praktikantë për institucionet e administratës shtetërore, deri në 50 praktikantë për institucionet e tjera publike.

Praktikanti duhet të ketë mbyllur me sukses programin e ASPA-s dhe përzgjedhja bëhet nga secili institucion, bazuar në performancë. Klasifikimi i këtyre të rinjve nuk bëhet më lartë se kategoria spceialist i nivelit IV-3.

Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:

“MIRATIMIN E PROGRAMIT KOMBËTAR TË PRAKTIKAVE TË PUNËS NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE DHE INSTITUCIONET E TJERA PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 14/2, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Ky vendim ka si objekt miratimin e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në Administratën Shtetërore, në nivel qendror dhe vendor, dhe institucionet e tjera publike për profesionistë të rinj (në vijim referuar si “Programi Kombëtar i Praktikave të Punës”).

Neni 2

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës synon të përfshijë pjesëmarrësit në një eksperiencë pune të integruar e në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale e të shprehive të tyre praktike në njohje me sistemin administrativ publik.

Kriteret, që duhet të plotësojë aplikanti për t’u bërë pjesë e këtij programi, janë, si më poshtë vijon:

a) Të jetë i ri nga mosha 21 deri në 29 vjeç;

b) Të jetë diplomuar në një program studimi të ciklit të parë apo të ciklit të dytë, të ofruar nga një institucion i arsimit të lartë;

c) Të mos ketë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme;

ç) Të mos ketë qenë i punësuar në institucionet e administratës shtetërore apo institucione të tjera publike në të shkuarën, me përjashtim të punësimit si punonjës administrativ, në kuptim të shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, për çdo thirrje vjetore, përbëhet nga:

a) periudha 3 (tre)-mujore e praktikës;

b) periudha 1 (një)-vjeçare e punësimit me kontratë.

Periudha 3 (tre)-mujore e praktikës dhe periudha 1 (një)-vjeçare e punësimit me kontratë në kuadër të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës njihen si përvojë pune gjatë procedurave të rekrutimit në institucionet e administratës publike.

REALIZIMI I PROGRAMIT DHE TRAJTIMI I PRAKTIKANTËVE

Neni 3

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës realizohet nga ministria përgjegjëse për rininë, e cila mbështetet nga institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike që ofrojnë gatishmëri për pranimin e praktikantëve. Ministria përgjegjëse për rininë kryen rolin e sekretariatit teknik të programit për koordinimin ndërinstitucional.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës realizohet për çdo thirrje vjetore, sipas planveprimit dhe metodologjisë së përcaktuar në lidhjen 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Shpallja e thirrjes vjetore dhe procesi i aplikimit për profesionistët e rinj realizohet përmes platformës zyrtare elektronike të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, që administrohet nga ministria përgjegjëse për rininë.

Neni 4

Institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e tjera publike, që mbështesin këtë program, përcaktojnë numrin e praktikantëve të kërkuar dhe profilin e tyre.

Të gjitha institucionet pjesëmarrëse në këtë program kanë për detyrë të përcaktojnë 1 (një) person kontakti, i cili është përgjegjës për:

a) dorëzimin pranë ministrisë përgjegjëse për rininë të numrit të praktikantëve për çdo thirrje;

b) krijimin e kushteve të nevojshme për mbarëvajtjen e programit;

c) komunikimin me ministrinë përgjegjëse për rininë;

ç) koordinimin e pjesëmarrjes së praktikantëve në programin e posaçëm të trajnimit;

d) përcjelljen pranë ministrisë përgjegjëse për rininë të listës emërore të praktikantëve që përfshihen në thirrjen vjetore të programit, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga nënshkrimi i marrëveshjes për zhvillimin e praktikës 3 (tre)-mujore dhe nënshkrimi i kontratës 1 (një)-vjeçare të punës.

Për institucionet e administratës publike, pjesë të shërbimit civil, personi i kontaktit duhet të jetë nëpunës civil i konfirmuar. Për institucionet e tjera, ai duhet të ketë eksperiencë pune të paktën 3 (tre) vjet.

Të gjitha institucionet pjesëmarrëse në këtë program kanë për detyrë të caktojnë 1 (një) mbikëqyrës për çdo praktikant të pranuar.

Mbikëqyrësi i praktikantit ka përgjegjësitë e mëposhtme:

a) Të përcaktojë detyrat dhe angazhimet për praktikantin;

b) Të mbikëqyrë, të këshillojë dhe të udhëzojë praktikantin gjatë realizimit të detyrave të dhëna;

c) Të vlerësojë performancën e praktikantit gjatë praktikës;

ç) Të përgatisë vlerësimin përfundimtar për praktikantin;

d) Të gjykojë për arsyet e përfundimit të programit nga ana e praktikantit në rast shkeljeje të marrëveshjes midis institucionit dhe praktikantit.

Për institucionet e administratës publike, pjesë të shërbimit civil, mbikëqyrësi i praktikantit duhet të jetë nëpunës civil i konfirmuar. Për institucionet e tjera, ai duhet të ketë eksperiencë pune të paktën 2 (dy) vjet.

Neni 5

Numri i praktikantëve, që përfshihen në periudhën 3 (tre)-mujore të praktikës në kuadër të thirrjes vjetore të Programit Kombëtar të Praktikave të punës, në çdo rast, nuk është më shumë se 600 (gjashtëqind) praktikantë. Gjatë periudhës së kryerjes së praktikës, praktikanti përfiton:

a) trajtim ushqimor në formën e kompensimit financiar;

b) trajnim në kuadër të një programi të posaçëm trajnimi pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (referuar në vijim ASPA).

Vlera ditore e kompensimit financiar të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, është 500 (pesëqind) lekë dhe i akordohet praktikantit për çdo ditë praktike të kryer prej tij. Pagesa e kompensimit financiar kryhet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, e cila programon në buxhetin e saj fondet e nevojshme për këtë qëllim.

Me qëllim kryerjen e pagesës së kompensimit financiar:

a) ministritë koordinojnë me institucionet e sistemit të tyre ministror për mbledhjen e listëprezencave mujore me numrin e ditëve efektive të praktikës së kryer nga çdo praktikant i angazhuar në këto institucione dhe me të dhënat e përditësuara të llogarive bankare të praktikantëve dhe i raportojnë ato pranë Agjencisë Kombëtare të Rinisë, brenda datës 5, të muajit pasardhës;

b) institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore raportojnë drejtpërdrejt pranë Agjencisë Kombëtare Rinisë brenda datës 5 (pesë), të muajit pasardhës, të njëjtat të dhëna të përcaktuara në shkronjën “a”, të kësaj pike, për praktikantët pranë institucioneve të tyre.

Agjencia Kombëtare e Rinisë përllogarit shumën e kompensimit financiar mbi bazë mujore dhe e transferon atë në llogarinë bankare të praktikantit, në një bankë të nivelit të dytë.

Programi i posaçëm i trajnimit sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, hartohet nga ASPA, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për rininë, bazuar në vlerësimin e njohurive e të kapaciteteve të nevojshme për angazhimin e profesionistëve të rinj pranë institucioneve të administratës shtetërore. Pjesëmarrja në programin e trajnimit përfshihet në vlerësimin përfundimtar të praktikantit.

Programi i posaçëm i trajnimit të praktikantëve zhvillohet, në përputhje me rregullat dhe procedurat e ndjekura nga ASPA. Praktikanti pajiset me certifikatën e trajnimit, me përfundimin e suksesshëm të programit të trajnimit.

Pagesa për pjesëmarrjen e çdo praktikanti në programin e posaçëm të trajnimit përllogaritet, në bazë të tarifës së miratuar për përgatitjen paraprake të kandidatëve për të marrë pjesë në konkurrimin e hapur për kategorinë ekzekutive dhe kryhet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë në bazë të faturës së lëshuar nga ASPA.

Neni 6

Në përfundim të periudhës 3 (tre)-mujore të praktikës, deri në 250 (dyqind e pesëdhjetë) nga praktikantët e thirrjes vjetore të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës përzgjidhen nga institucionet ku kanë kryer praktikën për t’u punësuar me kontratë pune 1 (një)-vjeçare.

Përzgjedhja e praktikantëve të thirrjes për efekt të punësimit me kontratë pune 1 (një)-vjeçare është, si më poshtë vijon:

a) deri në 200 (dyqind) praktikantë për institucionet e administratës shtetërore;

b) deri në 50 (pesëdhjetë) praktikantë për institucionet e tjera publike.

Praktikanti për t’u punësuar me kontratën 1 (një)-vjeçare të punës duhet të ketë përmbyllur me sukses praktikën 3 (tre)-mujore dhe programin e trajnimit pranë ASPA-s.

Përzgjedhja e praktikantëve kryhet nga secili institucion pjesëmarrës, bazuar në vlerësimin e performancës së tyre në praktikën 3 (tre)-mujore.

Ministria përgjegjëse për rininë administron procesin e punësimit të praktikantëve në thirrjen vjetore për institucionet e administratës shtetërore dhe për institucionet e tjera publike, bazuar në kërkesat e institucioneve për punësimin e praktikantëve dhe numrin e praktikantëve që kanë kryer me sukses periudhën 3 (tre)-mujore të praktikës.

Ministria përgjegjëse për rininë dërgon në ministrinë përgjegjëse për financat numrin e praktikantëve që do të punësohen në çdo institucion të administratës shtetërore dhe institucion tjetër publik, në kuadër të këtij programi për çdo vit buxhetor. Ministria përgjegjëse për financat njofton degët e thesarit për numrin e praktikantëve që do të paguhen brenda fondeve të miratuara për institucionin përkatës në ligjin vjetor të buxhetit.

Praktikantët e punësuar, për efekt pagese, klasifikohen jo më lart se niveli i specialistit të kategorisë IV-3.

Fondet e nevojshme financiare për punësimin 1 (një)-vjeçar përballohen nga fondet e buxhetit, të miratuara për secilin institucion për shpenzimet e personelit, për vitin përkatës.

III. DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 7

Në përfundim të çdo thirrjeje, ministria përgjegjëse për rininë raporton pranë Departamentit të Administratës Publike të dhënat për çdo praktikant, që ka kryer me sukses periudhën 3 (tre)-mujore të praktikës dhe për çdo praktikant të punësuar me kontratë pune 1 (një)-vjeçare.

Vendimi nr.395, datë 29.4.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera publike”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 8

Ngarkohen ministria përgjegjëse për rininë, Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Rinisë, Departamenti i Administratës Publike, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike dhe të gjitha institucionet e administratës publike, të përfshira në program, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Në temperatura të larta, mbi 1.4 milionë besimtarë myslimanë nisin pelegrinazhin e Haxhit në Mekë

Besimtarët myslimanë nga e gjithë bota kanë filluar pelegrinazhin e Haxhit, një nga pesë shtyllat themelore të fesë islame. Më shumë se 1.4 milionë besimtarë janë mbledhur tashmë në qytetin e shenjtë të Mekës për të kryer ritualet fetare të këtij udhëtimi të shenjtë.

Edhe pse Haxhi është një detyrim që duhet përmbushur të paktën një herë në jetë nga çdo mysliman që ka mundësi financiare dhe është fizikisht i aftë, shumë nuk duan të presin gjatë për ta përjetuar këtë moment të rëndësishëm shpirtëror.

Megjithatë, për shkak të kapacitetit të kufizuar, vendet myslimane kanë vendosur kuota dhe lista pritjeje që zgjasin dekada. Në Indonezi, për shembull, mbi 5.4 milionë njerëz janë në pritje për të kryer Haxhin dhe ky numër rritet çdo vit.

Për të menaxhuar fluksin e lartë të kërkesave, disa qeveri kanë vendosur masa kufizuese. India, përmes komitetit kombëtar të Haxhit, ndalon aplikimet nga ata që e kanë përmbushur më parë këtë detyrim fetar, përveç rasteve të veçanta si shoqërimi i të moshuarve.

Përveç sfidave logjistike, pelegrinazhi është përballur vitet e fundit edhe me vështirësi të shkaktuara nga temperaturat ekstreme, pasi shumica e ritualeve kryhen në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Postoi komente negative për Islamin, rrëmbehet në mes të ditës biznesmeni

Sipërmarrësi 39-vjeç i teknologjisë, Areg Shchepikhin, i cili postoi komente kritike në rrjetet sociale për çeçenët dhe Islamin, u rrëmbye në mes të ditës nga një stacion hekurudhor në qendër të Moskës të martën.

Videot e shpërndara në rrjetet sociale treguan disa burra me mjekra të veshur me kostume duke e çuar Shchepikhin jashtë hollit të stacionit Yaroslavsky në bagazhin e një SUV-i përpara se të largoheshin me makinë, ndërsa dëshmitarët dhe personeli i sigurisë shikonin.

Policia e Moskës tha se njësia e saj e transportit kishte nisur një hetim mbi videot që tregonin “akte të paligjshme kundër personit”. Në postimin e së hënës në Instagram me fjalë të ashpra, Shchepikhin sulmoi çeçenët dhe Islamin, duke thënë: “E kam ndyrë Allahun tënd, Kuranin tënd dhe gjithçka që e konsideron të shenjtë”.

Kanali Telegram Baza, i cili pretendon të ketë lidhje me shërbimet e sigurisë të Rusisë, pretendoi se Shchepikhin u rrëmbye “minuta pasi” postoi një nga videot e tij të fundit, të cilat, sipas tij, mund t’u kenë lejuar rrëmbyesve të dyshuar të identifikonin vendndodhjen e tij.

Një tjetër kanal në Telegram, Shot, raportoi se autoritetet ndaluan SUV-in në të cilin ishte vendosur Shchepikhin, por se ai nuk ishte më në automjet. Sipas Shot, tre nga rrëmbyesit e dyshuar u identifikuan para oficerëve të policisë si “anëtarë aktivë të Gardës Kombëtare që po kryenin një procedurë operative”.

Tymi i zjarreve në Kanada, mbulon 1/3 e SHBA-ve! Alarmohen qytetarët

Kanadaja po përballet me zjarre të fuqishme prej disa ditësh. Tre provinca kanadeze janë përfshirë nga flakët, dhe janë aktive më shumë se 212 vatra zjarri, gjysma e të cilave jashtë kontrollit.

Por tymi i shkaktuar nga zjarret e mëdha në Kanada, ka mbuluar 1/3 e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke krijuar probleme me cilësinë e ajrit.

Ndikimi është minimal, përveç se në disa zona të shtetit të Nju Jorkut, New England dhe Massachusetts. Ndërsa në zonat e tjera, tymi është në atmosferën e sipërme dhe nuk përbën shumë problem për cilësinë e ajrit, sipas meteorologëve nga Qendra e Shërbimit të Motit në SHBA.

“Por ka probleme në Nju Jork dhe Connecticut ku tymi është më i dendur dhe është në atmosferën e poshtme”, tha meteorologu Mark Chenard.

Më të prekurit nga ajri i rënduar do të jenë fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. Megjithëse, sipas ekspertëve, të gjithë do të preken në një farë mënyre.

Ditën e sotme, ajri më i rënduar ishte në Massachusetts, për shkak të tymit që vinte nga Kanadaja.

Shkatërruan flotën e bombarduesve të Putinit, zbardhen detaje për çiftin që fshihet pas sulmit

Një sulm i sofistikuar ukrainas tronditi strukturat ushtarake të Rusisë, duke shkatërruar një të tretën e bombarduesve të saj strategjikë në një operacion të koduar “Rrjeta e Merimangës”.

Moska fajëson për sulmin një ish-DJ ukrainas, tashmë i shpallur në kërkim si spiun dhe organizator kryesor i sulmit më të madh brenda territorit rus. Operacioni i ndodhur të dielën e 1 qershorit, u zhvillua në katër baza ajrore, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale për Kremlinin. I akuzuari kryesor është Artem Timofeev, 37 vjeç, një ukrainas i zhvendosur prej vitesh në qytetin rus të Chelyabinsk, i cili dyshohet se ka përdorur biznesin e tij të transportit për të fshehur dronët kamikazë brenda kamionëve.

Sipas mediave ndërkombëtare dhe burimeve pro-Kremlinit, shoferët që po kryenin transportin nuk ishin në dijeni të dronëve që po transportonin. Kamionët përmbanin dhjetëra dronë të telekomanduar, të cilët u lëshuan në mënyrë të koordinuar në afërsi të bazave ajrore strategjike ruse.

Si e dyshuar për përfshirje në sulm raportohet gjtihashtu edhe gruaja e Artem, Ekaterina Timofeeva. 

Sulmi shkatërroi 41 bombardues, një të tretën e flotës ajrore bërthamore të Putinit dhe i shkaktoi Rusisë humbje të vlerësuara në 7 miliardë dollarë. Hetuesit rusë pretendojnë se Artemi dhe bashkëshortja e tij, Ekaterina Timofeeva, një autore romanesh erotike, janë të lidhur me operacionin dhe kanë ndihmuar në organizimin e logjistikës.

Imazhet satelitore pas sulmit konfirmojnë shkatërrimin e mjeteve ajrore në baza si ajo në Belaya, ku shoferët u urdhëruan të parkonin në pika strategjike dhe më pas të largoheshin. Nga aty, dronët u ngritën në qiell dhe filmuan vetë momentin e goditjeve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi operacionin si “historik” dhe deklaroi se të gjithë personat e përfshirë janë tashmë të sigurt, duke shtuar se sulmi ishte rezultat i 18 muajsh planifikimi të fshehtë.

Ndërkohë, Rusia nuk ka konfirmuar arrestime zyrtare, por kërkimi për Artemin vazhdon, ndërsa mbetet i paqartë vendndodhja e tij aktuale. Operacioni “Rrjeta e Merimangës” tregon jo vetëm sofistikimin e strukturave të inteligjencës ukrainase, por edhe cenueshmërinë në rritje të infrastrukturës ushtarake ruse në zemër të territorit të saj.

FSHF nuk dha bileta për tifo-grupet, mijëra shqiptarë mblidhen në Shkup: Zemrën kuq e zi nuk e ndal askush!

Tifogrupi shqiptar, “Shvercerat”, kanë njoftuar për organizim unik në Shkup. Pasi kanë mbetur pa bileta për ndeshjen kundër Serbisë, si të gjithë grupimet e tjera, kanë vendosur që të mblidhen në sheshin e qytetit të tyre.

Të gjithë sytë janë te e shtuna ku në orën 20:45, Shqipëria do të presë për herë të parë Serbinë në Tiranë. Kjo ndeshje është e vlefshme për kualfikueset e Botërorit 2026.

Njoftimi i Shvercerave:

“FSHF NA PENGON POR ZEMRËN KUQEZI S’MUND TA NDAL ASKUSH! SHVERCERAT E KANË FJALËN E SHTUNA ËSHTË E JONA!  Të shtunën, në ora 20:45, krejt në Sheshin Skënderbeu SHKUP, e ndezim atmosferën për Kombëtaren tonë! Ata na duan të ndarë ne u tregojmë që kudo që ka shqiptarë, ka një Shqipëri!

Nuk na ndalin dot me bileta, me rregulla, me urdhra! Ne jemi zëri i tribunes që s’humb kurrë – jemi Shvercerat, jemi Kuqezi, jemi Shqipëria e vërtetë! MOS MUNGO O JE ME KOMBIN, O JE KUNDËR TIJ!  Aktiviteti organizohet nga tifo grupi “Shvercerat” dhe përkrahet nga Komuna e Çairit. Një Komb, Një Zë, Një Flamur!”

FSHF nuk dha bileta për tifo-grupet, mijëra shqiptarë mblidhen

Reshjet dhe stuhitë në Slloveni shkaktojnë dëme të shumta, breshëri sa një top tenisi (Foto)

Raportohet se janë dëmtuar banesa, mjete të ndryshme dhe të mbjellat janë shkatërruar krejtësisht. Një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me erë të fortë dhe breshër të dendur, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të Sllovenisë. Zonat më të prekura janë fshatrat Lucova, Adrijanci, Shulinci dhe Zgornji Petrovci.

Kryetari i komunës së Gornji Petrovci, Franc Shlihtuber, ka apeluar për ndihmë të menjëhershme, duke nënvizuar se komuna nuk ka mundësi t’i përballojë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore pa mbështetje shtesë. Sipas tij, breshëri ishte aq i dendur, sa në disa pjesë është dashur të përdoren mjete të rënda për pastrimin e rrugëve.

Në disa vende, kokrrat e breshrit kanë qenë sa topat e tenisit, duke shkaktuar dëmtime në çati dhe automjete. Agjencia Sllovene për Mbrojtjen e Mjedisit (ARSO) ka njoftuar për reshje të shumta breshëri në këtë rajon, ndërsa Meteoinfo Slovenia ka raportuar për stuhi të shoqëruara me erëra të forta dhe shumë vetëtima. Dëmet e shkaktuara janë të dukshme edhe në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/StormchasersSlovenija/posts/1230204249115036?ref=embed_post

E frikshme: Fakulteti i Bujqësisë përfshihet nga flakët, nis me shpejtësi evakuimi i studentëve

Një zjarr i fuqishëm shpërtheu pak pas orës 10:00 në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Tuscias në Viterbo.

Flakët, që filluan nga çatia gjatë punimeve, u përhapën shpejt, duke rrezikuar laboratorët e kimisë dhe gjenetikës ku ruheshin substanca shumë të ndezshme, përfshirë 500 litra cilindra me etanol dhe azot.

Si pasojë, studentët, mësuesit dhe stafi u evakuan menjëherë nga ambientet e universitetit, ndërsa u krijua një kordon sigurie me rreze 500 metrash, duke përfshirë edhe një hotel pranë zonës së zjarrit. Njësitë e zjarrfikësve, me ndihmën e forcave të specializuara të ushtrisë, po punojnë intensivisht për fikjen e flakëve.

Bashkia e Viterbos i ka bërë apel banorëve të mos i afrohen zonës së operacioneve dhe të mbajnë dritaret e shtëpive të mbyllura në një rreze prej një kilometri për shkak të tymit të dendur që është i dukshëm nga shumë pika të qytetit. Policia lokale ka bllokuar rrugët hyrëse në vendin e ngjarjes për të siguruar mbarëvajtjen e ndërhyrjeve.

Situata vijon të monitorohet nga afër, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për shkaqet e zjarrit dhe dëmet e shkaktuara.