Prokurori i Stambollit lëshon urdhër-arresti për Netanyahun

Urdhër-arresti është lëshuar për një total prej 37 personash, përfshirë ministrin e Mbrojtjes izraelite dhe Shefin e Forcave të Armatosura…

Turqia ka lëshuar urdhër-arreste për akuza për gjenocid kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve të lartë brenda qeverisë së tij.

Midis 37 të dyshuarve të listuar ishin ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe shefi i ushtrisë, gjenerallejtënant Eyal Zamir, thuhet në një deklaratë nga zyra e prokurorit të Stambollit, e cila nuk e publikoi listën e plotë.

Turqia i ka akuzuar zyrtarët për “gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, të cilat Izraeli i ka “kryer sistematikisht” në Gaza.

Sipas dokumentit të prokurorit turk, Izraeli ka kryer sistematikisht krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, duke rezultuar në vdekjen e mijëra njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë, mijëra të tjerë janë plagosur, dhe shtëpitë dhe objektet janë bërë të pabanueshme.

Deklarata i referohet gjithashtu “spitalit të miqësisë turko-palestineze”, të ndërtuar nga Turqia në Rripin e Gazës dhe të bombarduar nga Izraeli në mars.

Në të njëjtën kohë, Prokuroria e Stambollit hapi një hetim ex officio për krimet e kryera kundër individëve që morën pjesë në flotiljen që transportonte ndihma humanitare për në Gaza.

Duke kujtuar se 6-vjeçarja Hind Rajab u vra me 335 plumba nga ushtarët izraelitë më 29 janar 2024, deklarata thekson: “që nga 7 tetori 2023, veprime të tilla kanë vazhduar të përshkallëzohen çdo ditë. Sulmi i 17 tetorit 2023 në Spitalin Baptist Al-Ahli mori 500 jetë; më 29 shkurt 2024, ushtarët izraelitë shkatërruan qëllimisht pajisjet mjekësore; më 21 mars 2025, spitali i miqësisë turko-palestineze u bombardua; shumë objekte të tjera shëndetësore u sulmuan gjithashtu në mënyrë të ngjashme; Gaza u vu nën bllokadë dhe viktimave iu mohua qasja në ndihmë humanitare”.

Deklarata vuri në dukje se kjo situatë tërhoqi vëmendjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare dhe se aktivistët në bordin e Flotiljes Global Sumud ishin nisur drejt Gazës për të shpërndarë ndihmë humanitare, por u sulmuan nga marina izraelite në ujërat ndërkombëtare.

Ai shtoi se një hetim ex officio ishte nisur për këtë sulm sipas neneve 12 dhe 13 të Kodit Penal Turk, nenit 15 të Kodit të Procedurës Penale dhe dispozitave të Konventës së OKB-së mbi Ligjin e Detit, për krimet e “torturës”, “plaçkitjes së rënduar”, “dëmtimit të pronës”, “privimit të lirisë” dhe “rrëmbimit ose ndalimit të automjeteve të transportit”.

Në deklaratë thuhet se personat e ndaluar nga Izraeli u dërguan në Turqi me avion më 4, 7, 9 dhe 10 tetor, ku iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore dhe psikologjike në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Stambollit dhe raportet iu dorëzuan zyrës së prokurorit.

“Zyra jonë e Kryeprokurorit Publik mori deklaratat e individëve në cilësinë e viktimave dhe ankuesve, dhe letra iu dërguan Drejtorisë së Sigurisë Provinciale të Stambollit dhe Organizatës Kombëtare të Inteligjencës me qëllim zbulimin e së vërtetës materiale dhe identifikimin e individëve me përgjegjësi penale në incident gjatë hetimit”, tha zyra.

Gjatë hetimit, përfaqësuesit ligjorë të viktimave paraqitën gjithashtu kërkesa në prokurori në lidhje me procesin, dhe Shoqata e Avokatëve Nr. 2 e Stambollit ngriti një padi penale të premten, thuhet në deklaratë.

“Në dritën e provave të marra, është përcaktuar se zyrtarët shtetërorë izraelitë mbajnë përgjegjësi penale për aktet sistematike të ‘krimeve kundër njerëzimit’ dhe ‘gjenocidit’ të kryera në Gaza, si dhe për veprimet e kryera kundër Flotës Globale Sumud”, shtoi ajo.

“U përcaktua se të dyshuarit nuk mund të arrestoheshin pasi ata aktualisht nuk ndodhen në Turqi. Me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik, më 7 nëntor 2025, Gjykata Penale e Paqes në Stamboll lëshoi ​​urdhër-arreste për 37 të dyshuar, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Yisrael Katz, ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, shefin e Shtabit të Përgjithshëm Eyal Zamir dhe komandantin e Marinës David Saar Salama, me akuzat për “krime kundër njerëzimit” sipas nenit 77 dhe “gjenocid” sipas nenit 76 të Kodit Penal Turk”, njoftoi zyra e Prokurorit.

Në deklaratë shtohet se hetimi po kryhet me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Vitin e kaluar, Turqia iu bashkua çështjes së Afrikës së Jugut, e cila akuzonte Izraelin për gjenocid, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë .

Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi në territorin e shkatërruar palestinez që nga 10 tetori, si pjesë e planit rajonal të paqes të Donald Trump. 

Zbulohet misteri i qenve blu të Çernobilit

Një ekspert ukrainas i ka dhënë fund spekulimeve rreth një videoje që tregon një qen blu që endet në zonën e kontaminuar të katastrofës bërthamore të Çernobilit, në Ukrainën veriore.

“Ky është absurditet”, u tha Serhiy Kireev gazetarëve në Çernobil.

Kireev, i cili drejton kompaninë shtetërore përgjegjëse për monitorimin e zonës, ”Ecocenter”, konfirmoi se ”nuk ka qen blu në Ukrainën veriore”.

”Qentë janë sterilizuar për të frenuar shumimin e tyre. Ngjyra blu tregon se cilat kafshë i janë nënshtruar procedurës”, shpjegoi ai.

“Ngjyra është e padëmshme për këta qen”, tha Kireev.

Zbulohet misteri i qenve blu të Çernobilit

Pamjet e disa qenve blu kishin qarkulluar gjerësisht në mediat ndërkombëtare, duke nxitur spekulime rreth efekteve të kontaminimit radioaktiv të zonës.

Shpërthimi i një reaktori bërthamor në termocentralin e Çernobilit në ish-Bashkimin Sovjetik në prill të vitit 1986 konsiderohet katastrofa më serioze në historinë e përdorimit civil të energjisë bërthamore.

Pacolli rrëfen sesi Balluku kërkoi të fuste turqit në Aeroportin e Vlorës: Zv. Kryeministrja më thirri në zyrë dhe më fyeu, turku më kërkoi 60% të aksioneve

Biznesmeni nga Kosova Behgjet Pacolli zbuloi për herë të parë prapaskenat se si ai u përfshi në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Pacolli zbuloi edhe një takim që ishte zhvilluar në zyrën e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku në prani të përfaqësuesit të kompanisë turke që tregon se tenderi ndërkombëtar për këtë koncesion ka qenë fiktiv pasi fituesit ishin të paracaktuar.

Fillimisht Pacollit ka dhënë versionin e tij për mënyrën se si mësoi për këtë investim.

“Ai (Valon Ademi) vjen dhe e shpalos idenë dhe më thotë se është ky koncesion i cili ka dështuar një herë në të kaluarën për shkak se investitorët nuk e kanë parë si fitimprurës, por sipas tij mund të ishte interesant. Ai më tha se donte të hynte, por nuk e kishte mundësinë pasi nuk i kishte as referencat dhe as mundësitë financiare. I kam kaluar dokumentet kompanisë që t’i shqyrtonte nëse ishte me interes.

Nuk kam folur me Ramën, me asnjë. Zonjën Balluku e kam takuar më vonë. Kompania më ktheu përgjigje dhe më tha se ishte me interes ndaj bënë referencën dhe dokumentet bankare. Më thonë se dokumentet janë gati, por më thanë se na mungonte një kompani menaxhuese për shkak se kontrata e koncesionit e kërkonte edhe këtë. Duhej një kompani menaxhuese pas ndërtimit. Kompania ime në Zvicër kontaktoi disa kompani, në Francë, në Gjermani… Mbetën në kontakt me Aeroportin e Munihut dhe ata treguan interes dhe prisnin që ne t’i thërrasim” – tregoi Pacolli.

Më pas është zhvilluar takimi me turqit dhe Ballukun në zyrën e kësaj të fundit, takim nga i cili Pacolli mbeti i pakënaqur për mënyrën se si u trajtua nga ministrja.

“Në këtë kohë marr një telefonatë nga një person në Turqi, të cilin unë e kisha njohur herët në Kazakistan, një i ashtuquajtur Hyseni që më thotë: “Zoti Behgjet unë jam ai” dhe më bie ndërmend kush ishte. Ai më tha se kishte marrë një telefonatë nga Presidenca turke që të udhëtonte në Shqipëri me dy detyra. E para ishte që të ndërtonte një spital dhe e dyta për një aeroport që ata mund të ishin bashkëfinacues. I them: “Pse jo. Është në rregull kjo që të bëhet”.

Unë isha më pas në një event në Kazakistan ku ishte dhe ai dhe biseduam. E lamë që të bëjmë një takim në Shqipëri. Kam marrë një telefonatë prej tij më pas dhe më tha që kishte lënë një takim në ministrinë e Infrastrukturës në Shqipëri dhe më pyeti nëse mund të vija dhe unë. Dhe unë shkova. Ishte një ditë me shi. Unë u vonova pak në trafik, por ai më priste para derës së ministrisë. E takova në fund të shkallëve dhe shkuam të ministrja.

Hymë brenda dhe ai u ul përballë ministres. Unë mbeta në një anë tjetër. Unë shihja në fytyrë vetëm turkun dhe shpinën e ministres gjithë kohën. Kuptova që ministrja i propozoi që të marrë pjesë në këtë tender. Ajo i propozoi që të ishin bashkë-financues. Unë në një moment ju them: “Ju jeni duke bërë muhabet. Unë po shkoj. Po e pres këtë mikun tim poshtë në restorant. Përshëndetem me ta dhe dal. Të them të drejtën isha pak i fyer. Ishte hera e parë që shkoj diku dhe dikush nuk më konsideron.

Megjithatë turku erdhi në restorant dhe më tha se do të merrte 60%. I thashë dakord, por unë do të rivlerësoja nëse ia vlente të hyja në minorancë në këtë investim apo jo. Kam folur me kompaninë dhe isha i bindur që të mos hyja në këtë investim. Duke u kthyer në Kosovë, turku më telefonon dhe më thotë që unë do të kisha 60% dhe ata 40%. Megjithatë marrëveshja ishte që 2% i merrte Valon Ademi ndaj në fund ramë dakord që unë të kisha 58%, turqit 40% dhe Valon Ademi 2%” – tha Pacolli. 

Deklarata e FORTË e Lorenc Vangjelit në Top Story: Një MINISTËR është shpallur Non Grata nga SHBA!

Një tjetër qeveritar është futur në ‘listën e zezë’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo ishte deklarata e analistit Lorenc Vangjeli në studion e ‘Top Story’ me Grida Dumën.

Sipas Vangjelit dikush nga tryeza qeveritare i ka kthyer përgjigje negative amerikanëve, por këtë infromacion analisti e la ‘në hije’ duke mos dhënë më tepër detaje se për çfarë bëhet fjalë.

Ndërkohë Sali Berisha është një ish-funksionar i lartë i Shqipërisë, i cili është shpallur non grada nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Është vetëm fillimi. Nisur nga hetimet e mëparshme të SPAK, çfarë duket është shumë më pak se çfarë vjen më pas. Ajo që vjen më pas është dhe më e rëndë… një tjetër lëvizje tektonike pritet të vijë. Është një sekret publik që qarkull në Tiranë për një tjetër anëtar të tryezës qeveritare, u ka thënë jo amerikanëve. Kanë shumë instrumente për të ndërhyrë, dhe një nga instrumentet është non-grata”, tha Vangjeli.

FOTO/ Arrestimi i bujshëm i KËNGËTARES së njohur shqiptare në Zvicër, SKANDALI që zbuloi botën e errët të klubeve të natës!

Eva Ndoja solli shkëlqim në metropolin e Cyrihut në Zvicër, por paraqitja e saj përfundoi me një skandal.

Këngëtarja 36-vjeçare shqiptare këndoi vetëm për disa minuta në prill të vitit 2024, kur policët bastisën klubin e natës dhe e arrestuan.

Në atdheun e saj, Ndoja është prej kohësh një yll videoklipi i saj më i ri në YouTube është parë miliona herë.

Në rrjetet sociale e ndjekin mbi 130.000 persona, dhe edhe në Zvicër ajo ka shumë fansa.

Drejtuesit e klubit në Brüttisellen duan të përfitojnë nga kjo famë. Klubi i natës ndodhet në një ndërtesë industriale të thjeshtë, pranë nyjës së autostradës.

Ata shtypin fletëpalosje me portretin e Ndojës dhe premtojnë një mbrëmje plot shkëlqim.

Të pranishmit në festë po kremtonin Bajramin, festën myslimane të flijimit. Ishte ora tre e mëngjesit, kur Eva Ndoja dhe një shoqe e saj morën mikrofonin. Pas disa minutash, në klub shpërthen papritur paniku — policët arrestojnë këngëtaren e habitur.

Dyshimi: Ndoja po këndonte pa leje pune. Ajo kalon një natë në paraburgim, dhe prokuroria lëshon një urdhër dënimi ndaj saj. Por Eva Ndoja nuk dorëzohet ajo kundërshton.

Një aksion i madh policor

Rasti i këngëtares çon drejt e në mes të botës së klubeve të Ballkanit. Ka dhjetëra të tillë në Zvicrën qendrore, dhe të gjithë funksionojnë sipas të njëjtit koncept: Balkan beats, koncerte dhe valltare.

Me emra të njohur, pronarët e klubeve përpiqen të tërheqin sa më shumë mysafirë në lokalet e tyre. Këngëtarët e vjetër të folklorit kujdesen për ndjenjat nostalgjike të diasporës, ndërsa reperët e egër synojnë publikun e ri.

Por hetuesit besojnë se disa nga këto klube janë shumë më tepër sesa vende argëtimi për të rinjtë nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Kroacia apo Kosova. Sipas organeve të drejtësisë, ato shërbejnë si maskë për biznese të dyshimta, në të cilat përfshihet edhe krimi i organizuar. Këtë e tregojnë disa hetime të mëdha të viteve të fundit.

Megjithatë, është një botë ku hetuesit mezi arrijnë të depërtojnë. Skena është e organizuar mirë, me strukturë hierarkike, e mbyllur dhe e heshtur ndaj të jashtmëve. Për këtë arsye, hetuesit e Cyrihut përqendrohen në goditje të sakta dhe të qëlluara.

Aksione si ai i prillit 2024, kur Eva Ndoja u shoqërua nga policia, janë pjesë e kësaj strategjie. Atëherë hetuesit kontrolluan gjithsej trembëdhjetë klube gjatë dy fundjavave, përfshirë pronarët, punonjësit dhe mysafirët. 47 persona u arrestuan përkohësisht, kryesisht për shkelje të ligjit për të huajt.

Mes tyre kishte disa muzikantë. Në Buchs të kantonit të Cyrihut, hetuesit arrestuan disa këngëtare, një këngëtar dhe një reper, pasi nuk kishin leje pune. Në një lokal në Schlieren, ata shoqëruan edhe pop-starin serb Seka Aleksi? — thuhet se edhe asaj i mungonte leja e punës.

Përveç kësaj, gjatë aksionit policia gjeti në disa lokale armë zjarri, municion, një armë sinjalizuese, shkopinj gome dhe një shkop bejsbolli. Në fund, 70 persona u paditën.

Këngëtarja dhe “asi” i saj i fshehtë në mëngë

E veshur e tëra në të zeza, me syzet e diellit ngritur lart dhe pallton hedhur mbi supe — Eva Ndoja shfaqet, një vit e gjysmë pas incidentit, në sallën e Gjykatës së Qarkut në Uster. Urdhrin penal, që e akuzonte se kishte ushtruar veprimtari fitimprurëse pa leje pune në klubin e natës, këngëtarja nuk e pranoi. Në vend të kësaj, ajo angazhoi një avokat.

Për gjyqin, Ndoja ka udhëtuar nga Gjermania, ku jeton, drejt Zvicrës. Me gjyqtarin flet qetësisht dhe me vendosmëri. Ajo thotë: “Jam këtu sot për ta paraqitur çështjen siç duhet”. Dhe shton: “Kërkoj të drejtën time”.

Megjithëse po këndonte në momentin kur policët hynë në klub, dhe megjithëse organizatorët kishin shpërndarë fletëpalosje me fytyrën e saj për të promovuar mbrëmjen, këngëtarja deklaron: “Unë nuk po punoja atje”.

Ndoja tregon një histori krejt tjetër. Ajo nis disa ditë para Bajramit, në Kosovë. Aty, këngëtarja kishte vizituar një mike të saj të cilën më pas e arrestuan gjithashtu.

Të dyja kishin planifikuar si ta kalonin festën. Sipas saj, mikja i kishte thënë: “Do të shkojmë në Zvicër si të ftuara”. Një i njohur i kishte ftuar.

Sapo mbërritën në Zvicër, i njohuri i dërgoi në klubin e natës në Brüttisellen. Me askënd tjetër nuk kishte pasur kontakt, betohet Ndoja: “Nuk i njihja këta njerëz”. As para nuk kishte marrë as atëherë, as më pas. Dhe për fletëpalosjen me portretin e saj kishte mësuar vetëm kur policët ia kishin treguar. “Sigurisht që u zemërova,” thotë ajo.

Këngëtarja thekson se ndodhej në klub si mysafire, jo si artiste. Ajo dhe shoqja e saj kishin dashur vetëm të vazhdonin festën në një disko. Por atëherë, i njohuri i kishte kërkuar t’i këndonin bashkë një këngë.

Sipas Ndojës dhe avokatit të saj, ajo ishte përdorur në mënyrë të paskrupullt si “karrem” për të tërhequr njerëz në event. Për më tepër, shtojnë ata, nëse një muzikant zviceran do të këndonte si mysafir në një festë, askujt nuk do t’i shkonte në mend se ai po punonte.

Për të provuar pafajësinë e saj, Eva Ndoja kishte një “as nën mëngë”: ajo paraqet në gjyq një dëshmitare që e mbron — pronaren e klubit të natës.

Më shumë se vetëm pronare klubi

Gruaja, një zvicerane me rrënjë shqiptare, flet shpejt, por pothuajse nuk i përgjigjet në asnjë pyetje të gjyqtarit. Përkundrazi, në një moment e pyet vetë gjyqtarin nëse mund të bëjë ajo pyetje. Përgjigjja e tij: “Jo. Unë bëj pyetjet këtu”.

43-vjeçarja është më shumë se vetëm pronare klubi. Sipas burimeve të mirëinformuara, ajo punon prej vitesh si ndërmjetëse për vajza të reja nga Evropa Juglindore.

Këto vajza duhet të punojnë në klube, në bar, si këngëtare ose si vajza që argëtojnë klientët për të rritur qarkullimin.

Në klub, ato duhet të kërcejnë me veshje provokuese me mysafirët meshkuj, t’i inkurajojnë të pinë dhe t’u shërbejnë pije të shtrenjta.

43-vjeçarja shërben si nyje e rëndësishme lidhëse midis pronarëve të klubeve dhe vajzave që ajo i ndërmjetëson. Ajo mban kontakte edhe me përgjegjës të klubeve që janë përballur me gjykatën. Vetë ajo deri tani nuk është ndjekur penalisht.

E njëjta skemë është vënë re në disa hetime të fundit në Cyrih për klubet e Ballkanit. Gjithmonë bëhet fjalë për vajza të reja nga Evropa Juglindore dhe Lindore, mungesë lejesh pune dhe kushte shfrytëzuese të punës.

Natën kur klubi i saj u kontrollua nga policia, pronarja ishte aty. Gjyqtarit ajo tregoi më pas se nuk kishte lidhje me menaxhimin e klubit. Këtë detyrë e merrte pronari i klubit ajo ishte vetëm pronare e firmës. Në festë ajo takoi Eva Ndojën për herë të parë. “Hitin e saj nuk e kisha dëgjuar kurrë”.

Dhe shton: “Isha e lumtur që kishim një mysafire kaq të famshme”. Edhe pronari ishte i lumtur, prandaj kishte porositur fletëpalosjet.

Pronarja pretendon se disa orë para kontrollit të policisë kishte kuptuar se po ndodhte diçka: “Ishin dy mysafirë që silleshin çuditshëm, nuk i njihja. U thashë: Ju nuk jeni të ftuar”.

Njëri prej tyre ishte shqiptar. Fillimisht i uroi festën, pastaj qeshi dhe tha se ishte nga policia.

Kur policia kontrolloi klubin, ata shoqëruan edhe pronaren. “Më akuzuan se kisha punuar pa leje. Nuk ishte e vërtetë”.

Pas pyetjes së gjyqtarit, ajo përsërit atë që kishte thënë Eva Ndoja: këngëtarja nuk e kishte ditur për fletëpalosjen, nuk kishte pasur kontakt më parë dhe nuk kishte marrë para. Pronarja e klubit thotë për Ndojën: “Ajo është krejtësisht e pafajshme”.

“Kam humbur besimin tek Zvicra”

Eva Ndoja thotë se, për shkak të këtij rasti, ka pasur shumë probleme. Ajo është ndaluar me një ndalim hyrjeje dhe një herë është bllokuar në aeroportin e Cyrihut.

Shoqja e saj, me të cilën kishte kënduar atë mbrëmje, sipas këngëtares e ka pranuar urdhrin penal. Pse e bëri këtë, Ndoja thotë se nuk e di.

Ajo thotë: “Në vendin tonë ka vrasje. Dhe unë vij këtu për një gjë të tillë në gjykatë”. Avokati i saj flet për një proces penal të padrejtë: “Ajo ka humbur besimin tek Zvicra”.

Në fund, 36-vjeçarja triumfon. Gjykata e shpall të pafajshme plotësisht. Gjyqtari thotë se nuk u vërejt asnjë veprimtari fitimprurëse nga ajo, as që kishte ardhur me qëllim për këtë.

Ai shton: “Situata na duket e paqartë, por shteti duhet të vërtetojë fajin dhe jo qytetari pafajësinë”. Këngëtarja merr kompensim për procesin dhe një shpërblim moral rreth 6000 franga gjithsej.

Pasi dënohet vendimi, këngëtarja largohet nga gjykata, nuk kthehet asnjëherë pas.

Vetëm kur ajo dhe avokati ngjiten në makinë, shpreh sërish mendimin e saj. Thotë se shpalljen e pafajësisë e kishte fituar me të drejtë. “Më besoni”./syri

Galeria fotografike (

1 / 20

)

Detyrimet tatimore mbi 10 vite do të falen, Rama shpjegon si do të zbatohet “Paqja Fiskale”

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një videomesazh sa i përket faljes së gjobave tatimore ndaj bizneseve në bazë të viteve.

Përshëndetje. Përsëri unë dhe përsëri për të rejat e vitit që po troket. Zgjedhjet kanë mbaruar dhe këtë po ju a kujtoj atyre që thoshin: ‘Hajd mo se premtoni për vota e pastaj harroni’. Por ja ku jemi. Nuk kemi zgjedhje përpara dhe ne jo vetëm që nuk premtojmë thjeshtë për vota jo vetëm nuk harrojmë, por ato 83 mandatet të atij besimi të jashtëzakonshëm që morëm nga njerëzit na kanë vënë në pozita pune si kurrë më parë dhe çfarë jam zotuar e konsideroj minimumin e borxhit moral të Partisë Socialiste ndaj shqiptarëve.

Siç e kemi të shkruar në programin që paraqitëm para zgjedhjeve, paketa fiskale e parashikuar qysh në buxhetin e vitit të ardhshëm do të hapë një kapitull të ri mes sipërmarrjes dhe administratës popullore. Paqja fiskale, paqja fiskale e promovuar gjatë procesit elektoral është tanimë një paketë e shkruar e konceptuar për të forcuar bashkëpunimin dhe rritur besimin mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes e po ashtu anasjelltas.

Do të mbyllim çështjet e vjetra, pikërisht për t’i dhënë krah këtij besimi dhe për të forcuar këtë bashkëpunim. Por si do të mbyllen çështjet e vjetra? Procesi do të realizohet në dy forma kryesore. Së pari do të ofrohet një falje për të gjithë sipërmarrjet me detyrime të prapambetura. Si do të jetë kjo falje?

A – Fshirje e plotë e detyrimeve tatimore të papaguara që i përkasin periudhave më të hershme se 10 vite të regjistruara në llogaritë tatimore të subjekteve.

B – Fshirje e 50% të detyrimeve për periudhat 5-10 vite nëse shuma e mbetur paguhet njëherësh brenda një afati të caktuar së bashku me fshirjen e gjobave dhe interesave.

C – Fshirje e 25% e detyrimeve për të njëjtën periudhë, 5-10 vite, nëse shumat paguhen me këste brenda 1 viti, gjithashtu dhe kjo me fshirje të gjobave dhe të interesave.

D – Fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 1-5 vite, me kusht që të paguhet i plotë tatimi, tarifa ose kontributi i së njëjtës periudhë.

Nga ana tjetër do t’i jepet mundësia të gjithë sipërmarrjeve të korrigjojnë pasaktësira në deklarimet e mëparshme në pasqyrat e tyre financiareve. Për ndryshimet mes deklarimit të vjetër dhe atij të riut, pra të vetëkorrigjuarit, do të paguhet vetëm 5% tatim diftivi.

Por nuk mbaron me kaq. Si do të krijojmë ne një marrëdhënie të re besimi dhe bashkëpunimi mes administratës dhe sipërmarrjes në të ardhmen? Për një periudhë që mund të shtrihet deri në 3 vite, sipërmarrjet mund të lidhin marrëveshje vullnetare me administratën tatimore ku të pranojnë të rrisin me 18% fitimin e tatueshëm në krahasim me vitin e kaluar. Që do të thotë se ky fitim tatohet në bazë të ligjit në fuqi, ndërsa për çdo shtesë në këtë fitim, tatimi do të jetë vetëm 5%. Gjatë kohës që është në fuqi marrëveshja e paqes fiskale, sipërmarrjet nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve tatimore që lidhen me tatimin mbi fitimin.

Është një paqe e shkruar siç thasë, e cila do të diskutohet në Kuvend dhe jo më një paqe thjesht e propozuar në një program elektoral. Është një paqe e cila, sipërmarrja, përfaqësuesit e saj që na kanë takuar gjatë procesit elektoral na shikonin me dyshim dhe disa më thonin: ‘Muk keni për ta bo këtë. Është shumë e bukur po nuk do të bëhet’. Ja pra që do të bëhet. Sepse këta jemi ne, ky jam unë, kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Rama.

Merren peng dhe υ▪︎iten në mënyrë mak abre në Emiratet Arabe mashtruesi i kriptomonedhave dhe gruaja e tij

Mashtruesi i kriptovalutave dhe “miku i Durovit”, Roman Novak dhe gruaja e tij janë vrarë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Çifti u zhduk rreth një muaj më parë pasi shkoi në një takim me investitorët në qytetin Hatta. Sipas një versioni, sulmuesit rrëmbyen çiftin dhe kërkuan një shpërblim, por kur nuk i morën paratë, i vranë. Një version tjetër sugjeron se kriminelët shpresonin të fitonin akses në llogaritë e kriptomonedhave të Novak. Raportet e medias pretendojnë se trupat e viktimave u copëtuan dhe u vendosën në çanta, të cilat më vonë u lanë pranë një qendre tregtare në Hatta.

Komiteti Hetues Rus ka hapur një çështje penale për vrasjen e dy personave. Sipas raporteve të medias, shtatë të dyshuar janë ndaluar dhe një gjykatë në Shën Petersburg pritet të vendosë për masat e tyre paraprake më 7 nëntor.

Novak ishte dënuar më parë në Rusi me gjashtë vjet burg për mashtrim në shkallë të gjerë, më vonë u lirua me kusht dhe u transferua në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ai nisi një projekt kripto të quajtur Fintopio, duke mbledhur rreth 500 milionë dollarë investime para se të zhdukej.

Një version i tretë sugjeron se vrasja mund të ketë qenë e sajuar — për të ndihmuar Novakun t’i shpëtonte borxheve të tij. Sipas investitorëve, ai kishte një histori zhdukjesh me paratë e të tjerëve, duke e quajtur veten “mik i Durovit” (themeluesi i Telegram) dhe duke premtuar fitime të shpejta nga sipërmarrjet e kriptovalutave.

Greqi / Me pranga në duar dhe i djegυr në sediljen e pasme të makinës, υik tima dγshohet se është shqiptar

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Skourta, Beotia, në Greqi pasi një burrë i djegur u gjet brenda një automjeti në një fushë.

Burri, i cili ende nuk është identifikuar, u gjet në pjesën e pasme të makinës, i prangosur, dhe vlerësohet se kanë kaluar të paktën dy 24 orë që nga momenti i vdekjes së tij.

Sipas raporteve fillestare, është e mundur që ai të jetë një shtetas shqiptar i cili ishte zhdukur disa 24 orë më parë. Personi në fjalë nuk kishte precedentë penalë. Disa ditë më parë, ai ishte larguar nga vendi i tij i banimit për në Vilia, ku nuk u kthye më. Të afërmit e tij kishin raportuar zhdukjen e tij, të alarmuar.

Automjeti i djegur me trupin u vu re nga një gjuetar. Automjeti ishte i vjedhur dhe kishte targa të falsifikuara. Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar ka shkuar në vendngjarje.

Po gërmonte për një pishinë, burri në Francë gjen një thesar me ar në kopshtin e tij. Policia ia lejon ta mbajë

Po gërmonte për një pishinë, gjen burri në Francë thesarin me ar në kopshtin e tij. Policia ia lejon ta mbajë

Një burrë në Francë zbuloi këtë vit një thesar ari në vlerë 800 mijë dollarë, teksa po gërmonte për të ndërtuar një pishinë në kopshtin e tij, njoftuan autoritetet lokale.

Burri lajmëroi policinë lokale pas zbulimit në muajin maj, dhe autoritetet i lejuan atij ta mbante arin, pasi nuk vinte nga një sit arkeologjik, tha bashkia e qytetit Neuville-sur-Saone, në lindje të vendit.

Sipas gazetës lokale Le Progres, ai gjeti “pesë lingota ari dhe shumë monedha” të mbështjella në çanta plastike. Policia konfirmoi se ari ishte blerë ligjërisht dhe ishte shkrirë rreth “15 apo 20 vjet më parë” në një rafineri të afërt. Për shkak se lingotat kishin numra unikë të gjurmueshëm, u përcaktua se nuk ishin të vjedhura.

Sipas kodit civil francez të shekullit XIX, thesar konsiderohet “çdo gjë e fshehur ose e varrosur, për të cilën askush nuk mund të provojnë pronësinë, dhe që zbulohet krejt rastësisht”. Pronësia i përket personit që e gjen atë në tokën e tij, raporton Le Progres.

Bashkia shtoi se pronari i mëparshëm i kopshtit ka ndërruar jetë, dhe se si arriti ari atje mbetet një mister.

Çmimi aktual i arit, sipas Hartford Gold, është 4,017.33 dollarë për ons.

Zbulime të ngjashme janë raportuar edhe në vende të tjera: në 2024, një çift në Kaliforni gjeti monedha të rralla në vlerë 10 milion dollarë, ndërsa në 2023 një burrë në Gjermani gjeti lingota dhe monedha ari të vlerësuara mbi 150,000 dollarë. Në vitin 2022, më shumë se 260 monedha ari të gjetura nga një çift britanik nën dyshemenë e kuzhinës së tyre u shitën në ankand për rreth 1 milion dollarë.

‘Partnerë në k rim’! Rrëfimi i Ballukut: Në Llogara veprova me porosi të Edi Ramës

Sa më shumë thellohet skandali i tenderit të tunelit të Llogarasë, për të cilin nga opozita denoncuan këtë të premte se projektit të miratuar i mungojnë dy ura, duke e çuar shifrën totale të korrupsionit të dyshuar në 75 milionë euro, aq më e fortë bëhet heshtja si nga kryeministri Edi Rama, ashtu edhe nga zv.kryeministrja, Belinda Balluku.

Rama ia ka dalë mbanë që të shmangë, të paktën për momentin, përballjen me pyetjet për zëvendësen e tij. Këtë e ka arritur herë me hir, herë me pahir. Me pahir kur doli në konferencën për shtyp me Ambasadorin e BE në Tiranë, Silvio Gonzato, teksa e mbylli këtë konferencë kur një nga gazetarët e pranishëm kërkoi ta pyeste kryediplomatin e Brukselit për faktin që Balluku ishte marrë e pandehur.

Herë të tjera, skandali Balluku është mbytur mediatikisht nga ngjarje të tjera, që nga vdekja e themeluesit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, deri te miratimi në Kuvend i ligjit për barazinë gjinore të enjten në Kuvend. Te ky i fundit u ndihmua me, apo pa vetëdije edhe nga Partia Demokratike dhe debati shterpë i nisur prej saj për këtë ligj, që e vendosi përballe edhe Bashkimit Europian.

Edi Rama ka treguar në të shkuarën se ka larguar nga vetja dhe detyra vartësit e tij për shumë më pak se sa akuzat dhe shifrat që akuzohet Balluku. Por çfarë e pengon që këtë herë të zbatojë standardin që ka vendosur vetë?

Burime të Voxnews.al pranë zv.kryeministres Belinda Balluku sugjerojnë se Rama është i përfshirë edhe vetë në skandalin e tunelit të Llogarasë. Përfshirjen e kreut të Qeverisë në këtë tender e ka përforcuar vetë Belinda Balluku, që në një rrëfim të shkujdesur me bashkëpunëtorë të saj në këto ditë të vrullshme me SPAK ka deklaruar se ‘të njëjta mesazhe që ka me Ervis Berberin, ka edhe me Edi Ramën’.

Për kujtesë, mesazhet e Ballukut me Berberin, sipas dosjes së SPAK tregojnë garën fiktive në tenderin e tunelit të Llogarasë, ndërhyrjen e zv.Kryeministres për të paracaktuar fituesin përmes mesazheve dhe takimeve me Berberin, ku të paktën në një rast këtë të fundit e ka pritur në shtëpi.

Përveç mesazheve, siç pohojnë burimet e Voxnews.al, Balluku u ka shprehur bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj se paracaktimin e fituesit të tunelit të Llogarasë nuk e ka bërë ‘me kokë të vet’, por se ka vepruar sipas porosive të Edi Ramës.

Sipas këtyre deklaratave të zv.kryeministres, nëse fundoset Balluku, fundoset edhe Edi Rama dhe me sa duket kjo është arsyeja se përse Kryeministri nuk e ka shkarkuar ende zëvendësen e tij. Radha ‘e fundosjes’ do të përcaktojë edhe jetëgjatësinë e tjetrit. Nëse Rama fundoset i pari, Balluku e ndjek direkt. Por, nëse Balluku fundoset e para, atëherë Edi Rama ndoshta fiton ‘ca minuta shtesë…’

©Copyright Vox News