Historiani Pëllumb Xhufi i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV tregoi se si u krijua Partia Komuniste e Shqipërisë, si e mori pushtetin Enver Hoxha dhe qëndroi rreth 40 vjet si diktator.
Xhufi foli edhe për gabimet që bëri Enver Hoxha gjatë pushtetit të tij. Janë tri gabime, thotë Xhufi, që ia vuri në dukje edhe Stalini, kur Hoxha i shkoi në Rusi; përbërja fetare e popullit shqiptar, lufta e klasave dhe krijimi i kooperativave.
“Enver Hoxha luftonte edhe për pushtet personal. Duke ditur psikologjinë e diktatorëve, fillojnë u pëlqen vetja dhe nuk kanë besim te të tjerët. Ky është problemi. Këtu dalin dhe gabimet që ka bërë Enver Hoxha.
Janë 3 gabime që ia ka vënë në dukje vetë Stalini. E ka paralajmëruar për tri gjëra për të cilat Enveri po nxitonte shumë. Në 1947-ën kur shkon Hoxha tek ajo parada e famshme, e pret Stalini.
Hoxha shkoi me një delegacion prej shtatë vetash, të Byrosë Politike. Në fjalën e tij Stalini i thotë Hoxhës që t’i prezantojë shokët e Byrosë. Enveri ia prezantoi të shtatë.
Në një moment Stalini e ndalon dhe e pyet se çfarë përbërjeje fetare ka populli shqiptar. “70% janë myslimanë, 20% ortodoksë dhe 10% katolikë”, i tha Enver Hoxha.
Stalini ia kthen: “Edhe në Byronë Politike dhe në parti duhet paraqitur kjo përbërje.” Ky ishte gabimi i parë.
I dyti ishte për luftën e klasave. Filloi të raportojë Enver Hoxha dhe tha: “Ne kemi çuar studentët tanë në vendet e Bashkimit Sovjetik, në demokracitë e tjera popullore. Ata shumë shpejt do kthehen dhe me ta do zëvendësojmë burokratët e vjetër.”
Stalini i thotë: “Ata të vjetrit vërtetë nuk janë komunistë si ne, por janë patriotë. Ata do ikin kur të mbushin moshën. Nuk ka pse të nxitosh kaq shumë.”
Mësimi i tretë ishte për ekonominë, kryesisht me bujqësinë.
Enveri tregoi përparimet që kishin bërë dhe projektin për krijimin e kolkozeve, kooperativave. Stalini i tha: “Ju jeni vend i vogël dhe i varfër. Në punën e kolkozeve kemi bërë gabime të mëdha ne. Mos i bëni dhe ju këto gabime. Prandaj ecni me ngadalë!”
Këto janë tri nga problemet në të cilat Enveri eci nxitimthi.”, tha Xhufi.