Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot fjalën e tij në Forumin “GLOBSEC” 2024 që po mbahet në Pragë të Çekisë.
Rama e ka nisur fjalën duke theksuar rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për stabilitetin e të gjithë Europës. Ai “falenderoi” presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se “fatkeqësisht” me veprimet e tij kriminale i tregoi BE-së për rëndësinë e rajonit tonë.
“Dua të përgëzoj Putinin, dhe është diçka fatkeqe që na duhej Vladimiri në mënyrën më kriminale që Europa ta kuptonte se i duhet Ballkani Perëndimor.
Sa i përket BE-së, mund të them që kishte shumë njerëz që nuk besonin aspak në atë, në mënyrë të përsëritur e thonin si moto që duhet të jetë Ballkani Perëndimor në Bashkimin Europian, njësoj siç na thoshin komunistët një kohë që Parajsa është në horizont. Por lufta në Ukrainë tronditi tërësisht status-quo-në. Von der Leyen luajti një rol thelbësor për këtë, për të riformësuar mesazhin që përsëritej”, u shpreh Rama ndër të tjera.
Rama tha se popullariteti i Putinit në Shqipëri është 1 apo 1.5 për qind, ndërsa në vende të tjera të rajonit është shumë më i lartë. Ai tha se sfida është si të gjitha vendet e rajonit të bëhen bashkë në një klub.