Sulmuesi shqiptar rikthehet te goli në Angli. Mund të jetë një alternativë për Silvinjon për ndeshjet e nëntorit

Sulmuesi shqiptar, Anis Mehmeti, duket se po kalon një formë shumë të mirë në Angli, me skuadrën e Bristol City në Championship.

Anësori i majtë, ishte protagonist me gol për skuadrën e tij në kampionat këtë të shtunë, ndaj Middlesbrough. Në minutën e 27-të, Mehmeti zhbllokoi sfidën, duke i dhënë avantazhin Bristol-it.

Shqiptari lëvizi bukur në zonë dhe me një gjuajtje të fortë, e ndali topin në rrjetë. Ky ishte goli i parë i sfidës, me Bristol që shënoi edhe një herë tjetër në fundin e pjesës së parë, për të shkuar në dhomat e zhveshjes në avantazh të dyfishtë.

Mehmeti është rikthyer te goli në kampionatin anglez, pasi kishte shtatë ndeshje pa shënuar. Sulmuesi mund të jetë një alternativë për trajnerin Silvinjo, për ndeshjet e muajit Nëntor, në Ligën e Kombeve.