Vrαsja e Martin Çeços/ Një gαzetare ndikoi te dëshmia e Tinës: Hajde në emision, do të jαp ushqime

Në qershor të vitit të kaluar në fshatin Kolanec të Maliqit u vra i riu Martin Çeço për një intrigë dashurie.

Protagoniste e kësaj intrige por edhe dëshmitare e krimit të rëndë është Tina Pajollari. Por përgjimet kanë zbuluar se disa persona kanë ndikuar te Tina që ajo të fshehë autorësinë e krimit duke sjellë rrethana lehtësuese që më vonë do shërbenin për lirimin nga burgu të Valter Mollajt dhe Edlir Mollajt.

Këta persona janë: Taulant Zyko, mësuesi i Tina Pajollarit, shtetasi Alit Xhezari, i cili është koleg me vëllain e personit të arrestuar për vrasjen, Valter Mollaj dhe gazetarja Ana Allamani.

Kjo e fundit e cila në atë kohë shërbente pranë emisionit televiziv “Me zemër të hapur” del mjaft aktive në manipulimin e dëshmisë që Tina Pajollari kishte dhënë në polici.

Edhe pse është ende i paqartë interesi i gazetares Ana Allamani për të ndryshuar thëniet e Tina Pajollarit, ajo ka këshilluar Tinën dhe nënën e saj Mirandën për të mos shkuar në polici kur i thërisnin oficerat e hetimit të dosjes. Ajo iu kishte premtuar se në këmbim të ndryshimit të thënieve të tyre në emisionin “Me zemër të hapur” do i ndihmonte me ushqime.

Madje ajo gjatë bisedës telefonike me Miranda Pajollarin, shan me fjalë të rënda banale, punonjësit e policisë që po ndiqnin rastin hetimit të kësaj vrasje të tmershme.

Në dosjen hetimore ndër të tjera thuhet se: ”…ndikimi i shtetases Ana Allamani, për mohimin e deklarimeve të dhëna nga Martina Pajollari, fillimisht përmendet në deklarimin me regjistrim audio të Martina Pajollari të dhënë në datën 22 qershor 2022, e cila deklaron t’i ketë thënë: “…mos shko në Korçë (në Polici), hajdë në Tiranë, do bëj çmund për ty, duhet të vish në Tiranë (në emision) për gjysëm ore e pastaj nuk ke më as telashe, asgjë…”, duke shtuar se numri i telefonit të gazetares ishte 0684137XXX. Gazetarja Allamani kishte komunikuar edhe me mamanë e saj, shtetasen Miranda Pajollari…”-thuhet në dosjen e prokurorisë.

Ndërkohë në një deklarim të datës 22 qershor 2022, të nënës së Martinës, Miranda Pajollari ka pohuar se: ”…lidhur me gazetaren Ana Allamani, dua të shtoj se dje pasdite, në datën 21 qershor 2022 më ka telefonuar një gazetare, më tha se quhet Ana dhe më ka thënë mos vija më në Polici, pasi j’u do na merrnit në qafë dhe do na burgosnit, si mua dhe vajzën.

Na tha se, nëse pranojmë të shkojmë në Tiranë, në emisionin e saj, na i paguante ajo paratë e rrugës dhe atje të themi se, çdo gjë që kemi deklaruar për autorët e kësaj vrasje, e kemi pranuar nga frika dhe nuk janë thëniet tona. Dua të shtoj se, kjo grua ka folur edhe me vajzën Martinën dhe si me mua, mundohej të na bindte të shkonim në Tiranë dhe të mohonim çdo gjë që kemi deklaruar në polici”.

“…këto të dhëna dhe premtimi për ndihma ushqimore, dalin dhe nga rezultatet e përgjimeve ambjentale dhe telefonike…”-thuhet në dosjen hetimore.

Mes disa bisedave të përgjuara nga prokuroria e Korçës, Miranda Pajollari dhe Ana Allamani gazetare e emisionit “Me zemër të hapur”, nënvizohet fakti se gazetarja kërkon që Martina Pajollari të paraqitet në emisionin e saj televiziv, për të thënë të vërtetën, të mos flasë me gazetarë të tjerë, se do i bëjë ajo të gjitha lëvizjet.

Madje sipas gazetares: “…goca (Tina) është në fije të perit…”. Në vijim, kur Miranda Pajollari i thotë Ana Allamanit se është sugjeuar nga Policia e Korçës, të mos bisedojnë me gazetarë, ajo shan punonjësit e policisë me fjalë banale.