Ekzekutimi mafioz mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës ku u qellua me snajper 22 vjeçari Gëzim Sinomati, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje, ndërsa i riu sapo ishte kthyer nga Belgjika.
Dy vite më parë më 3 janar, vëllait të viktimës, Bernard Sinomatit i kanë vendosur lëndë plasëse në automjetin që e kishte të parkuar në lagjen “Hajro Çakërri” në të njëjtin vend ku ka ndodhur ekzekutimi i 22 vjeçarit mbrëmjen e sotme.
Bernard Sinomati është emër i njohur për policinë. Në vitin 2015 është arrestuar nga policia në Vlorë për armëmbajtje pa leje. Ndërsa rezulton i dënuar në Belgjikë, ku nga burgu ka dalë në vitin 2021.
Viktima Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit ish-anëtar i bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë.
I njohur ndryshe me pseudonimin “Buzëderri”, Sokol Sinomati është i dënuar për vrasjen e ndodhur në 3 janar të vitit 2000, ku gjatë një tentative për të ekzekutuar Sokol Nuho, ka qëlluar gabimisht Luigj Xhafën, kalimtar të rastit.
Rreth orës 22:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar dyshohet me armë zjarri shtetasi Gëzim Sinomataj, 22 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit, si dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative, me qëllim kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve. Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Delta Forcë”, tha policia e Vlorës në një informacion paraprak për mediat.