Një 48-vjeçar grek është arrestuar nga policia në një zonë të Atikës Perëndimore pasi është konstatuar se falsifikonte vaj ulliri dhe e eksportonte në Shqipëri dhe Bullgari.
Sipas policisë greke, 48-vjeçari i arrestuar importonte nga Bullgaria dhe Moldavia sasi të mëdha vaji vegjetal, kryesisht luledielli ose kikiriku dhe pasi e përpunonte me kimikate dhe aromatike, e kthente në vaj ulliri të virgjër dhe ekstra të virgjër, të cilin e shiste në tregje.
Në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga autoritetet greke, u kryen kontrolle në banesën, biznesin dhe zonën e magazinimit të 48-vjeçarit ku ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar: 13.960 litra vaj luledielli, 6332 litra substancë që i ngjan vajit të ullirit, 70 litra lëng transparent me aromë ulliri, 720 enë metalike bosh, 1750 euro, 2 automjete dhe shumë ngjitëse dhe mjete për përzierje.
Mostrat e sendeve të sekuestruara u dërguan për analizë, ndërsa 48-vjeçari u dërgua në gjykatë, e cila vendosi ta mbajë në burg deri në përfundimin e hetimeve. Akuzat ndaj tij janë falsifikimi i etiketave, falsifikimi i produkteve dhe rrezikimi i jetës së konsumatorit me lëndë dhe materiale toksike dhe të rrezikshme.
Policia ka në dorë edhe axhendën e tij, e cila dokumenton pikat e shitjes brenda dhe jashtë Greqisë si dhe pikat e furnizimit.