“Luani i Artë”, shqiptari nga Vlora në mediat britanike
Deputetët britanikë kanë kërkuar dje veprime urgjente për të “shtrënguar” rrjetet e kontrabandës me gomone, por jo vetëm, që sigurojnë miliona paund në javë. Thirrjet erdhën pasi një hetim i fshehtë në Daily Mail ekspozoi një gangster shqiptar që drejtonte hapur kontrabandën në qytetin Dunkirk.
I quajtur “Luani i Artë”, ai fiton rreth 1 milion paund në javë duke dërguar emigrantë në Britani me gomone. Media publikon pamjet e tij, gjatë një regjistrimi të fshehtë, por emri nuk dihet ende.
Ai u tha gazetarëve që e takuan si klientë, se mund t’i merrte për 4500 £ secili dhe premtoi se autoritetet britanike do t’u jepnin ushqim, batanije dhe gjithçka që u nevojitej përpara se t’i vendosnin në një hotel. “Pas kësaj, ju mund të shkoni ku të doni,” tha ai.
Shqiptari është kapur nga policia franceze disa orë pasi u takua me gazetarët e infiltruar – vetëm për t’u liruar mëngjesin tjetër. “Ai është vetëm një nga një varg bandash shumë të organizuara trafikimi që gjetëm në Francën veriore – njëra prej të cilave ka 600 njerëz në një listë pritjeje për vende në varka të vogla”, thotë Daily Mail.
Më shumë se 32,000 emigrantë kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla deri më tani këtë vit – më shumë se sa kanë kaluar gjatë gjithë vitit 2021. Shqiptarët përbënin rreth 60 për qind të ardhjeve gjatë verës.
Hetimi i medias britanike ka qenë i përbashkët me emisionin shqiptar “Piranja”. Hotelet që rrethojnë sheshin në qytetin por të Francës janë mbushur me emigrantë që presin varkat, ndërsa shoferët e taksive ofrojnë një speciale prej 30 eurosh për t’ju çuar në një kamp ilegal.
Rritja e emigrantëve shqiptarë ka bërë që disa shitës dhe kafene në Dunkirk tani të hapen të dielën për t’u kujdesur për klientët shtesë. Gazetarët u njohën me “Luanin e Artë”, me origjinë nga Vlora në jug të Shqipërisë.