Meksikanët ‘gisht’ në rastin e shqiptarit që u gjet në tabelë në Bruksel? Mesazhi që u mbërriti në telefon familjarëve të 29-vjeçarit para ngjarjes

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në lagjen Anderlecht në Bruksel, ku u gjet i varur me kabllo elektrike trupi i një shtetasi shqiptar, 29 vjeç.

Sipas raportimeve, viktima u gjet pranë një qendre tregtare, në një zonë të pyllëzuar, larg banesës së tij.

Hetimet dhe pistat kryesore

Autoritetet belge kanë ngritur tre pista hetimore:

një konflikt i mundshëm me persona të botës së krimit,

përfshirja në trafik droge,

ose vetëvrasja.

Gazetari Fatos Mahmutaj tha se viktima nuk rezultonte me precedentë penalë, gjë që dobëson pistën e parë. Ndërkohë, pista e vetëvrasjes po merret seriozisht, pasi familjarët e të riut kanë marrë një mesazh nga telefoni i tij pak para ngjarjes, ku shkruhej: “Unë po iki në botën tjetër.”

Dyshimet dhe reagimet

Megjithatë, mënyra e pazakontë e gjetjes së trupit – i varur në një zonë publike me kabllo elektrike – ka ngritur dyshime për një skenar të mundshëm ekzekutimi.

Media lokale spekuloi mbi një ngjashmëri me rastet e njohura nga kartelet meksikane, por gazetari Mahmutaj e cilësoi këtë krahasim të nxituar dhe të padrejtë për komunitetin shqiptar në Belgjikë.

“Mesazhi që u dërgua të afërmve forcon pistën e vetëvrasjes. Viktima ishte një person pa të shkuar kriminale. Paralelizmi me kartelet thjesht rëndon mbi komunitetin shqiptar, por nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes. Duhet të presim rezultatet zyrtare të drejtësisë belge, e cila funksionon në mënyrë efikase,” – theksoi ai.

Hetimet në vazhdim

Ekspertë të mjekësisë ligjore dhe prokurorë kanë kryer veprimet në vendngjarje. Trupi i viktimës është marrë nga mjekësia ligjore, ndërsa autoritetet belge pritet të publikojnë së shpejti përfundimin zyrtar mbi shkakun e vdekjes.