Omer Braja, një nga personazhet e emisionit të disa viteve më parë, “ Kafazi i Artë ”, është shpallur në kërkim nga strukturat hetimore të komisariatit nr.6 Tiranë, pasi rezulton i përfshirë në një rast gjobëvënie. Braja është shpallur në kërkim nga policia, pas denoncimit të personit, të cilit Braja së bashku me një shokun e tij i kanë kërkuar shifrën prej 150 mijë eurosh.
Braja është dënuar me gjobë së bashku me shokun e tij nga Shkodra Vasel Koçeku, i cili aktualisht është i arrestuar nga policia si i dyshuar për veprën penale të “Zhvatjes me shantazh me qëllim përfitimi pasurie”.
Mësohet se një shtetas me banim në zonën e Yzberishtit në Tiranë ka bërë denoncim në polici ndaj Omer Brajës dhe Vasel Koçekut, teksa ai ka pretenduar se dy persona që janë prezantuar si Braja dhe Koçeku e kanë kërcënuar se do ta vrisnin nëse nuk i jepte shumën prej 150 mijë eurosh. Qytetari i tha policisë se jo vetëm që nuk e kishte këtë shumë, por njëkohësisht pretendonte se konflikti ishte transferuar nga Anglia në Tiranë.
Sipas tij, Omer Braja dhe Koçeku kanë pasur mosmarrëveshje me djalin e tij që jeton në Angli, për shkak të një sasie droge të kultivuar në shtëpitë e kultivimit të kanabisit. Në pamundësi për të marrë shumën financiare prej 150 mijë eurosh nga i biri, Braja dhe Koçeku kanë ardhur në Tiranë, duke kërkuar me presion shumën e eurove që ata pretendonin se u detyrohej shtetasi.
Pas kërcënimit ai ka shkuar në komisariatin nr.6, duke bërë kallëzimin penal, teksa pas hetimeve të kryera në prokurorinë e Tiranës, policia ka mundur të lokalizojë dhe arrestojë Vasel Kocekun, ndërsa shoku i tij, Omer Braja nuk është gjetur dh është shpallur në kërkim nga autoritetet.