E rëndë/ ‘Kërcet’ grushti në kryeqytet, të rinjtë gjakosin njëri-tjetrin (Video)

Një sherr masiv ka ndodhur pak më parë në Tiranë, ku raportohet se 3 persona kanë marrë plagë të rënda.

Sherri ka ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda” të kryeqytetit, ku 4 persona janë përfshirë në sherr.

Ata kanë dhunuar njëri-tjetrin, teksa është dashur ndërhyrja e policisë për t’i ndaluar.

Po ashtu, uniformat blu kanë shoqëruar njërin prej tyre në komisariat, teksa 3 të tjerët janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ofertë zyrtare në tavolinë, klubi i Serie A në sulm për Dakun

Mirlind Daku pëlqehet në Serie A. Sipas medias ruse, “Match TV”, për sulmuesin kuqezi ka interesim nga Cagliari. Klubi nga Sardenja ka bërë një propozim zyrtar për Rubin Kazan, me ofertën që do të merret në shqyrtim.

Mundësitë që Daku të largohet nga Rusia janë të mëdha, pasi ai nuk preferohet më në këtë vend, pas ofendimeve që bëri ndaj serbëve e maqedonasve gjatë ndeshjes së Europianit. Kontrata me skuadrën aktuale zgjat deri në fund të qershorit 2026, por gjërat nuk po shkojnë si duhet dhe një “divorc” mes palëve është mjaft i mundshëm.

Ai numëron deri tani 10 gola e 4 asiste, në 28 ndeshje të zhvilluara me skuadrën e Rubin Kazan. Trajneri i këtyre të fundit e ka mbrojtur publikisht atë pas incidenteve të Europianit, deklarata të cilat shihen si të përgjithshme dhe që mund të pasqyrojnë situatën reale në ambientin e klubit.

26-vjeçari e shikon kalimin në elitën italiane si një shans për të treguar veten. Te Cagliari kanë gati të plotësojnë dëshirat e lojtarit, duke marrë parasysh faktin se ekipi ka nevojë për dikë, i aftë të sigurojë gola. Në Serie A, ka mjaft yje kuqezi, të cilët luajnë prej vitesh aty.

Futbollisti i kombëtares, Daku ka luajtur më parë në Kosovës për Llapin e Ballkanin, në Shqipëri për Kukësin, ndërsa në Slloveni për Murën. Me interes të madh pritet të shihet cila do të jetë e ardhmja e tij, me verën që duket e nxehtë.

Tërmet i fortë në vendin fqinj, sa ishte magnituda

Një tërmet është regjistruar 32 km lindje-verilindje të Symit, në Greqi.

Sipas Institutit Gjeodinamik, tërmeti ka qenë me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter.

Ndërsa thellësia e regjistruar është 39.4 kilometra.

Sipas mediave greke, epiqendra e tërmetit është afër bregdetit turk dhe lëkundjet sizmike, janë ndjerë veçanërisht në ishullin Rodos.

Aferat në Bashkinë e Tiranës dhe goditjet e SPAK-ut, Erion Veliaj merr vendimin ekstrem

Kryebashkiaku Erion Veliaj, është një produkt mediatik, ndaj për shumëkënd ka qenë i çuditshëm fakti se sot ai ka marrë vendimin ekstrem për të mbyllur “Instagramin” e tij.

Llogaria e tij zyrtare në “Instagram”, me më shumë se 385 mijë ndjekës nuk shfaqet askund në rrjetin e njohur social, ku Veliaj ishte shumë aktiv duke zhvilluar propagandën e tij, për t’i hedhur hi syve publikut nga korrupsioni galopant që ka përfshirë Bashkinë e Tiranës.

Ende nuk dihet zyrtarisht se çfarë ka ndodhur me llogarinë e Veliajt në “Instagram”, por ky zhvillim vjen në kohën kur SPAK ka sekuestruar disa pasuri të ish-drejtorëve të Veliajt, mes tyre kompaninë “5D” dhe hotelin luksoz që po ndërtohej prej tyre në Durrës.

Kujtojmë se një punonjëse e kësaj kompanie, ka konfirmuar se pronar i hotelit është Erion Veliaj. Ndërkohë, një ditë më parë, kreu i opozitës, Sali Berisha denoncoi se SPAK ka firmosur urdhër-arresti për Veliajn dhe vëllain e tij, por më pas është tërhequr.

Kjo lëvizje e Veliajt, vjen pikërisht në një moment ku rrjetet sociale janë shndërruar dhe në “ushqim” për SPAK, për të hulumtuar e zhbiriluar rreth çështjeve në hetim.

Një ditë më parë doli nga burgu, kush është shqiptari që u plagos nga shkëmbimi me armë zjarri në Athinë

Një 22 vjeçar shqiptar i identifikuar si Dhjonisi Kapllani, ka mbetur i plagosur sot rreth orës 02.20 në rrugën “Dodekanisou 86” në lagjen Peristeri të Athinës.

Ka qenë një “Audi” Q2 me targa ZNZ-5931 që ka ndjekur automjetin tip “Smart”, ku udhëtonte si pasagjer shqiptari. Në momentin që të dyja mjetet kanë ndaluar, nga “Smart” zbret Dhjonisi Kapllani, ndaj të cilit është hapur zjarr nga brenda mjetit “Audi”.

Nga të shtënat ka mbetur i plagosur në kofshë 22-vjecari shqiptar. Pas kësaj të dyja mjetet janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur, duke lënë të plagosur Kapllanin.

Një autoambulancë ka transportuar në spital të plagosurin, ndërkohë që në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë policia. Aty janë gjetur 6 gëzhoja dhe 2 predha arme zjarri ndoshta të kalibrit 7.62 mm.

Dhjonisi Kapllani, rezulton se ditën e djeshme ka dalë nga burgu, pasi ishte dënuar për organizatë kriminale dhe trafik droge. Gjithashtu, në vitin 2022 ai së bashku me persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri ndaj mjetit të një shtetasi grek për mosmarrëveshje personale.

Nga hetimet e deritanishme të policisë, dyshohet se personi që ka plagosur 22-vjecarin Dhjonisi Kapllani, është një grek 26-vjecar me mbiemrin Filanthropopoulos, i cili rezulton me precedentë penalë.

Ne 30 qershor 2021 është kapur bashkë me 3 shqiptarë të tjerë me 2 kg 30 gram kokainë, 5 kg 461 gram marijuanë dhe 31 gram cannabis.

Si lindi Shqipëria

Nga Ilir Ikonomi

SI LINDI SHQIPËRIA
Për të shpallur pavarësinë më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe njerëzit që e shoqëronin bënë një rrugë të gjatë që filloi nga Stambolli në datën 2 të atij muaji. Pjesa e fundit e këtij udhëtimi ishte rruga e mundimshme me kuaj nga Durrësi për në Vlorë. Një korrespondent anglez ndodhej ato ditë në Durrës dhe na ka dhënë një përshkrim të hollësishëm. U bë edhe një fotografi, por ajo ka humbur. Përshkrimin e gazetarit e kam përkthyer nga gazeta The Sun e Baltimorës:
______
Korrespondenti i gazetës Daily Telegraph në Durrës na jep hollësi interesante për themelimin e shtetit më të ri në botë, Shqipërisë. Ai na dërgon një përshkrim nga skena e nisjes drejt Vlorës të Ismail Qemal beut dhe eskortës së tij prej patriotësh të armatosur për të mbajtur Kuvendin Shqiptar. Ai shkruan:

Ismaili dhe delegatët që e shoqëronin ndenjën dy ditë në një hotel të Durrësit, të mbrojtur nga roje ushtarake që përbëhej kryesisht prej pushkatarësh, asnjëri prej të cilëve nuk ishte më pak se 60 vjeç.

Skena e nisjes së Ismailit ishte mjaft piktoreske, sepse në larminë e ngjyrave kishte diçka orientale. Në fillim erdhën banorët e qytetit, të rinjtë dhe më pas të moshuarit.

Ata kishin mësuar se delegatët ishin gati të niseshin në misionin e tyre, që do të shënonte një epokë të re, dhe rrinin në pritje për të parë, sepse koha nuk kishte asnjë rëndësi për ta.

Pritën një orë e gjysmë, deri kur çdo gjë ishte gati për nisjen. U shfaqën disa kuaj të vegjël, pastaj disa të tjerë deri sa u bënë rreth 20 gjithsej.
Disa prej kuajve u ngarkuan me valixhe dhe ushqime. Në njërin kalë vareshin në të dy anët arka nga ato të portokalleve dhe brenda tyre hipën dy kalamaj që nuk pushonin së qeshuri. Diku më tej dukej një karrocë qerreje, mbuluar me një si dyshek, mbi të cilin u vendosën valixhet që kuajt nuk i mbanin dot.
Por ajo që ngjalli shumë më tepër interes për turmën, ishin delegatët dhe kuajt e shalës që po përgatiteshin për ta.

Disa nga delegatët dukeshin të rinj dhe luftarakë, të tjerët ishin të moshuar dhe me pamje të mençur. Një prift katolik mes tyre, në vend të kamillafit të zakonshëm me strehë të gjerë, mbante një kapele me majë si ato që përdoren në forcat detare, dhe që ishte e stolisur me një gërshetë ngjyrë ari. Po të mos kishte në dorë kamxhikun, prifti do t’i ngjante një oficeri marine të maskuar.

Me sa munda të shihja, ai dhe Ismail Qemali ishin të vetmit pjestarë të paarmatosur të grupit që po nisej për misionin e madh.

Dalëngadalë njerëzit u shtuan, derisa u duk sikur i gjithë Durrësi kishte vërshuar në vendin e ngjarjes. Erdhi edhe një fotograf, i cili vendosi trekëmbëshin dhe shkrepi një foto të kësaj skene të paharrueshme. Nuk e kisha menduar se Durrësi kishte fotograf.

Ndërsa ai bënte shkrepjen, shumë njerëz nisën të ndihmojnë për të shaluar kuajt. Kjo nuk ishte aspak punë e lehtë. Njëra prej shalëve që ishte fare e re, bënte naze dhe nuk qëndronte kurrsesi mbi kalë.

Gjithsesi, në fund çdo gjë ishte gati. Te porta e hotelit u soll një kalë ngjyrë gri. Anash tij u vendos një karrige dhe, në praninë e turmës së mbledhur, Ismail Qemali e shaloi pa vonesë.

Por jo gjithçka kishte mbaruar. Ndërsa kureshtarët shtyheshin, një i moshuar mes delegatëve, që duhet të ishte njeri i respektuar dhe që mbante një karabinë mbi shalë, drejtoi kalin dhe i foli turmës në shqip. Ai shpjegoi se delegatët po niseshin me një mision në interes të kombit dhe shprehu shpresën se Durrësi do t’u uronte mbarësi në këtë punë që kishin ndërmarrë.

Gjithkush do të kishte menduar se në këtë çast turma do të shpërthente në brohoritje dhe në thirrjet “rrugë të mbarë”. E megjithatë, askush nuk shqiptoi qoftë edhe një fjalë të vetme. Ismail Qemali dhe njerëzit e gëzuar që ai kryesonte, në mënyrë metaforike u ranë mamuzeve dhe u nisën për misionin e tyre.

Ishte një karvan jashtëzakonisht piktoresk që po linte qytetin. Në ballë të tyre marshonin dy xhandarë të armatosur, ndërkohë që një mori simpatizantësh i shoqëruan në këmbë delegatët, sikur të donin t’i shpejtonin në rrugën e tyre. Nga dritaret dhe ballkonet, Durrësi e ndoqi me sy karvanin e vogël, i cili u zhduk pak nga pak në mjegullën e mëngjesit.

Përse u tradhtuan shqiptarët?

Prej një gjysmë shekulli të gjithë ne kemi mësuar se Shqipëria u shpall mbretëri për shkak të ambicies së shfrenuar për pushtet të Ahmet Zogut.

Ky mendim ka vazhduar edhe për gati 33 vite pavarësisht se studimet janë divulguar prej marshit politik.
Po përse ne ende kemi këtë përfytyrim?
Si qëndron e vërteta?

E gjitha rrëzohet prej një vështrimi sinkretik të historisë së sistemit politik të vendit, një histori politike e cila ende na mungon.
Qeveria kombëtare e Ismail Qemalit, të paktën deklarativisht, u njoh nga disa prej Fuqive të Mëdha.

Po Shqipëria vetë çfarë ishte në vështrimin e këtyre fuqive? Republikë? Monarki?

E vërteta është se Fuqitë e Mëdha, pikërisht më 1913, kur pranuan deklarimin e pavarësisë së Shqipërisë, vendosën ta njohin shtetin më të ri të Ballkanit si një shtet monarkik. Dhe kjo është një nga arsyet pse Ismail Qemali dha dorëheqjen. Ai mori udhët e mërgimit politik sepse pikërisht bashkëluftëtarët e vet e akuzuan se e kishte shpallur Shqipërinë të pavarur për t’u kurorëzuar vetë si mbret.

Vetëm një vit më pas Fuqitë e Mëdha ishin ato që sollën në Shqipëri një princ dhe e shpallën Shqipërinë një principatë të trashëgueshme, një monarki të rrudhur.
Kjo është arsyeja përse viti 1913 përmendet gjithmonë si një vit i mbrapshtë për Shqipërinë. Këtu morën shkas dhe shumica e fatkeqësive të saj;
Paqëndrueshmëria e sistemit politik.
Varësia prej fqinjëve të saj shovinistë.

Forca e madhe e presionit të të huajve cinikë dhe indiferentë ndaj fatit të saj dhe copëtimi i thellë i territoreve të saj.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër projektoi një status të çuditshëm për shtetin shqiptar. Një projekt me paradokse të forta konceptuale. Edhe autonom, edhe sovran. Edhe autonom, edhe neutral. Edhe sovran, edhe nën kontrollin ndërkombëtar.

Çfarë ishte ky sistem për shqiptarët dhe trojet e tyre tashmë të vjedhura edhe ndërkombëtarisht?
Ku ishin miqtë e saj? Dhe përse ata ishin tradhtuar kaq rëndë?

Nocioni i principatës që të huajt futën për ne parakuptonte një filiacion me monarkitë evropiane. Dhe ky ishte një projekt i mirë në letër sepse parashihte zgjedhjen e një princi nga Fuqitë e Mëdha.
Një sistem gjyqësor ku të huajt do të ishin ata që do të luanin rolin vendimtar, duke nënkuptuar se nën rregullimin e statusit të Shqipërisë gjithçka do të procedohej mbi bazën e një parimi ndërkombëtar.

Po ai kombëtar ku gjendej në projekt?

Rrugës e vërteta do të qe ndryshe. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit që u vendos në Vlorë nuk e njohu as formalisht qeverinë e Ismail Qemalit. Ai u konsiderua një faktor ‘lokal’, i barasvlefshëm me faktorë të tjerë, siç ishte p.sh., qeveria e Esad Pashës në Durrës apo qeverisja ushtarake ndërkombëtare në Shkodër. Dhe me këta faktorë do të mund të bashkëpunohej deri në zgjedhjen e princit.

Ishte ky Komision që sabotoi dhe kundërshtoi çdo aksion kombëtar të qeverisë së Vlorës duke çuar deri në dorëheqjen e Ismail Qemalit.
Kurthet që ju ngritën shqiptarëve pas kësaj ishin të njëpasnjëshme. Shqipëria ishte e vogël. Elita politike ishte gërrnjare dhe pa asnjë traditë shtetformuese. Nisur nga kjo fqinjët që i rrinin asaj pas për të përfituar gjithçka prej dobësisë së tyre realizuan për qejf gjithçka për të bërë të mundur të merrnin në dorë fatet e një kombi si shqiptaria.

Në vitet 1924 autoriteti më i lartë i shtetit ishte Këshilli i Lartë, me katër anëtarë, që përbënin kryesinë e shtetit. Ata mbajtën ndryshe dhe një titull qesharak; çerek-mbretër. Këshilli i Lartë ishte një krijesë e Kongresit të Lushnjës. Një përpjekje për t’i treguar Fuqive të Mëdha në një moment të rrezikshëm për shtetin shqiptar se klasa politike shqiptare gjithsesi po respektonte zgjedhjen që ato vetë kishin bërë. Kjo zgjidhje u konceptua si një gjë e përkohshme, derisa të vendosej forma e regjimit.

Gjatë gjithë periudhës deri tek shpallja formale e monarkisë (1928) Shqipëria kishte si institucionin më të lartë herë një “këshill shteti”, herë një “kryesi shteti”, e cila në fakt kryente funksionet e një sovrani polikratik pa kurorë.
Ishin të njëjtat Fuqi të Mëdha që ndryshimin formal të formës së regjimit nga republikë në monarki e pritën me një indiferencë spektakolare. I vetmi që kundërshtoi mbretin Zog në nismën e tij ishte themeluesi i Turqisë republikane M. Ataturk.

Në ç’sistem jetojmë?

Kjo pyetje e poetit filozof Lasgush Poradeci drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare në thelbin e vet, nuk është një çështje kërshërie poetike por një prej nyjave kyçe që ka kushtëzuar fatin historik të popullit shqiptar prej themelimit të shtetit kombëtar e këtej. Tronditjet e herëpashershme në sistemin politik, përmbysjet, marrja e pushtetit me dhunë, revolucionet popullore, luhatjet dhe pasiguritë, zig-zaget si dhe shumë paqartësi të tjera, janë shkaku themelor që Shqipëria e ka kaluar shekullin e vet pa e tejkaluar Rubiconin e saj.

Pse e hoqi Berisha 29 nëntorin në 1992-in?

Me daljen e dokumenteve gjermane, por edhe britanike, sot nuk ka asnjë dilemë për ditën e fundit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Materialet e publikuara prej vitesh nga historiani Mareglen Kasmi, nga arkivat gjermane janë pasuruar edhe me të tjera burime.

Historiani Romeo Gurakuqi, publikoi një material të gjatë në faqen e tij në Facebook, i cili është i marrë nga arkivat britanike.

Profesor Gurakuqi, i cili në qëndrimet e tij ka qenë mjaft kritik ndaj Luftës Nacional Çlirimtare dhe rolit të PKSH-së, gjithsesi thekson se Shkodra u çlirua më 29 nëntor 1944 dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim tashmë.

Në fakt nuk ka pasur asnjëherë një dyshim real historik. Edhe Padër Zef Pëllumbi në librin e tij epic “Rrno për me tregue” thekson se më 29 nëntor në Shkodër erdhën forcat partizane.

Po përse atëherë në Shqipëri kemi 33 vjet që zhvillohet një debat i pambarimtë mbi ikjen e gjermanit të fundit? Kjo sepse PD-ja sapo erdhi në pushtet më 22 mars 1992, ndër vendimet e para që mori ishte shfuqizimi i 29 nëntorit si Dita e Çlirimit dhe caktimi i datës 28 nëntor, si festë e përbashkët edhe e pavarësisë dhe e Çlirimit.

Një kaos që solli një ndarje të madhe në shoqëri, e natyrisht politizoi të gjithë historinë e vendit. Duke futur në një amulli të gjithë mendimin shkencor dhe qëndrimin logjik mbi një nga zhvillimet më të rëndësishme siç ishte lufta antifashiste.

Europa e sotme, e jo vetëm ajo, është krijuar nga fryma antifashiste e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, pjesë e të cilës ishte edhe Shqipëria.

Heqja e 29 nëntorit nga ana e pushtetit të Sali Berishës nuk se u bë duke u konsultuar dhe gjetur një zgjidhje akademike të çështjes, meqë bëhej fjalë për një vulë shkencore.

Njerëzit që dolën kundër datës 29 nuk ishin gjë tjetër veçse politikanë të PD-së, ose personazhe që më pas u quajtën historianë thjesht sepse u emëruan nga partia në akrivat e shtetit, apo studiues autodidaktë, si doktorët që shërojnë kancerin me fara e gjethe në studion e Çanit.

Mbrëmë, në Shkup, në televizionin Alsat Maqedonia, dha një intervistë profesor Neritan Ceka, i cili në më pak se 50 minuta sqaroi thjeshtë e saktë të gjitha dilemat historike që ka në Maqedoni në lidhje me Ilirët, sllavët, por edhe historinë e re të shqiptarëve.

Me argumente të betonuara në punën e tij shumëvjeçare në arkeologji, prof Ceka dha një nga intervistat më të mira, që asnjë televizion i Tiranës nuk ja ka kërkuar.

Pasi këtu në vend që të thërrasin njerëzit që kanë një jetë që merren me shkencën e historisë, thërriten arkivistë e qeflinj arkivash, të cilët këtë punë e kanë me mide, e madje marrin përsipër të quajnë banditë e kaçakë figura të rëndësishme historike, për të cilët nuk kanë folur në të njëjtën mënyrë ata që kanë një jetë mbi dokumente e materiale arkeologjike e arkivore.

Megjithatë, kjo është tjetër gjë. Sepse thelbi qëndron pikërisht tek politika. Pse e hoqi pushteti i Berishës 29 nëntorin?

Kur një pjesë e rëndësishme e pjesëmarrësve në Luftën Nacionalçlirimtare ishin edhe përkrahësit e parë të Partisë Demokratike. Kishte edhe partizanë që u bënë anëtarë dhe përfaqësues forumesh të PD-së.

Heqja e datës së çlirimit, krijoi një përçarje të madhe në vend. Sa u kthye edhe në kauzë politike. PS mbrojti fort 29 nëntorin, e organizata e veteranëve u kthye një strukturë gati politike pranë PS-së siç është edhe sot.

Edhe pse PD vendosi 28 nëntorin si datë çlirimi, gjatë pushtetit të saj, dita e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe luftës së kryer nga partizanët pothuajse humbi çdo kuptim e përkujtim. Duke e zëvendësuar me përvjetoret dhe dekorimet e personazheve që kishin qenë në krahun e pushtetit fashist dhe nazist në Shqipëri.

Ideja ishte e qartë, që me 29 nëntorin, të hiqej një simbolikë politike e së majtës në vend, e kështu politika të zëvendësonte atë simbolikë me të tjera. Por kjo nuk kryhet me urdhër, apo vendim politik, siç nuk bëhet me dekorime politike rivlerësimi i figurave të diskutueshme në histori.

Në vende të civilizuara, këtë debat e kryejnë akademikët dhe intelektualët. Gabriele D’Annunzio, shkrimtari e poeti i madh Italian jo vetëm që ishte një përkrahës i fashizmit, por edhe pjesë e rëndësishme e strukturave politike nën 20 vjeçarin që drejtoi Musolini. Po ashtu edhe poeti i njohur amerikan Ezra Paund etj etj. Vlerësimin e tyre nuk e ka bërë pushteti politik antifashist i ardhur pas Luftës së Dytë Botërore në Itali, por njerëzit e shkencës dhe të letrave.

Sot në Itali, kryeministre është kryetarja e një partie që origjinën e ka nga neofashistët e Movimento Sociale Italiane. Si Giorgia Meloni, ashtu edhe drejtuesit e partisë së saj nuk marrin pjesë në festimet e 25 prillit, ditën e Çlirimit të vendit nga fashizmi. Madje këtë e thonë hapur, duke mbajtur qëndrimin e tyre kritik ndaj 25 prillit, atyre që e mbështesin dhe bëhet një debat i zjarrtë në mediat italiane. Por nuk i ka shkuar asnjëherë në mendje partisë së Melonit që të heqë me vendim parlamenti Ditën e Çlirimit.

Edhe në Shqipëri, do të ketë gjithmonë një pjesë që e sheh me sy krejt tjetër, madje edhe të ashpër çlirimin e Shqipërisë nga nazizmi, partizanët, pushtetin që erdhi më pas etj etj. Ky debat sipas të gjitha gjasave nuk do të përfundojë ndonjëherë. Palët janë të ndara, siç u nda bota me thikë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. E në Shqipëri, pasojat ishin edhe më tragjike, e ka logjikë një ndarje e madhe. Pushteti që erdhi pas rrëzimit të komunizmit, detyrën e kishte që të pajtonte e zbuste traumat e diktaturës, e jo të hapte të tjera.

Siç dhe ndodhi, por që politikisht humbi PD e Sali Berisha. Të cilët bënë kundër edhe të gjithë ata pjesëtarë të Luftës Nacional Çlirimtare që ju bashkuan opozitës, me shpresën e një pushteti demokratik. Elektoralisht, PD, me heqjen e 29 nëntorit i dhuroi të majtës një komunitet politik që thuajse nuk ka ndryshuar prej atëherë.

Blushi tregon “aventurën”, rrugës për Prishtinë: Më gjobitën 300 mijë lekë në Kukës. Dhe Batonin. Në Kosovë më ndaluan, por kërkuan që të…!

Ben Blushi ka rrëfyer “aventurën” e tij teksa ishte nisur nga Tirana për të shkuar në Kosovë. Në një postim në Instagram ai rrëfen se është ndaluar nga policia në Kukës dhe ka marrë 300 mijë lekë gjobë të vjetra, pasi është kapur mbi shpejtësinë e lejuar.

Ndërkohë, teksa kthehej nga Kosova në Tiranë, është ndalur edhe nga policia e Kosovës, por këta të fundit, edhe pse ka qenë mbi shpejtësinë e lejuar, nuk i kanë vendosur gjobë, por i kanë kërkuar që t’u japë dy libra me nënshkrim.

Reagimi i plotë:

KU NDRYSHON SHQIPËRIA ME KOSOVËN

Sot shkova në Prishtinë. Kalova Kukësin. Më ndalon policia. Maste shpejtësinë. Me radar. Isha me 144 km në orë. Shpejtësia e lejuar ishte 60 km. Më vunë gjobë. 300 mijë lekë. Të vjetra. Pse kaq shumë? Ne vëmë shumë gjoba. Sa shumë. I vumë dhe atij. Kujt?Baton Haxhiut. Sa i vutë? 40 mijë. Të vjetra.

Pse kaq pak? Na erdhi keq. Mora fletën e gjobës. U futa në makinë. Filloi shiu. U nisa. Kalova Prizrenin. Më ndalojnë prapë. Policia e Kosovës. Kishin radar. Isha me 129 km në orë. Lejohej 110. Polici afrohet. Hapa xhamin. Më kërkoi patentën. Ia dhashë. Shkoi te makina e tij. Policja tjetër ishte bjonde. Verifikuan patentën time. U kthye te unë. Më tha. Më jep një libër.

Dola nga makina. Hapa bagazhin. Mora dy libra. Romanin “KOMPLOTI”. Nënshkrova dy autografe. Një për policin. Tjetrën për policen. Frynte erë. Rregullova flokët. U nisa. Arrita në Prishtinë. Kisha 300 mijë lekë më pak. Asnjë libër. Mbarova punë. U ula për drekë. Hëngra dy supa. Me perime. Ishin të nxehta. U ktheva. Nuk frynte më erë. Nuk binte shi. Nuk kishte polici. Eca shpejt. Asnjë gjobë. Arrita në Tiranë. Qesha shumë./m.j

Pagesa për rrugën Thumanë-Kashar do të jetë 2.52 euro, do të fillojë në ditët në vijim

Ditën e djeshme, u krijuan radhë të mëdha në rrugën e re Thumanë-Kashar, e cila filloi testimin e pagesave për të kaluar në 21 kilometrat e ndërtuara përmes koncesionit.

Pagesa u hoq pas amullisë së krijuar me trafikun.

“SUKSESI” QEVERITAR – “Trau” shkakton trafik në Thumanë – Kashar, radha e automjeteve i kalon 10 kilometra
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), sqaroi sot se kompania ka kryer në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit.

Publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës, tha Ministria.

Pagesa për këtë aks është 2.1 euro pa TVSH, ndërsa pagesa finale për ata që do të kalojnë rrugën, përfshirë TVSH-në është 2.52 euro.

“Pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës”, thuhet në njoftim.

Ministria tha se ky aks rrugor, u hap përpara afatit për t’i dhënë frymëmarrje qarkullimit dhe për të lehtësuar trafikun në akset e veriut, si dhe për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në këto akse.

Aksi Thumanë-Kashar 21 km, është autostradë e tipit A me shpejtësi 130 km në orë. Për ndërtimin e saj u përdor forma e koncesionit me financim privat për 35 vjet.

Të ardhurat e për të gjithë periudhën e koncesionit me gjithë TVSH llogariten 1,6 miliardë euro.

Vlera e investimit është 271 milion euro, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës, Ky segment është pjesë Korridorit Adriatiko -Jonian.

Nga viti 2024 deri në vitin 2031 kompania private fitimin e ka të garantuar, pasi është parashikuar që në rast se do të ketë një rënie të nivelit të të ardhurave, buxheti i shtetit do subvencionojë humbjen dhe nga buxheti i shtetit janë vënë në dispozicion 22.8 milionë euro garanci.

Thumanë-Kashar, është aksi i dytë në vend pas asaj të rrugës së Kombit, që bëhet me pagesë. Po ashtu, me pagesë do të jetë kalimi edhe në tunelin e Llogarasë.