U arratisën nga burgu në Greqi, identifikohen dy shqiptarët e rrezikshëm

Janë identifikuar dy të burgosurit shqiptarë, të cilët mbrëmjen e djeshme u arratisën nga burgu i Kassavetias në Greqi.

I pari është Romeo Qosja, 41 vjeç nga Cërriku, i dënuar nga Gjykata e Athinës me 20 vjet heqje lirie për vrasje, grabitje, shkatërrim prone me zjarr dhe armëmbajtje pa leje, raporton korrespondenti i Top Channel në Greqi, Artur Bibe.

Personi i dytë është Lefter Toçi, 41 vjeç nga Bradasheshi i Elbasanit, i dënuar nga Gjykata e Athinës me 20 vjet heqje lirie për pjesëmarrje në organizatë kriminale, bashkëpunim në vrasje, plagosje me pasojë vdekje, grabitje, shkatërrim prone me zjarr.

Ata ndodheshin në burgun e Kassavetias prej vitit 2019 dhe mbaheshin në një zonë të parrethuar për shkak të sjelljes së mirë. Ata rezultojnë të kenë marrë 5 leje gjatë vitit 2024. Mesa duket kanë përfituar nga kthimi i tyre nga leja disa ditë më parë, për të planifikuar arratisjen.

Zbulohet pasuria marramendëse e kryeministres së Tajlandës

Kryeministrja e Tajlandës Paetongtarn Shinawatra ka zbuluar se ka një pasuri personale me vlerë pothuajse 400 milionë euro (13.8 miliardë baht) në deklaratën e saj të të dhënave financiare, që u publikua sot.

Investimet e 38-vjeçares të ndryshme dhe bizneset kapin vlerën e 11 miliardë baht (mbi 310 milionë euro), ndërsa ka një miliard baht (mbi 28 milionë euro) në para cash.

Pasuritë e tjera të saj përfshijnë, 75 ora luksoze me vlerë 162 milionë baht (pothuajse 4.6 milionë euro), 217 çanta të shtrenjta me vlerë 76 milionë baht (mbi 2 milionë euro), si dhe prona në Londër dhe Japoni.

Paetongtarn Shinawatra deklaroi gjithashtu detyrime prej gati pesë miliardë baht (mbi 141 milionë euro), sipas dokumentit NAÇ të publikuar nga mediat tajlandeze, duke e çuar vlerën e pasurisë së saj neto në 8.9 miliardë baht (mbi 251 milionë euro).

Zbulohet pasuria marramendëse e kryeministres së Tajlandës

Babai i saj, Thaksin Shinawatra bleu klubin e futbollit Manchester City në vitin 2007 pasi ai kishte shërbyer edhe si kryeministër i Tajlandës dhe aktualisht ka një pasuri prej 2.1 miliardë dollarësh, sipas Forbes.

Ai është njeriu i dhjetë më i pasur në vendin e tij.

Thaksin Shinawatra përdori pasurinë e tij, të ndërtuar nga perandoria e tij e telekomunikacionit Shin Corp, për të hyrë në politikë dhe familja e tij ruajti ndikimin e saj edhe gjatë viteve në mërgim që pasuan rrëzimin e tij në një grusht shteti në shtator 2006.

Agron Llakaj përlot me fjalët për bashkëshorten

Aktori Agron Llakaj në natën e ndërrimit të viteve ka bërë një dedikim të veçantë për bashkëshorten e tij të ndjerë, Konstantinën.

“Konstandina ëngjëll, bekim në jetën tonë. Të kemi në shpirt e zemër. Je forca jonë. Ishe, je dhe do të jesh mes nesh ashtu siç ti rrezatoje, mirësi, dritë dhe dashuri”.”, shkruan Llakaj.

Ai ka treguar hapur dhimbjen e humbjes së bashkëshortes, por ka gjetur forcën për të vazhduar.

Shqipëria, mes vendeve më të varfëra të Europës, çmimet rivalizojnë shtetet më të pasura

Shqipëria është ndër vendet më të varfra të Europës, por për disa çmime mund të krahasohet me shtetet më të pasura.

Një prej këtyre produkteve janë këpucët. Mesatarisht në Shqipëri një palë këpucë kushtojnë 16% më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Psh, nëse në BE, këpucët janë 100 euro në dyqan, në Shqipëri ato i blen për 116 euro.

Ky është çmimi i gjashtë më i shtrenjtë në Europë, pas Danimarkës (125%), Islandës (123.5%), Zvicrës (121.6%), Estonisë dhe Finlandës me 117%.

Më të lirat në Europë, këpucët i gjen në Turqi, me 30% të mesatares Europiane, dmth një palë që në BE kushtojnë 100 euro, në Turqi i blen me 30 euro.

Edhe për veshjet shqiptarët duhet të shpenzojnë më shumë për shkak të çmimeve të shtrenjta. Veshjet kushtojnë rreth 5% më shumë sesa mesatarja e Europës.

Edhe në këtë renditje, Shqipëria është e 11-a më e shtrenjtë.

Në vend të parë është Zvicra (44% më shumë se mesatarja e BE-së), ndërsa më e lira sërish është Turqia, me rreth 30% të mesatares së BE-së.

Teksa tregtia me pakicë e veshjeve dhe këpucëve është riorganizuar dekadën e fundit drejt qendrave tregtare, çmimet duket se janë bërë më të shtrenjta.

Sipas të dhënave të Eurostat, në 2014-n, çmimet e veshjeve ishin sa 85% e mesatares europiane, ndërsa ato të këpucëve, sa 92%.

Këpucët e kaluan mesataren e BE-së në 2020-n (102.9%), ndërsa veshjet në 2023-n.

Çmimet e shtrenjta çojnë shqiptarët të Gabi

Të dhëna të tjera tregojnë se me inflacionin e lartë të dy viteve të fundit ka një zhvendosje të blerjeve të konsumatorëve shqiptarë, të cilët kanë frenuar blerjen e veshjeve të reja, duke u zhvendosur tek të përdorurat.

Të dhënat e INSTAT, nga tregtia e jashtme tregojnë se në 8-mujorin 2024, importet e tekstilit dhe këpucëve në vlerë shënuan rënie me 8.6% dhe nga ana tjetër, importet e veshjeve të përdorura shënuan rritje me 4.7%.

Gjatë janar-gusht 2024, importet e veshjeve të përdorura arritën 2,47 miliardë lekë nga 2,3 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Ndërsa tekstilet dhe veshjet e reja shënuan 56 miliardë lekë importe, nga 61,4 miliardë që ishin vitin e kaluar në 8-mujor.

Importet e veshjeve zënë pjesën më të madhe importit duke arritur në 47.3 miliardë lekë në janar-gusht 2024, me rënie vjetore 8.47%.

Importet këpucëve shënuan një vlerë prej 8,8 miliardë lekësh në të njëjtën periudhë nga 9,7 miliardë lekë që u importuan në të njëjtën periudhë të vitit 2023 me rënie vjetore 9.3%.

Rënia e importeve të veshjeve dhe këpucëve vijon për të dytin vit radhazi, pasi edhe më 2023 ishin 4,2% më të ulëta se më 2022.

Nga ana tjetër, tregu i veshjeve të përdorura po rritet nga viti në vit. Vlera në import kaloi 24 milionë eurot në 8-mujor me rritje vjetore 4.7%./Monitor

Më mirë vonë se kurrë, 50 vjeçe në klasë të … parë!

As gjashtë, as shtatë, por pesëdhjetë vjeçe në klasë të parë! Dikujt mund t’i duket e pabesueshme, e shumëkush mund të habitet, por aq i kishte një grua nga pjesa qendrore e Kosovës, kur nisi të shkollohej tre vjet më parë.

“Sikur të më thoshin para shumë vitesh se një ditë do të vija në shkollë, nuk do të besoja kurrë. Por, ja… mrekulli”, thotë Drita.

Sot 53 vjeçe, ajo ndjek mësimin joformal në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.

Është institucioni i vetëm publik në kryeqytet që ofron mësim të tillë për të rritur – nga 18 deri mbi 50 vjeç.

Klasën e parë deri në të pestën, ata e përfundojnë për një vit shkollor, ndërsa vitet tjera zgjasin nga 18 javë.

Përgjatë kësaj periudhe, ata arrijnë njohuritë e filloristëve, që për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur t’i ndjekin si fëmijë.

Ëndrra e viteve ‘80

“Ne ishim shumë fëmijë në familje dhe prindërit nuk kishin mundësi ekonomike të na shkollonin të gjithëve”, thotë Drita për Radion Evropa e Lirë, e cila kërkon të mos identifikohet plotësisht.

Ëndrra për t’u shkolluar kujton se e ka përcjellë nga vitet ’80, kur shihte kushërirën e vet që shkollohej.

Tregon se vjershat dhe ndonjë shkronjë aty-këtu e ka mësuar prej saj. Por, thotë se kishte edhe një moment më të dashur për të: kur kushërira përgatiste çantën për orarin e ditës së nesërme.

“Çdo ditë shkoja tek ajo, vetëm ta shihja se si e ndan orarin… Shpesh i lutesha që ta bëja unë në vend të saj”, thotë Drita.

Ajo nuk dëshiron të flasë shumë për vitet pas, as për të bukurat dhe sfidat që i solli jeta. Por, thotë se me të dëgjuar për mundësinë e mësimit joformal, nuk u mendua shumë.

Krahas obligimeve familjare dhe punës si mirëmbajtëse, nisi të udhëtonte çdo ditë disa kilometra nga qyteti ku jeton për të shkuar në shkollë në Prishtinë.

“Biologjia më pëlqen, matematika është më e vështirë. Boll zor të zgjidhësh detyra, por më ndihmojnë edhe arsimtarët”, thotë Drita.

Ëndrra e lënë në gjysmë
Një histori të ngjashme me të ndan edhe shoqja e grupit, Flora. Ajo u rikthye në shkollë para dy vjetësh, apo gati 20 vjet pasi që e braktisi pa dëshirën e saj.

“Unë i nisa mësimet në klasën e gjashtë, por nga fshati im nuk kishte asnjë vajzë dhe rruga deri në fshatin tjetër, ku ishte shkolla, ishte e gjatë… Prindërit shqetësoheshin për sigurinë time dhe më detyruan ta ndërpres shkollën”, kujton e mërzitur Flora, duke mos dashur as ajo të identifikohet plotësisht.

Sot 34 vjeçe, ajo ndjek mësimin joformal në klasën e nëntë.

Teksa flet për Radion Evropa e Lirë, tregon se pareshtur ka menduar sesi ta vazhdojë një ditë shkollimin.

Ajo thotë se ka ndjekur disa kurse rrobaqepësie dhe se është punësuar në një shtëpi dizajni në Prishtinë, porse kjo nuk e ka përmbushur kurrë.

“Vazhdimisht, më këdo që takohesha, shprehja interesim dhe dëshirë për të vazhduar shkollën… sepse për mua arsimimi nuk njeh moshë”, thotë Flora.

Dhe, në vitin 2022 iu bashkua grupit të të rriturve në shkollën “Emin Duraku” që kishin fate të ngjashme me të.

“Më kishte marri malli për bankat, shumë nostalgji, shumë emocione”, shprehet 34-vjeçarja.

Nxënëset e rritura thonë se e çojnë mirë me njëra-tjetrën dhe, përveçse mësojnë bashkë, gjejnë edhe kohë për argëtim.

Ndryshe nga Drita, Flora e pëlqen lëndën e matematikës dhe atë të teknologjisë informative.

Thotë se mësimi në këtë moshë është më sfidues, porse nuk e ka ndërmend të ndalet vetëm me shkollën fillore. Ajo do të ndjekë edhe shkollën e mesme dhe universitetin, që një ditë të bëhet programere.

“Në këtë mënyrë do ta përmbush ëndrrën e lënë në gjysmë”, thotë Flora.

A e takoi Parashqevi Simaku djalin e saj? Elton Ilirjani jep përgjigjen e shumëpritur

Rasti i Parashqevi Simakut, e cila jetonte e pastrehë në Nju Jork tronditi opinionin publik.

Pas ndihmës së dhënë, kryesisht nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Elton Ilirjani, situata e këngëtares paraqitet më e mirë.

Tashmë këngëtarja e njohur shqiptare pret që të takojë djalin e saj, Luke.

Një qytetar nga Shqipëria ka pyetur Elton Ilirjanin, nëse Parashqevi Simaku e takoi djalin.

Biznesmeni i thotë se takimi i këngëtares me të birin do të zhvillohet nesër.

I shpallur në kërkim/ Bëhet virale videoja në club e Jetmir Pepajt duke puthur Klea Prengën

Jetmir Pepaj është një person i njohur tashmë në media

Ai është ish-bashkëshorti i Mariela Berishës, e cila së bashku me të motrën dhunoi barbarisht blogeren Klea Prenga, duke e goditur me shishe në fytyre.

Pepaj është shpallur në kërkim pasi ka qëlluar me armë dy herë brenda një lokali të natës.

Ndërkohë që në rrjete po qarkullon një video e tij, ku shfaqet duke i hedhur krahun në qafë Klea Prengës.

Humb kontaktet me bashkëjetuesen dhe vajzën/ Burri: Gruaja ime ishte ruse, më 2015 hyra në burg dhe…

Në emisionin Me zemër të hapur në News 24, një burrë nga Kosova kërkon ish-bashkëjetuesen dhe vajzën që ka bërë me të, Dritën.

Burri shprehet se dëshiron kontakte me vajzën e tij, ndërsa mund të ketë kontakte me bashkëshorten, nëse ajo dëshiron. Ai tha se rusen e ka njohur në Kroaci, e ka dërguar në Kosovë, aty kanë jetuar, kanë bërë një vajzë, e cila tashmë është mbi 30 vjeçe.

Sipas burrit nga Kosova, kontaktet me familjarët i ka humbur totalisht më 2015, kur edhe ka rënë në burg. Ai shprehet se vajzën nga afër e ka parë që kur ajo ka qenë 2 vjeçe, por se ka folur me të dhe bashkëjetuesen deri para 9 viteve me anë të celularit.

Burri: Gruaja që ka jetuar me mua ka qenë ruse. Gruaja e ka emrin Larisa. Vajza ime është Drita, është mbi 30 vjeç. Jemi njohur në Kroaci. Unë kam qenë duke punuar në treg në Kroaci dhe ajo erdhi me nënën e saj dhe aty jemi njohur. Ajo ishte ruse dhe zhvilluam më tej dashurinë tonë. Nëna e saj iku në Rusi, ndërsa ne erdhëm në Kosovë. Larisës i pëlqeu Kosova. Unë kam ardhur në Austri dhe nuk kam më kontakte më me të. Ajo nuk erdhi se nuk kishte letra. Në atë kohë, Drita nuk ka qenë as 2 vjeçe. Nuk kemi bërë martesë, por vetëm kemi bashkëjetuar.

Unë kam foto të gruas dhe të vajzës, Dritës. Vajzën time e kam takuar për herë të fundit më 2015, mua më kapi policia dhe nuk di më asgjë. Nga afër vajzën e kam parë deri në 2 vjeç, pastaj kam folur vetëm me telefon. Në telefon foton e vajzës ma ka dërguar bashkëjetuesja ruse me Viber. Madje, Drita ka bërë edhe një vajzë.

(Balkanweb)

Shpopullim ALARMUES në Tiranë: 22% e të rinjve largohen nga kryeqyteti

Tirana është i vetmi qark në vend që njohu një rritje të lehtë të popullsisë me 1.2%, ndërmjet 2011 dhe 2023, por nga ana tjetër ka pësuar rënie të mprehtë të popullsisë së re në moshë 15-19 vjeç.

Sipas të dhënave nga Cens 2023 qarku i Tiranës kishte 158,288 persona të moshës 15-29 vjeç, nga 202 mijë që ishin në vitin 2011 me rënie gati 22 %.

Rritja e popullsisë së përgjithshme dhe rënia e mprehtë e të rinjve tregon për një ndryshim të strukturës së popullsisë në favor të plakjes së popullsisë. Ky tregues është një sinjal i fortë për trendët e konsumit të qarkut më të rëndësishëm në vend.

Për dekada me radhë Tirana është qarku që ka shërbyer si qendër graviteti për të rinjtë e të gjithë vendit, për shkak se ka korpusin universitar publik më të madhin në vend.

Të rinjtë që vijnë për studime në Tiranë zakonisht zgjedhin të mos kthehen më në vendet e origjinës dhe të bëhen banorë të Tiranës dhe të jenë konsumatorët më të mëdhenj të banesave të reja.

Po gjatë dekadës së fundit kostot e jetës në Tiranë janë rritur më shpejt se pagat për të rinjtë, kështu që të rinjtë nga rrethet janë duke e përdorur kryeqytetin si një trampolinë për të emigruar në vendet e tjera.

Studentët po qëndrojnë në Tiranë sa për të përgatitur infrastrukturën, kurset gjuhet e huaja dhe kualifikimet teksa tentojnë të ikin me kontrata pune jashtë vendit.

Largimi i të rinjve ka qenë si një pandemi për Shqipërinë e tranzicionit dhe ky është dëmi më i madh që i shkaktuar sidomos perspektivës së zhvillimit.

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se Gjirokastra, Fieri, Lezha dhe Elbasani kishin rënien me të madhe të rinjve që nga viti 2011.

Gjirokastra që është edhe qarku më i plakur i vendit u përball me rënien më të fortë të numrit të rinjve ndërmjet dy censeve me 55%.

Në vitin 2023 në këtë qark u numëruan rreth 7 mijë persona në grup-moshën 15-29 vjeç nga rreth 17 mijë që ishin në vitin 2011.

Në qarkun e Fierit rënia ishte 53.5%, duke e çuar numrin e tyre në 38 mijë më 2023 nga 71 mijë që ishin në 2011. Lezha gjithashtu kishte rënie me 49 për qind i ndjekur nga Elbasani po në këtë masë.

Normat e emigrimit të rinjve në Shqipëri në 10 vitet e fundit kalojnë edhe vendet që kanë përjetuar lufta të përgjakshme, atyre që jetojnë në diktuara ekstreme dhe vendeve tmerrësisht të varfra.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se nga viti 2013 në 2023 në vendet e Bashkimit Europian kërkuan azil 64.2 mijë shqiptarë nën 18-vjeç. Në vlerë absolute kjo shifër ishte e pesta në botë, por, në raport me popullsinë, Shqipëria kishte normën e dytë më të lartë në botë të azilkërkuesve nën 18 vjeç në BE, me 241 të rinj për 10 mijë banorë, pas Sirisë./ Monitor.

E rëndë, babai ν ret djalin pas një debati

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Tetovë, ku një 65 vjeçar ka vrarë djalin e tij 39 vjeçar pas një debati. Sipas mediave vendase, trupi i pajetë është gjetur mbrëmjen e enjtes në “Bllok 70” në Tetovë. Sipas informacioneve të para, dyshohet se 65 vjeçari e ka qëlluar të birin me pushkë.

“Sot (02.01.2025) rreth orës 18:50 në bllokun 70 në Tetovë, S.N.(39) është gjetur në shtëpinë e tij pa shenja jete, me plagë me armë zjarri në kokë. S.N. ka jetuar vetëm me babain e tij, i cili është gjetur pa ndjenja dhe nga ana e Emergjencës Mjekësore është dërguar në Qendrën Urgjente të Tetovës.

Në dhomën ku është gjetur S.N. është gjetur një pushkë gjuetie. Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve për zbardhjen e rastit, në koordinim me prokurorin publik, është konstatuar se kemi të bëjmë me vepër penale “vrasje” e kryer më datë 31.12.2024, ku pas një konfrontimi fizik të mëparshëm, M.N. (65) ka vrarë me pushkë gjuetie djalin e tij S.N. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të përgaditet parashtresë përkatës”, ka njoftuar policia maqedonase.