Ja çfarë ndodh me trupin kur heq dorë nga sheqeri i bardhë, ndryshimet janë befasuese

Sheqeri i bardhë është i zhveshur nga fibrat, mineralet dhe vitaminat, ndaj përthithet shumë shpejt nga trupi. Kjo shkakton rritje të menjëhershme të nivelit të sheqerit në gjak, e ndjekur nga një rënie po aq e menjëhershme, për shkak të insulinës që sekretohet për ta balancuar.

Kjo luhatje e shpejtë e glicemisë stërmundon trupin. Organet hyjnë në “modalitet kursimi”, si një telefon me vetëm 10% bateri. Lodhje ekstreme, përgjumje, vështirësi për t’u përqendruar janë rezultatet. Ndërkohë, hormonet si adrenalina dhe noradrenalina rriten për të stabilizuar sheqerin, duke ndikuar drejtpërdrejt në humor, agresivitet, nervozizëm, irritim.

Çfarë ndodh pasi heq dorë nga sheqeri:

1. Nuk të zë më gjumi pas ushqimit

Ajo përgjumja e papërballueshme pas drekës pothuajse zhduket. Glicemia nuk lëkundet dhe ndihesh më i freskët në punë.

2. Më pak irritim dhe humor i qëndrueshëm

Pa luhatjet e sheqerit dhe pa shpërthimet hormonale, ndihesh shumë më i qetë emocionalisht.

3. Gjumi më i mirë

Fle thellë dhe zgjohesh me energji.

4. Lëkurë më e pastër

Sheqeri i bardhë përkeqëson inflamacionet dhe sekrecionin e yndyrës. Aknet e vazhdueshme në faqe dhe ballë zhduken.

5. Sindroma PMS më e lehtë

Hormonet janë më të balancuara.

Tronditëse/ Hyri me forcë në pistën e aeroportit, burri thithet nga motori i avionit

Aksident dramatik këtë të martë në aeroportin Orio al Serio (Bergamo), ku një burrë vdiq pasi u përplas në motorin e një aeroplani në lëvizje.

Sipas asaj që është konstatuar deri më tani, viktima mund të ketë hyrë vullnetarisht në zonën operative të aeroportit me qëllimin për t’i dhënë fund jetës së tij.

Burri, i cili nuk ishte as pasagjer dhe as punonjës i aeroportit, mund të ketë arritur në pistë duke shmangur kontrollet e sigurisë dhe duke vrapuar drejt avionit që ishte tashmë në lëvizje.

Policia, e cila kishte vënë re lëvizjet e tij, nuk mundi ta ndalonte në kohë.

Autoritetet tani po hetojnë për të rindërtuar incidentin dhe për të verifikuar se si burri arriti të kapërcente masat e sigurisë.

Trafiku ajror, i ndërprerë përkohësisht për të lejuar inspektimet dhe sigurimin e zonës, rifilloi rreth mesditës.

“E pamë këtë zotëri duke ikur me vrap nga stjuardët, fillimisht u hodh kundër guaskave, mbrojtjeve të motorit të djathtë të aeroplanit, pastaj u kthye dhe ose u hodh ose u thith në helikën e motorit të majtë: kështu ndodhi ajo që ndodhi”, tha një dëshmitar.

Erdhi për pushime në Theth, turisti e gjen vilën të rrafshuar: Kjo dëmton imazhin e vendit tuaj

Një turist nga Jemeni që kishte rezervuar për të kaluar dy ditë pushime në Theth, ka mbetur i shokuar sot më 8 korrik, kur ka ardhur dhe e ka gjetur vilën ku do të qëndronte të rrafshuar.

“Jam nga Jemeni. Ky është rezervimi im. Çfarë të bëj unë? Jam me familjen time. Nuk është mirë për vendin tuaj, për vizitorët që vijnë në vendin tuaj për të qenë të lumtur.

Kur vjen, bën një rezervim në një hotel diku dhe kur vjen nuk e gjen. Është hera e parë që vij këtu, jam me familjen time. Çfarë do bëjmë tani?”– thotë turisti, i cili sqaron se nuk ka marrë zgjidhje se ku do të qëndrojë tani.

Pushuesi nga Jemeni kishte rezervuar tek një kompleks me vila në Theth, që u shembën këtë të martë, 8 korrik 2025, nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe autoritetet lokale, pas një aksioni për largimin e ndërtimeve pa leje në këtë zonë.

Më herët lidhur me ngjarjen, foli dhe një prej banoreve të zonës, e cila ka dhe godinat private të drurit, e cila u shpreh se turistët janë larguar. Zonja bëri thirrje se brenda disa orësh nuk mund të transferojnë në vend tjetër pushuesit që ndodhen në këto struktura druri. Ajo e vuri theksin tek thirrja e qeverisë për të kultivuar sa më shumë turizmin në vend, duke u shprehur se: “Thonë bëni turizëm, s’lënë të bësh turizëm”./Klan

Heqja e objekteve pa leje në Theth, banorja me lot në sy: I kemi bërë me djersë, ku do të mbytemi ne?

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar edhe këtë të martë aksionin në Theth për heqjen e strukturave dhe objekteve të vendosura nga banorët pa lejet përkatëse, ndërsa pronarët dhe familjarët kanë shprehur trishtim dhe shqetësimin mbi këtë veprim.

Një nga zonjat, duke folur për mediat, ka qenë tepër e indinjuar dhe me lot në sy tha se kjo është një padrejtësi e madhe që po u bëhet.

Ajo thotë se gjithçka është bërë me mundim dhe me djersë dhe është tepër e padrejtë, sipas saj, që të humbet në këtë mënyrë puna dhe djersa e fëmijëve.

Zonja i bëri thirrje instancave shtetërore që të mos i cenojnë në këtë mënyrë, pasi sipas saj po u heqin mundësinë për të jetuar.

“Nuk është drejtë”, – thotë ajo me lot në sy, ndërsa tha:

“I kemi bërë me mundime dhe me djersë, e me jetima. Nuk është drejtë! Kam vuajtur, kam rritur 6 fëmijët e mi dhe dy jetima me bukë e kripë. Nuk është drejtë me na hedhë poshtë djersën e fëmijëve që kanë punuar këtu. Është padrejtësi. Jemi në tokën tonë, këtu e 500 vjet kemi punuar me krah këtë tokë. Nuk është drejtë që të na humbasin mundimin e djemve tanë. Kam 5 djem me 5 gra. Ne kemi qenë të gatshëm me plotësu kërkesat e shtetit. Ku do të mbytemi ne me 25 familjarë?! E kemi me djersë, me mundim. Nuk është e drejtë! Shikoji fëmijët sa grimë janë, shikojini! Nuk është drejtë!”, – vijon të thotë e përlotur zonja nga Thethi. “I bëjmë thirrje shtetit të mos na cenojë kështu se nuk kemi mundësi ku të jetojmë dhe kalojmë. Nuk është drejtë!”, – e mbyll fjalën zonja, e cila thotë se ka 40 vjet që merret me punët në ndihmë të familjes së saj.

Ndërsa një djalë 18-vjeçar, përfaqësues i një familjeje tjetër që do t’i hiqen objektet, tha se për ta kjo është një katastrofë, pasi po u hiqen këto struktura që nuk kanë asnjë pikë betoni.

Ai u shpreh se nuk u mbetet gjë tjetër veçse të marrin valixhet dhe të largohen jashtë vendit.

“Na ka gjet një katastrofë! Këtu e kemi ndërtuar me babën, në tokën tonë, të trashëguar brez pas brezi. Pse mos ta bëjmë diçka? Nuk ka asnjë pikë beton! Nuk ka pse të prishet! Shteti, është shtet?! Vjen, të lajmëron me këto që na kanë ndodhur… Tani nuk na ngelet rrugë tjetër, veç të marrim valixhet dhe të ikim jashtë vendit. Unë jam 18 vjeç dhe këtu e kam pas të ardhmen – dhe kjo po më ikën,” – tha Stiven Koçiu.

Një tjetër banore e zonës ankohet se nuk ka marrë zgjidhje lidhur me situatën, e se turistët janë larguar. Ajo bën thirrje se brenda disa orësh nuk mund të transferojnë në vend tjetër pushuesit që ndodhën në këto struktura druri. Pronarja e vë theksin tek thirrja e qeverisë për të kultivuar sa më shumë turizmin në vend, teksa shprehet se “Thonë bëni turizëm, s’lënë të bësh turizëm”.

“I kemi ndërtuar këtu e katër muaj. Kemi thënë që duam të ngrejmë një biznes. Na kanë thënë që nuk lejohet beton. Me beton s’kemi ndërtuar gjë. I kemi struktura druri. Thonë bëni turizëm, po bëjmë turizëm, spo na lënë të punojmë. S’dimë ku të kërkojmë të drejtat tona. Njerëit janë brenda, për dy orë ku ti çojë? Thonë ke dy orë afat. Ne duam një zgjidhje, jemi familjarë, duke rrit fëmijët. I kemi me gjak trupi, të na japin një zgjidhje se çfarë të bëjmë. Hiqi thotë, ku t’i çoj? Ku t’i çojmë? Zot na ruaj, na jep durim! Bëni turizëm, s’lënë të bësh turizëm. S’dimë ku të shkojmë as ne. Këto janë tokat tona. S’kemi konflikt me askënd. Unë s’di gjë. Ku të kërkojmë ne? Nuk e di. Turistëve çfarë t’u themi? Janë duke hyrë brenda. Kanë ikur ata që ishin. Vjen tjetri. Ata duan të vijnë, ku t’i çojmë ne për dy orë? Nuk ua kemi shpjeguar. As ne nuk dimë si t’ua shpjegojmë. Për dy orë, s’ka bërë vaki në gjithë botën. Për dy orë t’i thuash turistit se nuk mundem të të lë brenda. Të paktën të njoftonin kohë më parë, por për dy orë ku t’i çojmë?”, tha pronarja e shtëpizave prej druri.

Rama iu dha ultimatum 48 orësh, bizneset në Lungomare kërcënojnë me mbylljen totale

Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë nismën e lirimit të hapësirave publike. Këtë nismë, kryeministri e ndërmori nga Vlora, qytet i cili, sipas tij është shembulli më i keq në vend në zaptimin e hapësirave publike.

Para tre ditësh, Rama iu dha një ultimatum prej 48 orësh bizneseve në Lungomare që të lirojnë hapësirat publike, teksa i paralajmëroi se nga e hëna “nuk do të kenë më asgjë në dorë!”

“Ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”, e cila i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo, toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta! Halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite!  Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve e të betonarmeve, duke i tërhequr njëkohësisht “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!”, ishte paralajmërimi i Ramës.

Sakaq sot, të gjitha bizneset që operojnë në Lungomare janë mbledhur për të diskutuar paralajmërimin e Ramës, ndërsa kërcënojnë se po organizohen që të vendosin një mbyllje totale të bizneseve.

Salianji del nga burgu, mbështetësit e presin me duartrokitje dhe brohorima, Ilir Vrenozi e puth: Doli tigri (VIDEO)

Dhjetëra simpatizantë demokratë e pritën Ervin Salianjin jashtë portës së hekur të burgut të Fierit, pragun e së cilës ish-deputeti e kapërceu pas më shumë se 9 muajsh në qeli.

Hapat e Salianjit drejt lirisë u shoqëruan me duartrokitjet e demokratëve, ndërsa më entuziasti u shfaq Ilir Vrenozi, i cili puthi Salianjin në faqe teksa ky i fundit jepte deklaratën për mediat. “Doli tigri”, tha ai.

Ndërkohë, pasi u takua me mbështetësit, demokrati u nis drejt një fshati të Fierit, ku sikurse tha, në zgjedhjet e 11 majit votoi në shumicë Partinë Demokratike.

“Që tani do shkoj të falenderoj një zonë zgjedhore në një fshat të Fierit, ku ka fituar PD. Te ata që me rezistencë, burrëri, besnikëri, ia dalin të fitojnë. Do të nis takimet që nga ky moment“, u shpreh Salianji.

Demokrati që u lirua sot me vendim me kusht nga Gjykata e Fierit, u shpreh se nuk do të ndalë takimet politike, ndërkohë që i ndalohet të ushtrojë funksione publike për pesë vite.

“Do të bëj politikë në çdo cep që më jepet mundësia dhe do e dërgoj betejën në Strasburg. Do të kemi kohë të qëndrojmë më gjatë“, tha ai.

I pyetur për nëntë muajt e qëndrimit në qeli, Salianji tha:

“Në burg, e dini që thuhet burgu nuk i urohet as hasmit. Sot, kam një program, tjetër, e ndjej më shumë nën lëkurë padrejtësinë“.

E rëndë në Shkodër, mbytet kapiteni i anijes turistike. Po tentonte të shpëtonte dy turistë

Një ngjarje tragjike u regjistrua pasditen e të martës, më 8 korrik, në liqenin e Shkodrës. Kapiteni i një anijeje për qëllime turistike, humbi jetën pasi tentoi që të shpëtonte dy turistë që kishin rënë në ujë.

“Rreth orës 16:32, është marrë njoftim nga Salla Operative se në liqenin e Shkodrës, kapiteni i anijes për qëllime turistike e Bashkisë Shkodër, shtetasi A. A., 51 vjeç, dyshohet se gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, është mbytur”, njoftoi policia.

Fatmirësisht nga ngjarja kanë shpëtuar dy turistët, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë autoritetet po vijojnë me kërkimet për gjetjen e trupit të 51-vjeçarit.

“Ilir Metës po i bëhet terror psikologjik”- Sali Berisha: I kanë hequr telefonin dhe s’i kanë lejuar takimin me familjarët

Sali Berisha: Krahas saj, dua të denoncoj këtu para jush qëndrimet e terrorit psikologjik ndaj të burgosurit tjetër politik, ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të parlamentit, Ilir Meta, gjatë këtyre ditëve në vazhdim.

Me urdhër të Edi Ramës dhe Uluzi Manjës, banditë me uniformë në burgun e Fierit kanë ushtruar terror psikologjik ndaj Ilir Metës sepse ai ka dhënë një intervistë në media, ka ushtruar të drejtën e fjalës së tij.

Ky akt i shëmtuar i ndëshkimit për fjalën e lirë tregon tmerrin që Edi Rama ka për krimet politike që ka kryer.

Banditë me uniformë në zbatim të urdhrit të Edi Ramës dhe Uluzi Manjës kanë shkuar gjer aty sa nuk i kanë lejuar takimin me familjarët duket pretenduar se janë 4 dhe mund të futen vetëm 3, dhe akte të tjera.

I kanë hequr telefonin dhe të drejtën e komunikimit sepse, sipas tyre, ka komunikuar me Sekretarin e Përgjithshëm të partisë së tij.

Këto janë akte jashtëzakonisht të rënda të një narkoshteti që nuk ndodhin as në burgjet e Bjellorusisë apo Rusisë.

Këto ndodhin vetëm në Venezuelën e Maduros, ndaj dhe Edi Rama është një Ramaduro.

Këmbimi valutor 8 korrik/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 82.8 lekë dhe do shitet me 83.8 lekë.

Ndërkohë monedha evropiane euro do blihet me 97.4 lekë dhe do shitet me 98.2 lekë.

Franga zvicerane sot në tregun shqiptar do blihet me 103.6 lekë dhe do shitet me 105 lekë.

Ndërsa paundi britanik do blihet me 112.7 lekë dhe do shitet me 113.9 lekë.

Asllani, e ardhmja në Spanjë: Betis troket për shqiptarin, Inter refuzon ofertën e parë

Jo vetëm Hakan Calhanoglu, revolucioni në kabinën e dirigjimit në shtëpinë Inter mund të përfshijë edhe mesfushorin e Kombëtares Kristian Asllani. I ardhur nga Empoli në verën e vitit 2022 për rreth 15 milionë, dirigjenti i kombëtares shqiptare nuk ka arritur kurrë të bindë, duke u përballur me peshën e përgjegjësive në një rol delikat si ai i zëvendësit të Calhas. Ish-lojtari i Empolit do të donte të kishte më shumë hapësirë dhe një largim i tij nuk përjashtohet, me zikaltërit që gjithashtu janë të gatshëm për një lamtumirë të mundshme të Asllanit.

Mesfushori i shqiptar ka treg në Spanjë dhe – sipas asaj që raporton As – në veçanti i pëlqen Betis Sevilla. Bardhejeshilët kanë nevojë për një mesfushor për të zëvendësuar Johnny Cardoso, që pritet të bëhet një lojtar i ri i Atletico Madrid.

Asllani nuk konsiderohet i pashitshëm nga zikaltërit dhe interesi i Betis është konkret. Për momentin megjithatë ka distancë mes kërkesës dhe ofertës: Inter e vlerëson lojtarin 18-20 milionë euro, ndërsa spanjollët nuk do të donin të shpenzonin më shumë se 10 milionë.

Jo vetëm kaq, edhe pse nga Spanja filtrohet optimizëm për përfundimin me sukses të marrëveshjes, mesfushori nuk duket se ka hapur për destinacionin Betis.

Asllani e ka pasur të vështirë të gjejë hapësirë në dy vitet e tij të para në shtëpinë Inter. Shqiptari ka grumbulluar vetëm shtatë paraqitje si titullar nga 29 prezenca sezonale në sezonin 22/23, ndërsa në sezonin e titullit ka grumbulluar nëntë ndeshje nga minuta e parë nga 31 prezenca.

Vitin e kaluar, edhe për shkak të disa problemeve fizike të Calhanoglu, minutazhi i Asllanit u rrit ndjeshëm me shqiptarin që arriti kuotën e 20 paraqitjeve si titullar nga 39 prezenca sezonale.

Sidoqoftë, edhe me më shumë mundësi në fushë, Asllani nuk arriti të imponohej dhe për këtë arsye në shtëpinë e Inter mendojnë për shitjen e ish-lojtarit të Empolit.