“Ka 23 mln dollarë nga kompanitë e kunatit, 540 mln në offshoret ruse!”, Kryemadhi: Vetëm Basha nuk hetohet nga SPAK, arsyeja…

Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka deklaruar se ekziston një skenar politik, duke theksuar se “loja e Yuri Kim ishte që të krijonte klasën e re politike”.

Ajo gjithashtu pretendon se padia për zv.kryeministren Belinda Balluku është bërë nga Lulzim Basha.

Në emisionin ‘Kjo javë’ në News24, Kryemadhi tha se Basha është i vetmi politikan që ndaj tij nuk ka një hetim pasuror për pasurinë.

“Ai është i vetmi politikan që ka 23 milionë dollarë turnover, kompania e kunatit të tij nga bizneset shqiptare. Nuk kemi hetim pasuror”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi gjithashtu akuzoi Bashën si kryetarin e vetëm partie që ka 540 milionë dollarë të ardhura nga offshoret ruse me llogari, duke theksuar mungesën e hetimeve nga SPAK.

“Ka një skenar. Loja e Yuri Kim ishte që të krijonte klasën e re politike. Erion Veliaj nga PS dhe Bashën nga PD. Arrestimin e Berishës dhe Metës. Padinë për Ballukun e ka bërë Basha. Në varrimin e Fatos Nanos erdhi edhe Basha. Ai është i vetmi politikan, i cili ka 23 mln dollarë turnover, kompania e kunatit të tij nga bizneset shqiptare. S’kemi hetim pasuror. Është i vetmi kryetar partie që ka 540 mln dollarë të ardhura nga offshoret ruse me llogari. Por nuk kemi hetim. SPAK-ut i kanë ardhur faturat për GSIS, dhe ka dalë siç ka thënë LSI.”, tha ajo.

Ora Zero për Teheranin! Mund të evakuohet nëse nuk bie shi deri në fund të vitit

Teherani mund të evakuohet për shkak të mungesës së ujit, nëse nuk bie shi deri në fund të vitit, paralajmëroi presidenti Masoud Pezheskian në një fjalim televiziv.

Irani po përballet me thatësirën më të keqe në dekada këtë vit. Në Teheran, fenomeni është “i paparë në një shekull”, tha një zyrtar lokal.

“Nëse nuk bie shi, do të na duhet të fillojmë racionimin e ujit në Teheran rreth fundit të nëntorit ose fillimit të dhjetorit”, tha presidenti në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror.

“Nëse nuk bie shi deri atëherë, do të kemi mungesë uji dhe do të na duhet të evakuojmë Teheranin”, vazhdoi ai, pa dhënë detaje se si mund të ndodhë kjo në një metropol me dhjetë milionë banorë.

Drejtori i kompanisë së ujit të kryeqytetit, Behzad Parsha, tha të dielën e kaluar se qyteti mund të mbetet pa ujë të pijshëm brenda dy javësh. Diga Amir Kabir, një nga pesë që furnizon Teheranin me ujë të pijshëm, përmban “vetëm 14 milionë metra kub ujë, ose 8% të kapacitetit të saj”, tha ai, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA.

Konsumi i ujit ulet

Të mërkurën, drejtori rajonal i kompanisë së ujit, Mohsen Ardakani, tha në televizionin shtetëror se banorët e Teheranit e kishin ulur konsumin e ujit me 10% në gjashtë muajt e fundit. “Nëse arrijmë 20%, do të jemi në gjendje ta mbajmë situatën të qëndrueshme për një ose dy muaj, derisa të bjerë shi”, tha ai.

Klima në Teheran është e thatë dhe e nxehtë në verë. Vjeshta ndonjëherë sjell shi, ndërsa dimrat mund të jenë të ashpër, me reshje të dendura dëbore. Për arsye ekonomike, furnizimi me ujë është ndërprerë në shumë lagje të qytetit kohët e fundit, siç ndodhte shpesh gjatë verës, raportuan mediat lokale. Në korrik dhe gusht, gjatë një vale të nxehti, dy ditë u shpallën ditë feste për të kursyer ujë dhe energji.

Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, sasia e reshjeve në Iran këtë vit ka rënë në 152 milimetra, ose 40% e mesatares gjatë 57 viteve të fundit. Në disa provinca, sasia e reshjeve është ulur me 50-80%, tha Mohammad Reza Kavanpour, kreu i Institutit të Kërkimeve të Ujit, duke paralajmëruar se vendi “duhet të përgatitet për një situatë kritike”.

Kosova prodhon dronin e parë, Kurti përuron “Skifterin”: Po ndërtojmë të ardhmen e industrisë së mbrojtjes

Gjilani është bërë sot qendra e një zhvillimi të rëndësishëm për industrinë e mbrojtjes në Kosovë, ku kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përuruar dronin e parë të prodhuar në vend, të quajtur “Skifteri”.

Ky dron është ndërtuar nga kompania vendore “Future Minds Academy”, e cila operon në qytetin e Gjilanit. Në një postim në Facebook, Kurti e cilësoi këtë arritje si një hap të madh drejt zhvillimit të kapaciteteve teknologjike dhe të mbrojtjes në Kosovë.

Kosova prodhon dronin e parë, Kurti përuron “Skifterin”:

“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak ‘Skifteri’ dhe dronët civil, nga ‘Future Minds Academy’ dhe MIGA SkyShield MAR.

Kosova prodhon dronin e parë, Kurti përuron “Skifterin”:

‘Made in Gjilan’ përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz ‘K1’, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h.”, shkruan Kurti.

Kryeministri theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për këto iniciativa, duke premtuar përkrahje si në nivel qendror ashtu edhe lokal.

“Në mbrojtje e siguri kemi investuar duke blerë nga shtetet tona mike dhe partnere dronët Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger. Tash dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë. Si qeveri, edhe në nivel qendror edhe lokal, do ta mbështesim dhe përkrahim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, gjersa nuk do t’i ndalim investimet për mbrojtje e siguri.”, shtoi ai.

Me përurimin e “Skifterit”, Kosova ka hyrë në fazën e prodhimit të dronëve luftarakë, duke synuar pavarësi teknologjike dhe ngritje të kapaciteteve vendore.

Kosova prodhon dronin e parë, Kurti përuron “Skifterin”:
Kosova prodhon dronin e parë, Kurti përuron “Skifterin”:

Galeria fotografike (

1 / 4

)

Dëshmia dyditore në SPAK e inxhinierit grek që fitoi mbikqyrjen e punimeve të tunelit të Llogarasë (për Ballukun hapen edhe 3 dosje të tjera)

Inxhinieri grek, Yannis Kirkinezis, është njeriu që foli në SPAK, duke dhënë shpjegime të sakta mbi fitimin e kontratës me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për mbikëqyrjen e punimeve që po kryheshin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në Orikum.

Deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi i dosjes së supervizimit të tunelit të Llogarasë, rrëfimi i inxhinierit grek dhe komunikimet në telefonat e ministres Belinda Balluku, ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberit dhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi, përbëjnë provat gjenerale për ngritjen e akuzës penale ndaj Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë.

Kirkinezis, ka qëndruar mbi 6 orë në SPAK duke dhënë shpjegime dhe pas përfundimit të orarit zyrtar, prokurori i çështjes Dritan Prençi, është kujdesur që dëshmia e grekut të ndërpritej dhe më pas ka vijuar ditën tjetër.

Për shkak të vonesës dhe prezencës së gjatë në SPAK të inxhinierit Kirkinezis, interes ka shfaqur dhe smbasada greke në Tiranë, e cila mësohet të jetë vënë në dijeni nga SPAK, se shtetasi grek po merrej në pyetje si person që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes dhe jo si person nën hetim apo qoftë të ishte marrë ndonjë masë ndalimi.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se shtetasi grek ka bashkëpunuar me prokurorinë duke treguar të gjithë dinamikën e plotë që çuan atë dhe “Net-Group” të Valter Begaj, në fitimin e kontratës prej 2 milion euro për supervizimin e punimeve të tunelit të Llogarasë.

Ai i ka pohuar hetuesve të BKH-së dhe prokurorit Prençi të gjitha marrëveshjet që ka bërë në vitin 2021 e në vijim me Valter Begaj të “Net-Group” që tashmë ndodhet në burg. Begaj njihet si njeri i afërt me ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, edhe ky i fundit në burg.

Yannis Kirkinezis, ka treguar se është me profesion inxhinier dhe në Shqipëri administron degën e kompanisë hollandeze “Hill Internacinal N.V” me Seli në Amsterdam. Si përfaqësues ligjor i kësaj kompanie vepron dhe shtetasi tjetër, Emmanouil Sigalas.

Sipas tij, kompania është hapur në 4 qershor 2019 në Tiranë, ndërsa marrëdhënien e punës, fillimisht e kanë nisur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ku kanë marrë kontratën e parë në administratën publike.

Një muaj më pas kompania e administruar prej tij, arrin të fitojë tenderin 2 milionë euro të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku në këtë garë inxhinieri grek kishte bashkuar forcat me kompaninë “Net-Group”, e Valter Begaj.

Yannis Kirkinezis, ka pohuar në SPAK se tenderi për supervizimin është hapur në datën 25 nëntor 2021 nga Sekretaria e Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi.

“Net Group” dhe “Hill Internacinal N.V” kanë garuar përballë dy kompanive të tjera që kishin hyrë si Bashkim Operatorësh Ekonomikë “Stucky” l.t.d dhe “Gjeokonsult & CO”.

Fondi limit i këtij tenderi ishte planifikuar në 1 miliard e 947 milion lekë të vjetra, ku shërbimi duhej të kryhej në 34 muaj.

Sipas dokumentave zyrtare të sekuestruara tashmë nga SPAK, kompania “Hill Internacinal N.V” e inxhinierit grek dhe “Net Group” e Valter Begaj, në total ka përfituar në 14 transaksione të bëra nga Ministria e Infrastrukturës, 1 miliard e 979 milion lekë.

Pra edhe 32 milion lekë të vjetra mbi atë që ishte parashikuar në kontratën mes palëve.

Shuma prej 1 miliard e 979 milion lekë është paguar në bazë të kontratës Nr.1537/3 të lidhur në 16 Maj 2022 ku parashikoheshin shërbime inxhinierike për 13 situacione të mbikqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë.

Situacionin e parë, Ministria e Infrastrukturës rezulton ta ketë paguar drejt “Hill Internacinal N.V” në muajin Tetor 2022 në vlerën prej 88 milion lekë të vjetra. Ndërsa situacioni i fundit është paguar në 24 Janar 2025 në vlerën prej 55 milion lekë.

Kjo kontratë shërbimi ka dyshime të forta se është paracaktuar në favore korruptive, ndaj dhe SPAK prej disa muaj ka sekuestruar të gjithë praktikën dokumentare që është mbajtur për këtë tender, raporton Syri.net.

Ndërkohë të dhënat kompromentuese që janë luajtur në prapaskenën e këtij tenderi, tashmë ndodhet në telefonat e Evis Berberit dhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi, të cilët i ka sekuestruar dhe ekspertuar prokuroria e posaçme SPAK.

Kjo është një dosje Nr.2 për ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila ka afatin e parashkrimit deri në 25 nëntorin e 2026.

Ndërsa aktualisht, Belinda Balluku, është marrë e pandehur së bashku me 5 zyrtarë të tjerë, për praktikën tenderuese të ndërtimit të tunelit të Llogarasë me vlerë gati 180 milion euro.

Por kjo është vetëm fillimi, pasi ndaj Ballukut janë hapur dhe tre hetime të tjera duke filluar nga hetimi pasuror, hetim për dy anijet Gjenerator “Tigri 1” dhe “Tigri 2” si dhe hetime për kontratën konçesionare të ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar. /Syri.net

“Paqja fiskale” nis nga 1 janari dhe do të zgjasë tre vite: Kush do të përfitojë dhe si?!

Një nga premtimet kryesore të qeverisë në fushën ekonomike është “Paqja fiskale”.

Sipas Ministrisë së Financave, nisma do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2026 dhe do të zgjasë për tre vjet, deri në fund të 2029-ës.

Qëllimi kryesor i “Paqes fiskale” është krijimi i një marrëdhënieje të re dhe transparente midis administratës tatimore dhe tatimpaguesve, duke ofruar lehtësime të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset.

Kush do të përfitojë dhe si?

Nisma parashikon rregulla të favorshme për tre grupe kryesore tatimpaguesish:

Fshirje e Plotë për Borxhet më të Vjetra: Të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të krijuara para vitit 2016 (më shumë se 10 vjet më parë) do të fshihen plotësisht. Kjo do t’i çlirojë shumë biznese nga statusi i debitorit.

Fshirje e Gjobave për Borxhet e Mesme: Për tatimpaguesit me borxhe të krijuara deri në 5 vjet më parë (deri në fund të 2024), do të fshihen të gjitha gjobat dhe interesi i vonesës. Ata duhet të paguajnë vetëm shumën kryesore të borxhit.

Zbritje deri në 50% për Borxhet 5-10 vjeçare: Për bizneset me borxhe në këtë kategori ofrohen dy opsione:

Zbritje 50%: Nëse paguajnë të gjithë borxhin kryesor me një shumë të vetme, u fshihen 50% e gjobave dhe interesave.

Zbritje 25%: Nëse zgjedhin ta shlyejnë borxhin në disa këste, marrin një zbritje prej 25% për gjobat dhe interesat.

Në total, nga “Paqja Fiskale” pritet të përfitojnë rreth 213 mijë tatimpagues.

Politikat kryesore të reformës fiskale

Përveç “Paqes Fiskale”, qeveria po ndjek edhe disa reforma të tjera kapitale në rrugën drejt Bashkimit Europian:

Vazhdim i Tatimit 0% për Bizneset e Vogla: Nëntaksa 0% për bizneset e vogla do të zgjasë deri në vitin 2029, si një nxitje për formalizimin e tyre.

Reforma e Tatimit mbi Pasurinë: Pritet të rifillohet diskutimi për një reformë të këtij takse.

Mbështetje për Bujqësinë: Do të rishikohet skema e TVSH-së për fermerët në përputhje me praktikat e Bashkimit Europian, për të mbështetur më shumë sektorin.

Këto masa, së bashku me “Paqen Fiskale”, synojnë të lehtësojnë barrën financiare për bizneset dhe qytetarët, duke nxitur një mjedis biznesi më të shëndoshë dhe formalizimin e ekonomisë.

Nga Berlini në Kopenhagë për vetëm 4 orë, KE synon rrjetin hekurudhor me shpejtësi të lartë deri në 2040

Nëse gjithçka shkon sipas vizionit të Komisionit Evropian, europianët mund të jenë në mëngjes në Berlin dhe të hanë drekë në Kopenhagë, të udhëtojnë nga një kryeqytet në tjetrin përmes një treni super të shpejtë që kalon kontinentin si një linjë arteriale moderne.

Sipas The Guardian, Komisioni Europian publikoi planet për ndërtimin e një rrjeti hekurudhor “me të vërtetë evropian” me shpejtësi të lartë deri në vitin 2040, që do të ulë ndjeshëm kohën e udhëtimit mes qyteteve kryesore të kontinentit. Trenat pritet të arrijnë shpejtësi mbi 250 km/h, duke konkurruar drejtpërdrejt me fluturimet e shkurtra brenda BE-së.

Nëse projekti realizohet, udhëtimi midis Berlinit dhe Kopenhagës mund të zgjasë vetëm katër orë deri në vitin 2030, nga shtatë që duhen sot. Po ashtu, rruga midis Sofies dhe Athinës do të shkurtohet në gjashtë orë, nga pothuajse 14 aktualisht. Ndërkohë, një udhëtim midis Talinit dhe Rigës do të zgjasë vetëm 1 orë e 45 minuta (krahasuar me mbi 6 orë tani), dhe rruga Lisbonë–Madrid do të reduktohet nga nëntë në tre orë.

Komisioneri për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, e quajti këtë një hap drejt “një rrjeti më të shpejtë dhe vërtet evropian”, duke theksuar se objektivi është ta bëjë trenin alternativën më tërheqëse ndaj avionëve, sidomos për distancat e shkurtra dhe mesatare.

Megjithatë, sfidat janë të mëdha: infrastrukturë e pamjaftueshme, sisteme të papërputhshme, rregullore që bien ndesh dhe një sistem biletimi që sot konsiderohet “një labirint burokratik”.

Aktualisht, rreth 12,128 kilometra linja hekurudhore me shpejtësi të lartë ndodhen kryesisht në Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore mbeten “dobët të lidhura”.

Ekspertët llogarisin se 546 miliardë euro do të nevojiten për të trefishuar rrjetin ekzistues, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës, blerjen e trenave të rinj dhe zhvillimin e teknologjisë së përbashkët të sinjalizimit dhe biletimit në nivel kontinental.

Një nga qëllimet ambicioze të Komisionit është krijimi i një platforme unike për biletat ndërkufitare, që do t’u mundësonte pasagjerëve të blejnë një biletë të vetme për udhëtime në disa shtete, madje edhe kombinimin e trenit me avionin në një itinerar të vetëm. Propozimet ligjore për këtë pritet të publikohen në fillim të vitit 2026.

Organizatat e konsumatorëve dhe industrisë e kanë pritur planin me optimizëm. Robin Loos nga Organizata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) e përshkroi si “një hap përpara për udhëtimet e qëndrueshme”, ndërsa Community of Railway and Infrastructure Companies (CER) e cilësoi objektivin e 250 km/h si një “standard të ri konkurrues me udhëtimet ajrore”.

Megjithatë, jo të gjithë janë bindur. Eksperti i pavarur, Jon Worth, vuri në dyshim realizimin e projekteve konkrete, duke e quajtur dokumentin e Komisionit “më shumë aspiratë sesa plan real”. Ai theksoi se projektet e mëparshme të BE-së për rrjetet hekurudhore kanë qenë “jashtëzakonisht të ngadalta” në zbatim, duke pyetur pse këtë herë gjërat do të jenë ndryshe.

Nëse Europa arrin ta përmbushë këtë vizion, do të ishte një revolucion transporti, një mënyrë për të lidhur kontinentin më shpejt, për të ulur ndotjen dhe për t’i dhënë fund epokës së fluturimeve të shkurtra. Por deri në atëherë, mbetet një “premtim në shina”.

EMRAT/ Rruga buzë Vjosës që “zhduku” pa gjurmë 3 persona, DEKLARATA e frikshme e banorëve të Përmetit!

Tre persona të humbur në fshatin Leshicë të Përmetit, janë zhdukur e për herë të fundit janë parë duke kaluar nga një rrugë që përshkon buzën e lumit të Vjosës.

Për herë të fundit, një kamerë arriti të fiksonte Agron Çumanin, i cili i qetë po ecte e ndërsa në duar po mbante një thes.

Kjo daton më 4 nëntor, e që prej asaj dite 66-vjeçari ka humbur çdo kontakt me familjen.

Familjarët kanë nisur nga kërkimet deri në kufi me Greqinë, por asnjë shenjë e vetme prej tij nuk është parë.

Ajo që e bën ngjarjen më misterioze, janë deklaratat e banorëve të zonës, të cilët tregojë e për dy persona të tjerë Niko Dhimitri dhe Filip Kristidhi të zhdukur në fshat, të cilët pasi kanë kaluar nga ajo rrugë, nuk janë parë më.

Ndër të tjera, ata përjashtojnë çdo mundësi që ndonjëri prej tyre të jetë mbytur në lumin Vjosa pasi asnjë trup nuk është gjetur deri më tani nga kërkimet.

TRAGJEDI në Indiana të SHBA-së, nëna e katër fëmijëve qëllohet për vdekje pasi pastroi shtëpinë e gabuar!

Një histori tragjike me viktimë një nënë me katër fëmijë dhe njëkohësisht punëtore pastrimi po bëhet jehonë në mbarë botën.

32-vjeçarja Maria Florida Rios Perez, nënë e katër fëmijëve, u qëllua për vdekje kur u paraqit pa dashje në shtëpinë e gabuar për të bërë pastrimin.

Ngjarja tragjike ndodhi pak para orës 7 të mëngjesit të së mërkurës në Indiana, kur Perez dhe bashkëshorti i saj, Mauricio Velásquez, mbërritën në një adresë ku besonin se kishin marrë përsipër pastrimin e një banese.

Sipas autoriteteve, çifti bëri dy herë xhiron e bllokut për t’u siguruar se ishin në vendin e duhur.

Kur iu afruan hyrjes, Perez u përpoq të fuste çelësin në derë, para se të dëgjohej një të shtënë.

“E pashë gruan time të bënte dy hapa prapa dhe pastaj të rrëzohej. Po përpiqesha ta ngushëlloja, por gjaku nuk ndalonte”, deklaroi i shkatërruar Velasquez për gazetën Indy Star.

Policia e Whitestown, që mbërriti menjëherë në vendngjarje, konfirmoi se nuk kishte asnjë tentativë grabitjeje, ndërsa autori ende nuk është identifikuar. Autoritetet po hetojnë rrethanat e të shtënës.

Komuniteti lokal është tronditur, duke e përshkruar Marian si një grua punëtore, e sjellshme, që i kushtonte jetën familjes.

Është krijuar një fushatë GoFundMe për të mbështetur bashkëshortin dhe katër fëmijët e saj, të moshës nga disa muajsh deri në 17 vjeç.

Grumbullimi i fondeve ka kaluar tashmë gjysmën e objektivit prej 100,000 dollarësh.

Trupi i Perez do të transferohet në Guatemala, vendlindjen e saj. Bashkëshorti i saj kërkon vetëm “drejtësi dhe lutje” për familjen, duke thënë me lot në sy: “Nuk do të jetë e lehtë të rris fëmijët tanë vetëm”.

FOTO/ Ish-zv.kryeministrja Senida Mesi fiton betejën me kancerin, shfaqet me flokët e shkurtër!

Senida Mesi, ish-zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, zbulon për herë të parë se vitet e fundit kanë qenë tepër vështirë, një luftë e vërtetë për jetën, të cilën ajo fatmirësisht e ka fituar dhe sot është më e fortë se kurrë.

Ajo është prekur nga kanceri dhe pas një rrugëtimi të vështirë e të gjatë me muaj, në heshje dhe pa bujë, e ka mposhtur sëmundjen dhe tani ka nisur “rilindjen”.

“Gëzuar për fillimet e reja”, shkruan Senida Medi, duke cituar dhe një shprehje filozofike që thotë “Çdo fillim i ri vjen nga fundi i një fillimi tjetër.”

Ish-politikania socialiste e Shkodrës ka zgjedhur që në këtë moment të rrugëtimi të saj të ndajë dhe një fotografi me flokët e shkurtër.

FOTO/ Ish-zv.kryeministrja Senida Mesi fiton betejën me kancerin, shfaqet

Senida ka marrë mbështetje të gjerë nga miqtë dhe mikeshat e saj, një prej tyre ish-zëvendësministrja Ornela Çuçi.

ALARM ushqimor, bllokohen 25 tonë misër nga Serbia!

AKU ka bllokuar një kamion me 25 ton misër që vinte nga Serbia.

Mësohet se bllokimi u bë në doganën e Hanit të Hotit teksa kamioni ishte duke hyrë drejt Shqipërisë nga Mali i Zi.

Shkak i ndalimit të kamionit me misër është bërë prania në sasinë e misrit të aplatoxinë B1 e cila ka dalë mbi normat e lejuara për Shqipërinë.

Kjo normë për vendet e BE është e lejueshme por në Shqipëri jo për shkak se ka norma të tjera.

Siç raportohet, destinacioni final ishte qyteti i Elbasanit ndërsa bëhet fjalë për misër blegtoral refuzho.

Skaq, aksioni është duke vijuar ndërsa priten edhe bllokim i sasive të tjera të misrit sepse janë duke u kryer procedurat në doganën e Hanit të Hotit.

Gjithashtu bëhet me dije se AKU ka bllokuar edhe një fermë qumështi në fshatin Trush të bashkisë Shkodër për shkak të disa parregullsive të gjetura atje.