Alexandros Angelopoulos, i njohur si “Eskobari grek”, është arrestuar këtë javë për trafikimin e një sasie të madhe kokaine, mbi një ton, që po transportohej në një anije drejt Evropës. Angelopoulos, me një histori kriminale që përfshin kontrabandën e cigareve, armëve dhe drogës, ka qenë prej vitesh një figurë kyçe në qarqet e organizatave kriminale ndërkombëtare. Përveç ngarkesave të mëparshme të drogës, ai ishte i përfshirë edhe në pastrim parash me miliona euro, duke përdorur skema të sofistikuara dhe aktivitetet e tij në lojërat e fatit dhe bizneset e ndryshme.
Operacioni u koordinua nga autoritetet greke dhe ndërkombëtare, përfshirë FBI-në dhe agjenci të tjera evropiane, dhe rezultoi në arrestimin e pesë anëtarëve të ekuipazhit të anijes, përfshirë Angelopoulos. Anija u lokalizua pranë brigjeve të Francës, pas lundrimit nga Amerika Latine me ngarkesën e drogës. Autoritetet greke po punojnë për ekstradimin e të arrestuarve dhe numërimin e sasisë së kokainës që ishte e destinuar për tregjet evropiane.
Historia e Angelopoulos ngjan me një skenar filmi aksioni: nga fillimet si marinar që transportonte cigare kontrabandë, deri te trafiku i armëve dhe i drogës, bashkëpunimet me kartelët kolumbiane dhe pastrimi i miliona eurove, duke e kthyer atë në një nga baronët më të famshëm të drogës në Greqi. Arrestimi i tij shënon një hap të rëndësishëm në goditjen e rrjeteve ndërkombëtare të trafikimit të lëndëve narkotike.
Një video e realizuar në mbrëmje në Vlorë, po bën xhiron e rrjetit. Aty shfaqet një vajzë bjonde duke kalëruar një kalë të zi në rrugët e qytetit.
Pamjet kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e kalimtarëve, të pamësuar me këto ngjarje.
Komentuesit e rrjeteve sociale e kanë përshkruar momentin si “nga filmi”, ndërsa video po shpërndahet gjerësisht, duke rikthyer vëmendjen tek bukuria e natyrës dhe qytetit të Vlorës.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e stome brenda ambienteve të një shkolle në Athinë. Mësohet se një 14-vjeçare është sulmuar me thikë nga bashkëmoshatrja e saj për arsye ende të panjohura.
Autorja e mitur nxori një thikë 21 cm me teh 9 cm dhe sulmoi 14-vjeçaren, duke e plagosur në bark dhe në krah.
Sipas dëshmitarëve të cilët folën për “Protothema.gr”, nxënësja e plagosur u dërgua në zyrën e drejtorit e mbuliar në gjak ndërsa pak kohë më vonë u transportua me ambulancë në spital.
“Isha ulur në zyrën ku ulem çdo ditë dhe një fëmijë vjen dhe më thotë: vajza e re e goditi me thikë Marinën. Ngjitem shkallëve, në të parën, shoh gjak. Fëmijët zbritën shkallët e tjera, shkoj në zyrë dhe shoh vajzën të mbuluar me gjak, me duar dhe bark”, tha pastruesja e shkollës.
Sanitarja e shkollës zbuloi se autorja e krimit ishte në ditën e parë si nxënëse në atë shkollë.
“Kjo vajzë ishte në ditën e saj të parë në shkollën tonë, ajo erdhi nga një shkollë tjetër sepse ia ndryshuan mjedisin shkollor sepse kishte nxjerrë përsëri një thikë në klasën e 38-të ku ishte fëmija dhe e nxorën jashtë dhe e dërguan tek ne. Ditën e parë në shkollë, ditën e parë që ndodhi incidenti dhe ajo goditi me thikë një vajzë”, tha ajo.
Ekipi i popstares Taylor Swift shpërtheu në lot, kur zbuloi se këngëtarja u kishte dhuruar atyre 197 milionë dollarë si bonus për punën gjatë Eras Tour.
Superylli, 36 vjeçe, bëri historinë pasi arriti të arkëtonte dy miliardë dollarë nga shitja e biletave për turneun e saj 21-mujor, që përfshiu 149 koncerte në 21 vende.
Si shpërblim për ekipin e saj, Taylor shpërndau mbi 197 milionë dollarë bonus për të gjithë ata që punuan gjatë turneut. Në listën e përfituesve janë shoferët e kamionëve, punonjësit e cateringut, teknikët e instrumenteve, ekipi i merchandising-ut, ata që merren me dritat, audion, prodhimin, asistentët, marangozët, kërcimtarët, banda muzikore, siguria, koreografët, teknikët e piroteknikës, stilistët e flokëve, make-up artistët, departamenti i kostumeve, fizioterapistët dhe stafi i videos.
Një anëtar i stafit lexoi me zë të lartë një letër personale nga Taylor që tregon shumën e bonusit të tij, e cila censurohet me një “bip”.
“Të gjithë keni të njëjtin mesazh në automjetet tuaja, kështu që shpresoja që të mund ta hapnit së bashku. Para se të hapni zarfin, dua vetëm t’ju them se kjo pjesë e turneut ka qenë më e vështira se çdo gjë që kam bërë live, dhe ju e përballuat me shumë entuziazëm, kuriozitet dhe qëndresë të jashtëzakonshme. Turneu shkoi shumë mirë falë punës së palodhur të të gjithëve. Prandaj, nëse mundeni, lexoni mesazhin”, tha Taylor, raporton La Stampa.
Një anëtar i stafit me emrin Cam lexoi letrën me zë të lartë. “I dashur Cam, kemi udhëtuar nëpër botë ashtu si kishim vendosur. Kemi magjepsur publikun, por kemi ndjerë mungesën e familjeve tona. Mirënjohja ime nuk vjen vetëm nga banka, por ja shuma e madhe e dollarëve, thjesht për të të thënë faleminderit. Me dashuri, Taylor”.
Sipas The Sun, një kërcimtar thuhet se pothuajse ka humbur ndjenjat, kur hapi letrën e tij. Bazuar në llogaritjet e disa mediave amerikane, secili anëtar i stafit mund të ketë marrë rreth 50 mijë dollarë.
Ky veprim vjen dy vite pasi u zbulua se Taylor kishte shpërndarë më parë 100 mijë dollarë bonus për shoferët e kamionëve, përgjegjës për transportin e pajisjeve gjatë fazës amerikane të turneut.
Tubimin vjetor të partisë së saj, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e mbylli me thirrjet jo vetëm për mbrojtjen e arritjeve të qeverisë së saj, por edhe drejtuar Europës të forcojë aftësitë e veta mbrojtëse, sidomos në kohën kur administrate e Donald Trumpit po lëshon sinjale të një ndryshimi të strategjisë së saj të sigurisë, dhe një tërheqjeje të mundshme nga angazhimet në kontinentin e vjetër.
Nga Castel Sant’Angelo në Romë, Meloni deklaroi se Trump e kishte bërë të qartë se SHBA-të kanë ndërmend të shkëputen nga Europa dhe se europianët duhet të jenë të përgatitur.
“Trump e ka pohuar me shumë vendosmëri se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend të shkëputen dhe europianët duhet të organizohen për të mbrojtur veten. Për tetëdhjetë vjet ne ia kemi dorëzuar sigurinë tonë SHBA-së duke u shtirur se ishte falas, por kishte një çmim për t’u paguar dhe ky çmim quhet kushtëzim. Liria e ka një çmim”, tha Meloni.
Komentet e Melonit vijnë në mesin e tensioneve midis BE-së dhe administratës Trump. Kryeministria italiane i hodhi poshtë pretendimet se ka një krisje në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Megjithatë, sërish apeloi për një strukturë mbrojtëse europiane më të fortë, e të aftë të angazhohet me fuqitë globale në kushte të barabarta.
Gjatë protestës së zhvilluar këtë të hënë përballë Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se qëllimi kryesor i opozitës është zënia për tre javë e sheshit, duke e cilësuar këtë si formën më të rëndësishme të rezistencës kundër qeverisë.
“Ju garantoj se Partia Demokratike do bëjë gjithçka për frontin më të gjerë të mundshëm në këtë betejë. Ju garantoj se PD-ja do të përdorë të gjitha format e qëndresës, të gjitha format e rezistencës, gjer në largimin e tij. Cila është më e mira, më kryesorja. Zënia për tre javë e këtij sheshi. Kjo është. Këtu duhet të arrijmë ne. Këtu duhet të betohemi ne. Këtu duhet të vijnë njerëzit e betuar për të shpëtuar Shqipërinë. Si opozitë, le të paraqesim para shqiptarëve programin më të shkëlqyer që kemi paraqitur ndonjëherë”, tha Berisha.
“Koha është e guximtarëve, koha është e sakrificës, dhe ne jemi të vendosur për sakrificë sepse jemi në të drejtën tonë,” deklaroi Berisha, duke theksuar se opozita do t’i japë kryeministrit “përgjigjen që meriton”.
Ai akuzoi qeverinë për bllokim të drejtësisë dhe për vazhdim të vjedhjeve, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë. Berisha njoftoi se data 22 do të shënojë nisjen e protestës së përgjithshme kombëtare, ku sipas tij “rrugët e Tiranës do të ushtojnë me thirrjen: largohu hajdut, se koha jote ka marrë fund”.
Kreu i PD-së garantoi se partia do të punojë për krijimin e frontit më të gjerë të mundshëm opozitar dhe se do të përdoren “të gjitha format e qëndresës dhe rezistencës” deri në largimin e kryeministrit nga pushteti.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të angazhuar dhe “të betuar” për të shpëtuar Shqipërinë, familjet dhe të ardhmen e tyre, duke theksuar se opozita ka paraqitur programin më të mirë ndonjëherë, por zgjedhjet, sipas tij, u shndërruan në farsë nga paratë, dhuna dhe terrori politik.
Një aksident i rëndë rrugor tronditi komunitetin e Bellaria Igea Marina në Rimini pasditen e 29 tetorit, ku Evan Oscar Delogu, 18 vjeç, humbi jetën.
I riu, djali i Walter Delogu dhe vëllai i prezantuesit dhe shkrimtarit Andrea Delogu, po udhëtonte me një motoçikletë Benelli 750 në Via Vittor Pisani kur humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me dy shtylla ndriçimi pranë rrugës.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të paramedikëve të 118, përpjekjet për të shpëtuar të riun rezultuan të pasuksesshme. Rruga u mbyll përkohësisht ndërsa Policia Lokale nisi një hetim për të përcaktuar shkakun e aksidentit, duke marrë parasysh mundësinë e një defekti mekanik, shpërqendrimi apo probleme shëndetësore. Motoçikleta u sekuestrua për analiza të mëtejshme.
Babai i Evanit, Walter Delogu, ndau një mesazh prekës në Facebook: “Ndonjëherë zemra rreh edhe kur ai është i vdekur… Faleminderit të gjithëve për mbështetjen tuaj në këtë kohë zie… Dua që ta kujtoni fëmijën tonë kështu… Mirupafshim Evan… Babai yt… dhe mamaja jote…”
Mesazhi i tij i mbushur me dhimbje dhe dashuri mori qindra komente ngushëlluese nga miq dhe të njohur.
Sipas raporteve fillestare, aksidenti ndodhi rreth orës 15:40 në një segment të drejtë rrugor pranë parkut të qytetit, pa përfshirë automjete të tjera. Policia po mbledh deklarata dhe prova për të përcaktuar rrethanat e sakta të tragjedisë.
Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm familjen Delogu, por edhe të gjithë komunitetin lokal, duke rikujtuar rëndësinë e sigurisë në rrugë dhe pasojat e papritura që mund të sjellin aksidentet me motoçikleta.
Pas më shumë se 4 vitesh nga një prej ngjarjeve më të rënduara që tronditi opinionin publik shqiptar, Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin përfundimtar në çështjen penale ndaj ish-efektivit të forcave “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen me dashje të 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Hajdaraj, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila e kishte shpallur fajtor për vrasje me dashje dhe e kishte dënuar me 18 vite burg. Por për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, Hajdaraj do të vuajë 12 vite burgim efektiv.
Po ashtu, u rrëzua edhe rekursi i Prokurorisë, e cila kishte kërkuar dënimin maksimal prej 20 vitesh dhe mospranimin e gjykimit të shkurtuar, duke pretenduar se rrethanat e veçanta të ngjarjes nuk përmbushnin kushtet për këtë procedurë. Por Gjykata e Lartë nuk i pranoi këto argumente dhe i qëndroi vendimit të Apelit.
Si ndodhi vrasja e Klodian Rashës? Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit 2020 në Tiranë, gjatë orës policore të vendosur për shkak të pandemisë. Klodian Rasha, një 25-vjeçar që po ecte në rrugë pranë banesës së tij, u qëllua për vdekje nga efektivi Nevaldo Hajdaraj.
Sipas akt-ekspertimit dhe pamjeve filmike të sekuestruara nga Prokuroria e Tiranës, Rasha ishte në ikje e sipër, ndërsa Hajdaraj kishte hapur zjarr nga një distancë prej 4–5 metrash. Në një moment, ish-polici u shtri në trotuar dhe qëlloi dy herë me armën e shërbimit, një nga plumbat duke e goditur viktimën në shpinë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja shkaktoi reagime të forta në publik dhe në politikë. Mijëra qytetarë dolën në protestë në ditët që pasuan, duke kërkuar drejtësi për të riun dhe duke denoncuar dhunën policore. Si pasojë e presionit publik, atëherë-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.
Babai i Klodian Rashës: “Drejtësia është e verbër” Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha, është shprehur i zhgënjyer. Ai e cilësoi dënimin si “të butë” dhe tha se “drejtësia shqiptare ka zgjedhur të mbyllë sytë përballë një vrasjeje të qartë, të dokumentuar dhe të rëndë”.
“Për një jetë të marrë padrejtësisht, për një djalë që nuk mbante armë, që vraponte për të shpëtuar, për një veprim që shkatërroi familjen time, 12 vite janë një tallje. Ky është një dënim për të larë ndërgjegjen e shtetit, jo për të dhënë drejtësi”, u shpreh ai për mediat.
Mbyllet procesi penal, por jo dhimbja publike
Me vendimin e Gjykatës së Lartë, mbyllet përfundimisht procesi penal ndaj Nevaldo Hajdarajt, duke i dhënë fund një sage gjyqësore që la plagë të thella në shoqërinë shqiptare. Megjithatë, debati për përdorimin e forcës nga strukturat e rendit, abuzimin me armën e shërbimit dhe mungesën e transparencës në rastet e ngjashme mbetet ende i hapur.
Ngjarja e dhjetorit 2020 u shndërrua në një simbol të pakënaqësisë ndaj sistemit të drejtësisë dhe strukturave shtetërore, ndërsa emri i Klodian Rashës vazhdon të përmendet në çdo protestë ku kërkohet llogaridhënie për jetën e qytetarëve përballë autoritetit të shtetit.
Kthimi i Shqipërisë në bisedimet politike për kufirin detar me Greqinë ndodh në një moment kur qeveritë e dy vendeve takohen në pozicione asimetrike. Aq të thella janë diferencat sa argumentat në tryezë rrezikojnë të kalojnë në plan të dytë në formati që; s’ka rëndësi çfarë negociohet, por se kush qëndron në pozita force dhe kush në pozita të dobëta. Udhëtimi i 16 dhjetorit i ministres së Jashtme Elisa Spiropali drejt Athinës hyn pikërisht në këtë kategori.
Në tryezën e bisedimeve me homologun grek Giorgos Gerapetritis, sipas mediave greke, në krye të agjendës do të jetë rihapja e negociatave për kufirin detar, pra për delimitimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive. Në titullin me shkrimin “Një udhërrëfyes i ri me Tiranën” media greke To Vimashkruante se “në krye të axhendës së takimit të dy ministrave të jashtëm do të jenë diskutimet për delimitimin e ZEE”, duke shtuar se kjo po ndodh “në një moment të ri, në sfondin e projekteve aktuale dhe të ardhshme energjitike”.
Mbetet ende në pikëpyetje fakti nëse qeveria shqiptare është tërhequr nga pozicioni, me të cilin ishte rënë dakort me Greqinë, që çështja e kufirit detar do të vendosej nga Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ku palët do të uleshin formalisht të barabarta.
Megjithatë udhëtimi i Spiropali drejt një tryeze negociatash të rihapura, me një axhendë të imponuar në Athinë është sinjal se qëndrimi i Shqipërisë tashmë ka ndryshuar. Dhe kjo nuk është rastësi.
Athina rihyn në negociata e fuqizuar nga një rol i ri strategjik në politikën energjitike amerikane, pasi është shndërruar në portën hyrëse të gazit të lëngshëm të SHBA drejt Europës Lindore. Nga ana tjetër Tirana hyn e dobësuar nga një krizë e thellë e brendshme politike dhe institucionale, nën presionin e drejtësisë së mbështetur fort nga SHBA.
Më shumë se një qeveri e fortë që mund të përfaqësojë denjësisht interesat e Shqipërisë jashtë vendit, për momentin kjo e Edi Ramës sot i ngjan një trupe të dëshpëruar, nën presionin e provave të korrupsionit dhe të vjedhjeve skandaloze, që kanë dalë hapur tashmë. Dhe këtu është pikënisja e problemit.
Greqia, pika kyçe e projekteve energjitike amerikane
Për të kuptuar pse Athina sot negocion nga një pozicion shumë më i fortë se disa vite më parë, duhet parë roli i ri që Greqia ka marrë në politikën energjitike të SHBA dhe të Europës. Në muajt e fundit, zhvillimet kanë qenë të shpejta.
Për administratën e re amerikane, energjia është shndërruar në instrument shumë të rëndësishëm të politikës së jashtme.
Shprehja “Drill, baby, drill” një slogan elektoral i Donald Trump, paralajmëronte një politikë të re ekonomike; me rritjen e prodhimit të naftës dhe gazit brenda SHBA dhe tek aleatët, pa u kufizuar nga objektivat klimatike, për të siguruar fuqi ekonomike, pavarësi energjetike nga Rusia dhe epërsi gjeopolitike. SHBA synon të zëvendësojë gazin rus në Europë “deri në molekulën e fundit”, siç e formulojnë vetë zyrtarët amerikan.
“Takimi dyditor i Bashkëpunimit Transatlantik për Energjinë (P-TEC) në Athinë, ku u nënshkrua një marrëveshje mes ExxonMobil, Energean dhe Hellenic Energy, e cila i jep ExxonMobilit një pjesë prej 60 për qind në bllokun detar grek ‘Joni 2’
Sekretari amerikan i Energjisë Chris Wright e artikuloi këtë pa asnjë ekuivok në Athinë, gjatë vizitës kur u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme, kur deklaroi: “Ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të zëvendësuar gjithë gazin rus, të gjithë, deri në molekulën e fundit, nga Europa Perëndimore”
Në këtë skemë, Greqia është shndërruar në portën kryesore të hyrjes së gazit të lëngshëm amerikan në Europë përmes dy porteve strategjike, Revithoussa dhe Alexandroupoli.
Revithoussa, terminali ekzistues LNG pranë Athinës, pas vitit 2022 u zgjerua dhe u vu në funksion jo vetëm për nevojat e brendshme, por edhe për eksport drejt Ballkanit, kryesisht Bullgarisë.
njësinë lundruese të magazinimit dhe rigazifikimit të gazit të lëngshëm (LNG) ‘Alexandroupolis’, pranë portit të Alexandroupolit, Greqi, 1 tetor 2024. Gastrade/Handout përmes REUTERS.”
Ndërkohë, më 2023 hyri në fazë operative edhe terminali lundrues LNG i Alexandroupolit, një projekt kyç që u mbështet drejtpërdrejt nga SHBA dhe BE, si pjesë e planit për të zëvendësuar gazin rus në Europën Lindore.
Më 2024 dhe 2025, Greqia nënshkroi marrëveshje afatgjata për importin e gazit të lëngshëm amerikan, përfshirë kontrata 20 vjeçare që nga viti 2030 për rreth 700 milion metra kub gaz në vit, duke u pozicionuar si nyje tranziti për korridorin vertikal të gazit, që lidh Greqinë me Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo e ka kthyer Athinën nga një konsumator periferik në shpërndarës rajonal, duke i dhënë një rol të pazëvendësueshëm në sigurinë energjetike të Europës Juglindore.
Rëndësia politike e këtyre zhvillimeve është thelbësore. Me dy porte funksionale LNG dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë amerikane, Greqia ka fituar peshë gjeopolitike, ndikim në Bashkimin Europian dhe në marrëdhëniet me fqinjët.
Energjetika i ka dhënë Athinës statusin e partnerit strategjik të SHBA në rajon, duke e forcuar ndjeshëm pozicionin e saj negociues në çdo çështje dypalëshe, përfshirë edhe ato që formalisht nuk lidhen me energjinë, si kufijtë detarë dhe marrëdhëniet politike në Ballkan.
Sekretari amerikan i energjisë Chris Wright, pas firmosjes së marrëveshjes me Mitsotakis në nëntor, e përshkroi këtë ndryshim historik me një fjali shumë domethënëse: “Greqia ishte në fund të një sistemi furnizimi energjetik të dominuar nga Rusia. Sot, Greqia bëhet pikë nisjeje, porta hyrëse e energjisë amerikane në Europë.”
Nga Aleksandropulos në Odesa, korridori i ri i gazit për Europën
Po ashtu, projekti i të ashtuquajturit “Korridori vetikal i gazit”, që nis nga brigjet greke dhe shtrihet drejt Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Ukrainës, e vendos Athinën në qendër të një arkitekture të re sigurie energjetike europiane.
Në praktikë, kjo e bën Greqinë një partnere akoma më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe një faktor që Bashkimi Europian nuk mund ta anashkalojë. Dhe një vend që është kaq i rëndësishëm për SHBAdhe BE, e shfrytëzon momentin për të negociuar ndryshe me fqinjët e vegjël.
Gjigandi amerikan ExxonMobil nis kërkimet për gaz në detin Jon
Në këtë kontekst, hyrja e ExxonMobil në detin Jon dhe marrëveshja për kërkimet e gazit në bllokun “Joni 2” e ndryshon rrënjësisht lojën. ExxonMobil është një aktor me buxhete gjigande, që historikisht ka ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e politikave energjitike amerikane.
Në fillim të muajit nëntor, ExxonMobil ka nënshkruar marrëveshjen për kërkime gazi në ujërat perëndimore të Greqisë, duke marrë 60 për qind të aksioneve në një bllok detar, në partneritet me Energean dhe Helleniq Energy. Investimi fillestarllogaritet nga 50 deri në 100 milionë dollarë, ndërsa shpimet e para priten në fund të vitit 2026 ose fillim të 2027.
Ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle në nënshkrimin e marrëveshjes mes kryeministrit të Greqisë, Mitsotakis dhe presidentit të Ukrainës, Vladimir Zelenski për gazin amerikan
Ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, një ish prezantuese e Fox që ka nxitur fort për marrëveshjet energjitike të Greqisë me SHBA dhe Ukrainën, e shpalli këtë hap me një fjali simbolike: “Amerika është kthyer dhe po nis kërkimet në detin Jon.”
Kjo do të thotë se aty ku kompania ExxonMobil nis aktivitetin tregtar dhe investon dollarët e saj, SHBA ka interes të drejtpërdrejtë. Dhe aty ku SHBA ka interes të drejtpërdrejtë, kufijtë duhet të jenë të qartë, me stabilitet të garantuar dhe pa surpriza politike. Kjo e forcon automatikisht pozicionin grek në çdo diskutim për kufijtë detarë në rajon. Investimet shumë miliardëshe amerikane nuk mund të investohen në terren të paqartë.
Negociatat me Shqipërinë, nëpërmjet një qeverie të hetuar nga SPAK
Në anën tjetër të tryezës është Shqipëria, qeveria e të cilës është nën presionin e fortë të drejtësisë së re. Që SPAK dhe GJKKO janë të mbështetura fort nga SHBA, ky nuk është një sekret.
Dy zyrtarë të lartë amerikanë që së fundmi kanë vizituar Tiranën nuk kanë preferuar të trokasin në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Mark Fleming në zyrat e SPAK
Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Marc Fleming dhe zëvendësi i tij Lyn Debevoise erdhën në Tiranë dhe kërkuan posaçërisht të vizitojnë SPAK-un, për të theksuar fort partneritetin me prokurorët shqiptarë që kanë në duar dosje të nxehta të korrupsionit qeveritar.
Hetimet për Belinda Ballukun, mesazhet kompromentuese në celularët e saj, pezullimi nga detyra i zv.kryeministres, përplasja me Gjykatën Kushtetuese dhe lufta e hapur e kryeministrit me gjyqësorin kanë krijuar një klimë konfrontuese mes institucioneve.
Kthesa e SPAK në hetimet për zv.kryeministren Belinda Balluku ishte e menjëhershme. Për herë të parë, hetimet u shtrinë përtej një vije të kuqe të vizatuar po nga amerikanët dhe që kishte shërbyer si mburojë për kryeministrin Edi Rama.
Ndërkohë, hetimi dhe më pas masa e pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra u lexua si një kërcënim i drejtpërdrejtë për postin e Ramës në kryeministri.
Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara jo vetëm i nxitën prokurorët të vazhdojnë me hetimin, por mesazhet që mbërritën nga Departamenti i Shtetit ishin të forta, si për të treguar se koha e përkëdheljeve amerikane për qeveritarët shqiptarë tashmë kanë marrë fund.
I tillë ishte mesazhi i Donald Trump për festën e pavarësisë në 28 Nëntor, që bashkë me urimet përmendte kërkesën për të luftuar kundër organizatave kriminale. Po aq i drejtpërdrejtë ishte edhe mesazhi i sekretarit të Shtetit Marco Rubio në të njëjtën ditë, në festën e flamurit.
Me tone paralajmëruese, Marco Rubio kërkonte luftë ndaj karteleve të trafikut të drogës dhe ndaj bandave të trafikut transnacional. Mesazhet qenë të paprecedenta për asnjë vend tjetër të rajonit.
Oferta e humbur amerikane për Shqipërinë
Duhet thënë se Shqipëria ishte e para që mori ofertën për të qenë nyje energjitike e gazit të lëngshëm amerikan në Evropë.
Marrëveshja do të përmbante 3 pika kryesore: 1) futjen e gazit të lëngshëm (LNG) në Shqipëri, 2) konvertimin e TEC-it të Vlorës që të punojë me këtë gaz dhe 3) ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi, e deri tek shpërndarja në shkallë të vogël e gazit, duke shndërruar Vlorën në një treg rajonal.
Belinda Balluku në zyrat e ExxonMobil në Houston, SHBA
Mes qeverisë shqiptare dhe zyrtarëve të lartë të ExxonMobil u zhvillua edhe një bisedë në Zoom, me ndërmjetësimin e ambasadores amerikane Yuri Kim. (VIDEO KETU)
Ideja e kompanisë amerikane dhe dëshira e ambasadores Yuri Kim ishte që TEC-in e Vlorës në një nyjë strategjike të gazit amerikan për Ballkanin, me terminalin LNG që do ta shndërronte Vlorën “në portin rajonal të gazit”.
Në takimin online me përfaqësues të Exxon Mobil në mars të 2021, Rama shprehej: “Sot për Shqipërinë nis epoka e artë e gazit. Nuk do të ishte e mundur pa ambasadoren Yuri Kim.” Ndërsa Balluku shtonte: “Kjo është një marrëveshje historike që do ta bëjë Vlorën port rajonal të gazit.”
Nuk dihet pse, por gjërat nuk ecën siç ishin parashikuar. Ndoshta për mungesë të kapaciteteve, ndoshta për shkak të një administrate thellësisht të korruptuar, Shqipëria humbi shansin të ishte partnerja e dëshiruar e SHBA për energjinë.
Katër vite më vonë, TEC-i nuk punon, terminal nuk ka, asnjë metër kub gaz i lngëshëm nuk ka hyrë në vendin tonë, dhe Shqipëria është zhdukur nga harta e projekteve rajonale që financohen e drejtohen nga amerikanët. Exxon Mobil zgjodhi Athinën firmos për kërkimet e para të këtij lloji pas 40 vitesh në ujërat greke, duke tejkaluar pakënaqësitë e së shkuarës mes dy vendeve.
Negociatat për kufirin detar, një formalitet?
Kuptohet se një qeveri e intimiduar nga hetimet si kjo e Edi Ramës është në kërkim të qetësisë. Jo më kot, Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali, është gati të udhëtojë kokëulur drejt Athinës për të negociuar edhe një herë kufirin detar.
Në këtë kontekst duhen parë edhe fakti që, sapo ishte marrë e pandehur për korrupsionin tek tuneli i Llogarasë në fillim të nëntorit, Belinda Balluku u shfaq në Athinë në ceremoninë e kompanive amerikane për kërkime në detin Jon. Ishte udhëtimi i saj i fundit jashtë vendit, para se GJKKO t’i bllokonte pasaportën.
Të legenosur nga aferat korrupsionit dhe të shtrënguar nga darët e një drejtësie që u ka dalë nga duart, qeveritarët shqiptarë janë më të dobët se kurrë. Dhe dobësia, në marrëdhënie me të huajt, gjithmonë paguhet.
Në fund, kufiri detar mund të jetë një kompromis i mirë politik duke parë rrethanat. Por kompromiset e diktuara nga frika dhe presionet s’mund t’i shërbejnë interesit kombëtar./Lapsi.al
Keisi Medini, një nga vajzat më të ndjekura në rrjetet sociale shqiptare, ka tërhequr sërish vëmendjen me paraqitjen e saj më të fundit. Influencerja bukuroshe ka ndarë në Instagram disa foto ku shfaqet me një fustan elegant të zi, të gjatë dhe pa reçipeta, duke sjellë një pamje sa sensuale, aq edhe tërheqëse.
Pozat e reja të Keisit janë realizuar në një ambient modern, me ndriçim të butë që e vë në pah linjat dhe stilin e saj të veçantë. Pamja e thjeshtë, por provokuese, ka bërë që ndjekësit të shpërthejnë me komente, ku pjesa më e madhe e komplimentojnë për elegancën dhe vetëbesimin që përcjell.
Në vetëm pak orë, postimi i saj ka marrë mijëra pëlqime dhe qindra reagime, ndërsa fansat nuk kanë ngurruar ta quajnë “një nga paraqitjet më të guximshme të saj deri më sot”.
Keisi, e cila njihet si një nga emrat më të ndjekur në Instagram, ka ndërtuar një imazh të fortë përmes stilit të saj unik dhe prezencës së vazhdueshme në rrjetet sociale. Herë pas here ajo arrin të kombinojë elegancën me provokimin, duke ruajtur një ekuilibër që e bën ndër figurat më të komentueshme të showbiz-it shqiptar.
Ndërkohë, përveç botës së modës dhe rrjeteve sociale, Keisi ka paralajmëruar se po përgatit një projekt të ri artistik, që sipas burimeve të afërta, do të publikohet gjatë muajve në vijim.
“Bukuria nuk është vetëm ajo që vesh, por mënyra si ndihesh kur e vesh”, ka shkruar Keisi në mbishkrimin e postimit, duke e shoqëruar me një emoji zemre të zezë — një detaj që fansat e kanë interpretuar si simbol të stilit të saj “dark glam”.
Fotoja e Keisit po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u bërë ndër më të klikuarat e ditës.